Adil Fetahu: Gazeta Dielli për Çamërinë më 22 tetor 1917
Gazeta “Dielli” është gazetë me stazhin më të gjatë nga të gjitha gazetat e tjera në gjuhën shqipe. Botimi i saj nisi në shkurt të vitit 1909, në Boston. Fillimisht ishte organ i Shoqërisë “Besa-Besë”, e më vonë i Federatës Shqiptare “Vatra”. Botimin e saj e drejtuan personalitete të njohura të penave të afirmuara të letrave shqipe, si: Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Kristo Dako, e shumë të tjerë, deri te Anton Çetta. Editor aktual i gazetës “Dielli” është z.Dalip Greca.
Gazeta “Delli” kishte një program kombëtar, për ta ndihmuar pavarësinë dhe mëkëmbjen e Shqipërisë etnike. Udhëheqësit, aktivistët dhe anëtarët e “Vatrës”, përmes gazetës “Dielli”, dhe në mënyra të ndryshme ndiqnin me shumë kujdes e brengosje se ç’po ndodhte në atdheun e tyre, alarmonin opinionin ndërkombëtar, veçmas atë amerikan, kërkonin ndihmë për ta shpëtuar Shqipërinë nga rreziku që po i kanosej, si para, ashtu edhe pas pavarësisë së Shqipërisë londineze, gjatë luftërave ballkanike, gjatë dhe pas Luftës së Parë Botërore, kur tërë territori etnik shqiptar ishte nën okupimin e ushtrive të hueja: serbe, greke, malazeze, austrohungareze, franceze, italiane. Të gjitha ishin lëshuar si hijenat mbi trupin e Shqipërisë etnike dhe donin ta coptonin e ta gëlltitnin secili copën më të madhe. Shoqëria (Federata) “Vatra” bëri çmos ta ndihmonte atdheun.
Shumica e shqiptarëve të sotëm i dinë, dhe sipas rastit citojnë vargjet: “Mbahu nëno, mos kij frikë, se ke djemtë në Amerikë”, por pakkush e dinë të kujt dhe prej kur janë këto vargje. Ishin këto vargjet e Nolit, me të cilat “Vatra” hapi dhe zhvillonte fushatën për shpëtimin e Shqipërisë. Noli, në vitin 1917 e takoi presidentin Wilson, nga i cili kërkoi dhe mori garancion se do ta mbrojë pavarësinë e Shqipërisë (londineze), së cilës i kanosej rreziku i zhbërjes dhe ndarjes midis shteteve fqinje. Po, trojet shqiptare vazhdonin të ishin nën okupimin e shumë shteteve pretendente për copëtimin e tyre. Italia, si një nga fqinjët e përtej detit, kinse kishte rolin e mbrojtësit të Shqipërisë nga okupimi i shteteve tjera, por edhe ajo, në bazë të do marrëveshjeve të fshehta e të hapta, kishte synimet që, nëse Konferenca e Paqes do ta copëtonte Shqipërinë, kjo të merrte Jugun, prej Vlorës me një zonë të gjerë, duke përfshirë edhe Çamërinë. Populli i Çamërisë, që kishte vuajtur aq shumë nga okupimi grek, shpresonte se Italia do ta bashkonte Çamerinë dhe tërë Epirin me shtetin amë – Shqipërinë, dhe kështu do të ndreqej padrejtësia që i kishte bërë Konferenca e Londrës. Por, kur ushtria italiane u tërhoq dhe ia la ato troje Greqisë, çamërit e dinin se çfarë rreziku iu kanosej nga fashizmi grek, gjë që u vërtetua në vitet e mëpastajme. Ja se ç’shkruante gazeta “Dielli”, në numrin e 22 tetorit 1917, për braktisjen e Çamërisë nga ushtria italiane:
“ÇAMËRIA NË ZI”
Në numrin e djeshëm patëm lexuar një artikull të marrë nga gazeta “Korriere della Puglie” nën titullin e epër (“Çamëria në Zi”, a.f.), po duke mos ditur se gjer me ç’pikë ishte i vëretë ai lajm aq i hidhur, kishim lanë një shënim ku thoshnim se nuk ka asnjë lajm që të vërtetoheshin mi atë pikë.
Oh! Mjerisht lajmi qenka i vërtetë: z.Beqo Izeti Çami, pas disa letrave që u kanë ardhur atdhetarëve, na lajmëron me hidhërim ikjen e ushtrisë italiane prej viseve të Çamërisë. Nuk mund t’a vajtojmë Çamërinë londore. Çamërinë e bukur… atë diamantin e vyer të Shqipërisë. Kemi shpresë të madhe që Konferenca e Paqes t’a ndreqi gabimin e madh të Konferencës së Londrës dhe ta bashkojë me nënën e saj. Vetëm hidhërohemi me fatkeqësinë e atij populli që të hyjë nën sundimin e një qeverie gjakpirëse (greke,a.f.), gjersa të vijë ora që të gjykohet fati i tyre.
Çamëria është një pjesë e pandarë e Shqipërisë, nuk ka asnjë shenjë ta ndajë nga kombësia shqiptare. Nuk do të ketë asnjë zemër shqiptari që të mos tronditet nga fatkeqësia që po ngjet sot për popullin e ngratë të Çamërisë. Ndofta hidhërimi i këtij lajmi është i pakufishëm, por jo edhe fare dëshprues, se nuk mund t’i humbasim shpresat fare për Çamërinë.
Çamëria është vendi i burrave të dlirë, është vendi ku ka bërë fole shqiponja. Çamëria me bregdetin dhe pasuritë e saj tërhoqi syrin lakmonjës të armikut, se sa ta shikojë Çamërinë të ndarë nga prehëri i saj. Shqiptarët kështu mejtohen se nuk mund të bëhet Shqipëria pa Çamëri. Në është e mundur të rrojë trupi i njeriut pa zemër, aq mund të rrojë edhe Shqipëria pa Çamërinë.
Shqiptarët duke e çmuar këtë pikë do t’u duket më e ëmbël vdekja se sa hidhërimi i një plage të pambyllur. Çamëria s’mund të bëhet Greqi. Çamëria është vendi më i bukur i tërë atij anëdeti. Gjithë valët e Adriatikut atje në baltën e ëmbël të Çamërisë kërkojnë të mbështeten dhe të prehen. Ato valë që njëherë i priste Çamëria me nënqeshjen e saj bujare, sot i pret me sy të lotuar, ku lotët e saj trazohen bashkë me valët e atij deti. Nuk mundet Çamëria të martohet me një burrë nga i cili ndahet nga gjuha e me zakone. Mirë Evropa, e cila nuk ka mundur t’i ketë studiuar ato vise se çfarë kombësie përmbajnë, po Italia që i pa me sytë e saj se me sa nxehtësi i priti Çamëria ushtarët e saj, si mundet t’i lëshojë përsëri ato vise në duart e barbarisë greke? Çfarë mbrojtje tjetër është ajo që do na bëjë Italia: Si thotë z.Dhembeli: “Ah, ato buqeta me lule që u dhanë besalerëve, nuk do të jenë fishkur dhe le t’i hedhin mbi trupat e ftohta të atij populli fatzi”. Evropa duhet ta dijë se largohet fare nga e drejta, po t’a lejojë Çamërinë në duart e grekëve. Aleatët nuk do t’i përmbushin zotimet e tyre mbi parimet e të drejtave të kombeve të vegjël po ta dënojnë Çamërinë të ndahet nga mëma e saj. Shqiptarët po ta shikojnë se Konferenca e Paqes përsërit padrejtësitë e vjetra, krijimin e saj do ta quajë vetëm sa për ambiciet politike të shteteve të mëdha dhe do të përpiqen në dëmin e ekuilibrave… Një Shqipëri e coptuar pa zemrën e saj – Çamërinë, pa kryet e saj – Kosovën dhe Jakoven (Gjakoven), s’mund të ketë jetë të gjatë midis fqinjëve të saj lakmonjës. Shqiptarët duke e çmuar këtë gjë, do të thonë: më mirë një orë e me nder, se sa vjete e pa nder. Çamëria është nderi i tyre…”
“Dielli”, Boston, 22 tetor 1917 (Artikull pa emër autori)
Shënim: “Artikullin” e gazetës “Dielli”, për këtë shkrim e mora nga libri i Hajredin Isufit: Çamëria – nëpërmjet kronikave të kohës, 1902-1940; fq.212-214, për ta “ribotua” pikërisht pas 98 vjetëve (22 tetor 1917 – 22 tetor 2015).
Adil Fetahu: Ndaj popullit të Çamërisë është kryer gjenocid
E kam thënë sa herë, me gojë e me shkrim, kudo e kurdo që ishte rasti, se fashizmi në Greqi është shfaqur e ka vepruar shumë më herët se nacizmi dhe fashizmi gjerman e italian në prag dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në të vërtetë, në Greqi fashizmi është shfaqur e ka vepruar qysh prej çlirimit nga Perandoria Osmane, për çlirimin e së cilës kontributin më të madh e kanë dhënë vet shqiptarët që jetonin si vendas në trojet e veta, tash të okupuara nga Greqia. Pas Kongresit të Berlinit (1878), e veçmas në prag dhe pas Konferencës së Londrës (1913), shteti grek filloi ekspansionin e pushtimit të tokave shqiptare (Epirin, Çamërinë) dhe ishujve të Turqisë e Maqedoninë Veriore. Menjëherë pas pushtimeve, filloi spastrimin etnik të popullsisë jogreke (shqiptarë, turq, vllehë, hebrenj). Më së keqi e pësuan shqiptarët, si përkah përmasa e krimeve monstruoze që kreu shteti grek ndaj tyre, ashtu edhe nga pushtimi i pjesës më të bukur të tokës dhe bregdetit shqiptar. Krimet më monstruoze dhe gjenocidin mbi shqiptarët e Çamërisë, Greqia e ka filluar qysh prej vitit 1913, i ka përfunduar gjatë Luftës së Dytë Botërore (1940-1945), por diskriminimin ndaj shqiptarëve e ka vazhduar dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite, duke ua mohuar identitetin, ndaluar gjuhën e trajtuar si grekë të gjithë shqiptarët e besimit ortodoks.
Regjimenti XV i krahut komunist gjatë Luftës së Dytë Botërore (ELAS), në një komunikatë (nr.15, të datës 6 janar 1945), drejtuar refugjatëve të Çamërisë, i porositë ata të kthehen në vatrat e tyre kur të merret një vendim i përbashkët midis Shtabit të Përgjithshëm të ELAS-it dhe të autoriteteve shqiptare. Në atë komunikatë, mes tjerash shkruan: “…Të gjithë e dimë se populli i kësaj krahine këto vitet e fundit vuajti shumë nga mania e fashizmit (nënv.a.f.).Gjaku pothuaj kurdoherë i pafajshëm u derdh si lumë; gra e çiliminj u masakruan pa mëshirë dhe fshatra të tëra u zhdukën nga flaka. Nga këto të këqija në kohë të ndryshme pësuan dhe banorët e krishterë dhe ata myslimanë të rrethit. Veçanërisht drama e katastrofës dhe e masakrimit që tani kohët e fundit shkretoi elementin minoritar mysliman të kësaj krahine shquan si një krim të tmerrshëm brenda në historinë e gjakosur të viteve të fundit… Ata njerëz që hynë në krye për të bërë gjakderdhje, ata që bënë krime, ata që vodhën e që lyen duart e tyre të çndershme, gjak të pafajshëm me gjakun e të varfërve dhe njerëzve të ndershëm, këta qofshin të krishterë ose myslimanë, nuk do të shpëtojnë nga dënimi po me ndihmën tonë do të kapen dhe do t’i dorëzohen vet popullit që e torturuan për ato që bënë. Dhe ata myslimanë që nën urdhërat e Nuri Beut therën të krishterë, dhe ata të krishterë që të paguar dhe të drejtuar nga fashisti Zerva shkretuan fshatra myslimane dhe therën gra dhe fëmijë mysliman, të gjithë këta kriminelë nuk do t’i shmangen dënimit të tyre të drejtë…”. (Kastriot Dervishi: “Masakra në Çamëri – Përmbledhje dokumentesh”, fq.56).
Përmasat e krimeve të shtetit grek ndaj çamëve kanë të gjitha elementet dhe tiparet e gjenocidit. Këtë e kanë pohuar në studimet e tyre edhe disa studiues, historianë e profesorë grekë të cilët kanë dinjitet e pavarësi profesionale e shkencore, si profesori Stathis Kalivas, nga Universiteti Jale (ShBA), Konstandinos Ciceliqis nga Universiteti Padio (Greqi), e ndonjë tjetër. Ky i fundit, në një studim të paraqitur në vitin 2008 në atë Universitet, pohonte se forcat e ushtrisë çlirimtare greke (EDES), gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë kryer gjenocid ndaj çamëve, duke dhënë shifra edhe më të mëdha të atij gjenocidi, se që ka dhënë vet Shoqata e Çamëve. Ai gjenocidin e relativizon, duke thënë se atë e kanë kryer “një grup nëpunësish grekë”, por është konsekuent ndaj qëndrimit të vet për gjenocidin, pa marrë parasysh presionet politike, duke thënë se “nuk po flasim për çështje kombëtare, por për çështje dhe për fakte historike të dokumentuara”. Historiani tjetër grek, Niko Zhangu, për masakrat e bandave të Zervës, shkruan: “Duhet të shikojmë fytyrën tonë në pasqyrën e historisë dhe të na vie turp për ato që u bënë, sepse nuk janë në karakterin e popullit tonë”.
Mjerisht, zëra të tillë të ndërgjegjes profesionale, shkencore e njerëzore janë të rralla në mesin e qarqeve të shoqërisë greke, dhe ato nuk depërtojnë jashtë rretheve të tyre të ngushta. Ndërkaq, janë shumë më të shpeshtë, më të përhapur e më të zëshëm ata që edhe sot ushqejnë e zhvillojnë propagandë dhe praktikojnë ksenofobi e veprime fashiste e të gjenocidit, duke u nisur nga qarqet politike, diplomatike, shtetërore e kishtare. Doktrina fashiste është pjesë e Magaliidesë, qysh nga mesi i shekullit XIX, dhe ajo edhe sot vepron përmes lobeve, organizatave e aksioneve kriminale: “Agimi i artë”, KOG, MAVI, “17 Nëntori” etj, si mbeturina nga Lufta e Dytë Botërore, por që veprojnë të papenguara edhe në Greqinë “demokratike” e anëtare e NATO-s dhe BE-së! Kisha ortodokse greke është ajo që ushqen urrejtje e ksenofobi ndaj etnive jogreke, veçmas ndaj shqiptarëve. Klerikët e kishës greke, në një dorë mbajnë kryqin, e në tjetrën thikën e përgjakur. Ky fashizëm po e rritë urrejtjen edhe ndaj emigrantëve shqiptarë që tash punojnë në Greqi, mohon pakicat brenda Greqisë, ndërsa provokon me pakicën minore greke, madje edhe me ortodoksët shqiptarë në Shqipëri, duke i joshur ata me paga, pensione e pasaporta greke, vetëm që të regjistrohen si grekë; duke ndërtuar kisha të stilit grek, apo varreza gjoja të ushtarëve grekë në trollin shqiptar, me synime djallëzore e pretendime territoriale për “Vorio Epirin”! Nga ana tjetër, shqiptarët myslimanë të Çamërisë i ka vrarë, zhdukur e ndjekur nga vendi i tyre, ua ka uzurpuar e konfiskuar pronat dhe pasuritë, ua mohon të drejtën e kthimit e te kompensimit të pronave; shqiptarët ortodoks i ka asimilua e shndërrua në grekë, të cilëve nuk ua njeh statusin e minoritetit, ua ka ndaluar gjuhën amtare-shqipe, ka ndërruar e greqizuar të gjithë emrat e vendbanimeve, nuk iu lejon shqiptarëve çamë vizitat në vendin e tyre e të parëve të tyre. Fashizmi e gjenocidi ndryshe brina nuk ka!
Datat e përgjakshme të Çamërisë
Menjëherë pas pushtimit të Epirit, pushteti grek nisi masakrat ndaj popullit shqiptar. Faik Konica ynë, duke e njohur mirë shpirtin e lig të popullit grek, qysh në vitin 1897 e ka thënë: “Grekët e kanë një armë të frikshme: pabesinë” (“Albania”2, 1897). Dhe kjo thënie e Konicës u vërtetua menjëherë pas pushtimit të Çamërisë (1913). Me një pabesi e dredhi i mashtroi e mblodhi 72 burra më të njohur të parisë së Çamërisë, kinse po i thërriste shteti për një marrëveshje për rend e qetësi, pastaj i lidhi e masakroi në mënyrë mizore, për t’ia futur frikën gjithë popullit. Ato ditë masakruan e zhdukën edhe qindra shqiptarë tjerë të zgjedhur. Mizoritë e masakrat vazhduan deri në vitin 1922-24, kur një pjesë të popullsisë shqiptare myslimane, duke i trajtuar si turq, sipas marrëveshjes me Turqinë Greqia i shkëmbeu me grekët e Azisë së Vogël.
Krimet më të tmerrshme, në përmasa të gjenocidit, forcat monarko-fashiste greke i kryen ndaj shqiptarëve myslimanë të Çamërisë në periudhën e Luftës së Dytë Botërore (1940-1945). Dy muaj para se Italia ta sulmonte Greqinë (1940), pushteti grek mblodhi mbi 5000 meshkuj çamër (prej 15-75 vjeç) dhe i internoi në ishujt e largët të Egjeut, që ta eliminonte qëndresën çame. Më sa 400 prej tyre u vranë e masakruan gjatë rrugës ose në kampe, e më shumë tjerë vdiqën në ndërkohë, nga torturat, uria e sëmundjet. Nja 2000 e sa çamë që i kishte rekrutuar në ushtrinë greke, atyre nuk iu besua as iu dha armë për të luftuar, por kazma e lopata, e punë të dhunshme, për të thye gurë e ndërtua rrugë e istikame.
27 qershori 1944, njihet si “Nata e Bartolomeut” kundër çamëve myslimanë. Atë ditë, më se 5000 forca monarko-fashiste greke, nën komandën e gjeneralit famëkeq Napoleon Zerva, filluan aksionin e masakrave, plaçkitjes e djegëjes së gjithçkajës që identifikohej se ishte shqiptare. Në Paramithi e Margëlliq me rrethinë, vranë 728 veta. Dogjën të gjitha xhamitë e medresetë, ndërsa në xhaminë e qytetit të Paramithisë i dogjën të gjallë 40 gra e fëmijë që kishin shkuar aty për të gjetur strehim e shpëtim.
Mizoritë e masakrat e forcave greke nuk pushuan as ditëve në vijim, në korrik e gusht të atij viti. Është e shënuar, se në gusht të atij viti, 72 çamë trima luftuan heroikisht kundër 2500 forcave greke, dhe u shkaktuan 400 të vrarë e 600 të plagosur, derisa u vranë edhe vet të gjithë trimat shqiptarë. Qeveria Berisha, në vitin 1994, e shpalli (me dekret) 27 qershorin 1944, Dita e gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek, dhe ngritjen e një monumenti në Konispol.
Natën ndërmjet 23/24 shtatorit 1944, Filatin e Spatarin e kishin rrethuar forcat greke, gjithë popullatën e tubuan para xhamisë së fshatit Spatar. Aty sulmuan e plaçkitën popullin e tubuar, ndërsa femrat i çnderuan e disa edhe i masakruan, duke ua prerë veshët, hundën, gjinjët. Sipas dëshmive të atyre që kishin parë e përjetuar masakrën që bënë forcat greke, bëjnë të ditur se atë ditë u vranë e masakruan 47 burra, gra e fëmijë në mënyrën më barbare, kurse në aksionin e zhvilluar po atë ditë nëpër shtëpitë në Spatar, u vranë e zhdukën 175 veta, shumica e tyre që kishin ardhur nga fshatrat tjera. Gratë dhe vajzat u dhunuan e masakruan. Dëshmitë e dëshmitarëve që kanë përjetuar e mbijetuar ato mizori, të cilët në shkurt të vitit 1947 i kanë dhënë para një Komisioni në Delvinë, tregojnë për tmerre e skena makabre të krimeve që kishin bërë forcat greke. Dhe ato krime e ai gjenocid ndaj çamëve nuk u ndal, deri sa nuk mbetën më çam-mysliman në Çamëri. Të tjerët, ata të besimit të krishterë i diskriminoi, ua mohoi përkatësinë etnike, ua ndaloi gjuhën amtare dhe i asimiloi e shndërroi në grekë.
Kryekrimineli i masakrave dhe gjenocidit, Napoleon Zerva, që mjerisht edhe vet ishte arvanit, sikur edhe shumë kriminelë të tjerë, para se të vdiste, kishte lënë një deklaratë si amanet të vetin: “Vdes i qetë se bëra atë që doja. Pasi lash rrëke gjaku, tym, blozë, gërmadha, uturima fëmijësh, nuse e gra nudo që futeshin në furrat e ndezura, që të mos pillnin më shqiptarë, … burra të varur e të shpuar me bajonetë. Gjuha shqipe nuk do të flitet më në tokën helene. Kjo më kënaqë mua, ashtu siç kënaqë tërë shpirtërat helenë”!
Kujtimi për ato data të përgjakshme, ato vuajtje, ato masakra, ato viktima e ato sakrifica të shqiptarëve të Çamërisë, është obligim yni i përhershëm. Ngjarjet makabre të gjenocidit grek nuk mund të numërohen dhe identifikohen të plota e me saktësi, por edhe vetëm këto që u përmendën më lart, duhet ta tronditin ndërgjegjen njerëzore, veçmas të atyre që munden dhe duhet ta gjykojnë ideologjinë dhe politikën fashiste të Greqisë, e ta detyrojnë atë për të lejuar kthimin e çamëve në pronat e veta dhe t’ua kompensojë dëmin e shkaktuar tash e një shekull.
Më bëhet se këtij shkrimi të rikujtimit të datave të masakrave greke mbi çamët, i shkojnë vargjet e një poezie (nga përmbledhja: “Zog dhe gur”), e shkrimtarit të ndjerë Azem Shkreli, të cilin e kisha shok klase në Normalen e Prishtinës: “Sonte /Qava sonte për ty/ Arbëri/ Nuk më vjen turp/ Pse qava/ Më vjen turp pse s’munda/ Të bëj tjetër/ Nga turpi qava”/
E unë, qava nga dhembja e madhe për tragjiken çame.
(23/24 shtator 2015)