Sot bëhet rivarrimi eprorit të lartë të UÇK-së në Zonën e Drenicës, Adem Mulaj

Adem Shaban Mulaj (25.7.1940 – 15.5.1999)

Fshati Tërstenik i Drenicës, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për çlirim nga barbaria okupatore serbe i ka dhënë 17 dëshmorë dhe shumë martirë. Dëshmorët e rënë gjatë kohës së luftës janë: Adem Mulaj, Afrim Gjokaj, Bedri Bazaj, Enver Kukaj, Fatime Bazaj, Fadil Gjokaj, Halim Çallapeku, Halil Çallapeku, Mehmet Çallapeku, Hamdi Çallapeku, Mujë Çallapeku, Nuredin Munishi, Osman Gjokaj, Ramiz Bazaj, Smajl Bazaj, Shefqet Bazaj dhe Shaqir Franca.

Adem Mulaj u lind në fshatin Tërstenik të komunës së Drenasit (ish – Gllogoc), më 25 korrik të vitit 1940. Babai i tij, Shabani dhe nëna, Kada, lindën dhe rritën bijtë: Cenin, Ademin, Hetemin dhe Hazirin, si dhe bijat: Shukrinë dhe Sadinë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, e cila në Drenicë kishte lënë mijëra të vrarë dhe shumë fshatra të shkatërruara nga partizanët e Titos e të Rankoviqit, Ademi i ri, ashtu sikur edhe shumë bashkëmoshatarë të tij, u regjistrua në shkollën e fshatit Likoc. Në vitin shkollor 1956-1957, në kohën e aksionit famëkeq antishqiptar për grumbullimin e armëve, Ademi kryen me sukses të shkëlqyeshëm shkollën tetëvjeçare. Mësuesit e tij e kujtojnë si nxënës të aftë, të disiplinuar dhe shembullor në mësime.
Në vitin shkollor 1957-1958, falë talentit të tij dhe interesimit të familjes, Ademi regjistrohet në Shkollën Normale të Prishtinës, e cila ishte një vatër arsimore e pedagogjike, që përgadiste kuadro për zgjerimin dhe përparimin e arsimit shqiptar në tërë Kosovën e ripushtuar dhe të mbetur sërish nën regjimin jugosllav. Në Normalen e Prishtinës kishte shok të gjeneratës edhe Ukshin Hotin, veprimtarin e madh të çështjes kombëtare shqiptare, me të cilin kishte mbajtur lidhje kohë pas kohe.
Shkollën Normale e kreu me sukses dhe sapo diplomoi, në vitin shkollor 1962-1963, u emërua mësues në shkollën fillore, “Zenel Hajdini’ në vendlindjen e tij, në fshatin Tërstenik. Ndërkohë, në tetor të atij viti merr ftesën për të shkuar në shërbimin e obligueshëm ushtarak në Armatën Popullore të Jugosllavisë. Meqë ishte i arsimuar, dërgohet për të kryer kursin e oficerëve rezervë, në Bileqe. Pasi e kryen me sukses kursin, me rastin e lirimit nga ushtria, avancohet në gradën e nënoficerit të APJ-së.
Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, vazhdon punën e mësuesit në fshatin Tërstenik të komunës së Drenasit. Ndërkohë, në vitin shkollor 1965-1966, regjistrohet në Shkollën e Lartë Pedagogjike, në Prishtinë. Ka marrë pjesë në demonstratat e rinisë studentore të Nëntorit, të vitit 1968, së bashku me disa kolegë të punës.
Ka punuar mësimdhënës në shkollën fillore “Bashkimi” të Drenasit, deri në vitin 1971.
Në vitin 1972, Adem Mulaj, duke qenë se ishte edhe kuadër ushtarak rezervë, fillon punën në administruarën e Kuvendit komunal të Drenasit, në Sekretariatin e Mbrojtjes së Përgjithshme Popullore, në sektorin e përpilimit të planeve mbrojtëse. Gjatë aktivitetit të tij në këtë segment ushtarak, Ademi, ashtu sikurse edhe disa ushtarakë rezervë, bëri përpjekje për ta njësuar këtë segment të mbrojtjes, madje duke e bërë edhe komandën në gjuhën shqipe, meqë ndodhej në një territor kompakt etnik, ku shqiptarët përbënin pothuajse 100% të popullatës.
Me rastin e futjes së masave të dhunshme në Kosovë nga regjimi i Milosheviqit, Adem Mulaj dhe shumë oficerë të Mbrojtjes Territoriale u larguan nga puna. Nga puna u largua edhe shoku i tij i punës, më vonë bashkëluftëtar në radhët e UÇK-së, Ajet Kastrati, pastaj, Elheme Kastrati, Ragip Nishori e të tjerë.
Adem Mulaj ishte i organizuar edhe në njësitet ushtarake që vepronin fshehtas, sidomos në vitet 90-të të shekullit të kaluar, por aktiviteti i tij nuk ishte dekonspiruar. Asokohe ishte inkuadruar edhe në radhët e LDK-së, duke konsideruar se kjo parti identifikohej me një lëvizje të përgjithshme të shqiptarëve të Kosovës. Ka marrë pjesë edhe në themelimin e degës së Shoqatës Humanitare “Nëna Tereze”, ku po ashtu ka dhënë një kontribut të çmuar. Në radhët e UÇK-së u inkuadrua në vendlindjen e tij, në fshatin Tërstenik.
Në tetor të viti 1998, me propozimin e shtabit të Brigadës 113 të Zonës Operative të Drenicës, Adem Mulaj, emërohet shef i Operativës së kësaj Brigade. Për aktivitetin e tij në ndihmë ristrukturimit të radhëve të UÇK-së kanë shprehur konsideratë, komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, pastaj Komandanti, Sylejman Selimi, Komandanti i Brigadës, 113, Hysni Shabani e shumë eprorë të tjerë.
Ka marrë pjesë në ofensivat e verës së vitit 1998 në rajonin e Drenicës, në rrezen e veprimit të Brigadës 113, ku edhe komandonte si shef i operativës.
Qysh prej fillimit të inkuadrimit në UÇK, eprori Adem Mulaj ka mbajtur edhe ditar lufte ku ka shënuar të gjitha veprimet luftarake që janë ndërmarrë nga forcat okupatore dhe mbrojtja që kanë bërë luftëtarët e lirisë. Duke ditur rëndësinë e shkrimit, shpeshherë në orët e vona të natës shënonte në fletore zhvillimet e ditës. Në shënimet e tij hetohet besimi i patundur, që ai shprehte për lirinë e Kosovës, për të cilën luftonte tok me bashkëluftëtarët, në mesin e tyre edhe shumë kolegë, ish – ushtarakë të APJ-së, të cilët në masën më të madhe iu përgjigjen kushtrimit të UÇK-së, për çlirimin e Kosovës nga okupimi serb.

Fragmente nga ditari i luftës:

4 janar 1999

“Sot më 4 janar u lëshua në funksion Radio “Kosova e lirë”. Është duke u bërë një organizim i ri i UÇK-së. Radio “Kosova e lirë” po përhap lajme për luftën e popullit të Kosovës, për liri e pavarësi. Ajo po transmeton realitetin e Kosovës.”

5 janar 1999

“Gjendje e rëndë dhe e tensionuar. Forca të mëdha serbe kanë arritur në Podujevë, Mitrovicë dhe në rajonin e Dukagjinit. Radio-Kosova e lirë po jep lajme dhe po informon për suksesin që po arrijnë forcat tona mbrojtëse, në mbrojtje të popullatës, të dinjitetit tonë dhe në luftën për pavarësinë e Kosovës, si shtet sovran dhe i pavarur.”

24 mars 1999

“Sot në orën 20.10 mbi Jugosllavinë filloi sulmi i parë i NATO-s, drejtuar mbi disa objektiva ushtarake. U bombardua Mali i Zi, Beogradi, disa qendra të tjera dhe Aeroporti i Prishtinës. Në mënyrë heroike nga forcat e UÇK-së, e sidomos nga kompania II dhe III e Brigadës 113 u vunë në mbrojtje fshatrat: Marinë, Rezallë, Polluzhë. Forcave tona iu bashkuan edhe ushtarët e Brigadës 114, “Fehmi Lladrovci”. Sot, qysh prej orës 8 e 30 minuta, unë Ademi, Alush Istogu dhe Murat Kukaj kemi qëndruar në pozicione, në fshatin Polluzhë…”

E martë 6 prill 1999

“Gjendje lufte. Me Alushin sot kemi dalë te Pishat në Kamenicë. Djemtë janë në Terstenik, me familje. Pritet të depërtojnë forcat serbe. Mbrëmë ka pasur granatime të forcave të NATO-s…”….

Lidhur me angazhimin e majorit, Adem Mulaj në frontet e luftës, bashkëluftëtari dhe bashkëvendësi i tij, Naim Bazaj, në shënimet për zhvillimet luftarake në këtë pjesë të Drenicës, në maj të vitit 1999, ka shënuar: “Më 14 maj 1999, së bashku me Adem Mulajn kemi përgatitur një plan operativ për tërheqjen e popullatës civile, në mënyrë që të mos ndodhnin masakra si ajo në Vërboc e Shtuticë… Të nesërmen, më 15 maj, në orën 4 të mëngjesit, nga vendi i quajtur “Zabelet e Istogëve” filluan lëvizjet e para të forcave serbe drejt popullatës civile. Gjatë konsultimit me major Ademin, ai më këshilloi që të veproja sipas planit. Ndërkohë jemi vendosur në pozicionet e dyta në lagjen Mulaj, ndërsa ushtarët dhe policët serbë i kemi futur nën rrethim…
Falë planit operativ të major Adem Mulajt dhe qëndresës heroike të luftëtarëve e kemi penguar depërtimin e policisë dhe ushtrisë serbe në drejtim të rreth 3000 pjesëtarëve të popullatës, e cila po evakuohej drejt Abrisë. Gjatë aksionit të tërheqjes së popullatës, majori i UÇK-së, Adem Mulaj ka rënë në pritë të forcave armike…”.
Ademi ishte i martuar me Xhezide Hysenajn nga fshati Abri. Ai ka lënë bijtë: Fatonin, Hamitin dhe Dritonin si dhe bijat: Fedainë, Shpresën dhe Violetën, të cilët jetojnë me kujtimin e paharruar për babain dëshmor, i cili gjatë tërë jetës nuk pushoi asnjë çast, por punoi në arsimin dhe edukimin e bashkëkombësve, ngriti familjen, i arsimoi dhe i edukoi fëmijët, u mor me shumë aktivitete, atdhetare, politike, ushtarake, humanitare, gjithnjë në dobi të kombit e atdheut të robëruar, për çlirimin e të cilit dha edhe jetën dhe ra dëshmor, në altarin e lirisë.
Familja Mulaj ka marrë mirënjohje të shumta nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga shoqatat e luftës së UÇK-së, nga Shoqata humanitare “Nëna Tereze”, nga dega e LDK-së në Drenas dhe mirënjohje e falënderime të tjera. Emri i tij është skalitur në pllakën përkujtimore, para ndërtesës së shkollës fillore “Dëshmorët e Qëndresës”, në mesin e 17 dëshmorëve të Tërstenikut. Emri i tij është përjetësuar edhe në obeliskun e të gjithë emrave të dëshmorëve të UÇK-së, në fshatin Marinë të Skënderajt. Për Adem Mulajn, janë botuar shkrime në shtypin ditor dhe periodik, si dhe monografia “Adem Mulaj, njeriu i idealeve”, shkruar nga Xhemajl Bajrami. ( A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …