Kur’ani
Ndonëse Kur’ani nuk është libër i lëmisë juridike, veçse është libër i shenjtë i parimeve, normave dhe dogmave fetare e morale, në përmbajtjen e tij ka parime dhe norma të karakterit juridik, të cilat u përkasin fushave të ndryshme të së drejtës: të drejtës civile, të drejtës familjare e trashëgimore, të drejtës penale, të drejtës së detyrimeve, madje edhe të drejtës ndërkombëtare. Si i tillë, Kur’ani është burim themelor i shkencës islame në përgjithësi dhe i të drejtës së Sheriatit, si sistem i drejtësisë në shtetet islamike, në veçanti.
Sipas shpjegimit të dijetarëve të fushave përkatëse të besimit islam, teksti i Kur’anit përmban fjalët e All-llahut, që ia ka kumtuar profetit Muhamet, përmes melekut (engjëllit) Gjibril, në mënyrë të vazhdueshme në një periudhë prej 23 vjetëve (611-633). Ato fjalë të All-llahut xh.sh., profeti ua ka transmetuar e treguar rrethit të bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë (‘sahabëve’) dhe ua ka diktuar shkruesve që t’i shkruajnë. Teksti i përmbledhur dhe i botuar në një vëllim, quhet mus-haf. Fjalët e përmbledhura në Kur’an kanë ‘zbritur’ në gjuhën arabe, por Kur’ani është përkthyer në të gjitha gjuhët e botës dhe është libri i cili ka bërë ndikimin më të madh fetar, shoqëror dhe politik në botë. Është i vetmi libër kaq voluminoz, të cilin qindra-mijëra njerëz e kanë mësuar përmendësh (ata quhen ‘hafiz’). Është libri më i lexuar; muslimanët atë e lexojnë me qindra herë (hatme).
Teksti i Kur’anit është i sistemuar e ndarë në 114 kaptina (‘sure’), ndërsa suret të ndara (me numra) në fjali, vargje (‘ajete’). Në Shënimin pasthënjës të Kur’anit në gjuhën boshnjake, të përkthyer nga Hafiz Mahamed Panxha–Xhemalludin Çausheviq, ceket se Kur’ani përmban 6247 ajete, e nëse këtyre ua shtojmë edhe ‘Bismilahin’, që është në fillim të secilës sure, atëherë del se ka 6361 ajete. Në një shkrim të një analisti të dispozitave të Kur’anit, kam lexuar se Kur’ani përmbanë 6666 ajete (unë nuk i kam numëruar, prandaj më tepër i besoj shifrës të cilën e ka dhënë përkthyesi në boshnjakisht).
Edhe ‘suret’ (kapitujt) edhe ‘ajetet’ (fjalitë) kanë gjatësi të ndryshme. Sureja më e gjatë është El-Bekare, që ka 286 ajete, me gjatësi të ndryshme sa që përbënë 1/12 e tërë tekstit të Kur’anit. Sureja më e shkurtër është El-Asr, që ka vetëm 3 ajete të shkurtëra. Teksti i Kur’anit fillon me suren ‘El-Fatiha’ (7 ajete) dhe mbaron me suren ‘En-Nasë’ (6 ajete). Përmbajtja e Kur’anit kurrë nuk ka ndryshuar asnjë fjalë dhe asnjë pikë. Suret dhe ajetet e Kur’anit janë pjesë të namazit tek muslimanët. Është interesant radhitja e tekstit të Kur’anit. Nga gjithë ai tekst, nuk është asnjë fjali (ajet) që të mos ketë përfunduar në një faqe e të ketë vazhduar në faqen tjetër (kjo vlen për tekstin origjinal në gjuhën arabe, sepse te përkthimet mund të ketë aso ‘shkëputje’). Në tekstin e Kur’anit në gjuhën arabe, nuk ka shkronja të mëdha, me të cilat fillon fjalia, apo shkruhen emrat e përveçëm. Të gjitha shkronjat janë të barasvlefshme, madje edhe ajo me të cilën shkruhet emri i All-llahut.
Dispozitat juridike në Kur’an
Teksti i Kur’anit përmban më se 300 ajete (disa studjues të Kur’anit thonë se janë 500 ajete) të karakterit juridik e moral të njeriut dhe shoqërisë, me të cilat përcaktohen parimet, normat, obligimet, përgjegjësitë dhe sanksionet për besimtarët. Disa nga ato dispozita kanë karakter udhëzimi, rekomandimi, sjellje, ndërsa disa të tjera kanë karakter imperativ: të lejimit ose ndalimit të sendeve ose veprimeve, karakter të urdhërit të prerë dhe të sanksionit. Madje ka dispozita edhe me karakter të procedurës së gjykimit (padia, ballafaqimi,dëgjimi dhe betimi i dëshmitarëve).
Dispozitat juridike në tekstin e Kur’anit nuk janë të sistemuara sipas lëmive, në një pjesë apo në një kapitull, por janë të shpërndara nëpër ‘sure’ e ‘ajete’ në tërë tekstin e librit.
Dispozitat e Kur’anit përcaktojnë se muslimani duhet të ketë besimin me bindje të plotë, se All-llahu xh.sh., është Zot i gjithësisë dhe nuk ka zot tjetër, e se Muhamedi a.s. është i dërguari i Zotit për t’i udhëzuar njerëzit në rrugën e drejtë. Në disa dispozita përcaktohen detyrimet, gjykimi, procedurat, fjalët dhe veprat e besimtarit ndaj Zotit (ibadeti).
Disa dispozita rregullojnë marrëdhëniet e njerëzve dhe të shoqërisë. Në 70 ajete të Kur’anit gjejmë fjalë e fjali që i përkasin të drejtës civile. Po aq ajete kanë të bëjnë me të drejtën familjare, martesën, trashëgiminë. Janë 30 ajete që i përkasin të drejtës penale: ndalesave (haramit) dhe sanksioneve. Ajete me karakter të të drejtës ndërkombëtare (25), me karakter të jurisprudencës dhe procedurës (13), aso me karakter të të drejtës financiare (10), e kështu me radhë për fusha të ndryshme të së drejtës islame.
Dispozitat juridike të Kur’anit i përkasin kategorisë së dispozitave të vjetra ligjore, sikur janë Kodi i Hamurabit, Ligji i Dymbëdhjetë Tabelave: e Drejta Romake, e drejta bizantine (Kodi i Dushanit) etj, por që këto të Kur’anit janë të karakterit hyjnor dhe janë në zbatim edhe në kohën tonë, në vendet me sistem juridik të Sheriatit. Në çështjet martesore dhe trashëgimore për popullsinë muslimane në Jugosllavi dispozitat e Sheriatit janë zbatuar deri në vitin 1941.
Kur është fjala për raportet e njeriut (besimtarit) ndaj All-llahut, shpërblimi për kryerjen e obligimeve fetare, me besim të plotë e devotshmëri (ibadeti), jepet në botën tjetër. Edhe dënimi për mosbesim, moskryerjen e obligimeve, dyshimin ose mohimin e ekzistencës së vetëm një Zoti, mosbesimtarin e pret në botën tjetër.
Ndërkaq, kur është fjala për marrëdhëniet mes njerëzve, për padrejtësitë që i bëjnë njeni-tjetrit, ose për veprat kundër moralit, Kur’ani përcakton dënimin edhe në këtë botë, por kryerësit e atyre veprave do të dënohen edhe në botën tjetër, sipas veprës së bërë.
Tërë kontekstin e përcaktimeve në Kur’an duhet shikuar nga aspekti fetar, por nuk duhet dyshuar në përcaktimet e dhëna në të. Ato përcaktime janë burimi themelor i Sheriatit, që është sistem i drejtësisë në shtetet muslimane.
Sheriati
Sheriati (‘rruga’, deri te burimi) është sistem i drejtësisë në shtetet muslimane, që konsiderohet e drejtë hyjnore-fetare, e cila i rregullon marrëdhëniet shoqërore, ekonomike dhe politike të islamit. Fillimi i zbatimit të Sheriatit ka shërbyer edhe si reformë shoqërore, me tendencë të feudalizimit të shoqërisë skllavopronare.
Sistemi i drejtësisë së Sheriatit, që është sistem sakral i së drejtës, bazohet në dy burime themelore: në dispozitat e Kur’anit dhe në sunetet dhe hadiset e profetit Muhamed. Sunete konsiderohen veprimet, fjalët dhe lejimet ose ndalimet autentike të profetit Muhamed. Fjalët e tij të përmbledhura e të shkruara quhen hadithe. Me dispozitat e Kur’anit dhe me sunetet e Profetit, përcaktohet se çka është e lejuar (hallall) e çka është e ndaluar (haram) për muslimanët. Këto dispozita, për sa u përket çështjeve personale zbatohen vetëm ndaj muslimanëve. Ndaj jomuslimanëve mund të zbatohen vetëm nëse palët vet kërkojnë dhe nëse gjykata e pranon kërkesën e tyre. Përndryshe, ndaj jomuslimanëve zbatohen dispozitat fetare ose laike të jomuslimanëve. Për çështjet administrative, fiskale, pronave të tokës dhe për çështjet penale – zbatohet e drejta dhe jurisdisksioni i Sheriatit ndaj të gjithëve, pa përjashtim.
Përveç këtyre dy burimeve themelore, e drejta e Sheriatit shërbehet edhe me burime tjera plotësuese të së drejtës: ixhma, që është qëndrim juridik konsesual i shokëve të profetit, ose i shkencëtarëve-dijetarëve islam në interpretimin e dispozitave të Kur’anit lidhur me ndonjë çështje: kijasi është zbatimi i analogjisë me çështje të ngjashme (psh.me dispozita të Kur’anit, vëna është haram. Edhepse rakia dhe pijet tjera që të dehin nuk përmenden në Kur’an, sipas analogjisë edhe ato janë haram). Në interpretimin e dispozitave të Kur’anit dhe sunetit, janë katër shkolla të njohura sunite dhe shiite, të cilat quhen sipas emrave të imamëve autorë: Hanefije, Malikije, Shafije dhe Hombelie.
Për këtë shkrim do të elaborojmë vetëm disa dispozita të drejtës penale që përmbanë Kur’ani famëlartë. Për lëmitë e tjera, ndonjëherë tjetër, në dashtë Zoti.
E drejta penale
Kriminaliteti është dukuri e vjetër historike, prandaj edhe e drejta penale është dega më e vjetër e të drejtës, që nisë me Kodin e Hamurabit, më se 2000 vjet para epokës së re.
Funksioni themelor i të drejtës penale konsiston në mbrojtjen e të mirave të caktuara: të vet njeriut, të pronës, të shoqërisë. Në Kur’an, përveç dispozitave penale që kanë të bëjnë me veprat penale midis individëve dhe shoqërisë, ekzistojnë edhe dispozita që kanë të bëjnë me veprat penale të njeriut ndaj Zotit (moskryerja e obligimeve: namazit, zekatit, agjërimit të ramazanit, haxhit). Për moskryerjen e obligimeve ndaj Zotit, për mosbesim ose braktisjen e fesë (besimit), njeriun e pret dënimi në botën tjetër, pas vdekjes. Por, për ata që e luftojnë (kundërshtojnë) All-llahun dhe të dërguarin e tij, parashihet dënimi edhe në këtë botë edhe në botën tjetër.
Dispozitat kuranore që i përkasin të drejtës penale, përmendin në mënyrë shprehimore këto vepra penale: vjedhja, shkatërrimi, zinaja (kurvëria), dehja. Për këto vepra, përcaktohet përgjegjësia dhe dënimi.
Në suren e pestë, El-Maide, ajeti 32 përcakton se …kush e mbyt një njeri, pa e pasë mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë është sikur t’i kishte mbytur gjithë njerëzit e botës. Në ajetin tjetër në vazhdim (5:33): Dënimi i atyre që luftojnë (kundërshtojnë Allahun dhe të dërguarin e tij dhe bëjnë shkatërrime në tokë, nuk është tjetër vetëm se të mbyten ose të gozhdohen, ose (të gjymtohen) t’u priten duart dhe këmbët e tyre të anëve të kundërta, ose të dëbohen nga vendi. Kjo (masë ndëshkuese) është poshtrim për ta në dynja, ndërsa në botën tjetër do të kenë dënim më të madh.
Në ajetin 5:38 : Vjedhësit dhe vjedhëses preni duart, për atë që bënë. Por, sipas 5:39, kush pendohet (pas vjedhjes) dhe përmirësohet, All-llahu ia pranon pendimin (që dmth. e falë nga dënimi në botën tjetër).
Për krimet kundër jetës së njeriut ose pasurisë: vrasjet, lëndimet trupore, ose dëmtimin e pronës, Kur’ani parasheh hakmarrjen sipas parimit të talionit, por mund të bëhet edhe me kompensimin e gjakut apo të pasurisë. Në ajetet 178, 179, të sures El-Bekare, është përcaktuar: ‘’O ju besimtarë, u është caktuar juve hakmarrja për të mbyturin: i liri për të lirin, robi për robin, femra për femrën. Nëse vëllai ose trashëgimtarët (e të mbyturit) e falin (dorasin), atëherë le të përcillet proces i mirë dhe të kryhet bëmirësia (kompensimi i gjakut nga dorasi). Kjo është lehtësim dhe mëshirë për ju ashtu që të ruheni (nga mbytja e njeni-tjetrit,v.j.). Hakmarrja sipas parimit të talionit është caktuar në ajetin 45 të sures Al-Maide:’’Ne u caktuam atyre në te (në Tevrat) kundërmasat ndëshkuese: njeriu për njeriun, syri për syrin, hunda për hundën, veshi për veshin, dhëmbi për dhëmbin, por edhe plagët kanë kundërmasën. Kush e falë hakmarrjen ka shpagim nga mëkatet për te. Kush nuk vendos sipas asaj që zbriti Allahu, ata janë mizorë’’(aludohet në gjykatësit e padrejtë).
Parimi i përgjegjësisë për veprat penale lidhet me individin, kryesin e veprës. Por mund të ndodhë edhe përgjegjësi kolektive, nëse nuk dihet individi i cili ka kryer veprën. Nëse në një fshat është gjetur njeriu i mbytur, por nuk është zbuluar dorasi, të gjithë fshatarët janë të detyruar të betohen për pafajsinë e tyre, dhe të gjithë solidarisht ta kompenzojnë gjakun. Prezumimi i pafajsisë ekziston deri sa të vërtetohet fajsia. Por, për përgjegjësi kërkohet të përmbushen disa kushte: vepra të jetë kryer (e jo të ketë mbetur në tentativë, v.j.), kryesi të jetë i vetëdijshëm për veprën e kryer, me paramendim apo pahirë. Do të thotë, përgjegjësia penale nuk ekziston nëse kryesi është i mitur (mosha e miturisë është relative në Sheriat, nuk lidhet shumë me moshën, por me pubertetin si për meshkujt, ashtu edhe për femrat, v.j.); nëse është i sëmurë psiqikisht apo i pa vetëdije (pavetëdija që shkaktohet nga dehja me alkool, nuk e liron nga përgjegjësia, sepse edhe dehja është e ndaluar dhe e dënueshme,v.j.). Këso kushte të përgjegjësisë penale parashohin edhe sistemet tjera, laike, të drejtësisë.
Kur’ani si libër i shejtë, dhe Sheriati që vepron në pajtim të strikt me Kur’an, dallon vrasjen e besimtarit (muslimanit) nga vrasja e jobesimtarit. Në suren En-Nisaë, në ajetin 92 thuhet: ‘Asnjë besimtari nuk i është lejuar mbytja e besimtarit tjetër, përveçse ndodhë gabimisht. E kush e mbytë gabimisht një besimtar, ai është i obliguar ta lirojë një rob besimtar dhe t’ia shpaguajë gjakun familjes së të mbyturit, përpos nëse familja ia falë. Në qoftë se i mbyturi është besimtar, por i takon një populli që është armik i juaji, atëherë keni obligim vetëm ta lironi një rob besimtar. Në qoftë se i mbyturi është nga populli me të cilin keni marrëveshje, atëherë është obligim shpagimi i gjakut familjes së tij dhe lirimi i një robi besimtar. Kush nuk ka mundësi ta lirojë një rob, le të agjërojë dy muaj rresht, si pendim ndaj All-llahut. Ajeti 93: ‘’Kush e mbyt një besimtar me qëllim, dënimi i tij është xhehenemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. All-llahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitë dënim të madh’’.
Në suren En-Nurë, me ajetin 24, është përcaktuar ndëshkimi për veprën penale të kurvërisë: 24:2: Laviren dhe lavirin t’i rrahni, secilin prej tyre me nga njëqint të rëna dhe në zbatimin e dispozitave të All-llahut mos u tregoni zemërbutë ndaj tyre…Gjatë zbatimit të ndëshkimit ndaj tyre, të jenë të pranishëm një numër besimtarësh. (rrahja zbatohet me kamxhik, ose duke e gjuar me gurë, v.j.). Kjo vlenë për të pamartuarit, ndërsa për të martuarit parashihet dënimi me vdekje.
Ata të cilët bëjnë shpifje për gratë e ndershme dhe nuk sjellin (katër) dëshmitarë, t’i rrihni me nga tetëdhjetë të rëna dhe atyre mos ua pranoni dëshminë kurrë më sa të jetë gjallë, përveç atyre të cilët pendohen dhe përmirësohen, sepse All-llahu është i mëshirshëm dhe falë. Të tillët janë të pabesueshëm (24:4).
Për dehjen me pije a substanca tjera dehëse, Kur’ani nuk e ka caktuar dënimin, sikur për veprat tjera. Në suren El-Maide, ajetet 90-91, thotë. ‘O ju besimtarë, s’ka dyshim se vena, bixhozi dhe falli janë gjëra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar. Shejtani nuk dëshiron tjetër përveç se nëpërmes venes dhe bixhozit të krijojë armiqësi mes jush, të ju pengojë nga të përmendurit e Zotit dhe të ju largojë nga namazi’’. Me që Kur’ani nuk e ka caktuar masën e ndëshkrimit për përdorimin e alkoolit, ndëshkimin me rrahje e parashohin hadiset e profetit.
Apostazia, apo braktisja e fesë (besimit) është një nga veprat e shëmtuara, për të cilën Kur’ani thotë se ata do të jenë përjetshëm banorë të zjarrit. Në suren El-Bekare, ajeti 217, për ata që e braktisin fenë, thotë: ‘’E kush zmbrapset prej jush nga feja e tij dhe vdes si jobesimtar, ata i kanë zhdukur veprat e veta në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Të tillët janë banorë të zjarrit dhe në te do të qëndrojnë përjetshëm’. Pra ky dënim kuranor nuk është e kësaj bote, por në botën tjetër, sikur që është caktuar edhe për shumë veprime tjera.
Siç mund të konkludohet nga sa u tha më sipër, shihet karakteri fetar i të drejtës penale në dispozitat kuranore dhe në sistemin juridik të Sheriatit.
Ndëshkimet penale të përcaktuara në Kur’an (e Sheriat), që mbështeten në filozofi fetare, përveç karakterit represiv, kanë edhe karakter edukativ, kur pala e dëmtuar e falë, ndërsa kryesi i veprës penale pendohet, si një mekanizëm juridik për përmirësimin e marrëdhënieve midis njerëzve. Është e qartë, se sistemi juridik i Sheriatit, i bazuar kryesisht në Kur’an dhe në sunet e hadise, dallon diametralisht nga sistemet juridike evrokontinentale dhe anglosaksione. Megjithatë, në intencën e mbrojtjes së jetës, trupit, pronës, sigurisë së njeriut, mund të gjendet emëruesi i përbashkët i këtyre sistemeve juridike.
(Nëse interpretimi i dispozitave në këtë shkrim është i drejtë, është me dijen e Zotit, gabimet janë të miat!).