Adil Fetahu

Adil Fetahu: Korrespondenca midis patriotëve, Ibrahim Shyti dhe Josif Bageri

Derisa për rilindasin, Josif Bageri dihet në qarqet letrare dhe intelektuale, për një rilindas e patriot tjetër të shquar, Ibrahim Shyti, mik dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Bagerit dhe i shumë rilindasve e patriotëve tjerë, pak kush e di dhe askush nuk flet për te.

Në një letër që Ali Asllani i shkruante Ibrahim Shytit (4 tetor 1959), kur i kërkonte ndonjë dokument, letër, gazetë a foto për Lumo Mamaqin, ndër të tjera i shkruante: “T’i kujtojmë të tillë shokë, që nesër të na kujtojnë edhe ne…”. Dhe, vërtetë, ata që dhanë kontribut për çështjen kombëtare, duhet t’i kujtojmë përherë e të mos i harrojmë kurrë. Prandaj këtë shkrim ia kushtova patriotit e veprimtarit vlonjat, Ibrahim Shyti, i cili dha gjithçka për vendin dhe popullin e vet, e nuk kërkoi as mori gjë prej tij. Por, kur punon me përkushtim për kombin dhe atdheun, kryen detyrën me devotshmëri ndaj tyre dhe ndaj Zotit. Të tillë kanë qenë shumë atdhetarë gjatë historisë, të cilët sakrifikuan jetën, familjen dhe gjithçka kishin, siç ishin edhe protagonistët e këtij shkrimi tim modest.

KUSH ISHIN IBRAHIM SHYTI DHE JOSIF BAGERI

Ibrahim Shyti u lind më 18 maj 1879, në fshatin Tragjas të Vlorës, në një vatër familje të njohur për veprimtari kombëtare, me trung e me degë, prej gjyshërve nga ana e babait (Tahirit) dhe nga ana e nënës (Ferides). Në vitin 1891 u shpërngul nga fshati dhe u vendos në Vlorë. Sa ishte në fshat mësoi në mejtepin e hoxhës së fshatit. Në Vlorë punoi në hanin e usta Nikollës, nga i cili mësoi alfabetin grek, ndërsa prej Dhaskal Nakos, në mitropolinë e Vlorës, mësoi të shkruajë në gjuhën shqipe. Për shkak të një letre të shkruar në gjuhën shqipe, që I.Shyti i kishte dërguar doktor Telhait në Dibër, autoritetet turke e kishin arrestuar (1897) dhe internuar në Krujë, ku kishte qëndruar më se një vit.  Pas internimit, kishte punuar si postjer në transportimin e postës prej Vlore në Strugë dhe Ohër, ku u njoh dhe krijoi miqësi me shumë atdhetarë. Prej vitit 1904 deri më 1907, qëndroi në Janinë, ku punoi në rrobaqepësinë e Panajot Prasos nga Gjirokastra. Prej andej shkoi  në Athinë ku poashtu punoi si rrobaqepës, e prej vitit 1907 vendoset në Stamboll, gjithashtu si rrobaqepës, ku u njoh me shumë atdhetarë shqiptarë të viseve të ndryshme, si Ismail Qemali, Shahin Kolonja, Nexhip Draga ej. Aty pati rastin të lexonte gazetat  që botoheshin nga shoqëritë shqiptare në Stamboll, Kajro, Boston, Sofje, Selanik etj. Përmes tyre zhvilloi korespodencë dhe u njoh me publicistë e atdhetarë tjerë,si: Kristo Floqi, Sotir Peci, Mitat Frashëri, Shahin Kolonja, Jani Vruho, Leonidha Nuçi, Petro Poga, ashtu që u përfshi në rrjedhat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Pas kthimit në Vlorë (1909), hapi një dyqan rrobaqepsie, një kënd të të cilit mbate libra e gazeta shqipe, sa që dyqani i tij u bë një qendër e rëndësishme ku takoheshin e bisedonin atdhetarë të njohur. Me që kishte krijuar marrëdhënie të shëndosha me udhëheqësit e gazetave të ndryshme, Ibrahim Shyti filloi të shkruajë letra e artikuj, që për një kohë të shkurtër u bë korrepodent në zë i shumë gazetave dhe bashkëpunoi me publicistë të njohur,si: Mihal Grameno, Luigj Gurakuqi, Dhimitër Berati, Sali Gjuka, Kostë Çekrezi, Haki Glina, etj. Në vitin 1914, Ibrahim Shyti u martua me Salushe Lilaj nga Berati, e cila iu bë një bashkëluftëtare për kohë të vështira, dhe prej tyre linden gjashtë fëmijë: Luteri, Pupo, Hektori, Moisiu, Vilhelmi dhe Goduva. Në vitin 1920 kishte hapur një librari (“Shpresa”) në Vlorë, në të cilën përveçse mbante libra e gazeta shqip, aty mbanin takime të fshehta atdhetarët, për të organizuar kryengritje kundër pushtuesit Italian. Për shkak se iu gjetën dy arka me fyshekë, u arrestua nga forcat italiane, u vendos në fund të një anije  të vjetër në det, e pas dy javësh e internojnë në ishullin Sazan, ku ishin internuar 1800 veta, një prej tyre (Brahim Mllenja) kishte vdekur nga torturat.

Për shkak të aktivitetit të tij të parreshtur patriotik, edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore u arrestua disa herë, me katër djemtë e tij,  herë nga Italianët e pastaj edhe nga gjermanët. Pas rënies së fashizmit, Ibrahim Shyti u lirua nga internimi që e kishin degdisur në Brindizi, dhe në janar të vitit 1944 u kthye në Shqipëri. Por, djalin e tij, Hektorin, bashkë me 92 të arrestuar e të burgosur politikë, në gusht të vitit 1944 i transferuan nga Burgu i Tiranës, në Kampin nazist të Prishtinës, ku i pashkatuan natën e 23/24 tetorit 1944, në mesin e 104 të pushkatuarëve atë natë ishte edhe Hektori. Ibrahim Shyti ndërroi jetë m[ 29 qershor 1972.

Josif Bageri u lind më 15 gusht n 1870 në Nistrovë të Gostivarit. Josifi njihet si një ndër figurat më të shquara të Rilindjes Kombëtare. Prej moshes 17 vjeçare, deri pak para vdekjes, jetoi si mërgimtar në Sofje, ku asokohe kishin mërguar shumë patriotë shqiptarë. Shkrim-leximin e mësoi tek në moshën 17-vjeçare, nga këpucëtari korçar Dhimitër Molla, në dyqanin e të cilit, në Sofje, takoheshin shumë atdhetarë. Si ithtarë i flaktë i gjuhës dhe shkollës shqipe, Josifi qysh në vitin 1908 kishte hapur në vendlindjen e tij shkollë shqipe, ndërsa prej vitit 1909 – 1911, në Sofje drejtonte gazetën “Shqypeja e Shqypnisë”, në të cilën botoi disa letra e shkrime të Ibrahim Shytit, të cilin e kishte një mik i ngushtë. Puna e Josif Bagerit për çështjen kombëtare është e njohur. Ai punoi me shumë përkushtim për gjuhën dhe shkollën shqipe, la pas vete shumë shkrime të botuara e të pabotuara, në prozë e në poezi; platforma politike, memorandume, artikuj gazetash, komente e reagime kundër padrejtësive që pushteti otoman iu bënte shqiptarëve.  Pas pavarësisë së Shqipërisë, Josif Bageri u kthye në Durrës (1914), ku për pak kohë drejtori gazetën “Ushtrima e Krujës”, e cila u shua pas pak numrave. Për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe rrethanave politike, Bageri vendos të kthehet në Sofje. Rrugës për në Sofje, ndalet në Prishtinë, për të takuar Hasan Prishtinën dhe personalitete tjera. Por, nga lodhja dhe rraspkapitja, vdiq në Prishtinë, më 15 qershor 1915. Gjat punës dhe veprimtarisë së tij, u njoh dhe bashkëpunoi me shumë patriotë, ndër të cilët ishin Said Najdeni, Jashar Erebara, Nikollë Ivanaj, Luigj Gurakuqi, Ibrahim Shyti, etj.

Korrespodenca e Josif Bagerit me Ibrahim Shytin

Në mes Josif Bagerit dhe Ibrahim Shytit, u zhvillua një korrepodencë e dendur, nga e cila shihet se si Josifi e përgëzonte Shytin për angazhimin e tij në çështjen kombëtare, e udhëzonte dhe këshillonte se si të shkruajë letrat, të cilat ia botonte në gazetën e tij. Letrat që Bageri ia dërgonte Shytit, i fllonte me fjalinë: “Fort shum i dashuri atdhetar, zotni Ibrahim Shyti, gjat-jeto për të mirën e Shqypnis”, ndërsa i përfundonte me fjalinë: “Tani ju përqafoj me mall të madh un atdhetari i zotnisë jue dhe robi i kombit shqiptar”. Prej librit të Dr Bardhosh Gaçes: “NGA EPISTOLARI I IBRAHIM SHYTIT NË VLORË”, shkëputëm disa citate e porosi nga letrat që Bageri që ia kishte dërguar Shytit, në periudhën 1910 – 1914.

Letrën e dërguar më 27 mars 1910, Josif Bageri e fillon: “Fort shum i dashuni atëdhetar zotëni Ibrahim Vlora, gjat-jeto për të mirën e Shqypnisë! (…) Tani po sa mora kartolinën e zotënis juaj, – gëzova se jini shëndosh dhe mir, edhe nja–me–nja, mbështolla 50 copë gazeta prej disa Nomerash dhe u dërgova me kët adres kështu: M-re Ibrahim Shyti “Sarto”, posta restanto Italiano dhe nja-me-nja nisa të ju shkruaj këtë letër dhe ju lutem të veni në postët Italisë dhe të kërkoni 50 Nr.të gazetës jon në adresën që ju shënova ma nalt. Përveç kësaj ju lutem; kur ta merrni fletën prej postes, ti përndani anemban nëpër shqyptarët, apo me doj mik tëndin, edhe të pajtoni doj pajtimtar, cilve dot ja u dërgojm fletën vetëm me anë të zotënis juaj, se ndryshej na bëhet ma shum harç dhe hupen në postën Turqis. (…) Gjith kështu dot të dërgoj ka 50 Numera që tani e tutje  t’i përndajsh këto nëpër Shqypëtarët, cilëvet t’u kthejsh kujdesën për ndihma, se me t’holla or vëlla shtypet dhe dërgohet fleta. (…) Tani ju përqafoj me mall të madh un robi i kombit shqyptar: Josif Bageri. P.s. Ju lutem të na shkruani se ç’ka thon shqypëtarët e atjeshëm për fletë e jon. Presëm letër pa durim për së shpejti.”. Në letrën tjetër të dërguar më 6 qershor 1910, Josif Bageri e  falënderon Ibrahim Shytin që po përpiqet aq shumë për Shqipërinë, e lutë ta përhapë sa më shumë gazetën e tij dhe i dërgon 25 dëftesa për t’ua dhënë njerëzve prej të cilëve i mbledh paratë e parapagimit në gazetë.

Pasi merr një letër prej Ibrahim Shytit, i cili  e njohton gjërësisht për gjendjen në Shqipëri, për ndalesën e gazetës, për zullumin që po u bëhej shqiptarëve, Bageri në letrën e tij (3 korrik 1910), e porositë Shytin të punojnë në formimin e komiteteve dhe çetave për luftë kundër pushtuesit. Ndër të tjera shkruan: “Letrën e vlyer fort shumë të zotnisë s’uej e mora dje dhe e leçita me kujdes të madh. Kjo letër më theri zemrë e ime fort shumë, se zotnia e juaj në shumë lajmet e gëzuara, më shkruani dhe shumë mundime të vëllazërve tanë, të cilët janë keq të ngushtue prej aziatëve. (…) Tani të lutem, o vëlla i dashun Ibrahim, t’i mbledhish gjith ata shqiptarët e flakët , muhamedanë e të krishterë në një odë dhe të zihi vëllazërisht dorë për dore dhe të betohi vëllazërisht në emër të Perëndisë dhe të Shqipërisë dhe puthni kuranin dhe ungjillin, kështu pra dhe gjashtoren dhe shpatën, dhe mbastaj të roki vëllazërisht dhe të parqafohi dhe të putheni gojëmë gojë dhe të thoni: o besa-bese do të vdesim për Shqipninë si trima shqyptarë dhe kurrë s’tradhëtojmë njani-tjetrin”!

Në letrën e dërguar më 28 gusht 1910, përveç  se porositë Shytin që të shkruajë qartë për gjendjen në Shqipëri, e lavdëron për punën që po bënë,  me përhapjen e gazetave e librave shqip, dhe i thotë: “…se Perëndia t’ka vu ty t’i shërbejsh amës Shqypëni, bijt e së cilës kurri në jet s’kan me t’a harrue shërbimin tant…, se ju një djalë i vogël, boni punë të madhe për shëndritjen e kombit, të cilën shërbim kurrkush s’e bon ashtu si e boni ju”.

Nga përmbajtja e të gjitha letrave që Bageri i shkruante Ibrahim Shytit, del porosia për të përhapur gazetat dhe librat shqip (edhe librin e tij “Kopësht Malësori”), dhe vërehet se Bageri ishte në gjendje të keqe materiale. Pas pavarësisë së Shqipërisë, Bageri donte të vinte në Shqipëri, por s’kishte para as për rrugën prej Sofje deri në Shqipëri. Në letrën e dërguar më “30 Vjeshtë e tretë (nëntor) 1913”, Bageri shkruan: “…ndodhem shum ngusht spiritisht dhe materjalisht… Unë shumë dua të t’vi atje, por fati i shkret s’më hecën, s’mundi t’fitoj t’holla për ardhën”, dhe e porositë Shytin të hulumtojë mundësinë që qeveria t’i ndihmojë  materiaisht për të ardhur në Shqipëri. Por, edhepse erdhi pa fëmijët (1914), nuk mundi të stabilizohej e të qëndrojë shumë, për shkak të kushteve ekonomike dhe rrethanave politike të asaj kohe.

Përveç me Josif Bagerin, Ibrahim Shyti zhvilloi një korrepodencë të denduar edhe me shumë patriotë e veprimtarë tjerë në emigracion dhe me gazeta që botoheshin gjithandej. Këmbeu letra e mori dhe shpërndau gazeta të tyre. Ndër personalitetet me të cilët Ibrahim Shyti mbajti korrespodencë, ishin emra të njohur të veprimtarëve, si: Sali Nivica (Janinë), Leonidha Naçi e Marigo Posio (Korfuz), Josif Bageri e Kristo Luarasi (Sofje), Bektash Berberi (Berat), Milo Duçi e Jani Vreto (Kajro), Vangjel Prifti (Argjentinë), Luigj Gurakuqi, Kristo Floqi, Kel Marubi etj. (Shkodër), Musa Demi, Kaliopi Nushi tj.(Tiranë), Thoma Papano (Gjirokastër), Sotir Gjika (Romë), Mit-hat Frashëri e Qemal Bejleri (Paris), Faik Konica (Boston), Shtjefën Gjeqovi (Kosovë), Kolë Çekrezi, Tajar Zavalani etj.(Tiranë), Lef Nosi (Elbasan), Haki Stërmilli, e shumë atdhetarë e veprimtarë tjerë, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Me qenë se ishte familje e persekutuar, e ndjekur, shpërndarë dhe internuar në vende të ndryshme, Ibrahim Shyti mbajti korrespodencë edhe me bashkëshorten Salushen, e inernuar në Sazan e pastaj në Itali, me djemtë në Porto Romano (të Durrësit) dhe në Burgun e Tiranës. I frymëzuar nga porosia e rilindasve, “Se vetëm drita e diturisë do na shpjerë përpara”, Ibrahim Shyti, edhepse ishte një autodidakt, u shqua si publicist, shkruante e mbante lidhje dhe këmbente libra, revista e gazeta të ndryshme me biblioteka të shumta të botës, deri në Sofje, Bukuresht, Londër e Njujork, i shpërndante ato sa më shumë të lexoheshin.

Latrat, dokumentet, librat, gazetat që grumbullonte dhe shpërndante Ibrahim Shyti, ishin një arkivë e pasur, me vlerë e rëndësi të madhe, si dëshmi dokumentuese për historinë e ngjarjeve të kohës së lëvizjes kombëtare për çlirimin e Shqipërisë. Një studim më i plotë për personalitetin dhe veprimtarinë e Ibrahim Shytit, do ishte me interes për historiograinë shqiptare, sepse ai jetoi punoi në kohë të trazuara e të vështira për kombin, prej kohës reformave të Tanzimatit, e  ndërsa puna dhe sakrifica e tij, me tërë familjen, janë fare pak të njohura e të vlerësuara.

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …