Kemi dëgjuar shpesh kur thonë për ndonjë gjendje, punë a veprim të dikujt:”E bëri të pamundurën”! Kjo thënie është absurde, sepse e pamundura nuk mund të bëhet. Por, varet nga konceptimi, përceptimi, zotësia dhe vendosmëria e individëve për një gjë a një gjendje, se a mund të ndryshohet, a mund të arrihet, a mund të realizohet ose jo. Nga ky aspekt, diçka që është e pamundur ta arrijë dikush, është e mundur të arrihet nga të tjerët.
Ka gjëra që sipas ligjeve të Zotit dhe ligjeve fizike (edhe ligjet fizike janë të lidhura me ligjet e Zotit), të cilat vërtetë nuk mund të ndryshohen as të arrihen. Bie fjala, sipas ligjeve të Zotit, askush nuk mund t’i shpëtojë vdekjes. Sipas ligjeve fizike, të natyrës, njeriu nuk mund të fluturojë si shpezët, as nuk mund të ecë në këmbë mbi sipërfaqen e ujit, në det, liqen apo të lum.
Por, ka edhe gjëra e situate që na duken të pamundura të arrihen, por ato në të vërtetë nuk janë të pamundura, veçse varet nga zotësia, dija, angazhimi, vendosmëria e njeriut për t’i arritur e realizuar. Para 100 vjetëve ka qenë “e pamundur” të udhëtohet me avionë, por sot kjo është e zakonshme. Kush ka mund ta paramendojë si të mundur televizionin, apo celularin përmes të cilit flet dhe shihesh prej një skaji të botës në skajin tjetër?! Por, ja që është bërë e mundur. Dhe kushedi se çfarë gjëra e situata të cilat sot na duken të pamundura, nesër do bëhen të mundura, në saje mençurisë, angazhimit, punës, kreativitetit, teknologjisë dhe vendosmërisë së njerëzve kreativë. Ata do të mund të bëjnë vetëm të mundurën, që na duket si pamundur (relative), por të pamundurën absolute (vdekjen) nuk do të mund ta ndalë askush!
Për “të pamundurën relative”, është një thënie, së cilës nuk i dihet autori, por disa thonë se është e filozofëve të vjetër grekë, e të tjerët se është thënie nga filozofia e Lindjes, që thotë:
O Zot,
-Më jep paqe ta pranoj atë që s’mund të ndryshohet,
– Më jep forcë e guxim që ta ndryshojë atë që mund të ndryshohet, dhe
– Më jep dituri që të di ta dallojë njerën prej tjetrës!
Nga ana tjetër, ka shumë njerëz të cilët, nga mosdija, nga friga, nga pritesa, nga dembelia, nga përtacia, nga mosbesimi në vetvete, nga mospërceptimi adekuat, shumë gjëra e situata të mundshme i konsiderojnë të pamundura dhe nuk përpiqen të provojnë të arrijnë t’i ndryshojnë ato.
Kjo që u tha më sipër për situata dhe gjëra materiale, vlenë edhe për gjendjen shoqërore të njerëzve, në shoqëri e shtete të caktuara, në sistemet diktatoriale, për të cilat është një porosi në librin e shenjt, Kur’an: “Zoti nuk do t’ia ndryshojë gjendjen një populli, derisa ai të mos e ndryshojë vetveten”. Natyrisht, kjo thënie ka konotacion fetar, por është shumë adekuate edhe për aspektin e moralit individual dhe shoqëror (shtetëror, dhe global): luftimin e kriminalitetit, padrejtësisë, tiranisë, korrupsionit, lakmisë, hajnisë, fajdes, gënjeshtrës, falsifikimit (intelektual etj.), urrejtjes, egoizmit, mashtrimit, hipokrizisë, gjelozisë, smirës, vetëlavdërimit, shtirjes, dhunës, pedofilisë, dhe veseve shumta tjera të këqija.
Këto vese janë bërë praktikë e rendomtë dhe njerëzia po i konsideron si gjëra të pamundura për t’i eliminuar. E nuk është ashtu, por apatia e krijuar nga këto vese i bënë njerëzit t’i durojnë e të mos ndërmarrin asgjë kundër tyre, sepse me kriteret dhe masën e vet – e konsiderojnë të pamundur ndryshimin.
Nga ana tjetër, disa arritje krejtësisht të thjeshta – i cilësojnë, reklamojnë dhe lavdërojnç se “ka bërë të pamundurën”!
Për ilustrim të “të pamundurës”, këtu më poshtë lexoni përrallën e harabelit:
Tregohet se një njeri zuri një harabel dhe e futi në kafaz. Harabeli jo vetëm se ishte i mbyllur, por edhe frikësohej se mos do ta therrnin dhe hanin, i tha njeriut:
-Zotëri, mishi im, krahasuar me mishin e kecit, deles ose të viçit, është asgjë, s’ke ndonjë dobi prej tij. Më liro nga kafazi dhe unë do t’i tregoj tri urtësi, të cilat do ta përmirësojnë jetën, por me një kusht që: këshillën e parë do ta jap sa të jem në grushtin tënd; këshillen e dytë do ta them sapo të futuroj mbi dritare; dhe të treten pasi të hypi mbi degën e pemës në oborr.
Njeriu pranoi kërkesën dhe kushtet, e nxorri harabelin nga kafazi dhe e mbajti në shuplakë të dorës. Harabeli i tha:
- Këshilla e parë imja është: asnjëherë mos i beso të pamundures!
Njeriu e lëshoi harabelin nga dora. Harabeli pasi hypi mbi dritare tha:
- Asnjëherë mos u pendo për atë që t’iku nga dora!
Pasi fluturoi dhe hypi mbi një degë të pemës, tha (për ta provokuar njeriun):
-Në barkun tim kam një diamant të madh dhe nëse do më kishe therrur për të më ngrënë, do ta kishe gjetur diamantin dhe do ishe bërë i pasur?!
Kur dëgjoi këto fjalë, njeriu u pendua pse e kishte lëshuar harabelin, sa nisi t’i bjer kokës së vet me grushta, pastaj u kthye nga harabeli e tha: – Më thuaj këshillën e tretë që pemtove. Harabeli i tha:
- A nuk të thash mos i beso të pamundures? Si besove kaq lehtë, që në barkun tim gjendet diamanti! Ti jo vetëm që besove, por fillove të godasësh veten me grushta nga pendimi.
- Tani më thuaj, çfarë do të vlente ty këshilla ime e tretë?!
Dhe këshilla ime, lexues të nderuar është: Mos u besoni atyre që thonë se “bëri të pamunduren”, por përpiquni maksimalisht të bëni atë që është e mundur nga punët dhe virtytet e mira, se ajo është në dobi tuajen, të familjes, të shoqërisë, të njerëzimit! (A.F.)