Figura të shquara të Arbëreshëve të Italisë
Nga Arbëreshët e Italisë kanë dalë figura të shquara: priftërinjë, peshkopë, papë, poetë, shkrimtarë, publicistë, folkloristë, filologë, politikanë, diplomatë, historianë, biznismenë, anëtarë parlamenti, ministra, kryeministër, profesorë univeristetesh, ushtarakë, prijës të revolucionit, intelektualë dhe dijetarë të fushave të ndryshme, të njohur jo vetëm në Itali e në Shqipëri, por edhe në mërgatën e Amerikës dhe në Europë. Shumica prej tyre kanë qenë me profesion dhe shërbim priftërinjë ortodoksë të ritit bizantin, por krahas atij profesioni kanë dhënë kontribut të madh edhe në fusha tjera. Ndër ta, të përmendim emrat më të njohur: Gjergj Basta, Lekë Matrënga, Papa Klementi XI, Nikolla Ketta, Jul Variboba, Demetrio Kamarda, Jeronim De Rada, Francesko Krispi, Nikolla Barbato, Anton Santori, Zef Serembe, Zef Skiroi, Ernesto Sabato, Karmine Abate, Gjergj Guxeta, Feliçe Rodota, Nikollë Filja, Pal Maria Parrino, Gjergji Stasi, Gavril Dara i Riu, Anselmo Lorensio, Francisk Muzaka,Toni Petrota, Domeniko Belushi (as.Vorea Ujko), Lluka Perone, Karmel Kandreva, Sotir Ferrara, Antonio Gramshi, Jozef DioGuardi, Paolo Petta, Francesko Altimari, Mateo Mandale, etj. etj. (Emrat e tyre në origjinal janë të shkruar në trajtën e gjuhës italiane, me alfabetin latin, me titujt kishtar para emrit të tyre “At”; “Papa”; “Imzot”, por ne këtu i transponuam përshtatur gjuhës shqipe, ashtu sikur i kemi mësuar dhe i njohim nga historia e letërsisë). Kontributi i tyre në kulturën, letërsinë dhe lëzivjen çlirimtare për bashkimin e Italisë, ishte i madh dhe është çmuar lart. Por, ajo që ne shqiptarët na bënë të krenohemi, është kontributi i tyre në ruajtjen, kultivimin dhe përhapjën e gjuhës, arsimit, kulturës, dokeve dhe traditve shqiptare, tash e afro 600 vjet.Secili prej tyre dha kontributin në mënyrën dhe në fushëveprimin e vet, por më i vyeshmi ndër ta ishte Jeronim de Rada, për të cilin edhe shkrimtari legjendar francez, Viktor Hygo, ishte shprehur me fjalë lavdie: “De Rada është një poet origjinal dhe sublim. Ai që dëshiron ta shohë realizmin e përkryer të poezisë moderne romantike, le t’i lexojë ‘Këngët e Milosaos’ të zotri Jeronim de Rada”.
Me punën dhe veprat e tyre, Arbërshët dhe në bashkëpunimin me kolonitë, shoqëritë dhe diasporën shqiptare në Rumani, Egjypt, Sofje, Amerikë, ndihmuan në ngritjen e vetëdijës kulturore e politike kombëtare shqiptare dhe të pavarësisë së Shqipërisë.
Kontributi i Arbëreshëve për çlirimin dhe bashkimin e Italisë
Është e ditur se shqiptarët kontribuan në luftërat e revolucione për çlirimin e popujve, formimin dhe udhëheqjen e shteteve të ndryshme: Egjiptit, Rumanisë, Greqisë, Italisë.
Pas Kongresit të Vjenës (1814), Italia ishte e ndarë dhe copëtuar në 7-8 principata të ndryshme, me sundimtarë francezë (Burbonët), spanjollë e austriakë. Për t’u çliruar nga sundimi i huaj dhe për bashkimin e vendit, ishte formuar lëvizja e njohur “Risorxhimento”, në të cilën ishin përfshirë edhe Arbëreshët liridashës. Ata ishin qytetarë të denjë, besnikë, punëtorë dhe luftëtarë të dalluar, që morën pjesë në ndërtimin, përparimin dhe mbrojtjen e vendit mikpritës dhe kontribuan shumë në luftërat për çlirimin dhe bashkimin e Italisë, që u zhvilluan prej vitit 1843 deri në vitin 1870. Lëvizja dhe revolucioni për çlirimin dhe bashkimin e Italisë nisi dhe u zhvillua në Sicili dhe Kalabri, aty ku ishin ngulimet kryesore arbëreshe. Ata formuan komitete dhe çeta luftëtarësh, të prirë e komanduar nga Arbëreshë të shquar, si: Françesko Krispi, Domeniko Mauro, Domeniko Damici, Petro Piedestalci, Vinçenco Stratigoi, Gjovani Paçe, Muço Paçe, Guljelmo Toçi, Francesko Pete, etj. Një jehonë të madhe bëri atentati i ushtarit arbëresh Anxhisilano Milano (dhjetor 1856) kundër mbretit burbon Ferdiandi II, me ç’rast mbreti kishte shpëtuar në saje të parzmores mbrojtëse, kurse atentatori u ekzekutua me varje. Xhuzepe Garibaldi, figura më e njohur e lirisë, pavarsisë dhe bashkimit të Italisë, kishte plot fjalë lavdie për kontributin, trimërinë dhe virtytet e vullnetarëve arbëreshë të cilët iu kishin bashkuar luftëtarëve të tij. Korpusi i parë i përbërë prej 1860 luftëtarësh arbëreshë që iu bashkuan Garibaldit, i detyruan trupat burbone t’i dorëzonin armët. Garibaldi theksonte aftësitë ushtarake e politike dhe kontributin e arbëreshëve për lirinë dhe bashkimin e Italisë, duke thënë: “Arbëreshët janë heronjë, të cilët janë dalluar në të gjitha luftërat kundër tiranisë”. Në shenjë mirënjohje, më 20 tetor 1860, Garibaldi kishte dhënë këtë dekret: “Duke marrë parasysh kontributin e shënuar që trimat dhe zemëbujarët arbëreshë i kanë dhënë çështjes kombëtare, deklarojmë: Sa të mbarojnë nevojat e kësaj lufte dhe të bëhet bashkimi i Italisë, Thesari i Napolit detyrohet të derdhë menjëherë 12 mijë dukatë për zgjërimin e Kolegjit të San Adrianos. Zbatimin e këtij dekreti e vë nën garancinë e Kombit dhe të sovranit zemërgjerë”. (Arbëreshët e Italisë dhe Çështja Shqiptare…” fq.14).
Për karakteristikat e arvanitëve të shpërngulur në Itali, M. Sanuto, shkruante: “Janë të armatosur shumë më lehtë se frëngët dhe pothuajse pa torakse metalike, por kanë një përgatitje të mrekullueshme për kalorësi dhe në përdorimin e armëve. Janë të shpejtë, të rrezikshëm, të stërvitur dhe tepër të aftë për luftë. Veshja e tyre, armatimi i tyre, straegjia e tmerrshme dhe taktika luftarake që kanë përvetësuar, është për ta një sistem që i dedikohet traditës së lashtë që kanë pasur dhe i bënë ata tepër të pashoq”.