Adem Lushaj

Adem Lushaj: Shoqëria civile “vë në thumb” punën e deputetëve të Republikës së Kosovës!

Shoqëria civile është vënë në monitorim të angazhimeve të deputetëve të Republikës së Kosovës, përmes projektit “Vota ime”, projekt që synon të rris transparencën dhe përgjegjësin e të zgjedhurve në legjislativin e vendit.

Ky projekt përfshin edhe komunën e Deçanit, ku qytetarët kanë mundësi të njihen me angazhimet e 8 deputetëve që konsiderohen si qytetar të kësaj komune.  Koordinatori i këtij projekti për Deçan, Ndriçim Çekaj, ka bërë të ditur detajet e projektit, e njëkohësisht fton qytetarët që të bëhen pjesë e realizimit të tij. Sipas Çekaj, Instituti Demokratik i Kosovës – KDI, në bashkëpunim me partnerët implementues, ka bërë prezantimin e formës së re të monitorimit të punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, duke shfrytëzuar teknologjinë ose saktësisht të dhënat që dalin nga platforma për monitorimin e Kuvendit,  “Vota ime”, që ka për qëllim të monitoron punën e secilit deputet. “Në Komunën e Deçanit, partner i KDI-së për zbatimin e konceptit të ri të monitorimit është organizata joqeveritare Shoqata e Intelektualëve të Pavarur” (SHIP), ku së bashku me kolegët e mi, do të monitorojmë punën e deputetëve që janë me prejardhje nga komuna e Deçanit”, ka treguar koordinatori i projektit për Deçan, Ndriçim Çekaj, i cili me qytetarët tjerë do kenë në “thumb” angazhimin e: Armend Zemaj, Safete Hadërgjonaj, Daut Haradinaj, Time Kadrijaj, Rasim Selmanaj, Muharrem Nitaj, Shkumbin Demalijaj dhe Dardan Molliqaj.

Gjithnjë sipas Çekaj, deputetët do të monitorohen në periudha mujore, si për punën e tyre në seancat e kuvendit, ashtu edhe për pyetjet parlamentare, kontributin në interpelancat e kuvendit, angazhimet e tyre nëpër komisione, për pyetjet që qytetarët mund t’ua parashtrojnë atyre në platformë, mungesat nëpër seanca, shpenzimet, pjesëmarrja ose mospjesëmarrja në votimin e ligjeve, dhe çdo aktivitet tjetër në kuadër të obligimeve dhe përgjegjësive që kanë.

“Gjatë implementimit të projektit do ketë trajnim për të gjithë të interesuarit për marrjen e informatave për funksionimin e Kuvendit dhe mënyrën se si monitorohet institucioni në fjalë, i cili do të përfshijë të rinjtë të interesuar për këtë fushë, sikurse që do organizohen dëgjime publike në Komunën e Deçanit, me deputetët e lartcekur, ku do të diskutohen dhe shqyrtohen kërkesat e qytetarëve? si dhe të gjeturat e monitorimit”, ka shpjeguar Ndriçim Çekaj, i cili së bashku me kolegët e tij, Shkodran Lushaj dhe Florent Dobraj, janë të angazhuar nga SHIP dhe trajnuar nga KDI, për të përcjell angazhimet e deputetëve që gravitojnë nga Deçani.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …