(Prvo dolaze popovi, pa topovi, pa lopovi. Të parët vijnë popat, pastaj topat, pastaj hajdutët: Gjorgje Balash-eviq)
Serbët, si popull barbarë e pagan, të pa fe e shkatërrimtarë që ishin, e kanë marrë krishterim periudhën prej gjysmës së dytë të shekullit VI-IX, pasi kanë ardhur në Ilirik, në hapësirën ku sundonte perandori Justinian. Për shkak të përçarjes së madhe, në vitin 1054 krishteimi nda në dy drejtime: në atë perëndimor (latin), dhe në atë lindor (ortodoks). Kisha serbe ishte në radhët e kishës ortodokse, nën kishën bullgare dhe greke. Pavarësinë (autoqefalinë) kisha serbe e ka fituar në kohën e sundimit të Nemanjiqve. Vëllai i Stefan Nemanjiqit, arkimandriti Rastko, në vitin 1219 kërkoi nga patriku vaselen (në Nikea), dhe nga mbreti i atëhershëm i Bizantit, që t’ia lejonin pavarësimin e kishës serbe. Kjo iu lejua (më 6 dhjetor të atij viti) dhe Rastko u emërua arqipeshkv, dhe mori emrin (kishtar) Sava. Këtë autonomi të kishës serbe Nemanjiqët e fituan duke dhënë një barrë kali dukat. Për shkak se Sava ishte nga familja e sundimtarëve serbë të Nemanjiqëve, dhe e kishte siguruar pavarësinë e kishës, në qarqet kishtare e politike serbe u krijua kulti ndaj Savës dhe atë më vonë e shpallën të shenjtë, ndërsa interpretimet e tij teorike dhe praktike, në kohën më të re e shpallën “Svetosavlje”, term ky që përdoret me të madhe nga kisha dhe politika serbe. Kisha serbe deri më tash ka kanonizua, ka shpallë e regjistruar në librin e të shenjtërve (“Diptik”) 114 shenjëtërorë, prej të cilëve 7 janë femra. Sivjet (10 maj 2018) i ka shpallë shenjtërorë tre persona nga Kosova (dy meshkuj nga Peja dhe një femër nga Pasjani i Gjilanit).
Teorinë (“Svetosavlje”) e kanë zhvillua peshkopët më ekstrem të kishës serbe: Nikollaje Vellimiroviq, Atanasije Jevtiq, Justin Popoviq, Dimitrije Bogdanoviq, etj. Klerikët që ndjekin këtë teori, e ata janë më të shumtët, quhen “nikollajeviqi” dhe “justinovci”.“Svetosavlje” apo “pravoslavlje”, është një filozofi, orientim gjoja shpirtëror i jetës kishtare dhe private të popullit serb, por në të vërtetë kjo është ideologji puro-nacionaliste, serbomadhe, është ideologji dhe politikë nacionale klerofashiste, e çveshur nga vlerat dhe mësimet krishtërizmit. Është në kundërshtim me mësimet e Jezu Krishtit që bazohen në dashuri, paqe, vetëmohim, falje, mëshirë për të gjithë dhe pa kushte. Svetosavlje nuk bazohet në besimin në Zot, por më tepër në besimin në shtet, sipas parimit: “Zoti në qiell, mbreti në tokë, i zoti i shtëpisë në familje”. Është amalgam i nacionalizmit dhe klerikalizmit serb. Kisha serbe,me mite, megalomani, gënjeshtra e gjysëm të vërteta, me synime e pretendime pushtimi të tokave të hueja, arsimon, edukon dhe ushqen masën me urrejtje kundër kombeve dhe besimeve tjera, me pretendime për të krijuar Serbinë e Madhe, të kohës së Dushanit. Svetosavlje është edhe antisemitizëm i dëshmuar. Ideologu i këtij orientimi “fetar”, njeriu i dytë pas sveti Savës, peshkopi Nikollaje Velimiroviq, ishte një antisemit i dëshmuar, i cili e adhuronte dhe madhëronte Adolf Hitlerin. Sa ishte peshkop i Ohrit, kishte rregulluar varrezat e ushtarëve gjermanë të rënë në Luftën e Parë Botërore. Për këtë meritë mori dekoratë të klasit parë nga Gjermania naziste (1934). Në vitin 1935 Nikollaje kishte botuar një shkrim (“Nacionalizmi i sveti Savës”), në të cilin i thurë lavdi Hitlerit, duke e krahasuar me sveti Savën e tij, dhe këtë e bënë për meritat në ngjalljen e nacionalizmit. Ndër të tjera, për Hitlerin thotë: “Duhet t’i shprehet nderim udhëheqësit të tashëm gjerman, i cili e ka vërejtur se nacionalizmi pa besim (fe) është anomali, është një mekanizëm i ftohtë dhe i pasigurtë. Dhe ja, ai (Hitleri, v.j.), në shekullin e 20 erdhi në idenë e sveti Savës dhe bëri punën që i ka hije veçse një shenjtori, një gjeniu e një heroji. Te ne (serbët, v.j.) këtë punë e ka kryer, para 700 vjetëve, sveti Sava, i pari në mesin e shenjtorëve, gjenive dhe heronjëve”! Me këtë vlladika aludonte në përndjekjen e Hebrejve, që kishte filluar Hitleri në vitin 1934. Sepse, Nikollaje i fajsonte Hebrejtë për kryqëzimin e Krishtit dhe për të gjitha veset e këqija që kishin kapluar Evropën. Ky “prelat” i KOS pas Luftës së Dytë Botërore ka ikur në Amerikë, sepse akuzohej për krime të kryera gjatë luftës. Por, me regjimin e ri në Serbi, në maj të vitit 1991 i sollën eshtrat e tij prej Amerike dhe me ceremoni fetare e politike i vorrosën në kishën e sveti Savës, në Vraçar (Beograd), ndërsa në vitin 2003 e shpallën të shenjtë! Po kjo nuk ka mund të çuditë ata që njohin politikën që ndjek KOS, e cila gjatë 200 vjetëve të fundit ka mbëshetur të gjitha luftërat agresive e pushtuese që ka zhvilluar Serbia. Nga 114 shenjëtorëve që ka shpallur kjo kishë, shumë prej tyre janë të njohur për krime monstruoze që kanë kryer, madje edhe asi që kanë vrarë vëllain e vet apo të afërmin tjetër, për t’ia marrë pushtetin, dhe të tjerë që kanë kryer krime në kohë lufte dhe paqe. Mirosllav Qosoviq, në librin e tij “Bizarni sveci Srpske crkve” (Shenjtërit bizarë të Kishës serbe),ka evidentuar me emër e mbiemër kriminelë serbë, nga radhët e klerikëve apo të pushtetit, të cilët janë shpallur të shejtë.
Pozita e KOS në regjime të ndryshme
Në Mesjetë pozita dhe roli i Kishës Ortodokse Serbe ka osciluar, varësisht se nën pushtimin e kujt është gjetur, por gjithnjë ka qenë e dominuar nga peshkopë e priftërinjë grekë dhe bullgarë, në gjuhën e të cilëve mbahej predikimi dhe shërbimet kishtare. Edhe nën sudnimin e Perandorisë Osmane, KOS gëzonte privilegje të shumta. Perandoria Osmane ishte një perandori e madhe, në kuadër të së cilës kishte shumë popuj ( “milete”) të besimeve të ndryshme. Për ta ruajtur paqën, kishte krijua raporte të posaçme sipas mileteve që u përkisnin, duke iu lejua rregullimin e marrëdhënieve fetare, dhe në kuadër të tyre edhe të marrëdhënieve civile, private e publike,familjare e trashëgimore, madje edhe gjyqeve civile në kuadër të kishës, të cilat mund të gjykonin në raportet me “rajen”. Gjatë asaj periudhe, kisha ka luajtur rolin e institucionit kryesor politik, arsimor, kulturor dhe për çdo aspekt tjetër kombëtar, në ruajtjen e unitetit, identitetit të popujve, dhe kjo liri kishtare është shfrytëzuar edhe për përgatitjen e kryengritjeve dhe të luftës kundër pushtetit otoman në rrethana të volitshme, deri në çlirimin pas Luftës së Parë Botërore.
Me formimin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (1918), që më vonë është quajtur Mbretëria e Jugosllavisë, pas Luftës së Parë Botërore, Kisha Ortodokse Serbe u forcua shumë, pasi në vitin 1920 bashkoi të gjitha kishat ortodokse të të gjithë territorit të shtetit të ri, në të cilin kisha fitoi statusin e kishës së shtetit, privilegje e pasuri të mëdha. Ajo edhe juridikisht u pranua si organizatë shtetëformuese dhe bashkëpunonte ngushtë me shetin dhe me organizatat nacionaliste të ekstremit të djathtë e terroriste, si “Sokoli”, “Skauti”, “Crna ruka”, “Narodna odbrana”, “Çetnici” etj, Në vitin 1924 kisha e transferoi selinë e vet në Patrikanën e Pejës.
Pas Luftës së Dytë Botërore, në Jugosllavinë e Titos, roli i KOS u margjinalizua, ngase me Kushtetutën e parë të shtetit (1946), kisha u nda prej shtetit, shkolla u nda prej kishës, mësimi i fesë u hoq nga shkollat, Fakulteti i Bogosllovisë u shkëput nga përbërja e Universitetit (të Beogradit). Bashkësive fetare u garantohej liria e predikimit, por pa guxuar të përzihën në punët e shtetit. Çështjet familjare, martesat, trashëgimia etj, kaluan në kompetencë të organeve të pushtetit. U bënë ndryshime edhe në kufizimin e pronave të bashkësive fetare. Por, me gjithë margjinalizimin e rolit të saj, KOS tërë kohën ka punuar e “gërmuar nga brënda”, duke ruajtur e kultivuar traditën e saj nacionaliste, dhe kështu ishte njëafrë opozite ndaj Partisë Komunistet dhe shtetit partiak që ishte.
Kosova ka qenë tërë kohën në qendër të vëmendjës, me të gjitha mitet e vjetra e të reja, me gënjeshtrat për padrejtësitë, dhunën, dhunimet, presionet, shpërnguljet e serbëve. Më të zëshmit e më gënjeshtarët në këtë pikëpamje ishin peshkopi Pavle, i cili shërbeu 34 vjet si peshkop në dioçezën Rashkë-Prizren (në Kosovë), deri sa, “me njëqint” dredhi, në dhjetor të vitit 1990 u gjodh patriark, edhepse akoma ishte gjallë patriarku tjetër (German), por Pavle u shpërblye për meritat e krijuara me gënjeshtrat që kishe përhapur nga Kosova. Meritë e tij është edhe objekti i kishës i ndërtuar në kampusin e Universitetit të Prishtinës, që edhe sot qëndron aty,si përmendore e turpit. Për aktivietin “subverziv” kishtar, nuk ia lëshon rrugën as peshkopi Artemije, i cili e zëvendësoi Pavlin, deri sa iu krisi skandali brendakishtar dhe këtë e përzunë. Popat e tjerë, të dorës së dytë, ishin argat të zellshëm për të sajuar, mbledhur e dërguar informata e raporte gënjeshtrash në qendrën e përpunimit gebelsian të propagandës, prej nga shpërndaheshin e përsëriteshin përmes mediave. Në këtë mënyrë, kisha krijonte e përhapte urrejtjen kundër popullit shqiptar, por edhe kundër atij boshnjak e kroat, si dhe kundër besimit mysliman e katolik.
Roli luftënxitës i KOS në luftën e fundit
Pas vdekjes së Titos (1980), Kisha Ortodokse Serbe u kthye furishëm në skenën publike, mediale dhe politike. Nisi me organizimin e manifestimeve të ndryshme, me qëllim të homogjenizimit të masave të popullit. Në “Sabore”, tribuna, tryeza, në mjetet e informimit, plasonte pikëpamjet e veta për çështje të ndryshme shoqërore e politike. U shfaqën disa teologë të ri, të cilët lamentonin e propagonin pozitën e rëndë të serbëve në Kosovë, por edhe në Bosnje dhe Kroaci. Pozitën e serbëve e krahasonin me atë të hebrejve në Gjermani në kohën e nacizmit! Në një “Sabor” të mbajtur në Kosovë (1987), për herë të parë kisha përdori termin gjenocid, kinse po u bëhej serbëve në Kosovë. Në prill të atij viti, një delegacion i KOS vizitoi Kongresin Amerikan, të cilit i paraqiti raport, përplot me gënjeshtra e gjysëm të vërteta për gjendjen dhe pozitën “e rëndë” të serbëve në Kosovë. Prej vitit 1987 deri më 1998, KOS ka mbajtur në Kosovë katër “Sabore”, në të cilat ka marrë vendime e qëndrime dhe ka zhvilluar propagandë kishtare, politike e mediale për gjoja dhunën ndaj serbëve.
Për të arritur sukses në qëllimet e veta, KOS bashkëpunoi ngusht me Akademinë e Shkencave të Serbisë, me Shoqatën e Shkrimtarëve të Serbisë, me partitë politike më ekstreme, me shoqata e organizata të ndryshme, por edhe me njerëzit në pushtet, të cilët gjithnjë e më tepër i afroheshin kishës. Karta etnike e miratuar në “Srpski sabor” (1981) që organizoi AShS bashkë me elitat tjera, dhe Memorandumi i asaj Akademie (1986), u bënë udhërrëfyes për veprimin e të gjitha strukturave të shoqërisë serbe të angazhuara për idenë e Serbisë së Madhe. Anëtarët e Akademisë merrnin pjesë në tubimet e Kishës,dhe anasjelltas: peshkopët e kishës bashkëpunonin me Akademinë, madje disa peshkopë ishin bërë anëtarë të Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë! Duke komplementuar njëri-tjetrin, ata u bënë kreatorë të luftës për Serbinë e Madhe, që shpërtheu me agresionin në Bosnje, në Kroaci dhe së fundi “theu qafën” në Kosovë. Në këto luftëra, Kisha Ortodokse Serbe ka luajtur rolin më negativ që mund ta bënte një organizatë gjoja kishtare e fetare, duke filluar prej patriarkut Pavle e deri te niveli më i ulët i personelit kishtar. Jo të gjithë,natyrisht, porse shumica prej tyre, e sidomos shumica prej nivelit më të lartë kishtar, siç ishte patriku Pavle, dhe pasuesi i tij, Irinej, dhe peshkopët Amfillohije Radoviq, Irinej Bulloviq, Atanasije Jevtiq, Artemije Radosavljeviq, etj.
Kisha serbe kurrë nuk e ngriti zërin kundër krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit që kreu soldateska serbe në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë. Nuk ngriti zërin kundër shkatërrimeve që bënin forcat serbe, madje as për shkatërrimin e objekteve fetare: xhamitë dhe kishat katolike. Në Bosnje janë shkatërrua 1600 xhami dhe 500 kisha katolike. Në Kosovë u shkatërruan 218 xhami dhe asnjë kishë serbe apo manastir. Por kisha serbe kurrë nuk i gjykoi shkatërruesit e xhamive e të kishave katolike. Përkundrazi, ajo përkrahte luftën, bekonte e mbështeste kriminelët ma gjakatarë. Ka pasë nga radhët e KOS që aktivisht kanë marrë pjesë në luftë dhe në kryerjen e krimeve. Kreu i kishës serbe, qoftë vet, qoftë përmes peshkopëve të tij, nxiste e trimëronte luftën, duke thënë se gjithë territori që pushtohet me luftë, i mbetet fituesit. “Aty ku derdhet gjaku serb dhe ku mbesin eshtrat serbë, ajo doemos duhet të jetë tokë serbe” (peshkopi Nikanor, “Boba 3 prill 1991). Në tubimet politike në Bosnje, ishin në rreshtat e parë, ndërsa patriku Pavle i bekonte Karaxhiqin, Mlladiqin, Koleviqin, Pllavshiqkën, Arkanin, e kriminelë tjerë “të cilët po e mbronin popullin serb”! Më vonë , Pavle pat thënë fjalinë që do t’i mbahet mend: “Budimo ljudi, iako smo srbi” (Të bëhemi njerëz, paçka se jemi serbë), por peshkopi Amfillohije thoshte: “Nëse populli është lodhur nga lufta, kisha nuk është lodhur”! Mitropoliti i Malit Zi, Amfillohije, në qershor të vitit 1991 e kishte shndërruar Manastirin e Cetinjës në kazermë të paramilitarëve me në krye Arkanin. Mitropoliti edhe vet shkoi në Dubrovnik, për t’i trimëruar kriminelët, ndërsa Arkani prej atje deklaronte: “Komandanti im është patriarku Pavle”!. Në mediat e hueja shumë kohë është sjellë e parë fotografia e protosingjelit Fillaret Miçeviq, me mitralez në dorë,i veshur me veladon kishtar dhe hipur në tank, kur kishte shkuar në luftë me vullnetarët serbë (gusht 1991). Këtë pamje e pat kritikuar peshkopi i Baçkës, Irinej Bulloviq.
Kisha serbe ka kundërshtuar çdo marrëveshje paqësore, duke thënë se nuk është e vlefshme asnjë marrëveshje për të cilën nuk e ka dhënë pëlqimin gjithë populli serb, dhe pa bekimin e KOS. Duke nxitur luftën, gazeta “Pravoslavlje” (15 mars 1992) shkruante: “Nuk është e mirë çfarëdo paqe, as nuk është e keqe çfarëdo lufte”. Sabori i KOS (maj 1996) mori vendim se “Pa marrë parasysh shpërbërjen e Jugosllavisë, kisha serbe edhe më tutje do shtrihet në të gjitha kishat pravosllave” (ajo edhe sot nuk e pranon pavarësinë e kishës maqedone dhe asaj malazeze). Kur shpërtheu lufta në Kosovë (1998), Sabori i KOS i porositi serbët: “Mos e lëshoni Kosovën e Metohinë serbe, sepse kjo do ishte tradhëtia më e madhe idealeve të larta e të përhershme për të cilat ka luftuar dhe është sakrifikuar princ Llazari…”, ndërsa patriarku Pavle thoshte: “Kush shkon në luftë për të mbrojtur të vetët, ka shpërblimin e Zotit”.
Kështu, kisha serbe, nxiste, bekonte, përkrahte luftën, vrasjet, shkatërrimet, krimet e kriminelët, që është në kundërshtim me të gjitha parimet e krishtërizmit. Por, kur e panë se e humbën edhe luftën e fundit në Kosovë, Sinodi i shejtë i arkierejve, më 15 qershor 1999, doli me kërkesë që kryetari S.Millosheviq dhe qeveria të japin dorëheqje.