Nga biografitë e dhëna më poshtë, mund të njiheni me disa nga personalitetet e elitës së ulemave të Çamërisë dhe Epirit, të periudhës së gjysmës së dytë të shekullit të 19 deri dy dekadat e para të shekullit 20.
Isa ef.Sejfullah Aga (Delvina), 1854 – 1919
U lind në fshatin Fitorja të komunës Mesopotam, në rrethin e Delvinës. Ishte i biri i Nesibe hanëmit dhe i Ahmet Sejfullah agës. Emri i dytë i tij ishte Shevki, ndërsa njihej edhe si “Ismozade”. Në moshën 6-vjeçare u regjistrua në shkollën fillore (mejteb i ulët) në vendlindje, ku mësoi alfabetin dhe leximin e Kur’anit, mori njohuritë themelore të fesë. Në vitin 1870 u regjistrua në Medresën e Filatit, në grupin e studentëve të myderrizit Hasan Riza ef.Dibra. Në atë medrese studjoi njëmbëdhjetë vjet morfologjinë e gjuhës arabe dhe lëndët tjera. Në vitin 1881 shkoi në Stamboll, për t’i plotësuar studimet, u regjistrua në medresen “Tetimme-i Salise”, afër komleksit të Fatihut, te myderrisi Aliriza efendi Ahiskaviut, ku u diplomua më 20 shkurt 1885. Më 10 gusht 1885, pasi dha provimin e detyrueshëm, u çertifikua për mësimdhënës dhe filloi punën si profesor (“dersiam”) në Xhaminë e Fatihut. Po atë vit, pasi dha me shumë sukses provimin testues para Komisionit të Kryesisë së Lartë të Shkencave, u emërua ligjërues (vaiz) i “qyrsive”, gjatë ditëve të xhumasë dhe gjatë Ramazanit. E nisi ligjërimin në xhaminë “Valide-i Sulltan”, në lagjën Aksaraj, dhe vazhdoi pasaj deri në vitin 1919, që dha vaiz në 27 xhamitë më të njohura të Stambollit.
Krahas detyrës së vaizit nëpër xhami, Isa ef.Sejfullahu, prej vitit 1891 deri më 1919, ka punuar në detyra të ndryshme në Odën e Orientimit të Fetvahanës së Lartë: prej ndihmës-sekretarit deri te rangu më i lartë – shef dhe këshilldhënës për kuadrin e Fetvahanës. Kur ka ndërrua jetë (26 dhjetor 1919), ka qenë në pozitën e vaizit në xhaminë e “Sulltan Bajazidit”, në Stamboll.
Përveç gjuhës amtare shqipe, Isa ef.Sejfullah-aga, e njihte edhe turqishten, arabishten dhe greqishten.
Abdullah ef.Jusuf Aga (Janina)
U lind (1827) në kasabanë e Voshtinës, të kazasë së Pogonit, vilajeti i Janinës. I ati i tij ishte Jusuf-aga, tagramlbedhës.
Pas mbarimit të shkollës fillore sibjane, në vendlindjën e tij (Voshtinë), mësimet i vazhdoi në Medresen e Janinës, të Jenishehir Fenerit, dhe në medresetë e vilajetit të Selanikut. Për t’i plotësuar studimet, shkoi në Stamboll, në medresen “Dygjmexhi Sani”, në kompleksin e medreseve “Sulejmanije”, ku studjoi deri sa diplomoi.
Përveç gjuhës amtare, shqipe, të cilën e fliste bukur, Abdullah ef.Jusuf-aga, fliste edhe katër gjuhë tjera: turke, greke, bullgare, kurse në gjuhën arabe edhe shkruante.
Pas dhënies së provimit pëfundimtar në Shkollën e Lartë për Gjykatës të Sheriatit (1856), fitoi të drejtën (u licencua) për kadi. Për t’i plotësuar kushtet e parapara për këtë detyrë, një kohë punoi si sekretar në Zyrën e Gjykatës së Stambollit. Pasi në vitin 1858 dha me sukses provimin testues në Meshihatin e Lartë, u emërua zëv.kadi në Vilajetin e tij, në Janinë, konkretisht në Gjykatën e Sheriatit të Kazasë së Ajdonatit, e më pastaj në atë të kazasë së Pogonit. Detyrën e kadiut e kreu edhe në kazanë e Korçës (vilajteti i Manastirit; 1861-1863); përsëri (1863-1869) në kazanë e Ajdonatit; 1869-1871 (përsëri) në kazanë e Pogonit; 1871-1873 në kazanë e Lezhës; 1873 deri më 1878 (përsëri) në kazanë e Pogonit; 1878 -1884 në kazanë e Filatit; 1883 – 1889 (përsëri) në kazanë e Pogonit; 1889-1892 në kazanë e Menemenit, vilajeti i Ajdinit; 1892 zëv.kadi në Gjykatën e Sheriatit në kazanë e Leskovikut (vilajeti i Janinës), prej vitit 1894 e deri sa u pensionua, shërbeu si zëvendës-kadi në kazanë e Çines (vilajeti i Ajdinit).
Abdurrahmanef.Ahmeti (Janina)
(Njihet edhe me emrat: Abdurrahman”Vehbi” efendi Ahmed Agazade Gega).
U lind më 22 qershor 1849, në Janinë. Ishte i biri i Alije hanëmit dhe i Ahmet Agazades (me origjinë nga fshati Lubanishtë i Ohrit, por i shpërngulur dhe vendosur në Janinë).
Shkollën fillore sibjane e kreu në Janinë, ku mësoi leximin dhe rregullat e leximit të Kur’anit (texhvidin), gramatikën arabe dhe jurisprudencën islame.
Për t’i plotësuar studimet shkoi në Stamboll dhe hyri në rrethet mësimore të myderrizit Myfrizade Qamil efendiut, te i cili vazhdoi deri në fund të studimeve të parapara për ixhazet (diplomim) dhe e mori ixhazetnamen e përgjithshme. Gjatë asaj kohe, mori mësime shtesë nga lënda e apologjetikës islame, për të cilën mori ixhazetnamen nga myderrizi Ymer efendi Vargotliu. Në vitin 1874 mori mësime shtesë nga apologjetika islame dhe nga ekzegjeza kuranore (“tefsiret”) edhe te dijetari i shquar Jusuf Zijaudin efendi Tikveshi, tek i cili mori ixhazetname të veçantë për këto dy lëndë (vepra).
Pas diplomimit në Medrese (1876), apliko në Shkollën e Lartë për Gjyaktës të Sheriatit, në Stamboll, ku e dha me sukses provimin pranues. Me qenë se i kishte tri diploma të medresesë, komisioni e përzgjodhi për t’i vijuar mësimet në vitin e tretë të asaj shkolle, ku edhe diplomoi.
Si kuadër i suksesshëm i dalë nga medreseja dhe nga Shkolla e Lartë për Gjykatës, Abdrrahman efendiu, tridhjetepesë vjet shërbeu zëv.kadi dhe kadi në shumë gjykata të sheriatit në kazatë e Perandorisë Osmane:
1879 – 1883, zëv.kadi në kazanë e Nigdes;
1883 – 1886, në kazanë e Shkupit,
1886 – 1889, në kazanë e Luzistanit,,
1889 – 1894, në kazanë e Hamses,
1894 – 1897, në kazanë e Prishtinës,
1897 – 1908, në kazanë e Janinës,
1908 – 1912, kadi në kazanë qendrore të Jemenit,
1912 – 1913, kadi në Bagdad (Irak),
1913 – 1914, kadi në Mosul (Irak),
Abdurrahman efendiu, përveç gjuhës amtare (shqipe), e fliste edhe gjuhën perse dhe greke, ndërsa arabishten dhe turqishten i fliste dhe i shkruante.
Abdylatif ef.Kadizade (Janina)
(Abdylatif ef.Sadik efendi Kurejshizade – Kadizade)
U lind në vitin 1830, në qytetin e Janinës. I ati, Sadik efendiu, ishte gjykatës i sheriatit (kadizade).
Abdylatifi mësimet e para i filloi në moshën 5-vjeçare, në mektebin e mëhallës së tij, në Janinë. Shkolla kishte nivelin e fillores (iptidaijet e mëvonshme). Aty mësoi leximin dhe rregullat e leximit të Kur’anit (texheviti), ku edhe e bëri ‘hatmen’; mësoi edhe rregullat e fesë islame (‘Ilmihallin’).
Në moshën 8-vjeçare, hyri në rrethet mësimore te myderrizi Ali efendiu, ku mësoi morfologjinë dhe sintaksën e gjuhës arabe, logjikën, metaforen, retorikën, stilistikën dhe letërsinë. Në vazhdim të studimeve te myderrizi i shquar shqiptar, Ymer ef.Narta, i cili kishte ardhur nga Stambolli në Janinë, mësoi: logjikën, apologjietikën islame, bazat e të drejtës së sheriatit, jurisprudencën dhe lëndë tjera. Me të mbaruar ato mësime, ishte emëruar myderriz në Medresën e Libohovës.
Më 1854, ende sa ishte student në medrese, me urdhërin e Komisionit të Lartë të Vilajetit të Janinës, u emërua shef i kontrollit-sinjalizues (‘mymejiz’), detyrë të cilën e kreu pesë vjet.
Pas provimit profsional të dhënë me sukses, Abdylatif ef. u çertifikua për gjykatës i sheriatit dhe u emërua zëvendësmyftiu i Myftinisë së Janinës. Pas një viti shkoi në Stamboll, ku u emërua zëvendësgjykatësi i sheriatit (naib). Abdylatif efendiu ka shërbyer si zëv.kadi në gjzkatat e sheriatit në kazatë: Delvinë, Çatallaxhe, Shehirkoj, Rodos, Jeni Shehir Fender, Serfixhe, Sakëz, Kretë, Kosovë, Janinë.
Kur ka ndërrua jetë (më 25 qershor 1902), ka qenë në krye të detyrës zëv.kadi në Gjykatën e Sheriatit të kazasë së Janinës.
Abdylatif efendiu fliste dhe shkruante në gjuhën turke dhe arabe, ndërsa gjuhën shqipe dhe greke vetëm i fliste.
Mehmet efendi Çami (Janina)
(Mehmet ‘Tevfik’ efendi Isa Agë Çami)
U lind më 15 qershor 1857, në fshatin Spatar të Filatit. Ishte i biri i Shemsije hanëmit dhe i Isa Agë Çamit, të fisit Kushat.
Mësimet e para i mori në mektebin e fshatit, për të vazhduar pastaj shtatë vjet me radhë, në Medresen “Vejsi Aga” të Filatit. Studimet i vazhdoi në medresetë e kompleksit të Fatihut në Stamboll, ku studjoi 16 vjet pandërprerë dhe mori ixhaznamen, te myderrizi i shquar Ali Fikri ef. Bajram Gjakova.
Pas mbarimit të studimeve dhe këthimit në vendlindje, filloi punën si myderriz në Medresën e Ajdonatit (Paramithisë), për lëndët gjuhë arabe dhe jiurisprudencë islame. Prej 1878 deri më 1895, shërbeu si myderriz në Xhaminë e Vejsi Agës, në Filat. Në funt të vitit 1895, me dekret të Meshihatit të Lartë: “Mehmet Tevfik efendiu emërohet myfti i kazasë së Filatit…Duke marrë parasysh aftësitë e tij profesionale nga Komisioni i Administratës së kësaj kazaje dhe verifikimin nga instancat e larta të Vilajetit të Janinës, po edhe duke pasur parasysh edhe përzgjedhjen dhe pëlqimin e gjithë popullatës së kësaj ane, me nënshkrimin dhe vullnetin e shejhulislammit…, Mehmet Tevfik efendiu njëzëshëm emërohet myfti i kazasë së Filatit”..
Për kontributin e çmueshëm në fushën e arsimit (fetar,v.j.), në vitin 1894 u shpërblye nga administrata e kazasë së Filatit dhe e Janinës, ndërsa në vitin 1895 u shpërblye me “Berat të lartë sulltanor”. Gjatë punës, u ngrit në grada shkencore të rendit të caktuar hierarkik.
Mehmed efendi Çami, ka shërbyer si myderriz në Medresen “Veji Aga”të Filatit deri në vitin 1910. Gjuhën turke dhe atë arabe i fliste dhe shkruante, ndërsa gjuhën (amtare) shqipe dhe atë greke vetëm i fliste.
Mehmet efendi Mustafa efendiu (Janina)
(Mehmet “Fuad” efendi Mustafa “Nuri” efendiu)
U lind më 5 prill 1865, në Janinë. Ishte i biri i Fatma Nurije hanëmit dhe i Mustafa efendi Janinës. Babai i Mehmet efendiut, Mustafa efendiu, deri sa ka ndërrua jetë ka qenë myfti i Janinës dhe bartës i gradave të larta në profesion. E ëma, Nurije hanëmi i takonte fisit që kishte rrënjët na fisi i Pejgamberit. Familja e Mehmet efendiut quhej familje “Efendinjësh”.
Pas mbarimit të shkollës fillore “sibjane”në Janinë, vazhdoi dhe u diplomua në Gjimnazin (“rushdije”) poashtu në Janinë. Pas diplomimit në gjimnaz, vazhdoi studimet në medrese (në Janinë), ku pati për mësimdhënës një plejadë ulemashë të njohur të asaj kohe. Tek ajo elitë mësoi morfologjinë dhe sintaksën e gjuhës arabe, logjikën, metaforen, etimologjinë e fjalës, apologjetikën, jurisprudencën islame, bazat e të drejtës së Sheriatit, të drejtën trashëgimore, hadithin, tefsirin, menaxhimin zyrtar dhe bazën e përmbledhjes së dokumenteve gjyqësore.
Pas mbarimit të studimeve, në vitin 1888 Mehmet efendiu u emërua zëvendës i sekretarit kryesor të Gjykatës Qendrore të Janinës. Pas dy vjetëve, u ngrit në detyrën e sekretarit kryesor të asaj Gjykate. Më 1905 u emërua myfti i Janinës, në vend të Abdurrahman efendiut, i cili u emërua zëv.kadi në Gjirokastër. Detyrën e myftiut e kryente me normë jo të plotë, duke e mbajtur edhe detyrën e sekretarit të Gjykatës. Pas do kohe, e lëshoi detyrën e myftiut dhe vazhdoi punën vetëm sekretar i Gjykatës, të cilën e mbajti deri më 1910. Në periudha të shkurta kohore e zëvendësoi valiun Sejfullah pashën, në detyrën e kadiut të Gjykatës së Sheriatit të Janinës. Nga dy medrese të ndryshme të Bursës, Mehmet efendiu ishte ngritur në dy rangje shkencore prestiçioze, ndërsa nga Izmiri ishte dekorua me dekoratë të lartë.
Hafiz Mehmet ef.Shaqir efendiu (Janina)
(Hafiz Mehmet Ali efendi binbash Shaqir efendiu)
U lind më 17 mars 1877, në qytetin e Janinës. Ishte i biri i Hasije hanëmit dhe i Shaqir ef.Rrystem Janinës, i cili ishte binbash.
Shkollën fillore ibridaije e kreu në mektebin “Sulltanije” të Minisas, vilajeti i Ajdinit. Më pastaj e mësoi përmendësh Kur’anin dhe u laurua me titullin “hafiz i Kur’anit”.
Varësisht nga vendi ku shërbente iati në detyrën e binbashit, hafiz Mehmeti një kohë e ndoqi shkollën e mesme rushdije në kazanë e Milasit, e pastaj në Medresen “Sulltanije” të Manisas, ku studjoi morfologjinë dhe sintaksën e gjuhës arabe, logjikën, retorikën, letërsinë, antroponominë, jurisprudencën islame dhe bazat e të drejtës së sheriatit.
Për t’i thelluar studimet, shkoi në Stamboll, te myderrizi i shquar Mustafa ef.Abdullah Odemishliu, ku studjoi: logjikën, metaforen, retoriken, sintaksën, jurirprudencën islame, të drejtën trashëgimore, antroponominë, filozofinë, mjekësinë, gjeometrinë, hadithet.
Pas gjithë atyre studimeve e mori ixhaznamen e përgjithshme. Ndërkaq, në periudhën 1897 – 1900, mori edhe ixhazname (diploma) të veçanta, për specializime, nga myderrizi Ferhat ef.Hilmi Dibra. Në vitin 1900 u regjistrua në Shkollën e Drejtësisë (mektebi hakik) të Sambollit. Pas kryerjes së asaj shkolle dhe provimit të dhënë, më 1910 u emërua skeretar i Gjykatës së Sheriatit në Manisa, por aty nuk qëndroi shumë, pasi kaloi në detyrën e myderrizit e mësimdhënësit në Medresen e Manisas. Për rezultatet e arritura, nga Medresja e Bursës kishte marrë gradën shkencore “iptida-i harixh”.
Mehmet Shaqir ef.Ismailhakiu (Janina)
U lind më 1837 në kasabanë e Voshtinës, të kazasë së Pogonit, vilajeti i Janinës. I ati i tij quhej Ismailhaki.
Shkollën fillore sibjane e kreu në vendlindje, ku mësoi leximin e Kur’anit dhe rregullat themelore të fesë islame. Pas shkollës fillore, për një kohë mësimet i vazhdoi në Janinë (në Jenishehir Fener), mandej shkoi në Stamboll ku u regjistrua në rrethet mësimore të myderrizit Arnaut Ahmet Tefik efendiu. Te ky myderriz shqiptar i përfundoi studimet dhe mori ixhaznamen.
Mehmet efendiu i zotërone gjashtë gjuhë. Gjuhën shqipe e fliste bukur. Gjuhën turke, arabe dhe greke i fliste dhe shkruante, ndërsa kënaqëshëm i fliste edhe gjuhën vllahe dhe bullgare.
Në moshën 24 vjeçare u emërua sekretar (çatip) në Gjykatën e Mahmud Pashës, ku punoi vetëm një vit, sepse më pas u emërua dhe punoi në disa gjykata të sheriatit të kazave të ndryshme, si:
1871 – 1873 në kazanë e Shtipit,
1873-1876 në kazanë e Viranës
1876 – 1880 në kazanë e Vlorës
1880 – 1883 në kazanë e Karaxhekit
1883 – 1884 (për së dyti) në kazanë e Vlorës,
1884 – 1888 në kazanë e Çorlusë,
1888 – 1892 në kazanë e Karaferjes,
1892- 1896 në kazanë e Shafirit,
1896 – 1900 në kazanë e Kërkilisës,
1900 – 1901 në kazanë e Gjirokastrës, prej ku edhe u pensionua, në muajin e Ramazanit.