Adil Fetahu

Adil Fetahu: A do të bëhet regjistrimi i popullsisë në Maqedoninë e veriut?

Regjistrimi i popullsisë, në secilin shtet të rregulluar, është një proces i rëndësishëm i evidentimit të potencialit njerëzor. Potenciali njerëzor është faktori kryesor i zhvillimit në të gjitha fushat e jetës dhe punës. Prandaj, me regjistrimin e popullsisë mblidhen të dhëna dhe evidentohet ky potencial dhe struktura e tij në nivel të shtetit dhe në nivele më të ulta të organizimit të shtetit,  që shërbejnë për çfarëdo lloj të planifikimi të zhvillimit të mëtejshëm, për çfarëdo fenomeni dhe krahasimi. 

Është bërë si rregull në shumicën e shteteve të rregulluara dhe stabile, që regjistrimi i popullsisë të bëhet në vitin e parë të secilës dekadë. Në ish-RSFJ, dmth. në republikat dhe krahinat e atij shteti, regjistrimi i popullsisë është bërë në vitet: 1948; 1953; 1961; 1971; 1981 dhe 1991.

Në Kosovën e pasluftës, regjistrimi i popullisë është bërë në vitin 2011, por ai regjistrim nuk ishte i plotë, sepse popullsia serbe e katër komunave veriore e bojkotuan regjistrimin, ndonëse as në komunat tjera regjistrimi nuk është kryer mirë dhe i plotë.

Në Maqedoninë e pavarur regjistrimi i popullisë është bërë në vitin 1994 dhe në vitin 2002, por dyshohet se është manipuluar me të dhënat nga rezultati i regjistrimit. 

Derisa në shtetet e rregulluara regjistrimi ka karakter demografik dhe ekonomik, në shtetet e pakonsoliduara,siç janë Kosova, Maqedonia, Bosnje-Hercegovina, Mali Zi, regjistrimi i popullsisë konsiderohet si proces politik, prandaj rezultatet nuk janë të besueshme, për shkak se manipulohet me të dhëna, për të paraqitur figurën etnike të popullsisë çfarë e dëshiron politika e shtetit,  e jo çfarë është në realitet. 

Shtyrja e regjistrimit të popullsisë së Maqedonisë

Në Maqedoninë e Veriut, siç po e quajnë tash zyrtarisht në bazë të presionit të Greqisë, regjistrimi i popullsisë ishte paraparë  të bëhej  prej 1 deri më 20 prill 2021. Mirëpo, me kërkesën dhe kërcënimin e opozitës maqedonase, se do ta bojktojë dhe nuk do t’i pranojë rezultatet e regjistrimit, ai regjistrim u shty për t’u bërë  në shtator të këtij viti (prej 5 deri më 30 shtator). Shtyrjën e regjistrimit e bënë kryeministri  aktual Zoran Zaev, në marrëveshje me kryetarin e partisë opozitare maqedone VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, pa pjesëmarrjen e asnjë lideri të partive politike shqiptare. Kështu, në bazë të asaj marrëveshje, shtyrja e afatit të regjistrimit u “arsyetua” me rrezikun e përhapjës së pandemisë së koronavirusit, por arsyeja e vërtetë ishte  “pandemia nacionaliste” e politikës maqedonase dhe jo pandemia shëndetësore. Sepse në zhvillimet aktuale në Maqedoni, pala maqedonase ia ka frikën rezultateve  reale që do të dalin nga regjistrimi, ku do të ketë një rënie të popullsisë maqedone dhe rritje të popullsisë shqiptare. Përkundër  antagonizmave  politike të Zaevit e Mickovskit, kur është në pyetje çështja në raportet kundër   shqiptarëve, ata gjejnë gjuhë të përbashkët.

Nga ana tjetër, në shtetin e brisht të Masqedonisë, liritë dhe të drejtat e qytetarëve janë të përcaktuara në bazë të përqindjës së popullsisë! Sipas Marrëveshjes së Ohrit   (2001), në Maqedoni janë krijua dispozita, në bazë të të cilave të drejtat dhe liritë e shqiparëve varen nga përqindja e pjesëmarrjes së tyre  në popullsinë në nivel të vendit dhe në nivel të komunave. Në bazë  të asaj përqindjeje, do duhej të kenë të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare, punësimit, lirinë e përdorimit të simboleve, në nivel lokal (të komunave) dhe në nivel qendror të shtetit. Të drejtën e përdorimit të gjuhës dhe të punësimit në sektorin publik do ta kenë nëse arrijnë 20% të popullsisë në nivel lokal, respektivisht në nivel të vendit, ndërsa të lirinë e përdorimit të simboleve kombëtare (flamurit) – nëse arrijnë 50% në strukturën e popullsisë! Nga regjistrmi i vitit 2002,  përkundër të gjitha malverzimeve me teknikat dhe metodat e regjistrimit dhe të përpunimit të rezultateve, doli se nga 2,1 milion të banorë të Maqedonisë, Shqiptarë ishin 25,7%

Rritjes së kësaj përqindjeje të shqiptarëve ia kanë frikën maqedonasit, prandaj do të bëjnë përpjekje ta shtojnë ose ta manipulojnë prcesin e regjistrimit dhe përpunimit të të dhënave nga regjistrimi, në mënyrë që rritja e përqindjes së pjesëmarrjes së popullsisë shqiptare të mos ndodhë.

 Në fillim të marsit 2021 filloi regjistrimi i diasporaës së qytetaraëve të Masqedonisë. Menjëherë u vërejt një numër i madh i shqiptarëve të regjistruar (rreth 200.000), përkundër faktit se mund të regjistrohen vetëm personat të cilët e kanë numrin amë të regjistrimit të Maqedonisë.  Edhepse procesi i regjistrimit të diasporaës vlenë deri në përfundimin e regjistrimit (30 shtator), shtyrja e regjistrimit brënda shtetit ka bërë që dinamika dhe interesimi i qytetarëve në diasporë për t’u regjistruar, ka rënë dukshëm,  gjë që do të ketë pasoja në rezultatin e përgjithshëm.  

Gazetari serbo-maqedonas, Dragan Pavlloviq-Llatash, në një intervistë për TV-1, e ka alarmuar Maqedoninë për rrezikun që i kanoset, poqese regjistrohet diaspora shqiptare. Sipas tij, regjistrimi i diasporaës e rritë përqindjën e popullsisë shqiptare dhe krijon kushte dhe obligime që në çdo veprimtari publike të përdoret gjuha shqipe, rritet punësimin e shqiptarëve, të cilët do t’i paguajmë ne, dhe së fundi do të shpie në federalizimin e Maqedonisë, thotë ky gazetar i brumosur me amalgamin e nacionalizmit  serbo-maqedon.

Sipas të dhënave të publikuara, në periudhën 2008 -2019,   popullsia maqedone ka pasur më shumë vdekje se lindje, dhe  ka pasur rënie për 35000 banorë maqedonë, derisa popullsia shqiptare në të njëjtën kohë ka pasur rritje për 53000 banorë. Këto shifra janë alarmuese për nacionalizmin e shfrenuar maqedon. Kur kësaj i shtojmë edhe frikën, se në regjistrimin e ardhshëm, një numër i konsideruar i popullsisë do të regjistrohen si bullgarë, atëherë mund të kuptohet  friga nga rezultatet e regjistrimit dhe motivi për shtyrje  dhe manipulim me procesin dhe me rezultatet. 

Se a do të bëhet regjistrimi i paraparë, që duhet të fillojë më 5 shtator 2021, apo do të gjenden arsye e pretekste për ta shty më tutje, e në kohë të pacaktuar, kjo mbetet të shihet së shpejti. Sidoqoftë,  liderët e partive politike shqiptare në Masqedoni, do duhej të binin “ne një gojë”, të këmbëngulnin  për regjistrimin dhe  ta ftonin popullin të regjistrohen të gjithë, si residentët brënda shtetit të Maqedonisë, ashtu edhe ata të diasporës.

 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …