*Ibrahim Kadriu: PENGU roman , mbështetur në ngjarje të vërteta; botoi ShB “PENA”, Prizren, 2020)
Jeta është e pa parashikueshme. Është herë e ndritëshme, herë e errët; herë e ëmbël, herë e hidhur, herë e lumtur, herë e trisht. Nuk e di njeriu se çka sjell momenti i ardhshëm, lere më se çka sjell tërë jeta. Gjithçka mund të ndryshojë në një moment. Për diken jeta është romansë, për tjetrin është dramë, tragjedi, ferr. Ngjarjet tragjike që zakonisht “ndodhin” në libra ose në filma, kryeprotagonistit të romanit “Pengu”, Azem Behlulit, i kanë ndodhur realisht në jetë. Për tragjedinë e atij njeriu, shkrimtari ynë Ibrahim Kadriu ka shkrua roman historik, mbështetur në ngjarje të vërteta, të mësuara nga historianët dhe të rrëfyera nga vet kryepersonazhi.
Fabula e romanit “Pengu” është kjo: i ati i Azemit, Jetish Behluli nga Budakova e Prizrenit, ishte një kaçak i njohur i lëvizjes kaçake, bashkëluftëtar me Ilaz Reçakun, i njohur si Çorr Ilazi, e me shumë të tjrerë, të cilët luftonin kundër pushtuesit dhe tiranisë së regjimimit okupues serb. Regjimi serb bënte terror e represalje dhe ndërmori aksion të gjërë për çarmatosjen e shqiptarëve. Shumë shqiptarë nuk pranuan t’i dorëzonin armët, por kishin vendosur ta luftonin atë regjim dhe për këtë dolën maleve e formuan çeta kaçakësh. Numri i kaçakçve arriti në më se 10 mijë veta, dhe u shndërrua në një lëvizje politike me program dhe kërkesa për çlirim prej Serbisë. Për të shuar lëvizjen kaçake, pushteti serb, përveç luftës kundër tyre drejtpërdrejt, bënte represalje dhe torturonte familjarët dhe të afërmit tjerë të kaçakëve, por edhe tërë popullsinë që përkrahte lëvizjen kaçake, në mënyrë që t’i detyronte ata të dorëzoheshin. Torturat ishin nga më të ndryshmet e më të brutale, me vrasje, burgosje dhe internim të familjarëve, djegëje të shtëpive dhe konfiskim të pasurisë. Vetëm në janar dhe shkurt të vitit 1919, ushtria, xhandarmëria dhe serbët lokal të armatosur, kishin vrarë 6.040 veta dhe djegur 3.873 shtëpi (Noel Malkolm: “Kosova – një histori e shkurtër”,fq.284). Në janar të vitit 1919, autoritetet serbe, krahas trysnisë dhe represaljeve tjera, kishin shpallur një proklamatë për amnistinë e kaçakëve që do të dorëzoheshin deri më 20 mars, me kërcënimin se pas atij afati, gratë dhe fëmijët e kaçakëve do t’i arrestonin dhe internonin në qytetet e Serbisë.
Azem Behlulin, së bashku me nënën e tij (Bahtije), motrën (Kadë) dhe shumë gra, fëmijë e burra shqiptarë nga Kosova e Maqedonia, i kishin marrë peng ushtria bullgare gjatë Luftës së Parë Botërore, ua kishin plaçkitur e djegur shtëpitë dhe këta i kishin dërguar në kamp në qytetin e Zajeçarit. Pas dorëzimit të ushtrisë bullgare, ushtria franceze i kishte liruar të marrurit peng, të cilët ishin këthyer këmbë në Kosovë e në Maqedoni, nëpër mot të ftohtë, të lodhur e të uritur dhe me veshmbathje të dobët, duke pushuar natën e ndezuir zjarre për t’u nxe. Azemi thotë se pas një viti qëndrimi në kamp, për herë të parë ishte ngi bukë misri e fasule me mish të terur në një shtëpi shqiptari kur kishin arritur në Gjilan.
Pasiqë xhandarmëria serbe ia kishin plaçkitë dhe djegur shtëpinë në Budakovë, i ati i Azemit (Jetishi) kishte blerë shtëpi dhe tokë në Medvec të Lipjanit, por si kaçak që ishte nuk guxonte të rrinte në shtëpi të vet, kështu që Azemi edhepse ishte këthyer nga internimi (dhjetor 1918), nuk e kishte takuar të atin asnjëherë. Që fatkeqësia të bëhej edhe më e madhe, e ëma e Azemit kishte vdekur pak kohë pas këthimit nga internimi, ashtu që Azemi dhe motra (Kada) kishin mbetur jetimë, për të cilët kujdeseshin fqinjtë. Pas tre-katër muaj qëndrimi në Medvec, tash ushtria serbe që ishte kthyer pas përfundimit të Luftës së Madhe, i kishte marrë përsëri dhe internuar në Nish, ku kishin qëndruar një vit. Pas një viti qëndrimi në Nish, të marrunit peng i kthejnë në Kosovë e Maqedoni. Shtëpinë në Medvec ua kishin djegur, prandaj Azemin dhe motrën e tij i vendosin në një familje të atij fshati, me shpresë se do të kthehej iati për t’i takuar, e që xhandarmëria ta zente kaçakun e rrezikshëm. Pas tre muajve të qëndrimit në Medvec, përsëri i marrin Azemin e Kadën dhe përmes Prishtinës e Shkupit i çojnë dhe vendosin në një shtëpi për fëmijët jetimë në Kragujevc. Para se t’i regjistronin në shkollë fillore, një vit duhej ta mësonin gjuhën serbe. Aty e kryejnë shkollën fillore dhe Azemi vazhdon Shkollën e Mesme Teknike Ushtarake. I ati i Azemit në ndërkohë kishte dalë në Shqipëri, ishte martuar dhe kishin bërë edhe fëmijë tjerë, ndërsa me letra kërkonte nga organet e Serbisë t’ia lejonin fëmijët të shkonin në Shqipëri, por nuk ia lejuan. Pas kryerjes së shkollës së mesme, Azemi e kryen edhe shërbimin ushtarak, dhe pastaj punësohet në Beogradit. Në kohën e Informbyrosë Azemi ishte dënuar dhe kishte mbajtur 6 vjet burgim në Golli Otok (1948 – 1954). Gjatë rrëfimit kur i kujtonte Azemi ato vuajtje, prekej aq shumë sa që humbej në mendime dhe nuk ishte në gjendje të vazhdonte bisedën me gazetarin që zhvillonte intervistën! Pas lirimit nga burgu, ishte kthyer në Beograd, ishte punësuar dhe martuar me një serbe nga Prizreni, me të cilën kishin dy djem. Motra e Azemit (Kada) punonte si shitëse në një ndërmarrje tregtare në Beograd. Kështu, Azemi ishte stabilizuar, kishte krijuar familje dhe tash jetonte në lagjen më elite në Beogradin e Ri. Por, me qenë se ishte internuar si fëmi i vogël dhe kishte jetuar në rrethet ku flitej vetëm gjuha serbe, Azemi e kishte harruar shqipen krejtësisht, ndërsa për vete thoshte se e ndjen veten shqiptar dhe i vjen keq që si shqiptar nuk e di shqipen.
Për rastin e Azem Behlulit, gazetari Bekim Përroi kishte dëgjuar nga një historian, prandaj kishte vendosur të shkonte në Beograd për të biseduar e mësuar më shumë dhe për të botuar një fejton për biografinë interesante të Azemit. Gjatë udhëtimit me tren, prej Fushëkosove për Beograd, në të njëjtën kupe ishte edhe boksieri Lirik Dashi, i cili po shkonte për në Zagreb, ku duhej të boksonte në një ndeshje. Udhëtimet e shqiptarëve me tren nëpër Jugosllavi gjithherë kanë qenë të përcjellura nga spiunët e sigurimit serbë. Në kupenë ku ishin Bekimi dhe Liriku, kishte hyrë një trashalluk serb, ishte mbështetur pranë dritares dhe bëhej sikur po flente, herë-herë duke gërhatë e përjargur. Këta të dy bisedonin mes vete për tema të ndryshme, ndër të tjera edhe për padrejtësitë, diskriminimin dhe vuajtjet që po përjetonin shqiptarët nga regjimi serb. Trashalluqi që ishte lindur e rritur në Kosovë, e dinte mirë shqipen, por edhe e kishte inçizuar bisedën e tyre me mikrofon të fshehur brenda sakos së tij dhe para se të arrinin në Beograd iu tregon patrullës së policisë për bisedën e “separatistëve dhe terroristëve” shqiptarë, të cilët policia i ndalë dhe maltreton tërë natën, e të nesërmën i lirojnë. Boksieri vazhdon rrugën për Zagreb, ndërsa gazetari vendoset në Hotelin “Prag” në Beograd. Në restorantin e hotelit, kamarierja e bukur Zdenka, perveç se i shërben me mirësjellje gazetarit, i falë një buzëqeshje të lezetshme. Gjatë pushimit në dhomën e hotelit, gazetari dëgjon sirenën e ndihmës së shpejtë, avitet pranë dritares, e shtynë perdën për të parë se çka po ndodhte. Kamarierën dikush e kishte therrë me thikë. Policia që ishte në vendin e ngjarjes e vërejnë tërheqjen e perdës së dritares ku ishte gazetari Bekim. E pyesin recepcionistin e hotelit, kush ishte në atë dhomë. Kur marrin vesh se aty ishte një shqiptar, dyshimi për plagosjen e kamarieres binte mbi Bekimin. E marrin në polici, zhvillojnë hetimet, i bëjnë një fotoportret dhe shkojnë në spital ia tregojnë foton kamarieres së plagosur, por ajo tregon bindshëm se ky nuk ishte atentatori, veç një trashalluk me mjekër të gjatë e të zezë. Bekimin e lirojnë dhe ky vazhdon qëndrimin në të njëjtin hotel dhe takimet me Azemin në Beogradin e Ri, për të përfunduar intervistën. Boksieri (Liriku) ishte kthyer të nesërmën për ta takuar Bekimin në hotel dhe i tregon se si i kishte ndodhur kur referi serb pa nevojë i kishte numëruar dy herë gjatë ndeshjes, në mënyrë që fitorën t’ia jepte boksierit serb, e ky i nervozuar e godet dhe nokauton vet referin, prandaj e kishin diskualifikuar dhe dënuar me ndalim të boksit përjetë. Edhe gazetari i tregon boksierit ngjarjen që i kishte ndodhur dhe që për atë shkak, atë ditë nuk kishte mund të shkonte për të biseduar me personazhin për të cilin kishte ardhur në Beograd. Gazetari kishte shkuar në spital e kishte vizituar kamarierën e plagosur dhe e kishte falënderuar për deklaratën e saj të sinqertë. Prej asaj vizite, marrëdhëniet midis Bekimit dhe Zdenkës ishin gjithnjë më të afërta, sa që pas dhjetë ditëve që Bekimi ishte kthyer në Prishtinë, Zdenka, që ishte studente e turizmit, i kishte ardhur Bekimit në shtëpi dhe ishte mirëpritur nga tërë familja.
Gjatë tri ditëve që Bekimi kishte zhvlluar bisedën me Azem Behlulin, tri herë të marrur peng, e që e treta ishte e vërteta e humbjes së tij për tërë jetën, kishte mësuar për vuajtjet jo vetëm të Azemit, por edhe të shumicës së shqiptarëve nën regjimet e ndryshme që ishin ndërruar në Kosovë. Gjatë rrëfimit të tij, Azemi shpeshherë ia përsëriste gazetarit fjalinë: “E more çun, unë kaherë e ka kuptuar se sa vështirë është të jesh shqiptar”! Natyrisht, Bekimi si gazetar i informuar mirë, e kishte njohtuar Azemin edhe me padrejtësitë, diskriminimin dhe presionin që regjimi aktual serb i bënte kundër shqiptarëve.
Shkrimtari Ibrahim Kadriu, që deri më tash ka botuar mbi 60 vepra të zhanreve të ndryshme letrare, sikur është specializuar për shkrimin e romaneve historike. Nga tridhjetë romane të botuara deri më tani, nja 11 sish janë romane me tematikë historike, për personalitete dhe ngjarje të ndryshme të vërteta. Sipas përmbajtjës, në tituj të romaneve historike mund të përfshihen romanet: “Qerrja e dritës”; “Çuni i kohës së Lekës” “Pjella e dreçit”; “Kapërcimi i ujit të madh”; “Misioni rus”; “Njeriu me pelerinë”; “Të vdekurit e gjallë”; “Varri i shitur në Damask”; “Ata dy të burgjeve”; “Lotë Vaku”; “Pengu”.
Përmes rrëfmimesh dhe argumentesh të ngjarjeve dhe të personaliteteve historike, autori ka mbarështruar artistikisht drama jetësore, duke lidhur fatin e individëve me fatin kolektiv të popullit. Me romanet e tij historike, shtrirë në kohë dhe hapësirë, në ngjarje e personazhe, autori sjell në mbamendje historinë e popullit tonë.
Romani “Pengu”, përveçse është histori e vërtetë, ashtu si është i punuar me mjeshtri artistike, përmes personazhit kryesor (Azemi), por edhe të personazheve dytësorë: gazetarit (Bekimi), boksierit (Liriku), kamarierës (Zdenka),- është një ndërthurje e mirë edhe psiko-sociale, me përjetime emotive dhe estetike. Gjysma e romanit është histori e vërtetë për vuajtjet dhe jetën e kryepersonazhit, ndërsa gjysma tjetër është prodhim i fantazisë së autorit, gjithnjë duke e ruajtur primatin e aspektit historik të vuajtjes së individëve dhe të tërë popullit shqiptar nën okupimin serb.
Lexuesi i rëndomtë, i ngarkuar me marrëdhëniet historike dhe aktuale shqiptaro-serbe, do të mund të vërente si të tepruar dhe joreal shtjellimin e raporteve të krijuara aq shpejt dhe aq të afërta midis gazetarit (Bekim Përroit) dhe kamarieres serbe (Zdenka Protiq), por këtë autori e ka bërë me mjeshtri, për të thyer monotoninë e zymtësisë historike, së cilës ia ka kushtuar pjesën kryesore të romanit.
Me veprat e tij të shumta, disa të ribotuara nga disa herë dhe të përkthyera në gjuhë të hueja, me vlerësimet dhe çmimet e shumta letrare që ka marrë, Ibrahim Kadriu edhe për së gjalli i ka siguruar vetes prestigjin e krijuesit të afirmuar në letërsinë shqipe dhe afirmimit të saj në hapësira ndërkombëtare.
Adil FETAHU