leoni

Adil Fetahu: Dyqani i mendjes, shkrime publicistike nga Zeqir Lushaj

Pedagogu, mësuesi, veprimtari, gazetari, poeti, mërgimtari, shkrimtari tropojan, redaktori shumëvjeçar i revistës zëmirë “Zemra Shqiptare”, Zeqir Lushaj, në 60-vjetorin e lindjes së tij, botoi 6  vepra letrare: “Hija e vendlindjes” (vjersha); “Lisi i shkruar” (vjersha); “Vdekja e varreve” (vjersha); “Dyqani i mendjes” (shkrime publicistike); “Pengjet” (vjershërime); dhe “Fjala  mbi  tel” (tekste këngësh popullore). Në të gjitha këto vepra, përmes personazheve, vendeve dhe ngjarjeve do të gjeni një lidhshmëri të njëra me tjetrën, të poezisë me prozën, përkundër veçorive që kanë secila prej tyre. Që të gjitha japin mesazhe të fuqishme e të sinqerta dashurie ndaj njeriut e ndaj atdheut, mesazhe politike, tolerance, karakteri e dinjiteti njerëzor, urtësie e filozofie popullore.


 


Pa pretendim të bëjë kritikë letrare, sepse nuk jam kritik letrar profesionist, për këtë vështrim mora librin me shkrime publicistike “Dyqani i mendjes”, të cilit do t’i shkonte edhe emri “Magazina e mendjes”, sepse është përplot mendje  të vet autorit, të njerëzve tjerë të njohur (emra të përveçëm) dhe të urtisë popullore. Në këtë libër, përveç  “Paradhënies…”, autori ka përfshi  34 shkrime: ese, skica, portrete, rrëfime, të botuara në gazeta e revista të ndryshme në periudhën 1991-2007; secili shkrim më i mirë se tjetri. Duke pasur parasysh ndryshimet që ndodhën në Shqipëri, me rënien e sistemit monist dhe shfaqjen e pluralizmit politik, dhe detyrën që kishte autori një kohë të gjatë si kuadër i lartë politik, si gazetar e bashkëpunëtor i mediave,- është e kuptueshme se shkrimet e para janë me konotacion dhe karakter politik, me tituj të ndryshëm: “Një pasqyrë për të parë vetveten”; “Ruaju të keqes se të bëhet ves”; “ A kalohet deti  këmbë?”; “Qoftë mallkue kush qet ngatërrime”; “I kujt je ti more djalë?”; “Të na bashkojë fjala e mirë”; “Shqipëria jo kungulleshë e partive”; “Me drejtësi e me dorë në zemër”; “I dërguari i Perëndisë dhe demokracia…”. Janë këto shkrime në të cilat autori trajton tema për politikën, partitë, konceptet politike, karakterin e njerëzve të politikës, etj.  Politika është bërë më keq se tifosllëku i sëmurë në sport, ndërsa për disa është edhe pazar i turpshëm, thotë autori, dhe për këtë ka mendimin dhe shpjegimin e vet të argumentuar e të qëndrueshëm. Ai nuk e shanë monizmin, e simpatizon pluralizmin, veçse apelon që ky pluralizëm e këto parti të shumta ta bashkojnë popullin, e jo ta përçajnë. Duke folur për karakterin e partiakut karrierist, servilë e kolltukofag, të cilët i ndërrojnë partitë si pardesytë, autori i porositë që ta ruajnë identitetin, dinjitetin dhe drejtpeshimin. “Burrat tanë, politikanë të ditës, le të kenë burrëri sa një grua e ndarë: – të mos flasin për burrin e parë… I mirë apo i keq, ka qenë burri yt… para tij ke dalë lakuriq…prandaj mos fol, se vetëm shpërrallohesh”!, porositë autori (fq.11). Ai që ndërron partitë, s’e ka për gjë të ndërrojë edhe emrin e vet, dhe në përshtatje të kësaj, autori citon thënien e një labi: “Nuk ngelë Berati pa dhallë, pse ngordhi një dhi në Velabisht” (fq.15). Ata, deri dje, nga 10 shëndete në dasma, 7 a 8 i ngritnin për partinë së cilës i kanë shërbyer dhe iu ka shërbyer. Autori porositë, se duhet ruajtur identitetin, dinjitetin, fytyrën, burrërinë dhe drejtpeshimin, e të mos bien “si fiq i qullafosur, e dihet kujt i ngjanë ai”, dhe të mos bëhen si zogjtë e qyqes, të cilët nuk e dinë kurrë se kush i ka pjellë as të kujt janë (24). Dhe partitë duke u zënë me njëra-tjetrën, harrojnë vetveten, përçajnë popullin, e “kur lufton vëllai me vëllanë, nuk ka të fituar, por vetëm të humbur”, citon autori profesorin Rexhep Qosja (31).


 


Lushaj porositë për maturi në fjalë, sepse fjala vret dhe lëndon, po edhe ngjallë e shëron, turpëron po edhe të jep nder, të jep zemër po edhe thyen zemrën, të bashkon po edhe të ndanë, se “ fjala thyen pushkën”, e këto parti që të gjitha janë shqiptare, duhet të na bashkojnë e jo të na ndajnë e përçajnë.  Sugjeron se si me një harmoni duhet të respektohet “i zoti i shtëpisë”, dmth. ai të cilit ia kemi dhënë votën për të na udhëheqë. Dhe për këtë sugjerim, merr një shembull, me humor: dy vëllezër si dy trupa me një shpirtë (Shane e Dode) dhe e shoqja e Dodës (Lezja) po rrinin e bisedonin. Shanën e merr teshmja 1, 2, 3 herë. Pasi që Lezja nuk i tha “shëndet”, Doda e goditi me një shuplakë. Të nesërmën, kur Shane teshtiu, Lezja nga kati i dytë i shtëpisë i tha: “shëndet o Shane”! –“ Shëndet pastë Doda”, ia ktheu Shanja, që kuptoi “respektin”. Ky humor aludon në atë se ndaj pushtetit ndonjëherë duhet edhe të imponohet respekti.


 


Në shkrimet e tij Zeqir Lushaj flet me emra të përveçëm, qofshin ata të familjarëve të vet, të farefisit, rrethit, miqve,   shokëve a bashkëpunëtorëve. Duke ilustruar gjendjen e mjerueshme ekonomike e sociale të vendit, në një rrëfim (“A jam unë në burg, a Naser Shatri”?), tregon se si Naser Shatri i kishte telefonuar nga burgu që ishte në Suedi, për t’i uruar fitoren e demokracisë në Shqipëri, dhe Naseri rregullisht bisedonte me telefon me familjaret e vet atje, të cilët kishin sigurime sociale solide. Ndërkaq, Zeqiri që 20 vjet ishte kuadër në aparatin e Komitetit Qendror të Shqipërisë socialiste – nuk kishte telefon në shtëpi!


 


Se çfarë qëndrimi duhet të kemi ndaj njerëzve tanë, e cfarë ndaj pushtuesit, i ilustron me  një skicë-portreti. Mehmet Gegën nga Tetova, një burrë i njohur, që ka vuajtur 20 vjet burg të regjimit jugosllav, një ditë e kishin rrahur poshtërsisht dy shqiptarë (e paqin faqen e zezë), për shkak të një ngatërrese të mëhershme. Policia i arreston fajtorët dhe e thërret Mehmetin për të deklaruar se si dhe pse e kishin rrahur. Mehmeti u thotë policëve, se këta jo që nuk e kanë rrahur, por as që i ka parë ndonjëherë. Të arrestuarit u liruan, dhe të tre u kthyen rrugës për në shtëpi. Kur e pyetën  Mehmetin, pse veproi ashtu, ai u përgjigj: “…sikur të pranoja se më kanë rrahur, policia do t’i rrahte ata para syve të mi, e si ta duroja unë pushtuesin të mi rrahë vëllezërit para syve”! Kështu autori e ilustron me shembull konkret atë thënien popullore: “Trimëri është ta mbrosh vetën nga të tjerët, ndërsa burrëri është t’i mbrosh të tjerët nga vetja”.


 


Vlerën e mësuesit të vërtetë autori e ilustron me shembullin e vet personal, kur pas kryerjes së klasës së katërt të fillores, me sukses të shkëlqyeshëm, nisi “detyrën” e bariut të dhive. Një ditë shtatori (1960), e takon drejtori i shkollës 7-vjeçare të fshatit Gegëhysen, Mehmet Margjeka, dhe pasi merr vesh për djalin, i thotë të shkojë ta thërret babën, të cilin e bindi që djalin ta qojë në shkollë, dhe e siguroi se rrugën, një orë udhëtim, do ta bënin përditë bashkë. Ky ishte ai momenti i veprimit të mësuesit (drejtorit të shkollës), kujdesi i tij prindëror e patriotik për shkollimin e fëmijëve, që bëri kthesën vendimtare në jetën e autorit, duke vërtetuar kështu se jeta e mësuesit është e shkrirë në mijëra jetë të personave të tjerë, prandaj emri mësues është aq i madh dhe aq i dashur, dhe autori i është mirënjohës për jetë e mot. Me një shkrim dhe foto-kujtimi për profesorin e nderuar Anton Çettën, emri dhe vepra fisnike e të cilit janë të pavdekshëm në mendjen, zemrën dhe kulturën kombëtare, autori e rikujton me shumë respekt.


 


Në “Dyqanin e mendjes” ka edhe shume shkrime tjera për personalitete të njohura e të panjohura: për Demën nga Tropoja, shitës i kasetave në Tiranë, i cili me dy djemtë e tij, 10-12 vjeçar, të cilët nuk shkojnë në shkollë, jeton në një veturë të prishur; për jetën dhe bamirësitë e të  ndjerit Ismail Vesel Shehi, nga Buzmadhi; për këngëtarin e njohur Dervish Shaqa  dhe të birin e tij – Shpendin; për mërgimtarin Zef Palok Gjerkaj dhe mbesat e tij në Njujork, e vëllezërit Guci në Zvicër. Një rrëfim tronditës për një djalosh nga Gostivari, i cili  me shumë peripeci kishte ikur nga lufta në Bosnje, e kishte kërkuar dhe gjetur konak në shtëpinë e autorit, në Tiranë, por që nuk dinte gjë për familjen e vet, se ku janë dhe a janë gjallë.  Rrëfime mjaft emocionuese janë kujtimet për Sylë Didën, i cili pret t’ia qojnë lajmin te vorri  kur të çlirohet Kosova, se edhe i vdekur ka me e ndie! Poashtu, shumë emocionues është rrëfimi për djalin e vogël nga Salvadori, Lluji, me të cilin autori (me një “valixhe diploma” e 50 vjet moshe) ka punuar katër vjet në një piceri në Amerikë, si punë e dytë pas asaj që punonte në supermarket. Në një rast, kur autori ankohej për çmimin e lartë të biletës së aeroplanit për në Shqipëri, Ljuji pasi merr vesh se autori e kishte nënën gjallë, i thotë: “Mos të dëgjoj më të thuash, se biletat për Shqipëri janë shtrenjtë!… është nëna, që nuk mund të blihet me para”. Kur autori i kishte treguar Nënë Shkurtes për këtë, ajo ia kishte bërë Llujit një palë çorapë të leshta, të cilat autori ia kishte dhënë “kolegut” të punës. Dhe Lluji, i mbledh për një moment të gjithë punëtorët e picerisë, ua tregon dhuratën, dhe u thotë: “…Këto çorapë janë dhurata më e shtrenjtë në jetën time, nga nëna Shkurte 95-vjeçare nga Shqipëria. Këto çorapë nuk do t’i vesh kurrë! Këto e kanë vendin në anën më të dukshme të dhomës time të pritjes, në shtëpinë time, atje ku kam lindur e jam rritur, jo këtu në Amerikë, por në Salvador… Zoti i bekoftë njerëzit e mirë, kudo në botë!”, e mbylli mbledhjen njëminutëshe Lluji. Një rrëfim tjetër, poashtu interesant, i titulluar: “Me këtë njeri edhe mund të isha vrarë!” (fq.141). Aty autori tregon se në supermarketin ku punonte, ishte një punëtor serb, i quajtur Xho. Gjatë luftës në Vietnam, Xhoi  kishte qenë në luftë i prirë nga interesi dhe premtimet, dhe vetëm fati e kishte shpëtuar gjallë, por që ishte i traumatizuar dhe i zhgënjyer se premtimet e dhëna nuk i ishin plotësuar. Autori i librit, si maturant i Shkollës Pedagogjike “Shenjaze Juka” në Shkodër, në vitin 1966, të indoktrinuar nga propaganda e shtetit për ta luftuar imperializmin amerikanë, një grup shokë e shoqe, maturantë, i shkruajnë një letër Enver Hoxhës, me të cilën shprehin gatishmërinë të shkojnë vullnetarë për të luftuar në “mbrojtje të popullit vëlla vietnamez”. Për fat, që nuk iu dha leja për të shkuar, se ndoshta do të vritej me serbin Xho, jo në Serbi as në Shqipëri, por atje larg – në Vietnam! Rrëfime e ndodhi, si kjo e të tjera, mjaft interesante, do të gjeni brenda kopertonave të librit “Dyqani i mendjes”, që unë them se nuk është vetëm një dyqan, por është një magazinë e mendjes së burrave të urtë të popullit. Po këtu shkrihet edhe mendja, dija, përvoja, mirësia, njerëzia, tradita, thjeshtësia, mikpritja, bujaria, fisnikëria, respekti për të gjitha moshat, për njerëzit e ditur e vet autorit. Me stilin e tij origjinal, të drejtpërdrejt, të thjeshtë, të qartë, të kapshëm të të shkruarit, që anon kah gegënishtja prej nga është vet autori, gjithnjë duke potencuar e çmuar aspektin gjithëkombëtar, autori si një i mërguar shumëvjeçar, shpreh mallin dhe dashurinë për njerëzit, për vendlindjen, për Shqipërinë e gjithë shqiptarët dhe për të gjitha trojet shqiptare.


 


Biografi e shkurtër e autorit: Zeqir Lushaj u lind në fshatin Gri, të Tropojës, më 8 mars 1949. Katër klasë të fillores i mbaroi në fshatin e tij, ndërsa 7-vjeçaren në Geghysen. Në vitin 1967 kreu Shkollën e Mesme Pedagogjike “Shenjaze Juka” në Shkodër. Qysh si maturant, botoi shkrime  në “Zëri i Rinisë”, e më vonë në gjithë shtypin qendror. Pas diplomimit në Pedagogjike, punoi tri vjet mësues në Geghysen. Në vitin 1973 kreu studimet e larta në Akademinë e Sporteve “Vojo Kushi” në Tiranë. Pasi diplomon me vlerësimin maksimal të atij viti (1974), punësohet redaktor në gazetën “Zëri i Rinisë”, ndërsa prej vitit 1977 kalon në detyrën e instruktorit në Komitetin Qendror të Rinisë, e prej andej instruktor në Këshillin e Përgjithshëm të FDSh, që në vitet 1991-1993  zgjidhet sekretar i përgjithshëm i atij Këshilli. Gjatë gjithë kohës ka bashkëpunuar e botuar në gazetat e Shqipërisë. Prej vitit 1998, deri  në maj 2014, ka jetuar e punuar në Nju Xhersi   (ShBA), dhe një kohë ishte redaktor i revistës “Zemra Shqiptare”, prej nga u njoha  me te nga shkrimet që botonte në atë revistë. Kthimi në Atdhe, pas 17 vjet mërgimi, ishte realizimi i premtimit dhe dëshirës së tij. Tërë kohën punoi, i vendosur për t’u kthye në Atdhe. Tash jeton në Shëngjin. Me rastin e kthimit për në Atdhe, dy nipat e tij: Gëzimi dhe Hamiti  e befasuan me një organizim madhështor të përcjelljes, në një restorant, me pjesëmarrjen e nja 50-60 miqë, shokë e bashkëpunëtorë më të ngushtë.  Për kthimin në Atdhe, Zeqir Lushaj shkroi një poezi, nga e cila po citoj këtu strofën e parë: “Lamtumirë Tokë e Premtuar/ (Siç t’paç thënë: Mirë se të gjeta!)/; Krenarisht i shtrëngojmë duart: / Lamtumirë për sa të jetë jetë jeta!”


 


Vargje prekëse, si ato të Fishtes, apo jo?                    


 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …