Adem Lushaj: Mësuesja Lirie, mësuesja që sakrifikoi për nxënësit, familjen dhe atdheun e saj

Adem Lushaj: Mësuesja Lirie, mësuesja që sakrifikoi për nxënësit, familjen dhe atdheun e saj

Në çdo vit, populli shqiptar shënon 7 marsin, si “Dita e mësuesit”. Ditë, kur në Korçë ishte hapur shkolla e parë shqipe. Ditë e cila festohet për arritjet, por edhe sakrificën e shtresës më emblematike të kombit tonë. Arsimi shqip për breza ishte prijatare e përpjekjeve për identitet kombëtar. Për liri dhe pavarësi. Për arritje të larta në fushën e dijes. Por, edhe kur kërkohej, i rroknin armët për lirinë dhe mbrojtjen e trojeve të tyre.

Në këtë ditë feste, nuk mund të mos e përkujtojmë kolegen tonë, mësuesen shumëvjeçare, Lirije (Mushkolaj) Kelmendi, e cila kishte sakrifikuar jetën dhe shëndetin e saj, për kombin, për arsimin, për familjen. Mësuesja Lirije, ishte ndër intelektualet e para të Rajonit e cila për plotë 47 vite, përcjelli gjenerata e gjenerata. Nga edukimi dhe arsimimi i saj, dolën intelektual të të gjitha profileve shkencore. E lindur më 30 mars 1945 në Irzniq të Deçanit, si fëmija i parë në mesin e 8 fëmijëve të babë Qazimit dhe  nënës Shkurte (Krasniqi), i ra barra e përgjegjësisë përkujdesjen familjare. Pasi kishte kryer shkollën fillore në vendlindje, kishte vazhduar normalen në Gjakovë. Lirijen, jeta e sfidoj më shumë së të tjerët. Në vitin 1968, ishte bërë pjesë e organizimit të demonstratave në Pejë. Telashet e jetës së Lirijes, shtohen me humbjen e bashkëshortit (Sadri Kelmendi profesor i gjuhës frënge dhe muzikës), qysh në moshën 36 vjeçare. Ajo ishte bërë nënë dhe babë për 6 fëmijët e saj. Vuajtjet e mësueses Lirije, i shtohen me rastin e arrestimit të djalit të saj, Arsimit, si njëri nga pjesëmarrësit aktiv në demonstratat e vitit 1981. Arsimi, edhe pse ishte në moshën e adoleshencës, së bashku me disa kolegë nga shkolla e mesme e muzikës në Prishtinë, bëhet pjesë aktive në organizimin e këtyre demonstratave. Ky aktivitet i tij atdhetar, ka bërë që të arrestohet dhe burgoset me grupin e tij.

 Shkuarja e hershme në amshim e burrit të saj, arrestimi i të birit, kushtet e rënda ekonomike, nuk e dorëzuan mësuesen Lirije. Por, edhe me ndihëm e familjes, e sidomos të vëllait Isatit, nuk ju nda punës në edukim të nxënësve të saj. Ajo, arriti t’i shkolloi dhe edukoi gjithë fëmijët e saj, duke u bërë shembull për shoqërinë. Sakrifica e mësueses kishte vazhduar gjatë gjithë jetës së saj. Ajo, nuk kishte hezituar që ti jap organin e trupit të vëllait (veshkën), i cili nga torturat serbo-sllave, kishte humbur të dy veshkat. Isati, si njëri nga kryesorët e Shoqatës së juristëve deçanas, së bashku me heroin Sali Çekaj dhe kolegët tjerë, kishin jetësuar Kushtetutën e 7 shtatorit të vitit 1990, me të cilën Kosova ishte shpallë shtet sovran dhe i pavarur. Ky akt i juristëve të Deçanit, kishte tmerruar organet e sigurimit serbo-sllavë, çka edhe e kishin burgosur Isatin, me disa kolegët e tij. Nga torturat e egra, Isat Mushkolaj kishte humbur të dy veshkat, duke iu nënshtruar procesit të hemodializës. Mirëpo, Lirija si motra e madhe e familjes Mushkolaj, duke e parë gjendjen e rëndë shëndetësore e të vëllait, në prill të vitit 1995, i dhuron njërën veshkë, duke bërë që jeta e tij të zgjat deri vitin 2002.

Përkundër gjendjes jo të mirë ekonomike dhe mungesës së organit të trupit, ajo vazhdoi punën me nxënës, deri në pensionim. Assesi nuk kishte dashtë të del në pushim të detyruar nga shëndeti, edhe pse lëngojke nga sëmundja kronike diabetale. Për asnjë moment nuk e la ditarin, nuk u largua nga profesioni human i mësuesit. Mësuesja Lirije, u nda nga jeta më 11 shkurt 2020. Kontributi i saj prej mësimdhënësit dhe sakrifica për familje dhe atdhe, mbetët e përjetshme. Ata, që kishin fatin ta njohin mësuesen Lirije, do ta kujtojnë me respekt dhe dashuri. Ishte shembull se si duhet të jetë një nënë, një edukatore, një veterane e arsimit shqip. Do kujtohet gjithmonë si intelektuale dhe atdhetare.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …