leoni

Adil Fetahu: Demagogjia e Nikoliqit me planin e tij për Kosovën

Mediat serbe bëjnë të ditur se kryetari i Serbisë, Tomisllav Nikoliq, “po punon intensivisht në hartimin e një  plani a kornize të një platforme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës e Metohisë”. Planin e tij do ta diskutojë me kryeministrin Vuçiq, pastaj atë plan do ta përpunojë Qeveria, dhe pasi të jetë arritur pajtimi i plotë i partive politike, t’ia paraqesë Kuvendit për miratim. Plani nuk do të publikohet para se të arrihet konsensusi i partive të përfaqësuara në Kuvendin e Serbisë. Plani i Nikoliqit do të shndërrohet në rezolutë të Kuvendit, e cila do të shërbejë si platformë për bisedimet e zyrtarëve të Serbisë me zyrtarët e Bashkimit Evropian, edhe sa i përket rrugës së integrimit të Serbisë në BE, edhe për sa i përket kushteve për nënshkrimin e një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Me atë plan, gjegjësisht platformë, do të caktohet “vija e kuqe”, nën të cilën asnjë zyrtar i Serbisë nuk guxon të nënshkruajë kurrëfar marrëveshje, as në raport me BE-në, as në raport me Kosovën. “Ajo platformë do të jetë oferta e fundit e Serbisë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”! Plani nuk do të publikohet pa u arritur pëlqimi (konsensusi) i partive parlamentare, ndërsa asnjë marrëveshje që ka të bëjë direkt ose indirekt me statusin e Kosovës, nuk do të nënshkruhet pa u deklarua populli në referendum. Pasi të miratohet plani, duhet të zhvillohet një ofensivë diplomatike, për t’ia bërë me dije BE-së, se cila është “vija e kuqe” e Serbisë për bisedime në Bruksel.


 


Baza në të cilën mbështetet plani i Nikoliqit do të jetë Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, bëjnë të ditur burimet e informimit. Nga burime indirekte, merret vesh se një nga pikat e planit të Nikoliqit është që Kosova kurrë të mos bëhet anëtare e KB, OSBE-së apo e ndonjë organizate tjetër ndërkombëtare që do të nënkuptonte  direkt apo indirekt njohjen e Kosovës si shtet. “Jemi të gatshëm t’u japim shqiptarëve autonominë më të gjerë të mundshme, por nuk mund të pranojmë që “Kosova e Metohia” të bëhet shtet i pavarur”, theksojnë mediat që thirren në planin e pashpallur të tij .


 


Duket se sapo afrohet koha e bisedimeve për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian,veçmas bisedimet për kapitullin 35, që në shumë aspekte ka të bëjë me raportet e Serbisë ndaj Kosovës, po iu qartësohen kushtet që Serbia duhet t’i plotësojë në marrëdhëniet me Kosovën, dhe kjo ka shtuar nervozën dhe shqetësimin e krerëve të shtetit serb, prandaj si gjithnjë orvaten të blejnë kohë, të manipulojnë opinionin e vet me demagogji e përralla, për mbajtjen e Kosovës në kuadër të Serbisë. Thuase nuk e dinë ata, por edhe populli i Serbisë, se Kosova tash e gjashtëmbëdhjetë vjet nuk është në kuadër të Serbisë, se Kosova me luftë të armatosur është çliruar nga Serbia, i ka ndërtuar të gjitha institucionet e shtetit dhe e ka shpallur pavarësinë, të cilën deri më tash ia kanë njohur 108 shtete të botës, në mesin e të cilave ato më të forta në pikëpamje politike, ekonomike e të sigurisë (ShBA-të, 23 shtete të Bashkimit Evropian, gati të gjitha shtetet që përbëjnë NATO-n), dhe shumë shtete tjera të botës; se Kosova si shtet i pavarur është bërë anëtare e disa organizmave dhe organizatave ndërkombëtare financiare, ekonomike, kulturore e sportive.


 


Duket se qëllimi i Nikoliqit, dhe nikolliqëve tjerë të Serbisë, është që përveç manipulimit me opinionin e brendshëm, kinse po përpiqen ta mbajnë Kosovën në kuadër të Serbisë, ashtu sikur e kanë përcaktuar në kushtetutën e tyre të çoroditur e të pazbatueshme, me këtë manovër propagandistike të bëjnë presion sa më të madh në Brukselin, që të nxjerrin sa më shumë kompetenca, edhe aso ekzekutive,  për bashkësinë e komunave serbe që pritet të themelohet, për të cilat u kanë premtuar serbëve të Kosovës, duke i mashtruar ata që të mos integrohen në institucionet e sistemit të Kosovës, se do ta kenë “entitetin” e vet, të cilin gjithmonë do ta mbështetë Serbia!


 


Me planet e platformat e tij djallëzore, Nikoliqi që i prinë koalicionit kuq-zi dhe dëshiron ta bëjë Serbinë “gubernë” (provincë)  të Rusisë, ose është jerm e sillet si somnabul, ose ka trurin e reptilit, që reagon sipas instinktit, ngase është larg realitetit politik dhe akoma sheh ëndërralla për Kosovën në kuadër të Serbisë. Sido që të jetë, mendja e tij e varfër që angazhohet të hartojë platforma për shtetin fqinjë,  nuk mund të prodhojë ndonjë “letër” më të vlefshme se një rrotull të letrës së tualetit. Më mirë do ta kishte ta lexonte “Testamentin nacional” të babait të kombit të vet, Dobrica Qosiqit, i cili pak para vdekjes i pat lënë këtë porosi: “Sipas meje, çështja e Kosovës është vendosur (zgjidhur). Kjo do të thotë, se ajo nuk  ekziston më si krahina jugore serbe. Gjeneratën tuaj e këshilloj të mos shpenzoni më energji për çështjen e Kosovës, sepse atë e ka vendosur historia pa ju pyetur juve” (“Nedeljnik”,24 prill 2014).


 


Por, kjo nuk do të thotë se Qeveria e Kosovës dhe ministrja pa portfel, e pa kurrëfar baze zgjedhore, mund të sillen me aq komoditet në bisedimet me palën serbe, pa plan, pa strategji, pa platformë të qartë, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës, e pastaj ta gënjejnë popullin se si po arrijnë rezultate e marrëveshje në ato bisedime, të cilat as nuk zbatohen as nuk japin rezultate të favorshme. Posaçërisht duhet patur shumë kujdes e të mos lëshohet pe në përmbajtjen e statutit të bashkësisë së komunave serbe që do të themelohet; të mos i jepen kurrëfar kompetenca ekzekutive të organeve shtetërore, dhe asgjë më shumë as më pak se parashihet me ligjet e Kosovës dhe me Kartën Evropiane për vetëqeverisjen lokale. Sepse, përndryshe, do të institucionalizohej entitet i posaçëm serb në Kosovë, si ajo kreatura gjenocidale e serbëve të Bosnjës. Poashtu, me shumë kujdes e përgatitje duhet biseduar për secilën temë që shtrohet, që të mos “iu dalin shkekët pas”.

Kontrolloni gjithashtu

Ministritë përkatëse të Kosovës dhe Shqipërisë kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Kosovës dhe Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit …