Kolosët si Adem Jashari lindin rrallë. Megjithatë, ata dalin në përfaqe në kohë dhe në rrethana të caktuara, si Hektori në kohën antike, Spartaku në Romën e lashtë, Simon Bolivari në shekullin e 19-të, apo Çe Guevara në shekullin e 20-të. Adem Jashari i tejkalon përmasat e heroit kombëtar, meqë vepra dhe akti vetëflijues me tërë familjen, janë ngjarje unike dhe të veçanta në tërë historinë e qytetërimit njerëzor.
Adem Jashari ishte i biri i Shaban Jasharit dhe i Zahidesë. Ai lindi në ditën më të shënuar të historisë sonë kombëtare, më 28 nëntor, në datën e kthimit të Gjergi Kastriotit në Krujë dhe në datën tjetër të historisë, kur plaku Ismail Qemali shpalosi në Vlorë flamurin e pavarësisë të Shqipërisë. Ademi lindi në Prekaz, më 28 nëntor të vitit 1955, në dimrin që mbahet mend për acar dhe dhunë mizore që ndërmori regjimi jugosllav kundër shqiptarëve, më pretekst të kërkimit të armëve në mbarë Kosovën. Kjo ishte koha e aksionit famëkeq për çarmatosjen e shqiptarëve. Mësimet fillestare i mori në Skënderaj, ndërsa shkollën e mesme teknike e mbaroi, në Mitrovicë.
Familja me shumë anëtarë e Shaban Murat Jasharit ishte një familje me traditë të shëndoshë shqiptare. Të gjithë anëtarët e saj punonin në ngritjen e përbashkët të pasurisë familjare. Secili në punën e tij. Dikush në ara e në livadhe, dikush tjetër në punë, e dikush në mërgim.
Ademi, ashtu sikur edhe shumë të rinj liridashës të kohës, kishte edhe preokupime të veçanta. E donte dhe e çmonte armën. Aspironte lirinë e popullit të tij të robëruar dhe të nëpërkëmbur. I donte njerëzit, ndërsa shoqërohej sidomos me ata, të cilët shfaqnin interesim për të lënë gjurmë në kohë, për të vazhduar historinë aty ku kishte ngecur.
Në Kullën e përbashkët të familjes, pothuajse për çdo natë kishte miq. Hynin e dilnin burra të mençur e trima, të cilët rrëfenin për të kaluarën e rëndë nën robëri, por edhe për rezistencën e vazhdueshme të liridashësve të përkushtuar. Rrëfimet për Gjergj Kastriotin, për Ismail Qemalin, Hasan Prishtinën, Azem Galicën, Qerime Halilin, Ahmet Delinë, për Shaban Polluzhën e për qindra trima të tjerë, tregoheshin me respekt dhe me pietet, ndërsa nga të pranishmit dëgjoheshin me vëmendje të veçantë. Ademi po rritej e po burrërohej tok me vëllezërit, Rifatin dhe Hamzën. Përveç dy vëllezërve, ai i kishte edhe pesë motra: Hava, Zyla, Zoja, Qamilja dhe Halimja. Natyra i kishte dhuruar Ademit shtatin e hedhur si të Akilit, fuqinë fizike si të Herkulit dhe zhdërvjelltësinë si të Azem Galicës. Përveç dajë Osman Gecit nga Llausha, të cilin e donte dhe e respektonte pa masë, ai shoqërohej edhe me shokë dhe kushërinj të brezit të tij.
Në pranverë të viteve 1989-90, me rastin e revoltës gjithpopullore të shqiptarëve, në Kosovë, Ademi, së bashku me Ilaz Kodrën, Osman Gecin, Sahit Jasharin, Jakup Nurën e të tjerë, organizoi demonstratat në Skënderaj. Ai me vëllezërit Rifatin, Hamzën dhe me shokët e idealit nga Drenica si: Ilaz Kodra, Sami Lushtaku, Jakup Nura, Zenun Kodra, Besim Rama, Sahit Jashari, Fadil Kodra, Nuredin Lushtaku, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramiz Lladrovci, Sylejman Selimi, Rafet Rama e të tjerë, mori përsipër ta lëvizte përpara orën e madhe dhe tejet të rëndë të historisë.
Djalëria, që tregonte gatishmëri për të luftuar kundër okupatorit, duhej paraprakisht të stërvitej. Stërvitja duhej të mbetej çështje sekrete. Ajo do të mbahej në kazermat e ushtrisë të Republikës së Shqipërisë. Në dijeni të këtij fakti, në fillim të vitit 1991, ishte edhe vetë presidenti shqiptar i asaj kohe, Ramiz Alia. Stërvitja e grupit të dytë të kosovarëve mbahej top sekret. Për kursin njëmujor kishin dijeni: kryetari, Ramiz Alia, ministri i Mbrojtjes Perikli Teta, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare Kostaq Karoli, shefi i Katedrës së Zjarrit, Ylli Mici, si dhe oficerët që merreshin me stërvitjen e tyre si: Hysen Ymeri; Agron Dhimarko e Kastriot Hoxha. Përveç Adem Jasharit, atje ishin stërvitur edhe dhjetëra luftëtarë të tjerë të ardhshëm të UÇK-së. Adem Jashari; pas stërvitjeve ushtarake, së bashku me një grup prej afër 50 luftëtarësh u kthye në Kosovë, duke kaluar kufirin këmbë. Ata me këtë rast ishin armatosur me armë këmbësorie.
Rrethimi i parë
Më 30 dhjetor të vitit 1991, forca të mëdha policore, të mbështetura edhe nga forcat ushtarake jugosllave, rrethuan shtëpinë e Shaban Jasharit në Prekaz. Sigurimi Shtetëror Serb ishte në dijeni për arritjen e këtyre 1uftëtarëve në Prekaz. Në Kullë ndodheshin: Adem Jashari, me vëllezërit Rifatin dhe Hamzën dhe me bashkëluftëtarët, Sahit jashari, Fadil Kodra e me trima të tjerë të Kodrajve e të Lushtakëve të Prekazit. Përleshja kishte zgjatur prej mëngjesit e deri në orën 15.00 të asaj dite. Trimave të lirisë u kishin shkuar në ndihmë qindra liridashës të tjerë, në mesin e tyre edhe daja i Adem Jasharit, Osman Geci, nga Llausha. Meqenëse bërthamës çlirimtare, në krye të së cilës ishte Adem Jashari, po i arrinin përforcime nga të gjitha anët, forcat serbe u detyruan të tërhiqen. Ato e kishin kuptuar se luftëtarët e lirisë tashmë po i mbanin hapur armët për të luftuar kundër tyre.
Prej 30 dhjetorit të vitit 1991, Adem Jashari dhe bashkëluftëtarët e tij nuk e ndërprenë luftën e armatosur kundër pushtuesit serb, deri në çlirimin e Kosovës. Ai edhe ishte i zgjedhuri i trimave dhe asnjë nga shokët nuk e kishte vënë në dyshim asnjëherë pozitën e tij të prijësit. Adem Jashari tashmë ishte bërë komandant legjitim i formacioneve ushtarake çlirimtare, që më vonë do të quhen UÇK. Ai ishte në dijeni paraprakisht për të gjitha aksionet që ishin kryer kundër forcave serbe në Kosovë, që prej vitit 1991 deri më 1998. Në shumicën e këtyre aksioneve ai kishte marrë pjesë edhe vetë.
Gjatë periudhës së viteve 1991-1994, vetëm në Skënderaj e në Drenas, në këto aksione janë vrarë dhjetëra policë. Ndërsa më 23 mars të vitit 1993, me urdhrin e komandantit Adem Jashari, në udhëkryqin e hekurudhës në Drenas, është sulmuar automjeti i policisë serbe, me ç’ rast janë vrarë 5 dhe janë plagosur 6 policë serbë. Këtë aksion e kishin kryer: Sami Lushtaku, Ilaz Kodra dhe Rafet Rama.
Gjatë viteve të veprimtarisë ilegale guerile, Adem Jashari ka koordinuar pothuajse të gjitha aksionet që kanë ndodhur, jo vetëm në Drenicë, por në mbarë Kosovën. Në vjeshtë të vitit 1994, Shërbimi Sekret Serb zë në befasi dhe e arreston njërin prej bashkëveprimtarëve të Adem Jasharit, Besim Ramën nga Prekazi.
Në procesin gjyqësor të organizuar kundër këtij grupi, Gjykata e Qarkut në Prishtinë i dënoi prej 6 deri në 20 vjet burg: Adem Jasharin, Besim Ramën, Ilaz Kodrën, Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Fadil Kodrën, Zenun Kodrën, Nuredin Lushtakun, Sami Lushtakun, Sahit Jasharin, ldriz AsIlanin, Ali Jonuzin dhe Jakup Nurën. Adem jashari u dënua me 20 vjet burg, në mungesë. Për aktivitetin luftarak, qëllimin e Adem Jasharit dhe të bërthamës së tij çlirimtare, dinin edhe politikanët pacifistë kosovarë, të cilët këto zhvillime i përcillnin me skepticizëm dhe mosbesim. Kishte edhe raste kur aktiviteti i tij interpretohej me dyshime të liga dhe me kualifikime antikombëtare. Prania e grupeve të armatosura ilegale në Kosovë, në gjysmën e dytë të viteve nëntëdhjetë, shkaktoi konfuzione të caktuara në rrjedhat politike. Të gjithë kryeparët e partive politike pacifiste, pa dallim, u distancuan nga aktiviteti ushtarak i këtyre grupeve militante të udhëhequra nga Adem Jashari dhe konfirmuan para faktorit ndërkombëtar, si alternativë të vetme, lëvizjen pacifiste.
Përleshja e parë frontale në Rrezallë të Re, ish Ludovik
Më 25 nëntor të vitit 1997, policia serbe kishte pësuar disfatë në Lagjen Binakaj të Vojnikut, në përpjekje për ta arrestuar luftëtarin, Abedin Sokol Rexha. Të nesërmen, më 26 nëntor, forca të shumta të policisë ishin nisur në relacionin Skënderaj-Llaushë-Rrezallë e Re. Në vendin e quajtur “Klisyra”, në drejtim të Turiqecit, kishte zënë pritë komandanti, Adem Jashari me njëzet luftëtarët e tij. Atë ditë, forcat serbe, në këtë pritë, u sulmuan në befasi. Edhe pse ato kishin armatim të rëndë dhe ishin me numër të madh, që në fillim e humbën orientimin, meqë sulmi i rrufeshëm i çlirimtarëve të Adem Jasharit dhe i vetë Komandantit nuk u linte shteg për t’i akorduar veprimet luftarake. Forcave policore u kishte shkuar në ndihmë një helikopter ushtarak, i cili vërtitej mbi vend-betejë. Piloti nuk kishte guxim të lëshohej më poshtë për t’iu shkuar në ndihmë të plagosurve, meqë ndodhej në rreze të veprimit të armëve të luftëtarëve të Adem Jasharit. Gjatë tërheqjes së turpshme në drejtim të Skënderajt, forcat serbe godasin me armë shkollën e fshatit Llaushë, me ç’ rast merr plagë vdekjeje mësuesi, Halit Geci, ndërsa plagoset edhe arsimtari tjetër, Shaban Rreci, nga Llausha. Serbët kthehen të mundur. Shtypi, i quajtur i lirë dhe i pavarur i Beogradit e përshkruan ngjarjen, duke u mbështetur kryesisht në versionin zyrtar serb. Pranohet botërisht humbja e betejës, por paralajmërohen ndeshje të reja. Pranohet po ashtu fakti se policia serbe qysh moti e kishte humbur kontrollin gjatë natës në Drenicë, ndërsa tanimë po e humbiste kontrollin edhe gjatë ditës. Shtypi zyrtar i Beogradit propagandonte me të madhe se në Kosovë kishin hyrë dhe vepronin grupe “terroristësh” nga shumë shtete të Evropës dhe nga ato islamike.
Më 28 nëntor të vitit 1997, me rastin e varrimit të mësuesit dëshmor Halit Geci në fshatin Llaushë, me miratimin e Adem Jasharit, tre luftëtarë të lirisë: Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Daut Haradinaj, dalin publikisht të maskuar, por me uniformë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me armë automatike. Ata shpalosin qëllimin e luftës çlirimtare, si alternativë të vetme për ta shporrur nga Kosova pushtuesin serb. Brohoritjet e mijëra pjesëmarrësve në varrim, për UÇK-në, konfirmonin plebishitin alternative të lëvizjes paqësore. Trimat dhe trimëreshat e komandantit Adem Jashari, tanimë lëviznin lirshëm në Drenicë dhe në Dukagjin.
Rrethimi i Dytë i Kullës së Jasharëve në Prekaz, më 22 janar 1998
Shërbimi Sekret Serb, me kohë kishte identifikuar pikat e rezistencës në Drenicë, duke e shënuar si pikën me të rrezikshme Kullën e Jasharëve në Prekaz. Sulmin mbi Jasharët, njësitë policore serbe e ndërmarrin gjatë natës, më 22 janar të vitit 1998. Nuk duket që sulmi të ketë qenë i akorduar, meqë nuk përkonte me strategjinë dhe doktrinën zyrtare serbe të luftës. Përleshja ishte zhvilluar nga një distancë e vogël. Forcat serbe kishin goditur në drejtim të Kullës, ndërsa Shaban Jashari me të birin, Hamzën, dhe nipat e tij, Fitimin e Besimin, iu kundërpërgjigjën. Pasi merr vesh për sulmin, nga Llausha, ku kishte qëlluar atë natë, arrin me shpejtësi në Prekaz komandanti, Adem Jashari, së bashku me dajën, Osman Gecin dhe me luftëtarë të tjerë. Gjatë luftimeve, me këtë rast kishin marrë plagë llirianë dhe Selvete Jashari. Të nesërmen në mëngjes, policët serbë, të stacionuar në Fabrikën e Municionit, në shenjë hakmarrjeje për turpin dhe disfatën e pësuar në Prekaz, kishin vrarë punëtorin, Hysen Manxholli, nga Mikushnica. Edhe kësaj radhe forcat serbe ishin thyer me turp. Ishte hera e dytë, që policia serbe po e humbiste betejën me luftëtarët çlirimtarë të Adem Jasharit. Beogradi pushtues po përgatitej për luftë për ta sulmuar Drenicën, bastionin e qëndresës dhe Kullën e pamposhtur të Jasharëve në Prekazin e trimërisë shekullore shqiptare.
Ndërkohë, drejt kësaj kulle kishin mësyrë mijëra liridashës. Masa e madhe e njerëzve shkonte për të parë dhe për t`u bindur për krejt çka po ndodhte në Drenicë. Pas kësaj ngjarje, Kullën e Shaban Jasharit e vizitojnë sa e sa gazetarë, politikanë dhe njerëz orientimesh të ndryshme.
Shaban Jashari priste miq dhe u thoshte: Nuk kemi ku të shkojmë më tej. Kur sulmohet shtëpia, meshkujt, po besa edhe gratë, kanë për detyrë ta mbrojnë nderin e shtëpisë, sepse nderi i shtëpisë është edhe nderi i atdheut.
Shkurti i vitit 1998. Dimër… acar… dëborë… Luftëtarët e lirisë po vinin nga Perëndimi. Komandant Adem Jashari kishte konsoliduar radhët.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës kishte imponuar alternativën e luftës së armatosur.
Rrethimi i Tretë i Kullës së jasharëve në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998
Rreth e përqark Fabrikës së Municionit në Skënderaj, më 3 dhe 4 mars, ishin dislokuar forca të shumta të artilerisë së rëndë. Po ashtu, policia serbe kishte bërë përforcime të shumta nëpër të gjitha postblloqet e saj në Drenicë.
Në orën 5.30 minuta të datës 5 mars, artileria serbe, nga Fabrika e Municionit, fillon gjuajtjet në drejtim të Kullës së Shaban Jasharit dhe të të gjithë Jasharëve. Lufta dhe qëndresa titanike e kryetrimave në Prekaz kishte dhënë kushtrimin në të gjitha trojet e Shqipërisë dhe në mërgatë.
Anteu i lirisë, Adem Jashari, kishte marrë vendimin historik, vendimin më të vështirë dhe më të dhembshëm që ka marrë ndonjëherë njeriu, gjatë tërë historisë së qytetërimit.
-Nuk do të dorëzohemi për së gjalli!
– Vrastarët nuk do të kalojnë, veçse mbi trupin tim të vdekur!
…
“Tashmë ishte e largët koha kur thirrja e çetave të maleve të Drenicës: “Prite Azem Galicën, ore!”, ua kallte datën hordhive të krajlit serb. Vitet dhe dekadat e robërisë së Kosovës kishin venitur, në kujtesën e sunduesit serb, pamjen e dragoit të Galicës, që fluturonte hipur në kalë. Vetëm atëherë kur lubisë serbe i doli përballë uniforma e UÇK-së, si fantazmë tmerruese, pushtuesit serbë, sikur të parët e tyre dikur, filluan të ndiejnë dridhjen nën këmbë të tokës arbërore.
Prandaj, lubia serbe kishte provuar disa herë ta kafshonte Drenicën: në Prekaz, në Llaushë, në Likoshan, në Qirez e sërish në Prekaz. Më 5 mars, ajo po rikthehej edhe një herë te Prekazi i legjendave të trimërisë, për ta kafshuar helmueshëm Drenicën. Po sulmohej kështjella e jasharëve, ku ruhej i paprekur nderi shqiptar. Ajo kishte brenda zemrën e madhe të komandantit legjendar të luftës për liri, Adem Jashari, plakun fisnik Shaban Jashari, trimin e paepur Hamëz Jashari, nipat dhe mbesat e Shotës. Mëngjesi i asaj dite të acartë marsi, bashkë me krismat dhe me zjarrin e topave, po derdhte mbi Prekaz edhe tërë llahtarin e barbarisë serbe. Por, atë çast, brenda kështjellës u mor vendimi i madh:
– Nëse duhet vdekur dikush, më mirë unë, sesa Kosova ime, – kishte thënë Komandanti.
– Nëse duhet vdekur dikush, më mirë të gjithë ne, sesa Atdheu, – kishin thë-në të gjithë Jasharët në Kështjellë.
Po shkrepnin pushkët, e po këndonte zemra shqiptare. Pushka dhe kënga e trimave po shkruanin simfoninë e qëndresës së pamposhtshme, jehona e tyre po prekte rrënjët dhe majën e historisë së luftës sonë për firi. Në Prekaz po bëhej historia. Kështjella e jasharëve po bëhej muranë e lirisë. ( Nezir Myrtaj, 5 mars 1999. Radio Kosova e Lirë).
Lajmi për rënien e Adem Jasharit, të 20 pjesëtarëve të familjes së ngushtë të Shaban Jasharit dhe 39 të tjerëve nga familja e gjerë Jasharaj, si dhe të atyre që kishin gjatë atyre ditëve në Prekaz, kishte prekur shpirtin e çdo shqiptari liridashës dhe ishte reflektuar me një dhembje të pakrahasueshme kudo te shqiptarët. Dhembja, por edhe krenaria për Prekazin, kishte ngritur në këmbë të gjitha forcat liridashëse anembanë trojeve etnike të Shqipërisë dhe në mërgatë. Akti vetëflijues i Adem Jasharit, Hamëz Jashark, i Shaban Jasharit, Osman Gecit, Hamit Jasharit, Salë Jasharit, Faik Jasharit, Halil Jasharit, Ali Jasharit, Sherif Jasharit, Hajzer Jasharit, Ramiz Jasharit, Kajtaz Jasharit dhe i sa e sa të tjerëve, i kishte dhënë impulse vendimtare luftës për liri. Me emrin e Adem Jasharit dhe me moton mobilizuese: Prite, prite Adem Jasharin!, luftuan, deri në fund, luftëtarët dhe luftëtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.. Me emrin e Adem Jasharit, gjatë kohës së luftës, është emërtuar Brigada 111 e UÇK-së.
Më 28 nëntor të vitit 1998 Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin e shpall Komandant Legjendar të UÇK-së.
Sot, Garda e Kosovës mban emrin e Adem Jasharit.
Me rastin e një vizite në Prekaz, kryeadministratori i parë i Kosovës Bernard Kushner, ishte shprehur: Po të kishte çmim Nobel për liri, ai çmim do t’i takonte familjes Jashari të Prekazit.
Për Adem Jasharin janë shkruar libra, drama, broshura dhe jetëshkrime të panumërta, nga shumë intelektualë shqiptarë dhe të huaj. Janë shkruar dhjetëra e qindra shkrime të autorëve të ndryshëm, në shtypin ditor dhe në atë periodik.
Janë emërtuar shumë sheshe dhe rrugë qytetesh në Prishtinë, në Tiranë, në Gjirokastër dhe kudo në trojet e Shqipërisë Etnike.
Është projektuar realizimi i kompleksit memorial “Adem Jashari”, në Prekaz.
Emri i Adem Jasharit është përjetësuar në institucione të shumta edukative, arsimore e shkencore, kudo në trojet shqiptare.
Emri i Adem Jasharit, pa dyshim, është emri më i frekuentuar shqiptar në mediat shqiptare dhe botërore, qysh nga 5 marsi i vitit 1998. Pothuajse nuk ka familje shqiptare që nuk e ka portretin e Adem Jasharit. ( Feniksët e lirisë II)
Ahmet Qeriqi: Legjendari i legjendave të Shqipërisë-Adem Jashari (1955-1998)
Nuk janë të rrallë shembujt e heroizmit, madje as tani në botën tonë moderne, (kur mendohet se legjendat i përkasin së kaluarës dhe ato shërbejnë vetëm për ta rikthyer atë, në kujtesë). Por, një legjendë tipike shqiptare ka hyrë në historinë tonë më të re, ashtu si legjendat e motit, ashtu sikur edhe legjendat e dhembshme të historisë njerëzore, pse jo edhe si legjendat urbane të kohës me plot tronditje, në të cilën po jetojmë.
Më 28 Nëntor të vitit 1955, në kullën e njohur për besë, njerëzi e atdhetari, Shaban Jasharit, në Prekaz, pikërisht në Ditën e Flamurit, në ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, i kishte lindur një fëmijë mashkull, të cilin, nënë Zahideja dhe babë Shabani e pagëzuan me emrin, Adem, me emrin më të njohur të Biblës, me emrin që simbolizon njeriun e parë të krijuar nga Hyji.
Ai kishte lindur në një ditë të shënuar, andaj edhe prindërit e pagëzuan me një emër të njohur. Një emër i cili më vonë do t’ i bashkohet datave më të rëndësishme të historisë shqiptare, por edhe emrave më të shquar e më të sakrifikuar të asaj historie.
Ditëlindja e Adem Jasharit, më 28 nëntor 1955 dhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor 1997, i shtuan historisë së re shqiptare edhe dy data të tjera në kalendarin e datave më meritore dhe më me rëndësi për tërë kombin, kthimit të Skënderbeut në Krujë më 28 nëntor të vitit 1443 dhe Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor të vitit 1912.
Më 5. 6 e 7 mars të vitit 1998, në Kullën e Jasharëve të Prekazit, por edhe përreth lagjes Jashari përgjithësisht, natën vonë ishte strukur lubia me shtatë krerë. Si pjellë e satanait, ajo po priste agun e ditës për të filluar sulmin shkatërrimtar kundër kullave të qëndresës, të cilat për një kohë të gjatë nuk kishin lejuar marshimin e forcave të territ nëpër rrugët e lagjes së tyre dhe më gjerë…
Rezistenca e kryetrimit të kohës sonë, e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, e familjes së tij të ngushtë dhe të gjerë, e tërë lagjes Jashari përgjithësisht, më 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998, kishte rikthyer në kujtesë legjendën biblike të luftës së Davidit kundër Golijatit, legjendën e 300 spartanëve, legjendën e Lakademonit antik, legjendën e vajzave të Kurbinit, qpëndresën heroik në kullën e barotit të Ali Pashë Tepelenës, legjendën e Halil Patronës, Oso Kukës dhe sa e sa shembujve të tjerë të heroizmit shqiptar nëpër shekujt, të heroizmit njerëzor.
Legjendari, Adem Jashari, për nga përmasa e qëndresës dhe vetësakrifikimit është fenomen “sui generis”, fenomen që i tejkalon përmasat kombëtare e rajonale, është fenomen që paraqitet rrallë herë në historinë e qytetërimit, ose njëherë gjatë disa shekujve.
Duke folur për fenomene të tilla, studiuesi i vëmendshëm i etnopsikologjisë shqiptare dr. Kristë Maloku, në studimin e tij “Shteti apo kombi”?, botuar në vitet e tridhjeta të shekullit njëzet, ndër të tjera ka shkruar: “Shpëtimtari i kombit duhet të ketë fantazi krijuesi si Platoni, … entuziazëm djalërie si Alkibiadi, vullnet vetëflijues si Sokrati. Por kësi shpëtimtarësh të kombit nuk mbijnë aq lehtë në Shqipëri e as tjetërkund, sepse Zoti i dërgon ata vetëm njëherë brenda qindra e mijëra vjetësh. Dhe, i dërgon vetëm si një kurorëzim të një pune të gjatë kombëtare, plot orvatje e mundime, si një lulëzim të shkëlqyeshëm mbi gjethe, gjemba e ferra të një kopshti të kulturuar kombëtar. (Kristë Maloku, Shteti apo kombi, botuar në revistën “Dardania Sacra nr.4 Prishtinë 2002,f.74.) Ky konstatim vegimtar i Kristë Malokut, përputhet në tërësi me përshkrimin që ai i bënte shpëtimtarit, heroit të një kohe të caktuar historike.
Veçantia tipike e këtij fenomeni i ka specifikat e veta në kohë dhe në hapësirë. Rrëfimi për luftën, qëndresën dhe sakrificën e Adem Jasharit, Hamëz Jasharit, Shaban Jasharit dhe të JASHARËVE të tjerë në Prekaz, më, 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998, është rrëfimi më tronditës, në të njëjtën kohë rrëfimi më krenar dhe më i sublimuar nga të gjitha rrëfimet e tjera të luftës dhe të sakrificës njerëzore, të kryera në emër të idealit të lirisë, në emër të çlirimit nga njëra ndër makineritë më të tmerrshme e krimit, që ka sunduar ndonjëherë në botë.
Filozofi më i madh gjerman, Georg Vilhelm Fridrih Hegel, në veprën madhore “Fenomenologjia e shpirtit” në kapitullin, “Perënditë dhe njerëzit”, ndër të tjera ka shënuar: “Forcat e përgjithshme disponojnë në vetvete shenjën e individualitetit, e cila është e lidhur me principin e veprimit. Nga kjo del se vepra e tyre manifestohet si veprim i lirë, i cili përgjithësisht rrjedhë prej tyre. Kështu kanë vepruar perënditë, kështu veprojnë edhe njerëzit*.( Hegel Fenomenologjia e shpirtit, BIGZ 1974 faqe 420.)
Pikërisht në suaza të këtij përkufizimi filozofik të Hegelit, duhet zbërthyer frymën e principit të jetës dhe të veprës së Adem Jasharit, të Anteut të kohës sonë, i cili u përball me forcën e brutalitetit barbar, për të ngadhënjyer mbi atë forcë djallëzore, me aktin e qëndresës dhe të heroizmit unik, të flijimit kolektiv të familjes, fenomen ky rrallë i përsëritshëm në historinë e qytetërimit.
Rrëfimi historik për Adem Jasharin, duke e krahasuar atë me personazhe të caktuara të Biblës apo të rrëfimeve të tjera para antike dhe të kohës antike si, Anteu, profeti Job, Juda Makabe, Spartaku, Farabundo Marti, Çe Geuvara e shumë të tjerë, është rrëfim që në shumë segmente i tejkalon tregimet e moçme mbi trimërinë, qëndresën, vendosmërinë dhe vetësakrificën.
Legjendari i kohës sonë, Adem Jashari, në historinë tonë më të re, në ndërgjegjen e liridashësve shqiptarë, është ngulitur jo vetëm si kult, që simbolizon trimërinë, vendosmërinë, sakrificën, po mbi të gjitha është simbol unik i fuqisë dhe i vitalitetit kombëtar, simbol i përsëritjeve ciklike të ngritjeve shqiptare, pas rënieve të shumta. Adem Jashari është Mesi i realizuar, është shpëtimtari që e kemi pritur me shekuj, është udhërrëfyesi dhe shembull-dhënësi realist i lirisë.
Epiqendra e heroizmit dhe qëndresës shqiptare sot, nuk mund të mendohet pa ideatorin dhe projektuesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Vepra e tij heroike ishte dhe vazhdon të mbetet burim i frymëzimit më të fisnikëruar kombëtar për të gjithë shqiptarët liridashës dhe më gjerë. Vizita, që shqiptarët, por edhe shumë liridashës e humanistë të tjerë nga mbarë bota i bëjnë Kullës së Jasharëve, tani në Kompleksin Memorial Kombëtar, në Prekaz, është tregues se pikërisht në qendër të Shqipërisë po përjetësohet një vend-pelegrinazh i ri i botës shqiptare, një vend i shenjtë jo vetëm i Shqipërisë.
Fenomeni Adem Jashar po ngrihet në monument përjetësie fizike e shpirtërore, jo si mit mesjetar, jo si legjendë e rrëfimeve tradicionale mitologjike, por si një personazh i veçantë dhe realist i historisë me përmasa po ashtu tipike, realiste, sepse vepra dhe heroizmi i tij shënuan piedestalin, preken atje ku nuk arrijnë dot as legjendat, shënuan majat më të larta, përtej të cilave pushon edhe fjala.
Në të gjitha segmentet studimore, në të gjitha format e krahasimit dhe të përshkrimit, fenomeni Adem Jashar, imponohet para së gjithash me origjinalitet, imponohet me veçanti tipike të një tipologjie autentike në paraqitje, që mbërthen në vetvete të gjitha përshtresimet universale të Njeriut, i cili jo rastësisht kishte sfiduar terrin, barbarinë, dhunën, jo rastësisht iu kishte kundërvënë ushtrisë gjakatare të kryekriminelit, despotit dhe kasapit të Ballkanit.
Në përvjetorët e sakrificës dhe heroizmit të Legjendarit, Adem Jashari dhe jasharëve të rënë e të martirizuar, krenohemi me epokën e tij, por nuk mund të krenohemi se e kemi çuar deri në fund amanetin e tij, pavarësisht pompozitetit, retorikës politike, fjalimeve emocionale, ceremonive tashmë tradicionale, të cilave iu mungon esenca e porosisë së legjendarit, e cila njëzohej fuqishëm me moton filozofike të Ukshin Hotit, “Bëje ose vdis!”. Të ndodhur para kësaj dileme, shumë politikanëve shqiptarë, që gjatë këtyre ditëve bëjnë homazhe para varrit të legjendarit, do të duhej t’iu dridheshin këmbët, do të duhej të iu thaheshin buzët, do të duhej t’iu ngelnin në fyt fjalët e zgjedhura dhe përkushtimi për Legjendarin…
(Ky shkrim i botuar në vitin 2003 është vjedhur nga Erald Selca dhe është botuar në portalin, Ekonomia online, mbase edhe në ndonjë portal tjetër. Shkrimi im i parë për Adem Jasharin daton qysh para 20 viteve, por ndërkohë është përpunuar dhe është plotësuar. Në faqen e Radios në Internet gjendet qysh nga viti 2005. Përvetësuesi i shkrimeve, Selca ka postuar edhe shkrime të tjera të miat dhe autorëve të tjerë në emër të vet. Po jo vetëm ky. Janë edhe disa portale të cilat i botojnë shkrimet për UÇK-së dhe Adem Jasharin pa vënë emrin e autorit, ose me emra të rrejshëm. Redaksia e Radios-Kosova e Lirë është në fazën e përgatitjes së materialeve për denoncimin një për një të përvetësuesve të shkrimeve autoriale nga hajnat e internetit).
Ahmet Qeriqi: Legjendari i ribërjes së legjendave bashkëkohore të Shqipërisë – Adem Shaban Jashari (1955-1998)
Prekazi i Drenicës hyri në historinë tonë më të re, ashtu si Kruja në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Janina në kohën e Ali Pashë Tepelenës, Prizreni në kohën e Lidhjes Shqiptare të vitit 1878, Vlora në kohën e Ismail Qemalit, Tirana në ngadhënjimin e luftës Antifashiste dhe Prekazi në rezistencën e Legjendarit të UÇK-së, Adem Jashari, Jasharëve dhe trimave e trimëreshave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sot, ashtu sikur 22 vitet e kaluara, Prekazi është qendra e përkujtimit, pelegrinazhit kombëtar, ku nisi dhe u kurorëzua lufta jonë atdhetare, me një fitore historike, por ende jo me fitoren vendimtare, sepse porosia e Adem Shaban Jasharit e Jasharëve dhe e të gjithë dëshmorëve, shembulli dhe heroizmi i tyre ende nuk është përjetësuar, ende kemi mbetur rrugëve të historisë së pa bërë, sado që mundohemi të stolisemi me meritat tona, sado që mundohemi ta bindim veten dhe të tjetër se e paskemi kryer amanetin dhe se punët qenkan kryer.
Tri ditët e Prekazit dhe të historisë sonë më të re, janë ditë lavdie, heroizmi, përkushtimi, dashurie për atdhe, por janë edhe ditët që reflektojnë në mendjet dhe zemrat e çlirimtarëve, në plagët e pashëruara të invalidëve, në zemrat e lënduara të veteranëve, në kujtimet e nënave, baballarëve, motrave e nuseve të tyre, bijve dhe bijave të dëshmorëve e martirëve, familjarëve të të pagjeturve…
E madhe është armata e flijimtarëve që sot kujtojnë e reflektojnë, mendojnë dhe nuk harrojnë se liria i kishte rrënjët e skuqura me gjakun e më të dashurve të tyre, se atë nuk ta fal askush, ashtu sikur nuk ia fali Legjendarit, Adem Jasharit, Anteut të kohës sonë
***
Nuk janë të rrallë shembujt e heroizmit, madje as tani në botën tonë moderne, (kur mendohet se legjendat i përkasin së kaluarës dhe ato shërbejnë vetëm për ta rikthyer atë, në kujtesë). Por, një legjendë tipike shqiptare ka hyrë në historinë tonë më të re, ashtu si legjendat e motit, ashtu sikur edhe legjendat e dhembshme të historisë njerëzore, pse jo edhe si legjendat e kohës më të re me plot tronditje, në të cilën po jetojmë.
Më 28 Nëntor të vitit 1955, në kullën e njohur për besë, atdhetari e njerëzi të Shaban Jasharit, në Prekaz, pikërisht në Ditën e Flamurit, në ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kishte lindur një fëmijë mashkull, të cilin, nënë Zahideja dhe babë Shabani e pagëzuan me emrin, Adem, me emrin më të njohur të Biblës, me emrin që simbolizon njeriun e parë të krijuar nga Hyji.
Ai kishte lindur në një ditë të shënuar, andaj edhe prindërit e pagëzuan me një emër të njohur. Një emër i cili më vonë do t’ i bashkohet datave më të rëndësishme të historisë shqiptare, por edhe emrave më të shquar e më të sakrifikuar të asaj historie.
Ditëlindja e Adem Jasharit, më 28 nëntor 1955 dhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 nëntor 1997, i shtuan historisë së re shqiptare edhe dy data të tjera në kalendarin e datave më meritore dhe më me rëndësi për tërë kombin.
Më 5. 6 e 7 mars të vitit 1998, në Kullën e Jasharëve të Prekazit, por edhe përreth lagjes Jashari përgjithësisht, natën vonë ishte strukur lubia me shtatë krerë. Si pjellë e satanait, ajo po priste agun e ditës për të filluar sulmin shkatërrimtar kundër kullave të qëndresës, të cilat për një kohë të gjatë nuk kishin lejuar marshimin e forcave të territ nëpër rrugët e lagjes së tyre dhe më gjerë…
Rezistenca e kryetrimit të kohës sonë, e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, e familjes së tij të ngushtë dhe të gjerë, e tërë lagjes Jashari përgjithësisht, më 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998, kishte rikthyer në kujtesë legjendën biblike të luftës së Davidit kundër Golijatit, legjendën e 300 spartanëve, legjendën e Lakademonit antik, legjendën e vajzave të Kurbinit, legjendën e Halil Patronës, të suljotëve e Oso Kukës dhe sa e sa shembujve të tjerë të heroizmit shqiptar nëpër shekuj.
Legjendari, Adem Jashari, për nga përmasa e qëndresës dhe vetësakrifikimit është fenomen “sui generis”, fenomen që i tejkalon përmasat kombëtare e rajonale, është fenomen që paraqitet rrallë herë në historinë e qytetërimit, ose njëherë gjatë disa shekujve.
Duke folur për fenomene të tilla, studiuesi i vëmendshëm i etnopsikologjisë shqiptare dr. Kristë Maloku, në studimin e tij “Shteti apo kombi”?, botuar në vitet e tridhjeta të shekullit njëzet, ndër të tjera ka shkruar: “Shpëtimtari i kombit duhet të ketë fantazi krijuesi si Platoni, … entuziazëm djalërie si Alkibiadi, vullnet vetëflijues si Sokrati. Por kësi shpëtimtarësh të kombit nuk mbijnë aq lehtë në Shqipëri e as tjetërkund, sepse Zoti i dërgon ata vetëm njëherë brenda qindra e mijëra vjetësh. Dhe, i dërgon vetëm si një kurorëzim të një pune të gjatë kombëtare, plot orvatje e mundime, si një lulëzim të shkëlqyeshëm mbi gjethe, gjemba e ferra të një kopshti të kulturuar kombëtar. (Kristë Maloku, Shteti apo kombi, botuar në revistën Dardania Sacra nr.4 Prishtinë 2002,f.74.) Ky konstatim vegimtar i Kristë Malokut, përputhet në tërësi me përshkrimin që ai i bënte shpëtimtarit, heroit të një kohe të caktuar historike.
Veçantia tipike e këtij fenomeni i ka specifikat e veta në kohë dhe në hapësirë. Rrëfimi për luftën, qëndresën dhe sakrificën e Adem Jasharit, Hamëz Jasharit, Shaban Jasharit dhe të JASHARËVE të tjerë në Prekaz, më, 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998, është rrëfimi më tronditës, në të njëjtën kohë rrëfimi më krenar dhe më i sublimuar nga të gjitha rrëfimet e tjera të luftës dhe të sakrificës njerëzore, të kryera në emër të idealit të lirisë, në emër të çlirimit nga njëra ndër makineritë më të tmerrshme e krimit, që ka sunduar ndonjëherë në botë.
Filozofi më i madh gjerman, Georg Vilhelm Fridrih Hegel, në veprën madhore “Fenomenologjia e shpirtit” në kapitullin, “Perënditë dhe njerëzit”, ndër të tjera ka shënuar: “Forcat e përgjithshme disponojnë në vetvete shenjën e individualitetit, e cila është e lidhur me principin e veprimit. Nga kjo del se vepra e tyre manifestohet si veprim i lirë, i cili përgjithësisht rrjedhë prej tyre. Kështu kanë vepruar perënditë, kështu veprojnë edhe njerëzit*.( Hegel Fenomenologjia e shpirtit, BIGZ 1974 faqe 420.)
Pikërisht në suaza të këtij përkufizimi filozofik të Hegelit, duhet zbërthyer frymën e principit të jetës dhe të veprës së Adem Jasharit, të Anteut të kohës sonë, i cili u përball me forcën e brutalitetit barbar, për të ngadhënjyer mbi atë forcë djallëzore, me aktin e qëndresës dhe të heroizmit unikal, të flijimit kolektiv të familjes, fenomen ky rrallë i përsëritshëm në historinë e qytetërimit.
Rrëfimi historik për Adem Jasharin, duke e krahasuar atë me personazhe të caktuara të Biblës apo të rrëfimeve të tjera para antike dhe të kohës antike si, Anteu, profeti Job, Juda Makabe, Spartaku, Farabundo Marti, Çe Geuvara e shumë të tjerë, është rrëfim që në shumë segmente i tejkalon tregimet e moçme mbi trimërinë, qëndresën, vendosmërinë dhe vetësakrificën.
Legjendari i kohës sonë, Adem Jashari, në historinë tonë më të re, në ndërgjegjen e liridashësve shqiptarë, është ngulitur jo vetëm si kult, që simbolizon trimërinë, vendosmërinë, sakrificën, po mbi të gjitha është simbol unikat i fuqisë dhe i vitalitetit kombëtar, simbol i përsëritjeve ciklike të ngritjeve shqiptare, pas rënieve të shumta. Adem Jashari është Mesi i realizuar, është shpëtimtari që e kemi pritur me shekuj, është udhërrëfyesi dhe shembull-dhënësi realist i lirisë.
Epiqendra e heroizmit dhe qëndresës shqiptare sot, nuk mund të mendohet pa ideatorin dhe projektuesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Vepra e tij heroike ishte dhe vazhdon të mbetet burim i frymëzimit më të fisnikëruar kombëtar për të gjithë shqiptarët liridashës dhe më gjerë. Vizita, që shqiptarët, por edhe shumë liridashës e humanistë të tjerë nga mbarë bota i bëjnë Kullës së Jasharëve, tani në Kompleksin Memorial Kombëtar, në Prekaz, është tregues se pikërisht në qendër të Shqipërisë po përjetësohet një vend-pelegrinazh i ri i botës shqiptare, një vend i shenjtë jo vetëm i Shqipërisë.
Fenomeni Adem Jashar po ngrihet në monument përjetësie fizike e shpirtërore, jo si mit mesjetar, jo si legjendë e rrëfimeve tradicionale mitologjike, por si një personazh i veçantë dhe realist i historisë me përmasa po ashtu tipike, realiste, sepse vepra dhe heroizmi i tij shënuan piedestalin, preken atje ku nuk arrijnë dot as legjendat, shënuan majat më të larta, përtej të cilave pushon edhe fjala.
Në të gjitha segmentet studimore, në të gjitha format e krahasimit dhe të përshkrimit, fenomeni Adem Jashar, imponohet para së gjithash me origjinalitet, imponohet me veçanti tipike të një tipologjie autentike në paraqitje, që mbërthen në vetvete të gjitha përshtresimet universale të Njeriut, i cili jo rastësisht kishte sfiduar terrin, barbarinë, dhunën, jo rastësisht iu kishte kundërvënë ushtrisë gjakatare të kryekriminelit, despotit dhe kasapit të Ballkanit.
Në përvjetorët e sakrificës dhe heroizmit të Legjendarit, Adem Jashari dhe jasharëve të rënë e të martirizuar, krenohemi me epokën e tij, por nuk mund të krenohemi se e kemi çuar deri në fund amanetin e tij, pavarësisht pompozitetit, retorikës politike, fjalimeve emocionale, ceremonive tashmë tradicionale, të cilave iu mungon esenca e porosisë së legjendarit, e cila njëzohej fuqishëm me moton filozofike të Ukshin Hotit, “Bëje ose vdis!”. Të ndodhur para kësaj dileme, shumë politikanëve shqiptarë, që gjatë këtyre ditëve bëjnë homazhe para varrit të legjendarit, do të duhej t’iu dridheshin këmbët, do të duhej të iu thaheshin buzët, do të duhej t’iu ngelnin në fyt fjalët e zgjedhura dhe përkushtimi për Legjendarin…
Si u pasqyrua rënia e Adem Shaban Jasharit dhe e Jasharëve, në Prekaz. nga BBC e New York Times në mars të vitit 1998
BBC, më 7 mars 1998, raporti për vrasjen e Adem Jasharit, duke thënë se brenga ndërkombëtare po shtohet në lidhje me luftimet e ashpra në Kosovë ku forcat ushtarake dhe policore serbe po luftojnë kundër “separatistëve shqiptarë”, (transmeton Koha.net.)
Autoritetet serbe thonë të kenë goditur zemrën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kanë vrarë liderin e saj, Adem Jasharin, shkruan BBC në shkrimin e 7 marsit të vitit ‘98.
Por, gazetari i BBC-së, Paul Wood, në një raport ekskluziv nga Kosova, ka parë për së afërmi shtëpitë e pjesëtarëve të dyshuar të UÇK-së duke u djegur apo duke u rrënuar nga automjete ushtarake. Ishte edhe ndëshkim por edhe paralajmërim për pjesën tjetër të fshatit.
Serbët thonë se po e luftojnë terrorizmin, por Paul Wood thotë se nuk ka nevojë për operacione ushtarake të kësaj shkalle.
Shumë familje po ikin nga shtëpitë e tyre, po i kalojnë netët nëpër male, ndërsa partia kryesore politike shqiptare ka akuzuar serbët se kanë ndërmarrë një fushatë të re të spastrimit etnik.
“Duket të ikim”, thotë një fshatare. “Këtu ka luftë. njerëzit po vriten, madje dhe fëmijët. Dhe askush s’po bën asgjë”.
Ndërkaq më vonë, korrespodenti i BBC-së, Allan Little, më 12 mars të vitit 2000, pati shkruar se si marsin e vitit 1998, forcat serbe ishin futur në Prekaz dhe, me tanke e automjete tjera të armatosura, rrafshuan shtëpinë e familjes Jashari. Beogradi, siç citon BBC, Adem Jesharin e quante “terrorist famëkeq”.
“Ishte një aksion normal policor kundër një krimineli të njohur”, citon BBC gjeneralin serb Nebojsha Pavkoviq. “Ishte i suksesshëm. Detajet tjera s’më kujtohen”.
Por, BBC thotë se detajet që Pavkoviq kishte vendosur të mos i kujtonte ishin brengosëse. Pesëdhjetepesë anëtarë të familjes Jashari janë vrarë. Sipas BBC-së, “në Serbinë Milosheviqiane, natyrisht se ky është krejt një aksion normal policor”.
Por, sipas fjalëve të një gazetari të spikatur shqiptar, ishte gjithashtu një “favor i pamëshirshëm ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Masakra e Prekazit ishte një thirrje e mprehtë për ata mijëra burra shqiptarë që i ishin bashkëngjitur radhëve të, deri më tani, një grupi të vogël e nën hije të luftëtarëve të njohur si UÇK.
Por, më qenësore ishte se Prekazi do të ndryshonte edhe opinionin publik ndërkombëtar. “Sapo t’i marrim fotografitë e Prekazit, do t’i vendosim në internet”, citon BBC Veton Surroin, një lider i respektuar opozitar dhe botues gazete.
Veç BBC-së, ndër mediumet tjera të fuqishme në botë që raporti për vrasjen e komandantit legjendar Adem Jashari, ishte edhe “The New York Times”. Më 9 mars të vitit 1998, NYT pati raportuar për sulmin brutal të forcave serbe ndaj familjes Jashari, ku mbetën të vrarë 51 persona, në mesin e të cilëve edhe komandanti legjendar Adem Jashari.
Mediumi amerikan pati përshkruar në detaje skenat e tmerrshme pas sulmit të forcave serbe ndaj Jasharajve, ku thoshte se trupat e 51 shqiptarëve, pjesët e poshtme të së cilëve ishin mbështjellë me çarçafë të bardhë, qëndronin të shtrirë në dy radhë në dyshemenë e çimentuar të një garazhi të vjetër.
Trupat, disa prej të cilëve të djegur aq shumë sa nuk mund të identifikohen, përfshijnë 25 gra dhe fëmijë të vegjël. Në trupat e shumicës prej tyre shiheshin vrimat e errëta të kuqe nga plumbat. Kafkat e disa prej tyre ishin shtypur ndërsa njëri prej tyre ishte pa kokë.
Sipas “NYT”, ky sulm ka çuar në 77 numrin e shqiptarëve të vrarë vetëm gjatë një jave, ndërsa edhe mbi 10 të tjerë janë të zhdukur. Viktimat, shumica prej të cilëve nga fshati Prekaz, një bastion i fuqishëm UÇK-së, përfshinin edhe komandantin rebel, Adem Jashari – kokën e kishte të varur nga mbrapa dhe një fyt kishte një të çarë, transmeton Koha.net.
Familja Jashari, sipas NYT, dominon fshatin, ndërsa më shumë se 20 pjesëtarë të kësaj familjeje janë vrarë në ditët e fundit të dhunës. Forca serbe të armatosura deri në dhëmbë dhe njësi paramilitare, të mbështetur nga automjete të fuqishme ushtarake e helikopterë ushtarakë, marshuan nëpër këtë rajon për t’i larguar të tjerët, dhe më pas sulmuan “separatistët shqiptarë me plumba e artileri”.
Mediumi amerikan në atë kohë pati biseduar edhe me zyrtarin serb për informim, Boshko Drobnjak, i cili pati thënë se “Adem Jashari ka vrarë gruan dhe nipin e tij”. Kjo gjithmonë duke dashur të mohojnë krimin e rëndë të kryer ndaj familjes Jashari, pasi aty u vranë shumë gra e fëmijë.
NYT thotë se, edhe pse familja Jashari ishte e armatosur dhe kishin qëlluar ndaj policisë, ka dëshmi të bollshme se civilë të paarmatosur, e me gjasë edhe të gjithë meshkujt e ndaluar nga policia, janë ekzekutuar, shpesh edhe para fëmijëve dhe grave të tyre.
Ata që janë detyruar të largohen nga fshati, përfshi edhe 20 anëtarë të familjes Jashari, kanë thënë se policia i ka detyruar burrat të shtrihen për toke para familjeve të tyre dhe më pas kanë shtënë me armë automatike në trupat e tyre.
Nazmi Jashari ishte duke e ndihmuar nënën e tij për të ikur nga pjesa e prapme e shtëpisë së tyre kur ai u kap nga disa policë me fytyra të ngjyrosura, thonë familjarë të tij.
“E detyruan Nazmiun të shtrihet për toke dhe thanë, ‘shikoni se si do ta ekzekutojmë djalin tuaj’”, thotë motra e tij, Syleme Jashari, derisa nëna e saj, Nailja, rënkoi lehtësisht në duart e saj. “E qëlluan në qafë dhe në shpinë. Më pas policia më morën babanë tim dhe e rrahën me kondakë të armëve”.
Më tej, në shkrimin e NYT, janë përfshirë edhe të mbijetuarit e familjes Jashari, të cilët pasi ikën nga fshati i tyre, Prekaz, shkuan në Mitrovicë. Ata i rrëfyen në detaje mediumit amerikan momentet e fundit të shumë prej atyre që i shtrinë për toke në garazh.
Gratë mohuan raportet policore se u kanë ofruar mundësinë e ikjes para se të nisnin luftimet. Për më tepër, ato thonë se pak para agimit, persona dhe automjete të armatosura pushtuan fshatin, rrethuan disa shtëpi dhe sulmuan ata që flinin brenda.
“U zgjuam nga të shtënat e fuqishme”, thotë Naile Jashari, 64 vjeçe, dy djemtë e së cilës u vranë në luftime. “Të gjithë vrapuam për t’u strehuar”.
Gratë thonë t’i kenë fshehur fëmijët e frikësuar nga luftimet nëpër shtëpi derisa forcat serbe, të cilat po shkëmbenin të shtëna me separatistët në ndërtesa të tjera, nisën të qëllonin përmes dritareve.
“I detyruam fëmijët të shtriheshin në dysheme dhe deshëm t’i mbronim”, thotë Sala Jashari, 38 vjeçe, bashkëshorti i së cilës, Beqiri, 43-vjeç, është vrarë. “Pasdite, serbët nisën të hidhnin granata në drejtim të shtëpisë, edhe pse nga kjo shtëpi nuk po gjuante askush. Ata hodhën edhe gaz lotsjellës përmes dritareve. U detyruam të largoheshim”.
“Bashkëshorti im u plagos në fushën pranë shtëpisë sonë derisa po iknim me pesë fëmijët tanë. Na tha të vraponim, dhe se krejt çfarë ka rëndësi tani janë fëmijët. Djali im 10 vjeç provoi të ndihmonte babanë e tij, por i tha të ikte me mua”.
- Qeriqi: Në Drenicë radhiten gjashtë ndër personalitetet më të rëndësishëm të kombit shqiptar
Milush Kopiliqi, Hasan Prishtina, Azem Galica, Shote Galica, Shaban Palluzha, Adem Jashari.
Në Drenicë shquhen disa personalitete ndër më të rëndësishmit të kombit, të cilat kanë shënuar ngjarje me rëndësi jo vetëm kombëtare, por edhe rajonale e më gjerë…
Janë gjashtë emra më të shquar e më të dalluar të kombit, të gjithë nga Drenica.
Kuriozitet i veçantë, mbase një rastësi, por gjithsesi e veçantë për nga shumë elemente të tipologjisë së studimit.
Milush Kopili (Kopiliqi)
Hasan Polaci (Prishtina)
Shaban Palluzha (Palluzha)
Azem Galica (Galica)
Shote Galica (Galica)
Adem Jashari (Prekazi)
Janë këta gjashtë emra me nga dy rrokje dhe gjashtë mbiemra me nga tri rrokje
A duhet të jetë krejt kjo e rastësishme sipas logjikës së gjërave?
Këta gjashtë emra e mbiemra janë identikë nga ndërtimi fonetik gramatikor, ashtu nga rrokjet krejtësisht të njëjta, po ashtu edhe për nga rëndësia historike, nga shtrirja gjeografike në një territor unik, gjashtë fshatra me rrokje identike në shqiptim.
Ky kuriozitet mund të jetë krejt i rastit, por në përmbajtjen e vetë është krejtësisht i veçantë, sepse kemi të bëjmë me gjashtë personalitetet më të njohura të historisë kombëtare shqiptare, por edhe asaj të Ballkanit, të gjithë nga magma e Drenicës.
Milush Kopiliqi lidhet me mesjetën Bizantine dhe Turke. Ishte kryetrimi i kohës në Ballkan dhe në Evropën e krishterë.
Hasan Prishtina luftoi kundër Perandorisë Osmane dhe mini-perandorinë Jugosllave. Ishte ndër personalitetet më të rëndësishme të kombit, në luftë për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar.
Azem Galica luftoi kundër Perandorisë Austro-hungareze dhe kundër shteti despotik antishqiptar të Mbretërisë Serbe, Kroate e Sllovene.
Shote Galica luftoi kundër Perandorisë Austro-hungareze dhe kundër shteti despotik antishqiptar të Mbretërisë Serbe, Kroate e Sllovene me bashkëshortin dhe bashkëluftëtarin e saj, Azem Bejtë Galica.
Shaban Palluzha, luftoi kundër ripushtimit të Kosovës nga forcat ushtarake çetnike partizane të Jugosllavisë së Titos, në shkurt të vitit 1945. Forcat jugosllave kishin sulmuar me divizione dhe me rreth 40.000 forca të këmbësorisë, ndërsa Shaban Palluzha kishte rreth 30.00 forca vullnetare, në armë kryesisht nga Drenica por edhe nga vise të tjera të Kosovës.
Adem Jashari luftoi dhe ra heroikisht, më 6 mars 1998, (me 20 anëtarë familjes së ngushtë dhe afër dy fish më shumë nga familja e gjerë), në fundin e dominimit serb në Ballkan dhe fitoren historike shqiptare kundër pushtimit e dominimit të huaj. Kulla e tij ishte mbajtur në rrethim dhe në luftime për tri ditë rresht. Forcat ushtarake e policore serbe kishin zbarkuar me më shumë se 1000 forca të këmbësorisë dhe kishin vënë np përdorim artilerinë e rëndë.
Këto gjashtë personalitete i takojnë radhës së parë të personaliteteve shqiptare, ku bëjnë pjesë emrat më të njohur të historisë kombëtare shqiptare
1.
Milush Kopili pa mbaresën sllave -iq, mbase krejt rastësisht akordon me pesë emrat që pasojnë në kohë dhe rrethana të ndryshme historike por që edhe pesë emrat e tjerë kanë nga dy rrokje dhe mbiemra me nga tri, sikur janë zakonisht shumica e antroponimeve e patronimeve të sotme ndër shqiptarë. Ky krahasim mund të jetë krejt i parëndësishëm, një analogji e rastit që korrespondon edhe me sa e sa emra e mbiemra të tillë, por është shumë i rëndësishëm është fakti se kemi gjashtë emra ndër më të mëdhenjtë e kombit dhe njëri prej tyre, Milush Kopiliqi emri më i njohur i historisë së mesjetës te popujt e Ballkanit e më gjerë.
Çka kanë të përbashkët dhe të veçantë këta gjashtë emra me rrokje të njëjta në emër e mbiemër?
Jo gjithherë rastësia ka qenë dhe është “mbret i botës”, por në rastin konkret kemi një rastësi, që shtrihet në sinkroninë dhe diakroninë shqiptare, në kohë dhe hapësirë në një territor të caktuar të Kosovës, në Drenicën Qendrore, që për afër gjashtëqind e më shumë vjet ka mbetur vertebra e qëndresës së kombit shqiptar.
A mund të mendohet historia shqiptare pa këta gjashtë emra?
Pa Milush Kopiliqin, nuk mund të mendohet rezistenca e shqiptarëve dhe popujve të Ballkanit kundër depërtimit të Perandorisë Osmane, pavarësisht si është përvetësuar nga fqinjët origjina e tij. Nuk ka dëshmi historike që nuk vërteton vendlindjen e tij në Kopiliq, as përkatësinë e tij fetare, por as atë në pikëpamje të racës.
Në kujtesën popullore serbe ruhet edhe një varg kuptimplotë si:
(Oj Milose junaçina, aranutka te rodila, a srpkinja te dojila)
(O Milosh i trimërisë, shqiptarja të ka lindur, serbja të ka rritur, (të ka dhënë gji) .
Duke lënë anash për një çast krejt të dhënat historike shtrojmë vetëm një pyetje, e cila sipas mendimi tim përbën elementin më të fortë shkencor.
Përse shqiptarët ruajtën deri në ditët tona kujtesën historike për Milush Kopiliqin dhe Betejën Kosovës së vitit 1389 dhe nuk ruajtën asnjë varg kënge për Betejën e dytë të Kosovës, të vitit 1948, luftë shumë më e madhe, për nga numri i luftëtarëve të krishterë të Ballkanit dhe Evropës, e cila mbaroi me humbje fatale të forcave të krishtera ballkanase e evropiane. Beteja e cila i dha fund mbretërive të Ballkanit për 500 vitet në vazhdim.
Në Betejën e Dytë të Kosovës nuk mori pjesë Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, sepse Janosh Hunjadi nuk kishte pritur që ai të vinte me 10.000 ushtarët e tij, meqë mendonte se do të mundte ormanët dhe do të merrte namin e fitores, të Betejës së humbur të Kosovës të vitit 1389.
Aty përballë forcave turke të Sulltan Muradit të Dytë, Janosh Hunjadi duhet të qëndronte derisa të arrinte ndihma ushtarake nga Shqipëria, e premtuar paraprakisht nga Skënderbeu. Hunjadi jo vetëm që nuk e kishte pritur ndihmën e premtuar shqiptare, por kishte vepruar me nguti dhe i pari kishte sulmuar turqit në Fushë të Kosovës.
( Joseph Von Hammer, Historija turskog Osmanskog Carstva, Zagreb, 1979, f. 139.)
Hammer konstaton me të drejtë se po të kishte pritur Hunjadi, Skënderbeun dhe po të kishte sulmuar ai prapavijën osmane, në Kosovë, sikur ishte marrëveshja, fati i historisë së Ballkanit dhe Evropës do të kishte qenë krejt ndryshe.
Kujtesa shqiptare ka ruajtur dhjetëra variante këngësh për Luftën e Kosovës të vitit 1389, tetë nga to të mbledhura dhe të botuara në shekullin 20-të madje në radhë të parë nga mbledhës të huaj të këngëve historike dhe legjendare.
Në rrjedhë normale të krahasimit mes dy betejave të mëdha të shekujve XIV dhe XV kemi një vendosje dhe zhvendosje totale të kujtesës.
Për Betejën e parë të Kosovës, kujtesa historike shqiptare nga brezi në brez ka ruajtur rreth 3500 vargje këngësh historike me elemente legjendar dhe nuk ka ruajtur as rastësisht asnjë varg për Betejën e Dytë të Kosovës ku shqiptarët nuk kishin marrë pjesë.
Logjika e krahasimit na shtynë të besojmë se shqiptarët si çdo popull tjetër historik, kanë ruajtur kujtesën për humbjet, apo fitoret e veta, për qëndresën e trimërinë e bijve të vet dhe jo trimërinë e qëndresën e popujve të tjerëve, edhe pse ka përjashtime nga ky krahasim.
Ky krahasim na bënë të besojmë fort se shqiptarët ruajtën në kujtesë trimin, Milush Kopiliqi, që ishte nga gjaku dhe raca e tyre dhe nuk kishin pse ruanin ndonjë kujtim për Janosh Hunjadin dhe princat e krishterë të vendeve të caktuara të Evropës e të Ballkanit, për Luftën e Dytë të Kosovës të vitit 1448, ku nuk kishin marrë pjesë princat shqiptarë, për arsye që dihen dhe u cekën më lartë nga historiani më i madh i Perandorisë Osmane, Hammer dhe nga burime të tjera.
Milush Kopiliqit iu hoq koka më 15 qershor të vitit 1389, gjatë Betejës në Kosovë në prani të Sulltan Muradit të Parë, i cili po hiqte shpirt nga shpata e Milushit.
2.
Hasan Prishtina, ( 1873-1933) me orgjinë nga fshati Polac i Drenicës.
Fillimisht deputet i Parlamentit Osman. Pastaj radhitet në krye të forcave kryengritëse shqiptare deri në çlirimin nga robëria shekullore turke, në vitin 1912. Më pas organizoi rezistencën kundër pushtimit të Kosovës nga Serbia, pushtim të cilin e kishin përkrahur dhe legjitimuar Fuqitë e Mëdha. Ai ishte burrështetas, deputet, kryeministër, njohës shembullor i kulturave dhe gjuhëve të huaja, publicist, atdhetar ndër më të njohurit e kohës, kundërshtar i regjimit autarkik e despotik të Mbretit Zog, përfaqësues i krahut demokrat, pesë herë i dënuar me vdekje në mungesë, nga Turqia, Serbia dhe Shqipëria esadiste zogolliane. U vra pabesisht nga dora mercenare e Mbretit Zog, më 14 gusht të vitit 1933, në Selanik.
3.
Azem Bejtë Galica (1889-1924) luftëtar popullor i përmasave heroike
Luftëtar popullor kundër robërisë së Kosovës dhe trojeve shqiptare. U lind në fshatin Galicë të Drenicës më 1889. Në fillim, Azem Bejta ishte shquar në kryengritjet shqiptare për çlirim nga Turqia. Me depërtimin e forcave serbe në trojet shqiptare organizoi luftë guerile kundër tyre. Po ashtu luftoi edhe kundër depërtimit të forcave të Austro-Hungarisë në vendin tonë. Prej vitit 1912 e deri në verë të vitit 1924, nuk kishte pushuar asnjë vit luftën kundër pushtuesve të Kosovës. Në luftë kishte angazhuar edhe bashkëshorten, Qerime Halil Radisheva, e njohur si Shotë Galica, si dhe familjarë, të afërm miq e bashkëluftëtarë të shumtë. Ishte përfaqësues i gueriles më të suksesshme të kohës. 12 vjet më armë në dorë duke krijuara edhe territore të lira në Drenicë në zonat e Llapushës e të Dukagjinit. Atdhetar, krah i Hasan Prishtinës, Fan Nolit, Bajram Currit dhe i forcave demokratike shqiptare. Mori plagë vdekjeje në Betejën më të madhe të kohës, në Galicë, më 15 korrik 1924, në luftë kundër rrethimit të hekurt të një armate të tërë të forcave të Serbisë së Nikolla Pashiqit. Bashkëluftëtarët e varrosen në një shpellë në fshatin Gllarevë dhe për shumë vite mbajtën sekret vdekjen dhe vendvarrimin e tij.
4.
Shote Galica ( Qerime Halil Radisheva 1895 -1927), e krahasuar me të drejtë edhe me Zhan dë Arkën e Francës, u lind në Radishevë të Drenicës në vitin 1894. Për krah burrit të saj Azem Galicës, kishte veshur rroba mashkulli dhe kishte luftuar kundër shtetit despotik antishqiptar të Mbretërisë Serbe, Kroate e Sllovene Prej vitit 1918 e deri në verë të vitit 1927 nuk kishte pushuar asnjë vit luftën kundër pushtuesve të Kosovës. Në luftë kishte angazhuar edhe vëllezërit e të afërmit, Ishte përfaqësuese e gueriles më të suksesshme të kohës. Pas rënies së burrit për tri vjet ishte në krye të çetave guerile, kryengritëse kryesisht në Drenicë dhe luftoi me armë në dorë duke krijuar edhe territore të lira në Drenicë në zonat e Llapushës e të Dukagjinit. Atdhetare, përkrahëse e Revolucionit Demokratik të Fan Nolit, Hasan Prishtinës dhe Bajram Currit. Në luftë kundër Serbisë së Pashiqit humbi 22 anëtarë të familjes. Në krye të bijave dhe bijve të luftëtarëve, depërtoi në Shqipëri vitin 1927 por regjimi i Zogut nuk i dha përkrahje as ndihma të mjaftueshme për mbijetesë, për shkak se Azem Galicën e kishte kundërshtar. Vdiq nga plagët e shumta të luftës në verë të vitit 1927 në Fushë Krujë.
5.
Shaban Palluzha, (1871-1945) fillimisht kishte përkrahur forcat partizane duke besuar në proklamatat për liri, barazi e vetëvendosje të Kosovës pas luftës antifashiste. Më pas duke parë se forcat partizane kishin tradhtuar premtimet dhe kishte filluar represioni për asgjësimin e të gjithë shqiptarëve, luftoi kundër ripushtimit të Kosovës nga forcat ushtarake çetnike partizane të Jugosllavisë së Titos, deri në shkurt të vitit 1945. Forcat jugosllave kishin sulmuar me divizione dhe me rreth 40.000 forca të këmbësorisë, ndërsa Shaban Palluzha kishte rreth 3000 forca vullnetare në armë, kryesisht nga Drenica por edhe nga vise të tjera të Kosovës. Luftoi dhe ra trimërisht. Bashkëluftëtarët i kishin fshehur trupin me qëllim që të mos e zbulonin forcat armike serbe. Gjatë dy-tri javë të luftimeve në Drenicë ranë më shumë se 1200 luftëtarë, ndërsa u dogjën shumica e fshatrave. Asnjëherë nuk është bërë i ditur numri i të vrarëve e të masakruarve nga radhët e popullatës civile.
6.
Adem Jashari ( 1955-1998) luftoi dhe ra heroikisht, më 6 mars 1998, (me 20 anëtarë familjes së ngushtë dhe afër dy fish më shumë nga familja e gjerë), në fundin e dominimit serb në Ballkan dhe fitoren historike shqiptare kundër pushtimit e dominimit të huaj. Kulla e tij ishte mbajtur në rrethim dhe në luftime për tri ditë rresht. Forcat ushtarake e policore serbe kishin zbarkuar me më shumë se 1000 forca të këmbësorisë dhe kishin vënë në përdorim artilerinë e rëndë. Rënia e tij heroike dhe martirizimi i tërë familjes i dha përmasa të jashtëzakonshme luftës së UÇK-së, e cila rezultoi me fitore historike kundër Serbisë pushtuese e gjakatare.
Legjendarit
Këngën më të bukur të trimërisë
Për ty o legjendar!
Për flijim e lavdi,
Për amanetet e të parëve,
Që barrë na i bëri e kaluara
Për ty o prijatar!
Nga rrezja e përjetësisë erdhe,
Nga zjarri i lirisë u gatove.
Në flakën gjëmimtare u hodhe,
Për liri dhe atme,
Jetët i flijove,
Ti, o shpëtimtar!
Për ty nuk mjafton kënga,
Nga vepra jote, dridhet fjala,
Nga nami yt gjëmon dheu,
Në jetë të jetëve,
Gjithmonë i paharruar
Ti, o legjendar!
Këngët më bukura të trimërisë
Frymëzim për brezat
Për të ardhmen
Për jetën e lirinë,
Veç për ty
I përjetshmi prijatar!
Po s mjafton dot kënga
Nuk të zë as vargu,
Nuk të bën zap vdekja
Ty o gjëmimtar!
Nuk të tret dot dheu
Ty o legjendar!
( Anonim)
NËNË DRENICË
Gjithnjë në rrebeshe
Në pritë sogjetare kundër Bizantit,
Gjithnjë kundër turkut e kundër sllavit!
Drenicë e përvëluar nga zjarri i demonëve të Ballkanit
Ti, asnjëherë nuk u theve, edhe pse e përgjakur,
Asnjëherë nuk u dorëzove,
As atëherë kur ta kishin vënë lakun në fyt:
Barbarët, hajdutët, mabusët e gjakatarët!
Drenicë,
Vegimtarja përjetësore e lirisë,
Rreze flakërime nëpër shekuj,
Shkëndijë e pashuar e dritës së përjetësisë!
Drenicë me derte e name,
Ti asnjëherë kurrizin nuk e përkule,
As atëherë kur të qëlluan idhshëm barbarët,
As atëherë kur të dogjën,
As atëherë kur t`i martirizuan bijat e bijtë!
As atëherë kur u ndave nga Jasharët!
Gjithmonë e paepur qëndrove!
Kurdoherë strall e çelik
E rilindur në çdo epokë
E pathyeshme për çdo armik!
Drenicë e qëndresës përjetësore!
Palcë vertebrore e Shqipërisë!
Drenicë, Drenicë!
Flakadan i zjarrit çlirimtar nëpër shekuj të robërisë
Udhërrëfyese e lirisë,
Drenicë e logut të burrërisë,
Drenicë e kuvendeve të mençurisë!
Oj Drenica ime!
E lagur me lot,
E djegur në flakë,
E përcëlluar nga zjarri i barbarisë
Drenicë e dashurisë!
Drenicë e Shqipërisë!
Ti u rilinde nga hiri i përjetësisë,
Drenicë fenikse, Drenicë e lirisë!
( Veterani anonim)
Bedri Islami: 28 nëntori është dita e lindjes së Adem Jasharit
Në arkivin e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe të UÇK-së ruhen mjaft dëshmi që kanë lidhje me figura të jashtëzakonshme të luftës dhe ngjarje madhore të saj. Mes tyre, si një pasuri e vyer e kombit, ruhen edhe letra të shkruara nga personalitetet drejtuese të saj, në kohë dhe në vende të ndryshme, e për probleme që kishin lidhje me luftën, përgatitjen e zhvillimin e saj.
Ndër më të vyerat janë kasetat me incizime të ardhura nga Adem Jashari dhe grupi i Drenicës, filmime, por edhe letra, njëra nga të cilat, mjerisht e fundit dërguar prej tyre, tani, në dhjetor, bën 15 vite. Ajo ka vlerat e saj historike, si një nga dëshmitë e luftës, por edhe vlerat njerëzore, sepse pas rreshtave të saj fshihen njerëz me ideale të mëdha, të cilët e kanë dashur Shqipërinë më shumë se sa dritën e syve.
Këtë letër, në 15 përvjetorin e saj, mendova të bëj të njohur për lexuesit e gazetës DITA, e cila edhe me herët ka bërë vend në faqet e saj për një periudhë të ndritur të Rilindjes së Kombit.
Kjo letër, e dërguar nga Adem Jashari dhe e shkruar nga i vëllai, Hamza, dhe e nënshkruar nga një grup luftëtarësh të Drenicës është njëri ndër mesazhet e luftës. Natyrisht, ajo nuk është shkruar me mendimin se do të botohet ndonjëherë; ajo është një letër mes shokëve të luftës, flet për realizimin e një aksioni dhe për probleme të tjera. Por, në gjithë secilin rresht të saj, tepër dukshëm, mund të shikosh atë që do të vinte më pas. E shkruar thjeshtë, si gjithçka që është madhërisht e bukur, pa fjalë të mëdha dhe pa mburrje, ajo mbart në vete dëshminë historike, jo vetëm të një beteje.
Kjo letër është shkruar në fundin e vitit 1997, më saktësisht në dhjetor të këtij viti. Fillimisht ajo është faksuar, nga jashtë Kosovës, sipas të dhënave nga një faks në aeroportin e Shkupit, e më pas ka ardhur edhe origjinali, pas disa ditësh, përmes kanaleve ilegale. Letra ruhet sot në arkivin e Lëvizjes Popullore të Kosovës, ku edhe është adresuar, ndërsa një kopje e saj ruhet në Kosovë.
Ja edhe letra, thuajse e plotë:
“Të dashur shokë e vëllezër,
Disa të dhëna rreth ngjarjes në fshatin Vojnik, të ndodhur me 25 nëntor 1997 në mes forcave tona dhe të policisë sekrete të okupatorit serb. Ngjarja fillon me lajmërimin e një automjeti civil të tipit “niva” me katër persona civilë, i cili bënte lëvizje të dyshimta në fshat, nga lagjja në lagje. Atë e vërejtëm dhe e përcollëm deri sa erdhi tek lagjja e Binakajve dhe pikërisht afër shtëpisë ku gjendet veprimtari ynë. Sipas rrëfimit të shokut, ky tentoi t’i identifikojë, por ata tentuan ta tradhtojnë duke u paraqitur njëri prej tyre se “jemi shqiptarë” dhe porsa ai e mbaron fjalën, njeri prej tyre shtien disa herë me revolver, në drejtim të veprimtarit tonë. Shkathtësia e tij e shpëtoi nga plumbat dhe me shpejtësi të madhe ky ia kthen automatikun dhe e qëllon automjetin dhe dihet se i ka qëlluar disa nga të ndodhurit brenda. Të dyshimtit largohen me shpejtësi të madhe nga vendi i ngjarjes, duke lënë në vend shenjat e xhamave të thyer dhe shenja gjaku.
Kjo ka ndodhur rreth orës 14.00. Pasi largohen të dyshimtit, ky kthehet në shtëpi dhe bashkohet edhe me tre shokët e tjerë, të cilët ishin të gatshëm për ndihmë, por rreziku mendohej se kaloi. Vendosën të mos largohen nga fshati se mos ndodh ndonjë intervenim i mundshëm policor. Ashtu edhe ndodhi.
Pas dy orësh, pra rreth orës 16.00, në fshat hyjnë dy autoblinda, të shoqëruar edhe nga një “NIVË” dhe mësyjnë lagjen e Binakajve. Këta, shokët tanë, zënë pozicionet në malin e afërt dhe në gardhiqet e afërta. Porsa mbërrin ekspedita ndëshkuese e forcave speciale, zbresin nga blindat dhe fillojnë të shtinë në drejtime të ndryshme, për të përhapur panik. por, në atë kohë, forcat tona, të përbëra, si e thamë edhe më lart, nga katër persona, hapin zjarr dhe e kthejnë konfliktin mes tyre dhe ekspeditës ndëshkuese serbe. Të pabarabartë në numër e në teknikë, bëhet tërheqja në drejtim të pyllit. Forcat speciale serbe shtinin pa ndërprerje dhe filluan të afrohen, çka u detyruam të përdorim bombat, edhe pse të pakta. Atëherë, me përdorimin e bombave, serbët u tërhoqën në autoblinda dhe lufta bëhej vetëm nga autoblindat. Kjo zgjati deri rreth orës 18, por nuk mundën të na shtyjnë nga pozicioni që e zumë në pyll. Kjo i shtyri të largohen me shpejtësi të madhe nga lagjja dhe fshati.
Nga ana jonë nuk patëm viktima ose të plagosur: Kurse nga ana e armikut ka pasur shenja gjaku në vendin e ngjarjes, sidomos të shumta ishin ku janë përdorë bombat.
Sa i përket organizimit të mëvonshëm dhe informimit të anëtarëve, ngjarja zhvillohet kështu: Në organizimin tonë ekzistojnë edhe vëzhguesit e terrenit. Njëri prej tyre vëren autoblindat duke shkuar në drejtim të Klinës apo Turiqevcit, deri sa për rastin që biseduam më lart, kishim informata. Bëhet lajmërimi i disa prej punkteve tona dhe ata bënë lajmërimin e anëtarëve, por vetëm të jemi të gatshëm, që porsa të marrim lajmin se çfarë po ndodh në terren, të jemi të gatshëm për ndihmë. Nata e bëri të veten dhe me vonesë u bë e ditur se ishte fshati Vojnik ku shkuan forcat policore. Edhe pse ne shpejtuam drejt Vojnikut, tërheqja e policisë bëri që të mos konfrontohemi atë mbrëmje. U tubuam dhe konstatuam se nga forcat tona nuk kishte humbje. Vendosëm që të jemi në vëzhgim të terrenit, në të gjitha rrugët që të shpien drejt vendit të ngjarjes. Dërguam vëzhguesit, pra edhe të tjerët, vendosëm, pasi e morëm edhe pëlqimin e shokut në ngjarje të drejtpërdrejtë që: nëse policia do të ndërmarrë ndonjë operacion ndëshkues, të bëjmë rezistencë. U vendos që para mëngjesit të zihen pikat më strategjike në rrugët që shpien drejt rajonit të rrezikuar, duke e patur parasysh se forcat mund të ndërhyjnë nga Mitrovica, Peja, por edhe nga Prishtina. U caktuan grupet që do të zënë pritat, por edhe vëzhguesit për lajmërim. Çdo gjë në Drenicë dhe rreth saj ishte nën kontroll. Dëshira jonë ishte dhe luteshim, që bash në vendin ku edhe ndodhi konfrontimi, të jetë ashtu.
Pra aty e parashikonim se do të korrnim fitore. Kemi pasue mundësi edhe më herët, pra në vend tjetër t´i ” shkurtojmë”, por bash aty, ku edhe e dëshironim, na erdhën, ishim disa grupe, në disa prita. Kolona ishte e gjatë. Kishim lajmin nga vëzhguesit se janë të shoqëruar edhe me helikopterë. I pritëm deri sa hynë në mesin e të gjithë grupeve nga 3 – 4 e deri në 5 veta në grup, ku numri i përgjithshëm nga ne ishte prej 23 vetash ( kuptohet prej fshatit Lludeviq deri tek vendi i quajtur “kryqat e popit”). Të tjerët ishin në vende të tjera, për të mos i përshkruar tash të gjitha.
Kolona hyri ku dëshironim. Së pari sulmuam me minahedhës, e pastaj disa me bomba e disa me armë zjarri të ndryshme, si automatikë, snajperë e mitralozë. Konfrontimi filloi rreth orës 10 ku zgjati deri rreth orës 13 -14.
Operacioni ishte shumë i vështirë, luftë e ashpër, e pandërprerë, harxhuam shumë municione, sidomos në helikopterët. Disponimi në forcat tona ishte në nivel, edhe pse disa ishin të parët, përveç harxhimeve në municion, nga forcat tona nuk pati humbje e as të plagosur. Çka është më e rëndësishmja, edhe fshatarët e këtyre anëve u përgjigjen dhe u mbushen malet me luftëtarë të gatshëm, ku gjatë tërheqjes policia u sulmua nga të gjitha anët, e ku policia në panik shtiu kah mundi, në objekte civile, shkolla e xhami.
Pasi i shtymë të tërhiqen forcat speciale serbe shkuam në vendin e ngjarjes ku ishin forcat armike. Ata kishin lënë në vend shumë dëshmi që të tregojnë se kanë pasur humbje dhe se kanë qenë të hendikepuar nga paniku. Gjetëm municion të ndryshëm të kalibrit të madh e deri tek revolverët, veshje anti plumb të përgjakura, shlema, karikatorë të ndryshëm, maska kundër gazrave, patrona lotësjellës e shumë e shumë të tjera. E gjithë rruga që nga fshati Lludeviq e deri në vendin “Kryqat e popit” ishte e mbuluar nga gëzhonjat. Dëmet e pësuara nga armiku, çka na i kemi parë, janë një autoblind i kallur, një i prishur, një mitraloz i shkatërruar, njërin nga ” pizgauerët” e djegur e disa blinde të dëmtuar pjesërisht. Helikopteri dyshojmë se ka qenë i goditur, se shumë shpejt u largua dhe më nuk u duk, duke i lënë forcat e veta të vetmuara, gjysëm ore para se të tërhiqeshin.
Kemi kërkesa të mëdha për anëtarësim, por mungon armatimi. Shumë pak keni punuar në këtë drejtim. Prandaj shokët që veprojnë në këtë trevë të Drenicës, kërkojnë që të përfaqësohemi me një nga shokët tonë të mëhershëm që tani e disa kohë gjendet jashtë, nën emrin e tij konspirativ “VESHI”.
Në fund të këtij rrëfimi ju përshëndesim përzemërsisht nga Drenica.
Lavdi të rënëve për liri.
Nga një grup shokësh,
Të nënshkruar: Rafeta, Gipa, Zena, Dili, Nura, Dyli, Gafurri.
Një sqarim për lexuesit: Kush janë të nënshkruarit e kush është “Veshi”
– “Rafeta” ishte pseudonimi i Adem Jasharit, – “Gipa” ishte Iliaz Kodra (komandant i brigadës “Fehmi Lladrovci”- vrarë në luftë), – “Zena” ishte Zenun Kodra, – “Dili” ishte Fadil Kodra, – “Nura” ishte Nuredin Lushtaku, – “Dyli” ishte Hamëz Jashari, – “Gafurri” ishte Abedin Rexha, i njohur më vonë si “Sandakani”, komandant brigade, i vrarë në luftë.
Nga shtatë të nënshkruarit, katër kanë rënë në luftë, tre të tjerët janë sot në TMK, me gradat superiore, gjeneral major e më tej. Ndërsa “Veshi” ishte emri konspirativ i Ramiz Ladrovcit – gjatë luftës i caktuar me detyra të një rëndësie të veçantë pranë Lëvizjes Popullore të Kosovës, si përfaqësues i saj në Shqipëri dhe pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Jam mrekulluar gjithnjë prej kësaj letre, që kur e kam pasur në duar për herë të parë, mrekullohem edhe tani. Përgjithësisht aksionet e ndryshme të UÇK-së janë informuar në Shtabin e Përgjithshëm ose në Kryesinë e Organizatës. Disa prej tyre ruhen ende. Por kjo letër, e shkruar thjeshtë, nga njëherë duke i rënë shkurt disa ngjarjeve, ajo ka në vete edhe një vlerë të madhe: Asnjëherë e askund nuk mund të gjesh mburrje, rrahje gjoksi, askund nuk gjen emra të përveçëm, se ishte ai apo isha unë, por gjithçka mbeti në emrin e shokëve dhe të luftëtarëve të lirisë.
Rreth tre muaj pas kësaj letra Adem Jashari ra në luftë. Mirëpo kushdo që ka rastin të lexojë këto radhë mund të kuptojë fare mirë se asgjë nuk ka qenë e rastësishme.
(Bedri Islami, botuar për herë të parë në DITA në 19 dhjetor 2013)