Adil Fetahu

Adil Fetahu: KUNORA E MALEVE” – LETËRSI QË INSPIRON DHE LAVDËRON KRIMIN

(Lexim politik i librit ”Kunora e maleve” të Petar Petroviq-Njegoshit)

Epi letrar i Petar Petroviq-Njegoshit, “Kunora e maleve” konsiderohet si kryevepër e letërsisë serbo-malazeze. Si e tillë ka qenë lektyrë e obligueshme në sistemin shkollor në Jugosllavi (sa nxënës shqiptarë e kanë humbur vitin shkollor për shkak të këtij epi, që me atë gjuhën arkaike vështirë kuptohet edhe për vet shkijet?!). Pjesa dërmuese e   veprës, e thurur në formë poetike-epike, ka përmbajtje politike që shprehë urrejtje fetare  dhe nxitje kundër banorëve myslimanë të Malit Zi, Shqiptarë e Boshnjakë, të cilët e kanë pranuar fenë nga pushtuesi otoman, qoftë në bazë të joshjeve me favoreve e privilegjeve, apo me dhunë. Personat e tillë autori i quanë “Poturice” (Turkoshakë), të cilët duhet zhdukur e pastruar vendin prej tyre. Për të qëruar hesapet me Turkoshakët, paria e Malit Zi, me në krye vlladikën Danillo, mbajnë disa mbledhje e marrin vendime si të veprojnë, për të hequr qafe atë “farë të keqe”. Ngjarja zhvillohet në vitin 1702, apo 1707. Epi është i thurur në formë të një drame, me katër (akte) mbledhje të parisë së 36 fiseve të popullit, dhe shumë ngjarjeve që zhvillohen. Në monologje e dialogje marrin pjesë afro 50 veta, prej të cilëve nja 7-8 janë të palës “turke”.

Mbledhja e parë zhvillohet në Llovçen, ditën e “Trinisë së Shejtë”. Vlladika Danillo, i brengosur për gjendjen, flet vetmevete dhe ankohet për pafuqinë për t’u çlirua nga pushtimi otoman dhe nga “Turkoshakët”.

“E unë çka t’baj e me kë të bahem,

duart e pakta dhe fuqia e vogël,

një kashtë e vetme n’mes stuhive,

 jetim i mjerë pa kërkend në botë”.

I brengosur për ata që kanë pranuar “fenë e rrejshme”, i mallkon:

“Zoti ju mallkoftë, o frot’ e flliqun!

Shka do feja turke në mesin tanë?”

Vuk Miçunoviqi që e dëgjon nga afër, i jep zemër Vlladikës:

“Po a thue nuk është kjo ditë kremteje,

ku i  tubove gjithë këta malazezë,

që ta pastrojnë vendin prej të pakryqit?

…Lufta jonë mbarim nuk ka me pasë,

derisa na ose Turqit të zhbihen”

Mbledhja e dytë e parisë së fiseve mbahet në Cetinje, në ditën e “Zojës së Vogël”, gjoja për pajtimin e gjaqeve, që ishin bërë midis vet malazezëve ose edhe me “Turqit”. Derisa krerët bisedojnë brenda, populli i grumbulluar jashtë hedhë valle. Ndonjë nga paria ishte vonuar për të arritur në mbledhje, dhe i arsyetohet Vlladikës për vonesën, pasi në një pritë të karavanit prej Nikshiqit i kishin pre katërmbëdhjetë Turqë, ua kishin marrë shtatëdhjetë kuaj dhe dy-tri robnesha. Një dialog i ashpër zhvillohet në kuvend edhe lidhur me grabitjen e një vajze malazeze (Ruzhen) nga “Turkoshakët”. Në këtë mbledhje ishin ftuar edhe “Turqit”. Kur vijnë “Turqit”, të gjithë heshtin, prandaj bisedën e nisë kadiu Haxhi Ali Memedoviqi, i cili mendon se tubimi është mbledhur për t’i pajtuar gjaqet e bëra mes malazezëve Velestoviqë me “turqit” e Çekliqit dhe gjaqe të tjera. Ndaj fjalës së kadiut reagon me shpoti knjaz Rogani, që i thotë se kuvendi është mbledhur për diçka ma të rëndë: që të thirren “Turkoshakët” të kthehen në fenë e të parëve. Ndërsa vojvodë Batriqi u thotë:

“Pranoni fenë e stërgjyshve,

për ta mbrojtur nderin e atdheut!

…Nuk pajtohen Kshndellat me Bajramin”!

Ndaj fjalëve të Batriqit reagon Mustafë Kadiu:

“Shka po flitni? A jeni në veti?

n’kambë të shëndoshë po shtini ferrë.

..Kryq e i pakryq gjithnjë u rri në gojë;

po andrrojnë shka s’mundet me u ba.

Shyqyr Zotit dyqind vjet po bahen,

qysh se na fenë e dlirt kem pranue,

hyzmeqarë të dinit tuj u ba”.

Ndaj fjalëve të Mustafa Kadiut reagojnë malazezët. Vuk Miçunoviqi:

“Kryqi dhe topuzi le t’përpiqen,

kuku për atë që t’i plasin n’ballë!

Voja e shëndoshë e merr të thyemen!”

Ndërsa knjaz Janku shton:

“Paj, pasha Zotin, un nuk due ma

me ndigjue hoxhen n’Çekliqin tonë,

që gugatë n’maje t’atij zgavigji,

sikur huti n’maje t’ahit t’kalbun”.

Nga pala “turke”, flet Skender-aga me tone ma qetësuese:

Po shka është kjo, or vllazën Malazezë,

kush e ndezi këtë flak më s’pari?

prej kah ju erdhi ai mendim fatzi,

mbi ndryshimin e fesë sonë për t’folë”?

Polemika në kuvend merr tone gjithnjë më të ashpra dhe acaruese. Në ndërkohë, Vlladikës i vjen një letër prej Vezirit, me të cilën kërkohet qetësi dhe nënshtrim, kryerje e detyrimeve dhe paqe. Kjo i acaron akoma ma tepër parinë e mbledhur në kuvend. Malazezët fyejnë me fjalë përfaqësuesit “Turqë”, të cilët largohen të fyer. Kuvendi vazhdon me darkë,  muhabete e romuze, duke treguar vojvodë Drashku se si ishte pritur dhe çfarë kishte parë në Venedik, ku kishte shkuar për të kërkuar ndihmë dhe armë për luftë kundër Turqëve. Të nesërmën në mëngjes, tridhjetë a katërdhjetë vetë tregojnë se si kishin parë të njëjtën andërr, Millosh Obiliqin, me të cilin kishin shkuar në kishë për t’u betua se sëbashku do të vriteshin me Turqit e vendit.

Mbledhja e tretë e parisë mbahet natën e Kërshëndellave, në Cetinjë, ndërsa në rrethin e Cetinjës dhe më gjërë në terren, çetat malazeze bëjnë kërdi kundër “Turqëve”, të cilët nuk pranojnë kryqin dhe pagëzimin në kishë. Vojvodë Batriqi i raporton Vlladikës:

“Pse ma gjatë me ta tjerrë tregimin,

n’gjithë sa kapë rrafshina e Cetinjës,

nuk pshtoi krye as për dëshmitarë,

as me tregue se çka ka ndodhë;

prej asish që s’deshtën m’u pagëzue,

nuk mbet njeri pa hy nën shpatën tonë.

…Shpijat e Turqëve i bëmë zjarrë e hi,

që t’mos iu dihet as trolli as gjurma.

Prej mesqitve dhe xhamive të tyne

kemi ba grumbuj të mallkuem,

që t’i mbesë  popullit për zi m’u betue”.

Natën e vitit të ri, pasi kanë dalë prej kishës, rrijnë pranë zjarrit, të rënë në mendime. Vjen një djalosh, i puthë dorën Vlladikës dhe i jep një letër, me të cilën e lajmëron se serdar Janku, me njerëzit e tij i kishin urdhëruar Turqit:

“Kush nuk don kuranin me pshtye,

Le t’thejë qafën kah t’i shohin sytë!

… shkatërruam t’gjitha kullat e Turqëve dhe xhamijat,

që tregu ynë t’mos qelbet me t’pakryqët.

…Tash nuk gjenë më n’krejt krahinën tonë,

as gjurmë as shej prej farës së Turkut,

pos trupave, ose gërmadhave”.

Në ndërkohë, hyn Vuk Mandushiqi, i mërrolur, i përgjakur dhe me pushkën e tij (xheferdare) të thyer, i tregon Vlladikës se si me njerëzit e tij janë përleshur me dyqint haraçli Turqë:

“T’gjithë Shqiptarë t’idhët turkoshakë,

nja tetëdhjetë prej tyre i premë”.

Mandushiqi qante për pushkën e thyer, ndërsa Vlladika e ngushëllon:

“kryet e vdekun s’mun çojsh prej vorrit,

as s’e ndreq xheferdaren vizëlluese.

Përmbi trup tandin, shndosh kryet e tat

pushkë tjetër tash ke me pasë;

Se në duert e Vuk Mandushiqit,

Çfarëdo pushke do të jetë vrastare!” (fund i eposit, që ka 2815 vargje).

** *

“Kunora e maleve” –  inspirim për krimet kundër Shqiptarëve dhe Boshnjakëve

Pa mohuar vlerën artistike si vepër letrare, nga përmbajtja e epit “Kunora e maleve” mund të konkludohet me plot të drejtë se ajo vepër ka karakter ideologjik, të ekskluzivitetit fetar, unitarizmit të fesë ortodokse me kombin (serb) dhe një doze të politikës antiperëndimore, që se ka shërbyer si inspirim për krimet monstruoze, pastrimin etnik dhe gjenocidin serbo-malazez kundër Shqiptarëve, edhe në Luftën Ballkanike, edhe në Luftën e Dytë Botërore edhe në luftën e fundshekullit të kaluar (1999). Dhe jo vetëm kundër Shqiptarëve, veçse edhe kundër Boshnjakëve. Ekskluziviteti fetar që ka inspiruar “Kurora e maleve”, e që është ideologji e cila trashëgohet dhe zbatohet nga Kisha Ortodokse  dhe nga strukturat shtetërore (ushtri, polici, banda paramilitare, parti politike e shoqata të qytetarëve), është ngulitur thellë në koshiencën e shoqërisë serbe. Tërë kohën shteti serb dhe ai malazez është ndërtuar mbi këtë bazë, të ekskluzivitetit fetar.

