Arbëreshët kontribuan në çlirimin dhe bashkimin e Italisë. Ata mbi pesë shekuj edhe ruajtën gjuhën, kulturën, traditat, virtytet shqiptare
Ngulitja e shqiptarëve në Itali
Dyndjet dhe ngulimet e shqiptarëve në Itali, historiani Primaldo Koko i renditë duke filluar nga viti 1272 e deri më 1794 kur, sipas tij, është edhe vala e fundit e emigrimit (këto të kohës sonë, pas vitit 1990, janë kapitull tjetër historik,v.j.). Ai thotë se ka pasur mbi 250 mijë arbëreshë në Itali. Shqipëria e asaj kohe quhej Arbëri, prandaj shqiptarët e shpërngulur quheshin Arbëreshë. Autorë të lashtë, Plini e Festusi thonë se tërë popullsia në Jugun e Italisë: Apulia, Kalabria, Toskana, janë me origjinë ilire, të fiseve Japige, Darde, Salentine, Pedikule, etj. Edhe në kohën e Perandorisë Romake, në Romën e vjetër kanë shkuar shumë shqiptarë (ilirë), sepse Roma kishte tri kërkesa kryesore prej provincave të pushtuara: pagesën e haraçeve dhe taksave; kryerjen e detyrimit ushtarak; dhe respektimin e autoritetit romak. Është e ditur se deri në vitin 395 të erës sonë, 27 perandorë të Romës kanë qenë me prejardhje ilire ose nga Ilirikumi ndër të cilët më të njohur ishin Diokleciani dhe Konstantini i Madh.
Marrëdhëniet dhe partneriteti italo-shqiptar kanë një histori të gjatë dhe ato janë intensifikuar sidomos në kohën kur Skenderbeu ishte prijës i luftërave, jo vetëm në Shqipëri. Në vitin 1443, mbreti i Napolit, Alfonsi, kërkoi ndihmën e shqiptarëve, për të shtypur rebelimin e banorëve dhe pretendimet e francezëve për ta pushtuar Napolin. Me ndihmën e shqiptarëve, prej 4000 vetash, të komanduar nga Demetrios Rera dhe dy djemtë e tij: Gjergji dhe Bazili, arriti ta shtypë kryengritjen dhe t’i zmbrapë francezët. Si shpërblim për këtë meritë, mbreti e emëroi Reren guvernator të Kalabrisë, dy djemëve të tij iu dha pozita të larta ushtarake, ndërsa ushtarëve shqiptarë iu dha toka në zonën malore të provincës Katanzaro. Aty u bë ngulitja e parë e Arbëreshëve në Itali. Prej vitit 1448 e tutje në Itali kanë imigruar shqiptarë të tjerë (edhe mercenarë), të cilët janë shquar dhe mirëpritur në luftërat e zhvilluara atje. Kalorësia shqiptare, me emrin stratiotët, u bë e famshme gjatë luftërave të Italisë kundër pushtuesve francezë, spanjollë dhe austriakë.
Pa kaluar as 20 vjet, më 1461, për të njëjtat arsye mbreti i Napolit, Ferdinandi I, djali i mikut të ngushtë të Skënderbeut, mbretit Alfonsi, kërkoi përsëri ndihmën e shqiptarëve, për ta parandaluar pushtimin e mundshëm francez. Këtë herë, Skënderbeu me 4000 ushtarë, kalorësit e tij, ndihmoi shtypjen e kryengritjes, në betejën e njohur të Puglias dhe shpëtoi mbretërinë e Napolit. Pas betejës, 2000 ushtarë të Skënderbeut mbetën si ndihmë Napolit për t’u mbrojtur nga rebelimet dhe mësymjet e mundshme. Për falënderim dhe shpërblim për këtë ndihmë, mbreti iu dha ushtarëve toka në provincën e Avelinos, që përfshinte edhe fshatin Greci, i cili do të bëhet qendër e njohur e Arbëreshëve. Ushtarët dhe emigrantët shqiptarë në Itali themeluan mbi 50 fshatra të tyre, të cilat lulëzuan dhe u zhvilluan, në të cilat flitej dhe ruhej gjuha shqipe. Nga fshati Greci ishte edhe mësuesi i poetit tonë të madh, Gjergj Fishta. Ai ishte një shkrimtar i njohur e prift françeskan, At Leonardo de Martino, i cili shërbeu një kohë të gjatë në Shqipërinë e Veriut. Në vitin 1960, Martin Camaj kishte shkuar në fshatin Greci për të studjuar të folmën e shqipes nga Arbëreshët e atjeshëm. Në funt të studimit të tij Camaj, ndër të tjera shkruan: “…Më lejoni të shpreh diçka për vlerën atdhetare e shpirtërore të Grecit. Më lart unë fola për specifikat kulturore, sepse edhe në lidhje me dialektet e tjera të arbërishtes “a la katunçe”, Greci është unik në botë dhe në fakt në asnjë fshat nuk flitet kaq ekzaktësisht si flitet në Greci. Unë jam i gëzuar që kjo shtojcë për kulturën e Grecit arriti deri aty sa mua të më jepet titulli qytetar i nderit…Por, ka edhe një arsye tjetër që më jep kënaqësi të identifikohem me ju dhe kjo është arsyeja më e natyrshme në botë: Greci është një fshat shqiptar dhe unë jam Shqiptar”, shkruante Camaj.
Një valë e madhe e shpërnguljes së shqiptarëve-arvanitë dhe ngulitja e tyre në Itali konsiderohet ajo nga Morea me rrethinë (Peloponezi). Arvanitët e Moresë, me 200 anije u shpërngulën në vitin 1543, pas pushtimit otoman të Peloponezit. Sipas marrëveshjes me mëkëmbësin e mbretit të Dy Sicilive, Don Pedro, ata u vendosen në Bazilikatë, në Pulje, në Secili e gjetkë. Pasardhësit e tyre, edhe sot e kësaj dite e kujtojnë kohën e shpërnguljes dhe vendin e tyre të prejardhjes, me këngën e njohur:
More, e bukura More,
si të le e më s’të pe!
Atje kam zotin tatë,
atje kam zonjën mëmë,
atje kam dhe tim vëlla
gjithë të mbuluar me dhe!
Shpërngulja dhe vendosja e shqiptarëve në Itali, në valë të ndryshme, u bë nën rrethana e kushte të vështira. Republika e Venedikut, për interesa të veta ekonomike, kishte urdhëruar që kalimi përtej Adriatikut të bëhej vetëm me anijet veneciane. Ai që nuk ishte në gjendje të paguante udhëtimin, duhej të punonte pa pagesë për Republikën 10 vjet rresht! Të shpërngulurit i mbanin larg qyteteve, nga frika se mos do të organizoheshin për të rrëzuar qeveritë. Nga ana tjetër, kleri vendor bënte punën e tij të përçarjes midis ardhacakëve të cilët u përkisnin dy besimeve fetare: ortodokse e katolike.
Përhapja dhe shpërndarja e Arbëreshëve në Itali është e madhe, ndonëse në ndërkohë shumë sish kanë emigruar në Amerikë e Argjentinë. Sipas një statistike që jep Eugenio Barbarih në revistën “L’Albania”(1905) për arbëreshët e vendosur në provinca të ndryshme të Italisë, del se në 80 koloni, fshatra e vendbanime të ndryshme, ishin 209.000 arbëreshë, të shpërndarë:
-në provincën e Kozencës, 33 koloni me 60.000 banorë arbëreshë,
– në provincën e Katanxaros 13, fshatra-koloni, 20.000,
– në provincën e Potenco-s 5 fshatra me 11.000 ,
– në provincën e Foxhia-s 8 koloni, me mbi 26.500,
– në provincën e Kampobaso-s 5 koloni me mbi 16.000,
– në provincën Lece-s, 10 fshatra-koloni, me 30.000,
– në provincën Palermo-s, 4 koloni me 22.500 dhe
– në provincën Katania-s, 2 koloni me 21.000 banorë arbëreshë, duke shtuar edhe 2000 “frymë” në Girxhenti dhe Teramo (Burimi: Gent Ulqini, “Shqipëria dhe Shqiptarët”, libri 4, fq.8-12).
Me kalimin e kohës, shumë Arbëreshë janë shpërndarë nëpër qendra e qytete tjera të Italisë dhe shumë sish kanë emigruar në shtete tjera të Europës dhe të Amerikës. Kështu që, sipas regjistrimit të vitit 1966, si popullsi që flasin gjuhën shqipe – arbëreshe, ishin deklaruar e regjistruar (vetëm) diçka më shumë se 84.000 veta: në krahinën Kampobaso 10638; në Foxhia 4.833; në Potenca 11.445; në Kozenca 37.877; në Katanxaro 10.011 dhe në Palermo 9.571. (Denisa Tare: “Arbëreshët e Italisë dhe Çështja Shqiptare”, temë e doktoratës, dorëshkrim,2016; fq.xxv-xxvi).