Adil Fetahu

Adil Fetahu: DASHURIA TRIUMFOI, POR  DASMA MUNGOI PËR SHKAK TË BIOGRAFISË!

(Arben Kondi: “Dashuria e Vikit”,roman, ShB  “Lab”, Tiranë 2022)

Fabula e romanit është dashuria midis dy të rinjëve:  Pirros e Viktorias dhe pengesat e karakterit politik që i shkaktonin telashe Pirros në punën e tij në Radio—Tirana dhe në dashurinë me Vikin.

Pirro Sulioti, një djalosh 26 vjeçar,  ishte një gazetar i suksesshëm i cili udhëheqte “Radio revistën letraro-artistike” në Radio Tirana. Ishte shqua me intervista të suksesshme të realizuara me shkrimtarë dhe artistë të njohur të Shqipërisë. Ishte afirmuar me punën e tij profesionale, sa që e lakmonte edhe Televizioni shqiptar ta kishte në mesin e vet, por nuk do ta lëshonte shefi i Redaksisë së Radios, sepse i pëlqente puna që bënte Pirroja.  Megjithatë, kishte kaluar gadi një vit pune të suksesshme, por nuk e emronin si punonjës të përhershëm, veçse e mbanin dhe paguanin si bashkëpunëtor të jashtëm, me honorar. Shkaku i mosemrimit ishte “biografia e keqe”, pasi njerëzit e familjes së nënës (Fato) kishin ikur nga Shqipëria dhe jetonin në Amerikë, qysh para se Pirro  kishe ardhur në këtë botë!

Rasti është mbreti i botës, thotë një urti. Një ditë të zakonshme,  duke shkuar në punë, te lulishtja e qytetit (Tiranë), Pirro pa një vajzë e cila po mbante në dorë  librezën e notave (indeksin). Ishte e veshur me një trikuarte që ishin në modë asokohe, dhe flokët i mbante si të këngëtares franceze  Mirel Matje. Kur i afrohet, e pyet nëse është studente, nëse kishte provim dhe nëse ishte përgatitur? Pas një heshtje, vajza foli; tregoi se ishte studente e Filologjikut.

  • Jo, nuk jam përgatitur sa duhet. Gramatika për mua është e vështirë dhe tok me pedagogun e saj (Latifin) është tmerr i vërtetë.

Për ta vazhduar bisedën, Pirro e pyet vajzën:

  • Studjoni frengjishten?

Vajza e befasuar me këtë pyetje,  kthen kokën kah Pirro: – Nga e dini ju këtë?

  • Jo, jo, nuk e di veç hamendësova, pasi i mbani flokët si Mirel Matje. Kjo elozhe i pëlqeu vajzës, por heshti. Pas pak kohe, Pirro i tregon për vete se cili ishte: – quhem Pirro Sulioti, jam gazetar në Radio Tirana. Po juve si ju quajnë?
  • Më quajnë Viktoria Gjergji (shkurt: Viki).  Në ecjen në vazhdim Pirro e inkurajon vajzën, se do ta jepte provimin. Para se të ndaheshin për të shkua secili në punën e vet, Pirro i propozon Vikit që në mbrëmje ta dëgjojë radio-revistën letrare, në të cilën jepej biseda (intervista) të cilën Pirro e kishte bërë me shkrimtarin Ismail Kadare, në 50-vjetorin e lindjes së shkrimtarit. Pas këtij propozimi, Viki u çel në bisedë, duke shtuar se e adhuron shkrimtarin Kadare, se ka në shtëpi shumë libra të tij, se disa poezi të tij i di përmendësh,   se i ka pëlqyer shumë romani “Kronikë në gur”, dhe se edhe pedagogu francez (Zhan Pol) thotë se Kadareja është shumë i njohur dhe i respektuar në Francë. 

Ndarja ishte e vështirë, me pikëpyetje nëse do të takoheshin përsëri, ndonëse të dy u përshëndetën me “mirupafshim”!

Në punën që bënte  Pirro në Radio-Tirana gëzonte respektin e shokëve dhe vlerësimin e shefit të redaksisë, por drejtori i Radios dhe shefja e kuadrit kishin një qëndrim të rezervuar dhe injorues ndaj tij, prandaj nuk e emëronin si punëtor të përhershëm në Radio.

Nëse në punën që bënte në Radio-Tirana ia nxinin jetën drejtori dhe shefja e kuadrit, në lidhjet me Vikin, për të njëjtat “arsye”, për shkak të biografisë familjare, i krijonte telashe Dulla, një kushëri i babait të Vikit. Pasi kishte vdekur babi i Vikit (Skënderi), Dulla, gazetar i gazetës “Puna”, një “beqar i lashtë” me moshë rreth 55 vjeçe, e me pamje si të Enver Hoxhps,  ishte i vetmi mashkull i cili gjoja kujdesej për familjen. Por, Dulla ishte një spiun dhe bashkëpunëtor i Sigurimit, që kishte nuhatur në biografinë e familjes së Pirros  dhe ia kishte mbushur mendjen nënës së Vikit, se vajza e saj nuk bënë kurrësesi të martohej me “një djalë me biografi të keqe”.

Mirëpo, pëlqimi i karaktereve dhe dashuria e sinçertë që ishte krijuar midis Pirros e Vikit ishte i pathyeshëm dhe i pakthyeshëm.Takoheshin rendom, bisedonin për letërsinë dhe artin, shkonin në teatër e kinema, thurnin plane për të ardhmën e tyre. Vikin e kishin pëlqyer shumë edhe prindët dhe gjyshja e Pirros  dhe mezi prisnin ta bënin një dasmë të gëzuar. Vajza ishte prej një familje të mirë: e ëma kishte prejardhje korçare, punëtore e vyer, ndërsa i ati (Skenderi), një aviator i njohur, kishte vdekur një vit më parë, duke nxjerrur studentët e rënë në greminën në Grykat e Llogorasë, dhe ishte shpallur hero i popullit.  Gjyshja e luste Zotin t’i jepte jetë sa ta gëzojë dasmën nipit, që e donte, uronte dhe e bekonte aq shumë, që me Vikin të bënin “një stan fëmijë”! Pirro dhe Viki,  kishin parapëlqyer që dasmën ta mbanin në restorantin e ish-kishës “Shën Prokopi”, te Liqeni. 

Por “nuk kishte qenë e shkruar” që dasma të bëhej, pasi e ëma e Vikit, e nxitur nga Dulla, nuk e jepte pëlqimin që vajza e saj të martohej me një “djalë me biografi të keqe”. Prandaj, një ditë maji Viki iku nga shtëpia e nënës dhe shkoi në shtëpinë e prindërve të Pirros, ku u prit me shumë dashuri e respekt. Kështu, nëse dasma mungoi për shkak të biografisë,  martesa u realizua  nga triumfi i dashurisë, që vazhdon edhe sot  me një jetë të lumtur e harmoni të plotë.

* * *

Romani “Dashuria e Vikit” është një  tregim real, është autobiografi e dashurisë dhe martesës së autorit (Arben Kondi, me znj.Mirela). Ai edhe vet e pohon në faqen që i parapinë Prologut: “Pa mohuar trillin letrar, ky roman mbetet real…”.

Unë them se romani ka më tepër karakter social, sesa letrar. Ngjarja është zhvilluar në vitin 1986, në kohën e diktaturës komuniste që mbretëronte në Shqipëri, kur pengoheshin dhe nuk lejoheshin martesat me personat me “biografi të keqe” nga pikëpamja e parties dhe e pushtetit.  

Praktikat e represionit të daktaturës komuniste ishin nga më të ndryshmet. Arratija jashtë vendit konsiderohej tradhti ndaj atdheut, krim i rëndë, për të cilin denohej jo më pak se 10 vjet burg, ose edhe me vdekje, ndësa pjesëtarët e familjes internoheshin. Personat “me biografi të keqe” ishin gjithnjë nën survejimin dhe vigjilencën e organeve të partisë e të pushetit. Regjimi kishte krijuar një sistem persekutimesh për të dyshuarit si  kundërshtarë politik. Një ndër to ishte  moslejimi i martesave me njerëz të dyshimtë për “biografi të keqe”. Jo vetëm se pengoheshin dhe nuk lejoheshin martesa të tilla, por kërkohej të ndaheshin të martuarit edhe pas shumë vjet martese e shumë fëmijëve të lindur. Kështu, edhe iati i Pirros (Tanush Sulioti) ishte përjashtuar prej partie  dhe përpak që nuk e kishte humbur punën si mësues, për shkak se vet kishte prejardhje të një familjeje “kullake” dhe nuk kishte pranuar të ndahej nga bashëshortja e tij, e cila “fajsohej” se disa familjarë të saj kishin ikur nga Shqipëria e jetonin në Amerikë. Këtë e shpëtoi vetëm fakti se ka qenë luftëtar i Luftës  nacionalçlirimtare prej ditëve të para e deri në funt dhe pas luftës nuk kishte bërë asnjë veprim të dyshimtë.  Megjithatë,  edhe shoku i tij e luftës (Zylyftar Ziu), që tash ishte shef sigurimi, nuk donte ta shihte me sy as i ndihmoi gjë që Pirro të merrte emërimin në punë që kryente në Rdio-Tirana.

*

Tërë ngjarja e romanit zhvillohet në harkun kohor janar- maj 1986. Shumica e personazheve pozitive  të romanit janë emra të përveçëm nga jeta reale, sidomos ata të letërsisë, artit e kulturës, të familjes, po edhe personazhet negative, si Dulla, Zylyftar Ziu, drejtori dhe shefja e kuadrit të Radio-Tiranës.

Duke lexuar romanin “Dashuria e Vikit”, lexuesit i duket si një ditar me rrëfime të rrjedhshme dhe interesante,  dhe sikur po i përcjell nga mbrapa ecejaket e protagonistëve kryesorë: Pirros dhe Vikit rrugëve të Tiranës.  

Arben Kondi, autor i shumë romaneve dhe veprave tjera letrare, është shkrimtar i talentuar dhe i pjekur,  shkruan shkurt dhe saktë, me një gjuhë aspak artificiale. Nuk stërhollohet me figurat letrare, as nuk i gjykon ashpër personazhet negative. 

Po të lexohet romani “Dashuria e Vikit”, do të mbetet gajtë në kujtesën e lexuesit.

Adil FETAHU

 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …