Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, i dorëzon “qelsin e qytetit” të Vushtrrisë, veprimtarit të palodhshëm, humanistit të shquar, shqiptaro-amerikanit, Ramiz Tafilaj, duke e zyrtarizuar Vendimin e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë, që Ramiz Tafilaj të shpallet “Qytetar Nderi” i Vushtrrisë.
Kryetari Tahiri, me një ceremoni të veçantë e nën masat e pandemisë, Vendimin e Kuvendit komunal për shpallje “Qytetar Nderi”, e ka arsyetuar me anagzhimin e vazhdueshëm që Tafilaj e bën në ruajtjen e raporteve amerikano-shqiptare, si dhe kontributin e tij në shkollimin dhe ngritjen profesionale të studentëve nga Kosova, si dhe promovimin e historisë, kulturës, artit dhe shkencës së popullit shqiptarë, kudo në botë.
“Kuvendi Komunal i Vushtrrisë, në seancën e muajt korrik të këtij viti, ka shpallë për “QYTETAR NDERI”, z. Ramiz Tafilaj, për kontributin e vazhdueshëm në afirmimin e çështjes shqiptare, e sidomos në krijimin e raporteve të veçanta me SHBA-të; për shkollimin dhe ngritjen profesionale të studentëve nga Kosova dhe Shqipëria, në mesin e të cilëve ishin edhe nga Vushtrria; si dhe për promovimin e vlerava tona historike, kulturore, artistike dhe shkencore në botë!”, – ka thënë kryetari Tahiri, në asryetimin mbi të cilin është marrë vendimi nga Kuvendi i Vushtrrisë, duke qenë falënderues për gjithë punën e palodhshme të shqiptaro-amerikanit, Ramiz Tafilaj. Gjithnjë sipas të parit të Vushtrrisë, Tafilaj nuk ka ndihmuar dhe nderuar vec studentët e këtij qytetit dhe familjet e tyre, por ka nderuar edhe veprën e heroit Hasan Prishtina, i cili kishte dhënë shumë nga jeta dhe pasuria e tij, për arsimimin e shqiptarëve, sikurse që po e bën Tafilaj me buxhetin e tij familjar.
Ndërkaq, Tafilaj në fjalën e tij ka thënë se ndjehet jashtëzakonisht i nderuar për nderin që i bën Vushtrria e Hasan Prishtinës, duke premtuar se nuk do të ndalet nga rruga e tij për përkrahjen e të rinjve në rrugëtimn e tyre për shkollim.
“Ky nderim dhe nderimi i intelektualëve të Deçanit, për mua janë tepër të rëndësishëm, dhe kanë vlerën më të madhe se nderimi që më është bërë nga presidenti i SHBA-ve.
I Deçanit, për arsye se është vendlindja ime dhe bashkëvendësit e mi m’a njohën vlerën. E, Vushtrria për arsye se është qyteti më i vjetër i Kosovës dhe pikërisht kjo më bënë mua më të afërt me Vushtrrinë. Edhe pse mirënjohja e presidentit amerikan, e ka një vlerë të vetën të veçantë, por këto të Vushtrrisë dhe të Deçanit, janë më të vlefshme, ngase janë të popullit tim”, është shprehur Tafilaj, i cili i ka dhuruar të parit të Vushtrrisë, librat e autorit Jusuf Buxhovi, të përkthyera edhe në gjuhën angleze, të cilat janë botuar nga Shtëpia e tij botuese “Jalifat Publishing”, me seli në Houston-Texas të SHBA-ve.
“Tashmë, librat KOSOVA, DARDANIA, MAQEDONIA,… të historianit Jusuf Buxhovi, gjenden edhe në bibliotekat më të rëndësihme të SHBA-ve, duke bërë që të zbardhet historia jonë kombëtare, e në anën tjetër demanton historiografinë serbe, gjë që nuk kishte ndodhur deri më tash”, ka thënë në fjalën e tij, tashmë qytetari i Vushtrrisë, Ramiz Tafilaj, i cili ndjehet krenar me të arriturat e studentëve nga Vushtrria, që kanë studiuar në Amerikë, falë përkrahjes së tij. “Ndjehem krenar kur shohë, ish studentët që po arrijnë suksese të larta, siç janë studentët nga Vushtrria, por edhe të viseve tjera”, është shprehur Tafilaj, duke bërë ftesë gjithë të rinjve që dëshirojnë të studiojnë në SHBA, por edhe të kthehen në vendlindje për të dhënë kontributin e tyre profesional.
Për kontributin e madh të Tafilajt, e sidomos në dokumentimin e historiografisë shqiptare, ka folë edhe historiani Buxhovi, si dhe ish studentët nga Vushtrria, ku njëri nga ta, shërben në ushtrinë amerikane.