Adil Fetahu: Çamëria, plaga jonë e pashëruar- në njëqind-vjetorin e pushtimit

Çamëria është (ishte!) njëra nga krahinat më të bukura të tokave iliro-shqiptare, që shtrihet në brigjet e Detit Jon. Sot vetëm shtatë fshatra të kësaj krahine, me qendrën në Konispol, janë brenda kufijve të Shqipërisë; tërë pjesa tjetër më e bukur është pushtuar dhe aneksuar nga shteti fqinj – Greqia, gjatë luftërave ballkanike 1912-1913, ndërsa me vendimin e Konferencës së Ambasadorëve të fuqive të mëdha të asaj kohe për caktimin e kufirit jugor të Shqipërisë, të mbajtur  në Londër (11 gusht 1913), Çamëria i është lënë Greqisë.

Pushtimi dhe aneksimi nga Greqia i tokave shqiptare të cilat akoma ishin nën sundimin e Perandorisë Otomane, ishte pjesë e “Megali Idea-s”, një program nacional panhelen, të cilin e kishte shpallur kryeministri grek Ioannis Kolettis në vitin 1844, po atë vit kur ministri e pansllavisti serb Ilija Garashanin e kishte shpallur programin nacional të Serbisë së Madhe (“Naçertania”), në realizimin e të cilit Serbia punoi gjatë gjithë kohës, duke pushtuar tokat shqiptare: Sanxhakun e Nishit, Vilajetin e Kosovës e të Manastirit, e duke ngushtuar deri në maksimum hapësirën jetësore të Shqiptarëve.

Fqinjët tanë nga Jugu e nga Veriu: Greqia, Serbia e Mali Zi, me idetë e tyre ekspansioniste për Greqinë respektivisht Serbinë e Madhe, u turrën si bishat mbi tokat shqiptare, duke u përpjekur që popullin shqiptar ta zhbijnë e zhdukin njëherë e përgjithmonë nga faqja e dheut. Për plot një shekull e gjysmë, arritën që nga viset e pushtuara, sidomos nga Sanxhaku i Nishit (Serbia), dhe nga Çamëria (Greqia), ta “pastrojnë” terrenin nga elementi shqiptar. Tmerret që kanë përjetuar shqiptarët e Sanxhakut të Nishit (1878-1879), shqiptarët e Kosovës, të Çamërisë,  të Malit Zi e të Maqedonisë,  gjatë luftërave ballkanike (1912-1913), gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore (1914-1918, respektivisht 1940-1945), janë të papara.  Këtyre katrahurave tona iu kanë kontribuar edhe fuqitë e mëdha, sidomos Rusia, por jo vetëm ajo, duke përkrahur apetitet ekspansioniste të fqinjëve tanë, në dëm të popullit e të tokave shqiptare. Nga afro 50.000 km/katrore sa kishte Greqia kur e fitoi pavarësinë nga Turqia (më 1832), me pushtime të njëpasnjëshme e rriti shtrirjen e shtetit grek në afro 132.000 km/katrore që ka sot. Kështu, edhe Principata e vogël e Serbisë,  nga Pashallëku i Beogradit, sot shtrihet në 56.000 km/katrore, në bazë të pushtimeve të tokave shqiptare,etj.

Po, t’i kthehemi Çamërisë.

Në luftërat ballkanike për çlirimin nga pushtuesi otoman, morën pjesë të gjithë popujt e Ballkanit. Shqiptarët që ishin më të diskriminuarit nën pushtetin otoman, për shkak se nuk njiheshin si etni e veçantë ose komb, veçse varësisht nga përkatësia fetare njiheshin si muhamedan, ortodoks ose katolik, prandaj nuk u lejoheshin shkollat as gjuha shqipe, luftuan për të drejtat e veta dhe çlirimin e vet,  krahas me popujt e tjerë (grekë, serbë, bullgarë). Mirëpo, nga luftërat që bënë shqiptarët kundër Perandorisë Otomane, fituan kryesisht fqinjët tanë: grekët, serbët, malazezët. Shqiptarët e fituan një gjysmë-shteti (Shqipërinë), në më pak se 1/5 e territorit  të banuar kryesisht ose me shumicë shqiptare.

Pas një lufte që zgjati plot gjashtë muaj, në të cilën ranë dëshmorë  mbi 4000 shqiptarë dhe 5000 të tjerë vdiqën nga plagët ose nga sëmundjet dhe rraskapitja,  me rënien e Janinës (mars 1913), Çamëria u çlirua nga pushteti otoman, por ra nën pushtimin grek.  Me qenë se Shqipëria londineze ishte shtet i ri, i dobët dhe i pa konsoliduar, nga kjo luftë përfitoi Greqia e cila e mbante Çamërinë të pushtuar, ndërsa   fuqitë e mëdha në Konferencën e Londrës (më 11 gusht 1913) ia caktuan kufirin jugor Shqipërisë, duke e lënë Çamërinë brenda kufirit të Greqisë. Humbja e Janinës, si kryeqendër e Çamërisë dhe gjithë Epirit, ka qenë humbja më e dhembshme dhe më e hidhur në historinë shqiptare.

Sapo e morën Çamërinë, qeveritë greke filluan spastrimin etnik, në mënyrën dhe me metodat më barbare: duke bërë krimet më monstruoze mbi popullsinë çame, veçmas atyre të besimit musliman, për t’i detyruar ta braktisin atdheun e tyre. Pas luftës greko-turke (1920-1922), Turqia dhe Greqia nënshkruan Konventën e Llozanës  (janar 1923), për shkëmbimin e ortodoksëve të Turqisë me turqit e Greqisë. Me forma të ndryshme të presionit, propagandës e dhunës, Greqia i detyronte edhe çamët e besimit musliman të deklarohen si turq, për t’i shkëmbyer me ortodoksët e Turqisë, duke ua marrë çamëve tokat dhe gjithë pasuritë, për t’i vendosur në to grekët e ardhur nga Anadolli, apo grekët vendas. Sipas kronikave të kohës, grekët e ardhur nga Anadolli vendoseshin nëpër shtëpitë e çamëve muslimanë, ndërsa vet çamët mbeteshin nëpër stallat e bagëtive, apo duhej ikur nga zullumi i ardhacakëve dhe i pushtetit grek. Në këtë mënyrë i përzuri afro 60.000 mijë çamë muslimanë. Pas ankimeve të patriotëve e diplomatëve shqiptarë,  një Komision i Lidhjes së Kombeve hulumtoi çështjen dhe konstatoi se çamët e konfesionit musliman as nuk janë turq, as nuk dëshirojnë të shkojnë në Turqi në bazë të Konventës së Llozanës, prandaj ata nuk duhet të shkëmbehen me ortodoksët e Turqisë.  Mirëpo, kisha, shteti dhe banda të ndryshme kriminale greke shtuan zullumin, për t’i detyruar çamët të ikin, qoftë në Shqipëri, në Turqi, apo kudo  gjetkë. Për krimet e pushtetit grek mbi çamët, ka shumë libra e dokumente të shkruara, nga autorë të ndryshëm, si Arben Kondi, Mentor Nazarko,  Hajredin Isufi, Arben Llalla, e  të tjerë.

Në librin e Hajredin Isufit: “Çamëria – nëpërmjet kronikave të kohës 1902-1940”, në më se 320 shkrime-kronika të shtypit të kohës, me dëshmi të frikshme bëhet e ditur se çfarë kalvari përjetuan çamët. Gazeta “Atdheu”, që botohej në Konstancë, në numrin e saj të datës 20 maj 1913, shkruante: “Grekët, barbarët dhe egërsirat me fytyrë njeriu, mblodhen 70 shpirt nga gjithë paria e Çamërisë, Margëlliç e Paramithi, duke u thënë se i kërkojnë në Janinë, dhe që të 70 i zhdukën udhës me dinakëri. Qeveria shqiptare tejshkroi në Londër për këto vrasje”.

Ata 70 ‘shpirt’ ishin paria e gjithë Çamërisë, dhe nuk ishin 70, por 72 veta. Ky krim kishte për qëllim që ta frikësojë tërë popullsinë e Çamërisë dhe t’iu tregojë  atyre se  nuk kanë perspektivë as jetesë në vendin e vet. Për t’ua bërë jetën të padurueshme çamëve të besimit musliman, pushteti grek përmes reformës agrare iu merrte tokat, e më vonë edhe shtëpitë, të cilat ua ndante grekëve, me qëllim që të ndryshonte strukturën etnike të Çamërisë. Kisha në anën e vet përqante sa mundte shqiptarët në baza të përkatësisë fetare.

Në prag të luftës italo-greke (1940), pushteti grek i mblodhi të gjithë meshkujt e çamëve muslimanë prej 15-75 vjeçe dhe i internoi nëpër ishujt e Egjeut, gjoja nga frika se këta çamër do të hakmerreshin sapo Italia ta pushtojë Greqinë. Shumë (450 veta) prej  atyre të internuarve nuk u kthyen më kurrë, ngase u likuiduan ose vdiqën nga torturat.  Në familjet e të internuarve bënin kërdi  bandat greke, duke vrarë, masakruar e dhunuar gra e fëmijë, dhe duke plaçkitur gjithë çka kishin.

Krimet më monstruoze kundër çamëve bandat greke (ushtri, xhandarmeri e paramilitarë) i kryen në periudhën 1944-1945, atëherë kur Greqinë e kishte pushtuar Gjermania. Klerofashizmi grek bashkëpunonte fshehtas me gjermanët, duke iu premtuar gjermanëve se nuk do i ngacmojnë gjatë ikjes, në qoftë se do t’ua lënë duart e lira për t’i përzënë çamët. Në kronikat e kohës shënohet se më 27 qershor 1944, në Paramithi ndodhi “nata e Bartolomeut”, me ç’rast monarko-fashistët grekë arrestuan tërë popullsinë muslimane çame dhe deri të nesërmen i vranë të gjithë burrat. Qyteti ishte mbushur kufoma. Nga 380 tjerë të burgosur, në mesin e tyre plot gra e fëmijë, 120 vdiqën nga torturat dhe uria. Në Spatar të Filatit, në shtator 1944 i grumbulluan të gjithë banorët para xhamisë së fshatit, i torturuan e dhunuan gra e vajza, kurse nëpër shtëpi bënin mizori të papara. Plakës 50 vjeçe (Paçe Çulani) ia prenë flokët dhe veshët e pastaj e vranë në kopshtin e saj. Familjen  tetë anëtarësh të Sako Banushit, pasi i çnderuan gratë, i masakruan me thika. Në shtëpinë e Damin Muhametit u vranë 5 gra e 3 fëmijë. Në shtëpinë e Dul Sherifit ia prenë kokën plakut 80-vjeçar dhe shoqes së tij. Në shtëpinë e Metë Brahës i dogjën për së gjalli 20 gra, fëmijë e burra. Në kopshtin e Avdyl Nurçës masakruan 30 veta. Çamëve nuk iu mbeti shteg tjetër, veçse të ikin brenda kufirit të Shqipërisë, ku u strehuan  mbi 20.000 veta, duke lënë gjithçka që kishin në shtëpitë e tyre, e duke mos mund të marrin asgjë prej tyre.  Ata  çamë që nuk kishin mund të ikin, në vitet 1944 e 1945 u bënë objekt i masakrave të bandave greke të udhëhequra nga Napolon Zerva  famkeq (për këtë shih librin e Arben Kondit),  të cilët  vranin e masakronin kudo që i gjenin: në shtëpi, në rrugë, në treg apo në arë. Sipas një statistike për krimet ndaj çamëve (“Masakra në Çamëri – përmbledhje dokumentesh”), më 27 qershor 1944, në Paramithi, Margëlliç e katunde, u vranë e masakruan 800 burra dhe 230 gra e fëmijë, në Pargë 130 burra;  në gusht 1944, në Filat e katunde 198 burra e 61 gra e fëmijë; në mars 1945 në Filat e katunde 142 burra dhe 59 gra e fëmijë; e kështu me radhë. Në qytetet e përmendura kishin humbur edhe 230 burra, gra e fëmijë. Gjatë asaj kohe, pasi plaçkitën gjënë e gjallë dhe gjithçka që mund të plaçkitej, i dogjën e shkatërruan 68 katunde me 5800 shtëpi. Statistika jep shënime edhe për bagëtinë dhe mallrat e grabitura e plaçkitura, në naturë dhe në çmime.

Sipas një raporti të Komitetit Antifashist të Emigrantëve Çamë, drejtuar kryeministrit të Shqipërisë (3 qershor 1946), çamët e ikur në Shqipëri ishin vendosur përkohësisht, në: Konispol 1490, në Delvinë 940, në Sarandë 1050, në Vlorë 4700, në Fier 1980, në Berat 1070, në Lushnjë 1500, në Durrës 1420, në Kavajë 1450, në Shijak 640, në Krujë 770, në Elbasan 500, në Peqin 450, në Dumre 820, në Tiranë 900, dhe në Shkodër 75 veta, e kështu me radhë.

Regjimi komunist në Shqipëri, i lidhur ngushtë me komunistët në Greqi, Jugosllavi e Rusi,  nuk u kujdes sa e si duhet për fatin e çamëve as nuk i trajtoi në mënyrë adekuate refugjatët çamë. Bile, në vitin 1949, gjatë luftës civile në Greqi, me kërkesën e Greqisë, regjimi shqiptar u përpoq të mobilizojë çam për t’i dërguar në luftën civile në Greqi që zhvillohej midis të majtës e të djathtës greke.

Një “shërbim” tjetër të keq që regjimi komunist u ka bërë çamëve, është dhënia e shtetësisë shqiptare të gjithë çamëve në mënyrë kolektive, me një dekret në vitin 1953, dhe ky fakt paraqet në një mënyrë pengesë në kërkesën e çamëve për  kthim ose për kompensimin e pronave të tyre të lëna në Çamëri.

Dikush mund të shtrojë pyetjen: a ka sot çamër në Greqi? Përgjigja mund të jetë: edhe ka, edhe s’ ka! Çamët e konfesionit ortodoks, janë asimiluar e konvertuar në grekë, dhe nëse ka ndonjë që e ndien veten shqiptar, këtë nuk guxon ta thotë “as në vesh”. Nëse ka mbetur ndonjë çam i besimit musliman, nuk guxon të ndihet i gjallë. Gjuha shqipe është e ndaluar, ndërsa pa gjuhë, pa arsim në gjuhën amtare, pa liri të përdorimit të gjuhës në komunikimin publik e pa mjete të informimit në gjuhën amtare,  nuk mund të ruhet identiteti kombëtar. Historiani Arben Llalla, në një intervistë dhënë gazetares Valeria Dedaj me rastin e botimit të librit “Demografia e viseve shqiptare në Greqinë e Veriut”,  thotë se në atë pjesë (Maqedonia e Egjeut dhe Trakia), sot (2013) shqipja flitet në 42 fshatra, ndërsa në gjithë Greqinë gjuhën shqipe e flasin rreth 1,5 milion njerëz, dhe se rreth 4 milion grekë kanë origjinë të pastër shqiptare?! E pabesueshme! Po zotëri Llalla nuk e thotë se a ka shkolla shqipe në ato fshatra, a ka radio, televizione, gazeta ne gjuhën shqipe?  A përdoret gjuha shqipe gjëkundi në administratë apo në vende publike. Jo. E pa to, nuk ruhet gjuha as identiteti.

Shteti grek është shteti më fashist në Evropë, në mos edhe në botë. Policia (fashiste) greke e ka ndihmuar nazizmin gjerman në mars të vitit 1943 për t’i kapur dhe internuar çifutët nga Selaniku në kampet e Aushvicit, kurse në pronat e tyre u vërsulen grekët, si bishat mbi gjahun. Prej 47000 çifutëve në Greqi, vetëm 2000 veta mbijetuan Luftën e Dytë Botërore, dhe askush në Greqi nuk është gjykuar as për gjenocidin mbi çamët, as për atë mbi çifutët!  Fashizmi në Greqi është paraqitur shumë më përpara se fashizmi e nazizmi në Gjermani, qysh prej luftërave ballkanike, dhe ende është në zbatim nga shteti dhe kisha greke, që në të vërtetë janë një.  Gjenocidin e programuar e zbatuar në baza etnike, fetare, kulturore, ekonomike që ka bërë Greqia ndaj popullsisë autoktone çame, është i përmasave më të mëdha të fashizmit. Një përqindje të madhe të  popullsisë çame e ka likuiduar fizikisht në mënyrën më mizore, ndërsa të gjithë të tjerët i ka shpërngulur e përzënë nga atdheu i tyre.  Sot, pas një shekulli të pushtimit të Çamërisë, pushtim që ia ka njohur edhe bashkësia ndërkombëtare, plaga kombëtare shqiptare për Çamërinë nuk ka gjasa të shërimit. Evropa demokratike e me plot gojën  të drejta të njeriut e të minoriteteve, qe plot një shekull e heshtë problemin e Çamërisë e të çamëve, ndërsa Greqinë fashiste e përkëdhelë dhe ndihmon, si ta kishte ‘bijë hasreti”! Fatkeqësisht!

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …