Vëllezër e motr!
Motra Fetnete Ramosaj edhe kur u desh të vdes për kombin, ishte e gatshme për të vdekur, po shyqyr që mbeti gjallë dhe sot po merret me çështje, që janë në interes të kombit dhe shembullin e saj duhet ta ndjekin gjithë ata, që kanë fuqi e mundësi që të merren në forma të ndryshme. Ajo po merren me punët e organizatave dhe të krimeve serbe, dikush tjetër le të merret me ekonomi, dikush me filozofi dikush me fusha tjera, sepse bibliotekat kombëtare kudo në botë janë plot e përplot me vepra të rreme e të poshtra, të cilat Serbia ua dërgon me shumicë. Kam pas fatin që të jem në ato biblioteka dhe dhe thonë pse ju shqiptaret nuk ka dërgoni asgjë.
Kjo është ajo që thotë gjenerali që ne më shumë flasim vete me vete se sa dimë punët tona. Ne duhet ta njohim botën që të dimë punët tona dhe kjo mund të dihet duke dërguar nëpër bibliotekat ndërkombëtare të shumta po se po, ambasadave, ne e kemi një plagë në trupin tonë që e bartim që nuk e kemi një qendër kombëtare e cila duhet të merret me probleme kombëtare pavarësisht sa shtete jemi sot jemi dy nesër mund të bëhen tre e katër. S’prish pune se dikush po ka dëshirë të na ndajë, të na copëtojë, po shpirtin nuk na ndan dot, zemrat nuk na ndan dot, mendjen dhe gatishmërinë tonë për të qenë një nuk na ndan dot. Kështu që si komb duhet të përpiqemi të veprojmë bashkërisht dhe të bashkojmë të gjitha ato që është e mundur ti bashkojmë. Së pari po na del në politikë një njeri sikur që erdhi Edi Rama këtu dhe e shtroi një platformë kombëtare pa i prekë kufijtë, se s’kemi nevojë t’i prekim kufijtë, ne duhet t’i bashkojmë ato, që është e mundur t’ bashkojmë që nuk na pengon askush, thonë mos i prekni kufijtë, si prekim kufijtë po duhet ta bashkojmë arsimin.
Në Shqipëri kam dëgjuar se ekzistojnë katër abetare edhe një abetare në Kosovë pesë abetare, e nuk e kemi një arsim që do të ishte arsim kombëtar, nuk e kemi një shëndetësi që do të ishte shëndetësi kombëtare, nuk e kemi një ekonomi dhe një tregti që do të ishte tregti dhe ekonomi kombëtare për cilat nuk na pengon askush.
Ende jemi sikur fëmija i vogël që nuk ka ecur si duhet dhe nuk e di kah t’ja mbaj bredh herë andej herë këndej. Kështu që unë ju thërras juve që këtu shumica janë intelektual, të lëvizim nga vendi dhe mos të lejojmë që dikush tjetër t’i bëjë punët tona. Doli puna, Malkolmi e shkroi një histori, e cila u përhap në krejt boten sepse as një shqiptar nuk e shkroi një histori pak më të mirë dhe më informative, që ta merrte krejt botën. Faleminderit prej atij anglezi që pati gatishmëri që ta bënte një gjë të tillë po në gjithë këta shqiptarë dhe nuk u gjet që ta bënte një gjë të tillë ose të bashkoheshin ta shkruanin një histori të tillë. Pra ne jemi duke e mbartur sindromën tonë të dikurshëm pas Ilirisë me 20-30 fise. I mjaftonin brenda fisit e kishte atdheun e vet dhe punë e madhe se çka bëhej matanë. Erdhi Roma dhe një nga një na fshiu na përlau, na robëroi na mbajti 1000 vjet nuk patëm një zhvillim normal organik si i ka hije dhe si janë zhvilluar popujt tjerë, ne nuk patëm ndonjë farë shteti të madh të krijuar tamam skllavopronar. Themi ne, jo Teuta, jo ai tjetri, jo ky tjetri, po ishin më shumë do përpjekje para shtetërore, s’ kishte shtet skllavopronar, nuk provuam skllavopronarinë pasi iliri s’ donte ta robëronte vëllanë e vet. Është normale fisi i vet ta mbronte fisin e vet, se donte edhe dolëm në një feudalizëm të vonuar kur të tjerët hyn në kapitalizëm ne e zhvillonim feudalizmin, na merrte Serbia gjysmën e territoreve shqiptari flinte dhe s’dimë se çfarë po bëhej në Kosovë, se tokën e vet e kishte atje d.m.th mentaliteti feudal ende është i pranishëm në kokat tona.
Kjo ndarje dhe kjo butësi e hapësirës shqiptare ishte shkaku kryesor që të tjerët vinin dhe i gjenin të gatshëm dhe na merrnin copa-copa, ishte Iliria që e dinë të gjithë Iliriku i thoshin dikur, erdhën turqit dhe e bënë Ballkan, Ballkan, do të thotë, – mal bjeshkë. Dhe ja ku jemi edhe sot dhe merremi me probleme të cilat është dashur që të ishin të harruara.
Përse?
Sepse ishim të butë në çdo pikëpamje edhe në arsim edhe në shëndetësi edhe në ekonomi, në shkencë, në arte, gjithkund. Ne e kemi një Kadare që mund ta qesim në tryezë para botës mes shkrimtarëve por nuk kemi ndonjë ekonomist të njohur për atë punë, nuk kemi historianë. Po të bëhej tryeza botërore kë do qojmë ne, do të ziheshim mes vete. Historianët do thonë jo unë jam më i mirë jo unë etj. Kemi Akademi ne ç’bënë Akademia jonë me çka merret, me këto do të duhej të merrej Akademia e jo motra Fetnete. Këto janë punë të akademive këto janë punë shkencore. Pra na ka mbetur që studiues të ndryshëm të japin gjithçka nga vetja, siç kemi bërë gjithmonë. Edhe luftërat që kemi bërë gjithmonë kanë qenë të pabarabarta, por e kemi dashur lirinë aq fortë saqë nuk kemi menduar se a do të humbim kokën, a do shpëtojmë apo jo. Popujt e tjerë llogarisin nëse nuk ka mundësi të fitojnë atëherë nuk e fillojnë, e ne po, filloja një e dy e tre e njëqind, dhe na shkoi historia në luftëra, arritëm në një situatë ku jemi të ndarë në gjashtë copë, e këtë nuk duhet ta fshehim nga populli ynë por ai duhet që ta dijë se ku jemi. Dhe jemi në një gjendje jashtëzakonisht të vështirë, kritike. Është e vërtetë që kemi miq ne, por ata miq tanë erdhën kur e panë se ne kemi vendosë që të vdesim. Ata përpara e dinin si është situata e dinin se jemi të robëruar, burgjet jugosllave e serbe nuk ishin asnjëherë, asnjë ditë pa atdhetarë shqiptarë por s’ja vënin veshin, deri sa ne ishim të gatshëm të derdhim gjakun. Pra i fituam miqtë tanë tash e kemi problemin si të mbetemi mirë si të mos prishemi me ata të cilët edhe më tutje po ja mbajnë anën Serbisë, një Serbisë çetnike, po i bëjnë lëshime pa parim, lëshim pa të drejtë. Na futën në projektin e Ahtisarit. Ç’ është projekti i Ahtisarit? Është ne e hoqëm Serbinë për dere ata e futen për dritare. Ku kë parë e dëgjuar Serbia harxhon gjysmë miliardi euro për financimin e dyzetmijë e sa kuadrove të veta që i ka të instaluara në Kosovë, këtë e thotë Serbia vetë, nuk i trilloj unë, pra e kemi shumë të vështirë ne si shqiptarë kudo që jemi si ta ruajmë miqësinë ne miqtë tanë për të cilët kemi nevojë, të cilët i deshëm dhe u flijuam të gjithë, dhe si ti ruajmë dhe ti mbrojmë të drejtat tona që donë të na hajë Serbia që din të luajë role që ne nuk jemi në gjendje të luajmë role.
Ne e kemi këtu luftën për pushtet. Duam ta rrëzojmë Hashim Thaçin këtë e donë opozita jonë, Ata mendojnë se po e rrezuam Hashim Thaçin, shpëtuam. Janë disa që mezi presin. Kur shkon Thaçi të bisedojë atje nuk e ka bazën e fortë, sepse po të qëndrojë i thonë zotëri ti nuk po ece si po themi ne, vjen tjetri i gatshëm t’ ia zërë vendin dhe të bëjë të njëjtën gjë që është bërë deri tash. Kështu po bëhet luftë për pushtet kjo është bërë edhe në Shqipëri fatkeqësisht dhe bëheshin lëshime ndaj Greqisë, Serbisë, ndaj Malit të Zi, vetëm si t’i forcojnë pozitat dhe të rrinë në pushtet, ose të bëjnë dallavere t’i blejë të tjerët me pare, që të votojnë për ta.
Pra ishin lojëra që imponoheshin nga rrethanat konkrete, prej nesh varet a do të dalim ne nga kjo rrethanë a jo a do të kuptojmë njëherë e mirë që ende jemi hapësirë e butë e pambrojtur. Shikoni çka po ndodhë me tregun tonë. edhe maqedonët filluan të tallen me ne, ne i respektojë rregullat e CEFT-ës, ata thonë nuk ju duam miellin, grurin po, miellin jo, edhe i mbyllim kufijtë. Evropa bëhet se nuk shef njëherë shqiptarët që ngulën këmbë. Pra ku jemi si jemi, pra jemi në gjendje jashtëzakonisht të vështirë dhe këtë duhet ta kuptojnë të gjithë dhe t’ ua shpjegojmë të gjithëve, si ta ruajmë miqësinë tonë me Amerikën e dashur, si ta ruajmë me Evropën, të cilët bëhen sikur nuk e njohin Serbinë. Ishin çetnikët në serbi e jugosllavi, ata i bënë katër luftëra. Ata i bënë gjithë këto gjakderdhje, dhe prapë kanë ardhur çetnikët dhe ata sillën sikur të ishin do farë demokratë. Nikoliqi ishte çetnik, Daçiqi ishte i biri i Millosheviqit madje shkuar birit të Millosheviqit, prandaj inteligjenca jonë duhet të jetë e gatshme, sidomos kjo pjesa jonë që e kemi në Shqipëri që ta njoh mirë situatën në Kosovë, që t’i njoh mirë marrëdhëniet tona që kemi me Serbinë. Sepse as në Shqipëri nuk njihet mirë kush e çka është Serbia.
Ka pasur situata, juve ju kujtohet kur vinin atëherë kur ra komunizmi, filluan të liroheshin e të shkonin në Beograd, e kalonin Kosovën e shkonin në Beograd e takoheshin me udhëheqësit atje. Nuk ndaleshin në Kosovë te pyesin, o vëllezër çka i keni punët a keni halle, ne po shkojmë me bisedua atje në Beograd a keni diçka të ankoheni a tu themi atyre diçka a jo?
Duhet te them që jemi në një situatë shumë kritike për ta formuar vetëdijen tonë kombëtare në nivel kombëtar jo nacionalist. Nuk është turp ta duam vetveten sepse gjithë bota e do vetveten. Shikon sesi Amerika e do vetveten do të intervenojë diku se e shef se interesi i saj po preket diku larg. E ne e kemi këtu na kanë okupuar një të katërtën e territorit, duan ta krijojnë edhe një republika Srpska brenda nesh këtu dikur i bashkojnë komunat, dikur na thonë nuk keni forcën për ta përdorë.
Armatën qysh tash na kanë ndaluar, por nëse policinë e armatën nuk e komandojmë ne atëherë çka është shteti, cilat janë organet e shtetit, kush e mbron shtetin nëse jo policia e ushtria? nënë Tereza, apo? Kështu që po e them se para nesh shtrohen detyra jashtëzakonisht të vështira.
Këto hulumtime dhe studime që i ka bërë motra Fetnete Ramosaj duhet të lexohen, të kuptohen e të dihen. Zyrtarisht është thënë kush i ka dëgjuar këto televizionet tona se 25 shërbime të huaja punojnë në Kosovë, dhe ne ende nuk e kemi shërbimin tonë si duhet, të konsoliduar. Po na vjen situata që ne të bëjmë amnisti. Po i amnistojmë të gjithë ata që kanë vrarë, kanë prerë, kanë djegur, kanë bërë njëqind të zeza në Kosovë. Ata do t’i amnistojmë, She ata të mund të hyjnë në policinë tonë të mund të hyjnë në organe të shtetit, pra ta na hyjë spiunazhi hapur, legal dhe ne te rrimë këmbë kryq dhe të mos mund të themi asgjë, sepse Evropa po dashka kështu . Përse Evropa po donë kështu? Do, sepse ne jemi të shpërndarë të përçarë, të pabashkuar ne nuk jemi unikë.
Doli puna e fletëvotimeve dhe serbët kishin do kërkesa tjera dhe ngrihet njëri nga heronjtë tanë të luftës dhe thotë se duhet të gëlltisim diçka, në mënyrë që t’i bëjmë serbet të votojnë. Por a duhet ne te çmendemi që ata të votojnë, po deshën te votojnë të votojnë, po jo ne nuk mund ti bëjmë me zor qytetarë tanë. Dikur e pa që i shkoi gjatë puna e gëlltitjes dhe tash duhet ta gëlltis edhe listën Srbija, e tash jo, sepse ajo vërtetë qenka shumë.
Pra ne duhet ta kuptojmë që interesi kombit është mbi të gjitha, kur ta sigurojmë interesin e kombit definitivisht atë e sigurojmë kur t’ i shfarosim krejt çetnikët atje. Dobrica Qosiqi e ka botuar një libër për Kosovën. Ai thotë nuk ka pajtim me shqiptarët, gjenerata e gjenerata ne do të na përcjellin këto mospajtime, Ju e dini se Dobrica Qosiqi është baba i çetnikëve serbë të Kosovës, baba i çetnikëve të Serbisë. E ne duhet të jemi të gatshëm e të përgatitur shumë mirë në mënyrë që të mund tu bëjmë ballë sfidave që na presin. Të kuptojmë që interesi i kombit është mbi atë personal, mbi atë që të bëhen unë kryetar qeverie, ministër e të tjera.
E ty motër Fetnete, të faleminderit shumë që i ke hy e kësaj pune e ke përfunduar, e edhe juve të tjerëve që e keni ndihmuar dhe po na ndihmoni, po mos mendoni se punët janë kryer. Jemi në furtuna të mëdha që na presin. Është e vërtetë që nuk i kemi ato furtuna që duhet derdhur gjak, por tash duhet të flijohet karrigia, të flijohet posti.
(Fjala e plotë e simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçi, në përurimin e librit të Fetnete Ramosajt, “Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë”, më 18 shtator 2013. në BKU, në Prishtinë.)