Me “Kuroren e maleve” në gojë  dhe në dorë kriminelët Radovan Karaxhiq, Ratko Mlladiq e të tjerë, kanë kryer krimet më monstruoze dhe gjenocidin kundër Boshnjakëve në Srebrenicë dhe në tërë Bosnjen. Në gjykimin e Radovan Karaxhiqit në Tribunalin e Hagës, prokurorja Katarina Gustavson disa herë ka cituar vargjet nga “Kunora e maleve”, të cilat i ka përdorur Karaxhiqi gjatë luftës në Bosnje ose i kanë kënduar me lahutë “trimat” e tij në luftën kundër “turqëve” të Bosnjes! Sado që citimet nga veprat letrare nuk mund të merren si prova në gjykatë, ato tregonin se nga e  kishin inspirimin krimet dhe pastrimi etnik i kryer në baza fetare.

Poti dhe piktori serb, Borisllav Mihajlloviq-Mihiz, në një rast (1995), duke mbajtur në dorë “Kunoren e maleve”,  kishte thënë: “Gjithçka ka filluar prej  këtu. Njegoshi me poezinë e tij ishte ideologu i gjenociit”. Ndërkaq, Novak Kilibarda, që vet është malazez, në një tubim të mbajtur në Plav (tetor 2013), kishte thnë se “Në krejt planetin nuk ka shkrimtar më antiislamik se Njegoshi”, dhe epin “Kunor e maleve” e fajëson për krimet  kundër Shqiptarëve dhe Boshnjakëve, të kryera në Lutën Balkanike”.

Edhepse Njegoshi ishte peshkop që predikonte krishterizmin, në veprën e tij nuk e ka as germën “K” nga parimet e krishtërizmit. Nga ana tjetër, populli malazez ka njëfar kodi të vetin të quajtur: “Çojstvo i junastvo” (burrëri dhe trimëri), por në “Kunoren e maleve”, nëse ka me tepri trimëri, nuk ka fare burrëri në djegëjen e shtëpive, rrënimin e xhamive, etj.  Gjithësesi, Njegoshi ishte ideologu më djathtist i Kishës Ortodokse Serbe, hapat e të cilit po i ndjekin klerikët e asaj kishe në Mal të Zi. Ai madje popullin e Malit të Zi e konsideron si etnikum serb, kurse emërtimin malazez e përdor vetëm si përcaktim gjeografik,  por jo etnik.

Për dallim nga “Kunora e maleve”, që gëlon me urrejtje fetare, në poezinë shqipe ka plot shembuj mirëkuptimi dhe veprimi të përbashkët midis përfaqësuesve dhe pjesëtarve të besimeve të ndryshme fetare, kur është në pyetje çështja e lirisë dhe mbrojtjes së kombit e të atdheut. Në “Lahutën e Malësisë” gjejmë vargje lapidare për këtë harmoni e bashkëpunim ndërfetar tek shqiptarët. Kur Patër Gjoni kërkon armpushim për t’i mbledhur të plagosurit nga beteja, Mark Milani e pranon dhe e pret me respekt, por e pyet:

“Veç se ‘ i gja deshta me t’pëvetë,

N’kjoftë se hatri s’ka me t’mbetë:

Si kjo punë mundet me kenë,

Qi ti i k’shtenë e na t’krishtenë,

Me kryq ndorë e me kryq n’ballë,

Turkut n’ndihmë ti me na i dalë?”,

ndërsa Patër Gjoni i përgjigjet:

“…Unë zotni n’ushtri kam dalë,

Jo me Turqë, por me Shqyptarë,

Turq a t’ kshtenë, si janë gjithmarë

Se si t’kshtenë, si muhamedanë

Shqypnin s’bashkut t’gjithë e kanë.

Pradaj t’gjithë do t’ qindrojmë,

Do t’qindrojmë e do t’luftojmë,

Kemë  m’u ba kortarë-kortarë,

Priftën, Fretën, Hoxhallarë

Për Shqypni…”

Fishta dhe poetë e shkrimtarë tanë, të tri përkatësive fetare, qofshin në fushën e letërsisë, pedagogjisë, politikës, diplomacisë, prej “Rilindjes” e këndej e kanë kultivuar tolerancën fetare dhe janë flijuar bashkë për komb e për atdhe.

Këto virtyte të larta e të çmueshme, nuk i gjenë askund, mes  atyre 2815 rreshtave në  epin e Njegoshit – “Kunora e maleve”.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …