Adil Fetahu: Fati i çamëve në romanin e Arben Kondit: “Mëhalla e Muhaxhirëve”

Pas plot njëzet vjetëve, autori kthehet në Mëhallën e Muhaxhirëve në Tiranë, ku gjen shtëpi të braktisura, strehëprishura, porta e shtëpisë së vet, si porta e ferrit, që kur hapet i “kërcasin kockat prej dhimbjes”. Fushën e sportit, ku dikur  luanin fëmijët e shkollës, e paskan copëtuar e ndërtuar godina të larta. Në moment i kujtohen shokët e shoqet e klasës e të lojës ( Gimi, Timi, Moza, Abi) dhe zyshja (mësuesja) Mynavere, prindët, motra, vëllai, gjyshja, fqinjët e mirë. Autori përmallohet nga gjendja që sheh dhe kujtimet e fëmijërisë, sa që lotët i pikojnë, si pikat e çezmës në oborrin e mbetur shkret.

Kështu disi, nisë romani i shkrimtarit Arben Kondi: “Mëhalla e Muhaxhirëve”, që është një roman historik, për historinë e banorëve çamër e dibranë të asaj lagjeje. Duke vazhduar romanin, në kapitullin e parë tregon trajtimin dhe persekutimin që pushteti komunist u bënte muhaxhirëve çamë, si të ishin spiunë amerikanë, anglezë e grekë. Nëse për dy të parat mund të “hahej” disi, ai grek nuk mund të arsyetohej kurrsesi, ngase çamët prej gjenocidit grek kishin lënë atdheun e tyre – Çamërinë, dhe ishin bërë muhaxhir në Shqipëri. Po edhe regjimi komunist në Shqipëri i persekutoi keqas. Si shembull, real, të persekutimit, shkrimtari Kondi e trajton gjykimin me pushkatim të grupit të Teme Sejkos, dhe internimin e familjes së tij, e shumë të tjerëve.

Si roman historik që është, natyrisht që disa personazhe në te janë të jetës reale. Për ata që nuk e dinë, Teme Sejko (1922-1961), në realitet ishte admiral dhe komandant i Flotës Detare të Shqipërisë. Në  korrik të vitit 1960, Teme Sejko, Tahir Demi dhe një grup i madh, prej 63 vetash, që ishin elita e çamëve, u arrestuan, të akuzuar si komplotist e spiunë të imperializmit amerikanë, revizionizmit jugosllav dhe monarko-fashizmit grek. Teme u akuzua si udhëheqës i grupit, dhe me disa prej tyre u pushkatuan më 30 e 31 maj 1961. Shumë prej tyre u gjykuan me pushkatim dhe u ekzekutuan, pas torturave çnjerëzore që iu bënë gjatë dhjetë muajve në hetuesi. Të tjerët vuajtën 1250 vjet burgim, ose “u vetëvranë” në burg. Dhe jo vetëm ata që u pushkatuan ose vuajtën burgun, por u persekutuan edhe familjet e farefisi i tyre. Ky është konteksti real dhe historik i romanit të Arben Kondit, i cili në mënyrë artistike-letrare shtjellon ngjarjet dhe krajatat e çamëve dhe të fqinjëve të vet nga Mëhalla e Muhaxhirëve.

Është emocionues momenti i shpërnguljes nga shtëpia dhe internimi i familjes se Teme Sejkos. Kryepersonazhi i romanit, Pirro, asokohe ishte nxënës i klasës së parë. Në familjen e Sejkëve, që ishin fqinjë të afërt, kishte dy shokët më të mirë të shkollës e të lojës: Gimi e Timi. Kur ata u shpërngulën, me dhunë, për t’u internuar, Pirro u mërzit shumë, ua hodhi topin në kamionin me plaçka, por i ati i Gimit e Timit, xhaxhi Naimi ia ktheu topin, që ta mbajë për kujtim të shokëve. Të nesërmen, në shkollë kur mësuesja Mynavere kur mori vesh për shkakun e mungesës së Gimit e Timit dhe se ata kurrë më nuk do vinin në shkollë, e lëshuan këmbët dhe u ul në bankën e tyre boshe. Fqinja e tyre Nu-ja, që ishte një grua e mire, e vuajtur dhe e sjellshme, e cila jetonte e vetme ngase djalin (Kudretin) e kishte ushtar, çdo mbrëmje ndizte qiri para derës së mbyllur të familjes Sejko. Nga bisedat e gjyshës me Nu-jën, Pirro kishte dëgjuar se asaj grekët ia kishin vrarë e masakruar burrin, ndërsa vajzën katërmuajshme në djep, e kishin shkuar në bajonetë e ngritur lart si flamur. Gjyshja e Pirros, Teuta, të cilën e quanin Tetua, i tregonte Nu-jës se si edhe kësaj ia kishin vrarë burrin (Ademin), ndërsa babain e paralizuar ia kishin djegë, bashkë me shtëpinë.

Edhe prindët e Mozës, shoqës së bankës të Pirros, ishin fqinjë të mirë. Ata (Donika e Tomorri) ishin profesorë universiteti, e donin Pirron dhe komunikonin me familjen. Por në mesin e fqinjëve kishte edhe njerëz të këqij, siç ishte kapteri Feridi, dhe i biri i tij (Beqiri), një djalë i mbrapshtë e grindavec, por edhe disa të tjerë të lidhur me pushtetin.

Në shtëpinë e boshatisur të Gimit e Timit, ishin vendosur nëndrejtoresha e shkollës (Dita) me të shoqin (Vironin) dhe dy fëmijët e tyre. Nëndrejtoresha ishte një grua e pështirë dhe ishte sekretare e organizatës bazë të partisë. Ajo bashkë me kapter Feridin dhe disa tjerë, gati i përjashtuan prej shkolle Pirron dhe Turin, për shkak të një ngatërrese me djalin e Feridit. Motra e Pirros (Ela) që ishte gjimnaziste, shoqërohej me djalin e nëndrejtoreshës (Pandin) që ishte student. Kjo e kishte gjindosur Pirron dhe gjyshën e tij, dhe e kishte prishur harmoninë në familje, sa që gjyshja kërkonte që Elën ta mbyllnin në shtëpi, kurse Pirro nuk fliste, nuk hante dhe shihte ëndrra të këqija. Për ta qetësuar situatën, e ëma e Pirros bashkë me tre fëmijët, gjatë pushimit dimëror, vajti për dy javë te e motra (teta Sheqo) në Markat të Konispolit. Në ndërkohë, i ati i Pirros (Didi) dhe i ati i Pandit (Vironi), ishin marrë vesh që Ela e Pandi, pasi ta kryejnë shkollën, të fejohen e martohen dhe të jetojnë të veçuar, sepse familja e burrit do kishte telashe prej pushtetit, dhe e ëma e djalit, nëndrejtoresha Dita nuk donte që djali i saj të martohej me një vajzë çame.

Nu-ja, fqinja e vetmuar, ishte merakosur për djalin e saj ushtar, se nuk i kishte shkruar letër prej disa muajsh, prandaj vajti në Konispol për ta parë të birin, por nuk e gjeti. E kishin vrarë në kufi, e kishin lidhur pas një karroce e tërhequr zvarrë rrugëve të Sarandës, për ta shikuar populli si të ishte një kriminel. Me të marrë vesh për vrasjen e djalit, Nu-ja ishte çmendur e sillej rrugëve të Sarandës si lypsare. Duke pritur autobusin në Sarandë për t’u kthyer prej Markati në Tiranë, e ëma e Pirros dhe fëmijët e saj e kishin parë e takuar Nu-jën në atë gjendje të mjerë, sa që ajo nuk i kishte njohur as iu kishte folur. E ëma e Pirros ia lë ca lekë në dorë. Ishte moment i dhembshëm dhe prekës për të gjithë.

 Në shtëpinë e lënë bosh të Nu-jës, ishin vendosur do fqinjë të ri, nga një familje fisnike kolonjare. Ata kishin një djalë të sëmurë (Talon), të cilin e ngacmonte djali i kapter Feridit, ndërsa Pirro dhe Turi e mbronin, sa mundnin. Gjyshi i Talos kishte qenë ndër kapedanët kryesor në çetat e jugut dhe ishte vrarë e masakruar nga grekët. Pirro dëgjonte me shumë vëmendje ngjarjet që tregonin më të vjetrit për luftërat me grekët, masakrat, vuajtjet e çamëve. Ishte bërë sy e vesh kur i ati (Didi) shpaloste kujtimet nga lufta e mbi 2000 luftëtarëve trima çamë kundër forcave të Zervos e Kranjit, në korrik 1944, për çlirimin e Paramithisë e të Pargës, kur Didi ishte plagosur dhe akoma vuante nga plaga. Ishte i prekshëm kujtimi i Didit, kur kishte parë një nënë në ikje e sipër, për t’u çliruar nga barra që s’mund ta bartte më, në vend se ta hidhte boshçen, e kishte hedhur foshnjen nga ura në lumin Kalama. Duhet ta kesh zemrën gur që të përmbash lotët nga tregimet e tilla, të atyre që kanë përjetuar gjatë valës së gjenocidit grek mbi çamët. Dhe këto kujtime nuk janë vetëm ilustrime artistike të romanit, por e vërteta, përmasat dhe vrazhdësia kanë qenë ku e ku më të tmerrshme.

 Një shkëputje në kohë e në hapësirë është epilogu i romanit, kur pas një kohe të gjatë që kishte punuar e jetuar jashtë vendit Pirro kthehet në “Mëhallën e Muhaxhirëve”, të cilën e gjen krejt të ndryshuar: shtëpitë e vjetra ishin rrënuar, e në vend të tyre ishte ndërtuar një pallat i madh, që ia kishte zënë frymën shkollës së vjetër. Në klubin afër shkollës takohet me Abin, shokun e fëmijërisë, të cilin nuk e njohu, derisa ai i tregoi se cili ishte, dhe se ishte bërë gjysh. Edhe Pirro i tregoi se gruan e kishte nga Çamëria dhe se kishte një djalë (Arbërin) dhe se ishte bërë gjysh. Kujtimet e Pirros dhe Abit ndërroheshin si sekuencat e një filmi bardh-zi, për egërsinë e një kohe.

Çamët, që nga gjenocidi grek ishin detyruar të ikin prej vendit të tyre, as në Shqipëri nuk kishin qenë të mirëpritur. Qeveria shqiptare që kishte detyrim kombëtar, moral e njerëzor të kujdesej për muhaxhirët çamë, i shikonte me mosbesim, si bashkëpunëtorë të fashizmit italian e nacizmit gjerman dhe spiunë të imperializmit anglo-amerikanë, madje edhe të monarkofazhizmit grek! Pas gjykimit të Grupit të Teme Sejkos, roli i çamëve në jetën publike shqiptare ishte margjinalizuar tejmase.

Me romanin “Mëhalla e Muhaxhirëve”, shkrimtari Arben Kondi na ruan kujtimin për çështjen çame e të Çamërisë. Si çam që është edhe vet, Kondi edhe këtë herë ka larë një borxh intelektual ndaj muhaxhirëve çamë. Fabula e romanit zhvillohet në “Mëhallën e Muhaxhirëve”, por edhe gjithandej Shqipërisë, duke pasqyruar realitetin e kohës. Personazhet e romanit, ishin pjesë përbërëse e jetës reale në Shqipërinë komuniste, veçmas e muhaxhirëve çamë, të përzënë nga vendi i tyre, e të persekutuar nga shteti i tyre. Lirisht mund të thuhet se personazhi i Pirros, personifikon vet autorin e romanit. Romani shprehë dhembje dhe e mishëron lexuesin me personazhet, duke ndier vuajtjet e tyre. Gjuhës së romanit i jep një shije të veçantë përdorimi i disa fjalëve dhe shprehjeve të të folmës çame.

Romanet e Kondit kanë karakter mbarëkombëtar, sepse gati me të njëjtën ndjesi njerëzore shkruan për të gjithë shqiptarët e të gjitha trojeve etnike, duke lënë të hapura portat e problemeve të tyre. Arben Kondi është i çiltër me veten e vet dhe me lexuesit e veprave të tij, kur trajton probleme që duhet të shqetësojnë të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Me moshën që ka, përvojën, talentin, zellin e përkushtimin në punën krijuese, nga shkrimtari Arben Kondi presim edhe shumë vepra tjera të arrira.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …