YJE NË PANTEON (Përmbledhje me 101 poezi, botoi ‘’Muza’’, Prishtinë, 2023)
Kohë më parë, poeti e shkrimtari Nebih Bunjaku, botoi librin e tij të 11, që është një përmbledhje neciklopedike me 101 poezi, kushtuar 101 personaliteteve dhe ngjarjeve imagjinare e reale, nga kohëra e breza të ndryshme, por që janë të lidhur me trungun pellazgo-iliro-arbëroro-shqiptar, që nga lashtësia deri në ditët e sotme. Nuk di sipas çfarë kriteri i ka zgjedhur autori subjektet që i ka futur në këtë ‘leksikon’’, por një gjë vërehet qartë, se të gjithë i venë në tabanin kombëtar, pa marrë parasysh aspektin e cilësive artistike të veprave të tyre, ndonëse është përpjekur t’i zgjedh ata më reprezentativët, që nuk do të thotë se ia ka arritur. Sepse nuk janë përfshirë edhe disa ‘’yje më të mëdhenj e më shëndritshëm’’, sesa disa ‘’meteorë të vegjël’’ që kanë zënë vend në këtë përmbledhjeje. Por, kjo është çështje e kriterit subjektiv të autorit.
Ka në këtë galeri personalitetesh komandantë legjendarë, mbretër, qeveritarë, diplomatë, prelatë fetarë, shkencëtarë, shkrimtarë, artistë, këngëtarë, arkitektë, heronjë, dëshmorë, martirë, etj.
Vargut të poezive iu prinë me poezinë për figurën legjendare (Doruntina; Rozafa; Kali i Trojës), vazhdon me komandantë legjendarë të pushtimeve (Aleksandri i Madh), mbretër (Teuta e Ilirisë), Skenderbeu, po ka personalitete tjera të njohur nga fusha të ndryshme, si Lekë Dukagjini, Marin Barleti, Gjon Buzuku, Karl Gega, Hasan Tahsini, De Rada, Pashko Vasa, Sef Kosharja, Elena Gjika, K.Kristoforidhi, Abdyl, Naim e Sami Frashëri, Mic Sokoli, Dedë Gjo Luli, Ismail Qemali, Zef Serembe, Filip Shiroka, Bajram Curri, A.Z.Çajupi, Gjergj Fishta, Hasan Prishtina, Shaban Polluzha, Shtjefen Gjeçovi, Faik Konica, Luigj Gurakuqi, Aleksandër Mojsiu, Fan Noli, Ali Asllani, Lotë Vaku, Mulla Idriz Gjilani, Avni Rrustemi, Shote Galica, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Migjeni, Eqrem Çabej, Mehmet Gjevori, Nënë Tereza, Esat e Hasan Mekuli, Anton Çetta, Sandër Prosi, Dritëro Agolli, Bilall Xhaferri, Bekim Fehmiu, Irena Papas, Aristidh Kola, për të ardhur deri te heronjtë, dëshmorët dhe martirët e UÇK-s në krye me Adem Jasharin, dhe disa të tjerë nga galeria e enciklopedisë poetike të këtij autori të vyeshëm.
Përmbledhjes i paraprinë Parathënja (fq.5-12) të cilën e ka shkruar Avni Dehari, i cili e ka pasqyruar mjaft mirë dhe gjerësisht përmbajtjen e librit. Prandaj, unë këtu do të përpiqem të mos i përsëris ato segmente dhe ato vlerësime të cilat i ka paraqitur zotëri Dehari, por do të theksoj disa veçori tjera të kësaj përmbledhje poetike.
Autori Nebih Bunjaku, ka treguar njohuri të thella dhe ka dhënë informacione të sakta për të gjitha ato subjekte dhe ato ngjarje të cilat i ka radhitur në librin e tij, dhe pothuajse për secilin i ka ilustruar me portrete a fotografi, duke evidentuar nën fotoportret datëlindjen dhe datën e vitin e vdekjes së atyre të cilët kanë shkuar në amshim.
Teknika poetike e përdorur
Nën secilin portret, a titull të poezisë, ka dhënë, me germa shkrimi (aq të imta sa mezi lexohen) nga një sentencë, një urti, një thënie, një porosi apo amanet të subjektit të cilit ia ka kushtuar poezinë. Diku ka dhënë ndonjë strofë nga vepra e subjektit të caktuar, apo ndonjë strofë nga këngët popullore. Për shembëll, nën porteretin e Sami Frashërit shkruan:
‘’Çdo ditë e jetës sate është një faqe e biografisë sate; kujdesu ta shkruash mirë, sepse një faqe e keqe e ndyrë gjithë librin’’.
Nën portretin e Gjergj Fishtës, ka futur një strofë nga poezia e Fishtës Shqypnia:
Edhe hana le ta dijë,
Edhe dielli do t’ketë pa,
Se përqark ksaj rrokullije,
Si Shqypnija ‘i vend nuk ka.
Nën portretin e Hasan Prishtinës, autori ka futur këtë thënie të Hasanit: ‘Në vend të një kolltuku me turp në Stamboll, preferova kryengritjen ndër malet e Kosovës’’.
Mulla Idriz Gjilani ishte një klerik mysliman, atdhetar që luftoi me penë e me pushkë kundër armikut (çetnikëve e komunistave serbë), prej të cilëve në funt u ekzekutua me torturat më mizore. Nën portretin e tij, autori ka radhitë në vargje thënien lapidare të cilën Mulla Idrizi e përsëriste në ndeja e në predikime:
‘’Kemi një fe, një atdhe, një gjak, një gjuhë, një diell e një Zot; detyrë mbi detyra kemi bashkimin dhe mbrojtjen e atdheut’’.
Nën potretin e Dritëro Agollit, ka futur këto vargje nga poezia e Dritëroit:
Po kur të jesh mërzitur shumë,
Në raft të librave kërkomë,
Atje do jam i fshehur unë,
Në ndonjë varg e ndonjë shkronjë.
Dhe kështu me radhë, te të gjitha portretet e subjekteve të përfshira në këtë përmbledhje, Bunjaku ua gjenë ndonje mbiemër për t’i cilësuar vetitë më karakteristike dhe futë ca vargje nga opusi i tyre krijues.
Edhe në strofat e poezive të kësaj përmbledhje, autori përdorë një teknikë të veçantë ndërtimit të strofave dhe rimës, duke futur ndër vargjet e veta edhe ndonjë varg, si referencë nga veprat e subjektit të cilit ia ka kushtuar poezinë. Kështu, bie fjala, në poezinë të cilën ia kushton Gjergj Fishtës, në strofën e tretë, dy rreshtat e fundit i merr nga Lahut e Malcisë:
Me zë n’altar kishe
Magjishëm predikon,
Larmia e feve tona
Vetëm na bashkon.
Në poezinë kushtuar Dritëro Agollit, për rreshtin e parë të strofës së tretë merr titullin e veprës së Agollit: Komesari Memo dhe kështu ndërton rimën:
Komisari Memo, Mato Gruda
Çdo armik me top godet,
Mos të shkelet cep atdheu,
Që nga Alpet – në bregdet.
Kështu ka marrë vargje a tituj veprash edhe në pozitë kushtuar Gjeçovit, Konicës, Poradecit, Kutelit, Migjenit, Prosit, Agollit, Xhaferrit, Londos etj.
Poezia ndërtohet në strofa e strofat ndërtohen prej vargjesh. Strofa me tërësinë e saj ritmike është formë e poezisë. Strofat mund të jenë njëvarg (monostih), dyvargu (distih), trevargu, katër vargu e deri në 14 a 15 vargje. Bunjaku më të shumtën e ka përdorur katërvargun, por ka edhe nja 15 poezi dyvargëshe, duke filluar nga poezia kushtuar Barletit, Buzukut,Çajupit, Ismail Qemalit, Nolit, Shote Galicës, Metush Krasniqit, Rifat Kukajt, etj.
Poezia më e gjatë në këtë përmbldhje (26 strofa katërvargjesh) është ajo që i kushtohet trimit kaçak Lotë Vakut.
Në poezitë e tij kushtuar Bajram Currit, Hasan Prishtinës, Luigj Gurakuqi e Lotë Vakut, për shkak të dyshimeve të rolit të Zogut në jetën apo vdekjen e personaliteteve të përmendura, autori Bunjaku shprehë një urrejtje ndaj Mbretit Zog, duke e quajtur: mbret i vetshpallur; satrap: Zogu i Zi: mbret gogol.
Përmes poezisë së tij, që është një sintaksë poetike e ekuilibruar dhe që rrjedh si lum, kushtuar personaliteteve të përfshira në këtë përmbledhje, Bunjaku i vë ata në panteonin kombëtar, duke u dhënë kontakt jetës dhe përjetësisë së tyre dhe duke bashkuar epokat dhe brezat.
Autori dëshmon dije të admirueshme për jetën dhe veprat e personaliteteve dhe të ngjarjeve të përfshira në librin e tij. Tërë graviteti i poezive të Bunjakut, duke mbëltuar një pemë gjenealogjike me personalitete e ngjarje të shquara, lidhet me atdheun, lirinë, kombin. Pa një dije dhe kulturë të gjërë të autorit, nuk do të mund të krijohej kjo enciklopedi poetike.
Në Biblë thuhet: Kush zotëron dituri – ka dhimbje, ndërsa Platoni ka thënë: ‘’Poetit i dhemb edhe zemra e djathtë, që të tjerët nuk e kanë’’. Me gjasë, Bunjjaku ‘’e ka edhe zemrën e djathtë’’, sepse ka dhembje për fatin e shumë prej subjketeve të përfshira në poezitë e tij, të cilat kanë funksion fisnik; kujton e vlerëson personalitetet, veprat, të bërat, ngjarjet, sakrificat.
Enciklopedia poetike e Nebih Bunjakut ‘’Yje në Panteon’’, me stilin e tij të veçantë të arkitekturës poetike, e ka pasuruar fondin e krijimtarisë letrare shqiptare.
Gjuha e pastër dhe e rrjedhshme që përdorë autori, e bënë të lehtë dhe të këndshëm leximin e veprës.
Adil FETAHU