Adil Fetahu: Kush ishte i dëmtuar?

Adil Fetahu: Kush ishte i dëmtuar?

( Ky shkrim polemizues me avokatin serb, është botuar në gjuhën serbokroate, në rubrikën “Polemike” të revistës javore “Danas” të Zagrebit, më 22 gusht 1989, në faqe 31.)

 

Avokati Danillo G.Koprivica nga Beogradi, është përpjekur ta arsyetojë kërkesën e Republikës së Serbisë, të datës 8 maj të këtij viti, dërguar Kuvendit të RSFJ-së, për të miratuar një ligj federativ dhe për të ndërmarrë masa tjera, me të cilat do të evitoheshin pasojat e dëmshme të zbatimit të “Ligjit mbi revidimin e ndarjes së tokave kolonistëve dhe të interesuarëve të agrarit në Republikën e Maqedonisë dhe në Krahinën e Kosovës e Metohisë” si dhe zbatimit të “Vendimit për ndalimin e përkohshëm të kthimit të kolonistëve në vendbanimet e tyre të mëparshme në Maqedoni, në Kosovë e Metohi, në Srem dhe në Vojvodinë”.

 

Në letrën e tij avokati Koprivica e ka kapur një temë, në anën e saj të gabuar. Në të vërtetë, ai kryesisht është marrë me politikë, me histori dhe me demografi, për të cilat nuk është kompetent, e më së paku, ose fare nuk është marrë me çështjet praktike juridike, për të cilat besoj se din më shumë se për ato të parat. Por, i kapluar nga ethet nacionaliste të propozimit të republikës së tij, për ligjin dhe masat e përmendura, edhe ky nxitoi të jep kontributin e vet, duke propozuar  që edhe republikat e tjera ta përkrahin këtë propozim të Serbisë (për Koprivicën krahinat nuk janë me rëndësi!). Dhe ai këtë e bënë si jurist, si ekspert dhe si avokat, kinse për të krijuar njëfar sigurie juridike të shtetit të së drejtës, pasi “i ka bindur lexuesit” me të dhënat krejtësisht të rrejshme, kinse në Kosovë në vitin 1939 popullsia ka qenë 67% e kombësisë serbe (nuk është ky i pari që edhe Malazezët i llogaritë për Serbë!), por, gjoja se gjatë luftës 120.000 serbë janë përzënë ose janë vrarë dhe pikërisht (!) poaq Shqiptarë të Shqipërisë kanë ardhur e janë vendosu në Kosovë, etj.etj.

 

As unë, si as edhe Koprivica, nuk jam ekspert i historisë as demografisë, por të dhënat e tij të rrejshme më nxitën t’i përgigjem.

 

Sipas librit të dr Millovan Obradoviqit ‘Agrarna reforma i kolonizacija na Kosovu 1918-1941” (Reforma agrare dhe kolonizimi në Kosovë 1918-1941), por edhe sipas të gjitha të dhënave tjera nga burime zyrtare, profesionale e shkencore të publikuara deri më tash, situata dhe gjendja ka qenë krejtësisht ndryshe nga ajo që e paraqet Koprivica. Sipas të dhënave preliminare të publikuara nga regjistrimi i popullsisë së Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, të datës 31 janar 1921, numri i përgjithshëm i popullsisë së Kosovës ishte 436.929 veta, prej të cilëve 64% ishin Shqiptarë (shih: Hivzi Islami: “Popullsia e Kosovës – studim monografik”, Prishtinë, 1981, fq.210). Dhe nëse kemi parasysh tendencat dhe shpekullimet që me rastin e regjistrimit të paraqiten të dhëna në dëm të popullsisë shqiptare, është shumë e sigurt se përqindja e shqiptarëve në Kosovë atëherë ka qenë edhe më e lartë, aq më parë që shumë familje shqiptare nuk janë regjistruar fare.

 

Kjo është përgjigja ime Koprivicës, sa i përket demografisë. E tash të merremi pak me reformën agrare dhe kolonizimin.

 

Sipas librit të përmendur të Obradoviqit, popullzimi (me sllav) i viseve jugore (Kosovë e Metohi dhe Maqedoni) filloi menjëherë pas “çlirimit” nga pushteti turk (1912), me qëllim të përforcimit të popullsisë serbe dhe presionit ndaj popullsisë joserbe, e cila konsiderohej e pabesueshme, veçmas në Kosovë ku shumicën e përbënin Shqiptarët. Shpërngulja e popullsisë autoktone vendore të Kosovës u ndërmor me forcë në vitet 1913-1914, por vazhdoi edhe gjatë okupimit të Austrohungarisë (1915-1918). Në atë kohë, sipërfaqe të mëdha tokash mbetën të braktisura dhe të papunuara edhe për shkak të arratisjes dhe lëvizjes kaçake, e cila ishte mjaft e fortë dhe e përhapur edhe në kohën e Austrohungarisë edhe më vonë kundër ushtrisë serbe, kurse pushteti i atëhershëm (serb) ua merrte tokat e familjeve të kaçakve dhe ua ndante kolonistëve, ose ua shiste me çmim tejet të lirë interesantëve tjerë nga jashtë Kosovës. Sipas të njëjtit autor, në Kosovë kështu morën toka 11.722 familje serbo-malazeze, prej të cilave 10.714 familje ishin koloniste; 248 familje vullnetarësh; 80 familje çetnikësh; 172 familje optante dhe 508 familje autokoloniste. Organet agrare-koloniste i kishin matur e përkufizuar (për nevoja kolonizimi) 202.649,11 hektarë toka, prej të cilave 126.369,40 ha tokë e punueshme.

 

Qëllimi nacional serb i zbatimit të reformës agrare në Kosovë ka qenë që të thyhet kompaktësia e popullsisë shqiptare, e cila përbënte rreth 70% të popullsisë së përgjithshme. Qëllimet e këtilla nacionale serbe të reformës agrare janë zbatuar kështu deri në vitin 1941, përmes presionit dhe terrorizimit të popullsisë shqiptare, pa kurrëfar të drejte, në rend të parë ndaj fshatarëve të cilët detyroheshin të shpërnguleshin nga tokat e veta, për të krijuar hapësirë për elementin nacional serb (kolonistët).

 

Me Ligjin mbi popullzimin (1931), parashihej që kolonistëve t’u jepej toke e punueshme në brezin kufitar kah Shqipëria (në rrethin e Gjakovës, Prizrenit e Pejës). Sipas atij ligji, fshatarëve shqiptarë iu merrej toka e punueshme dhe pyjet në bazë të njëfar parimi të maksimumit deri 0,40 ha për anëtar të familjes. Mirëpo, në bazë të atij “parimi”, shumë familje shqiptare kishin mbetur pa tokë fare, ose iu kishte mbetur vetëm pak tokë rreth shtëpisë.  Ministria kompetente e qeverisë jugosllave, në qershor të vitit 1938, lidhi Konventë me Republikën e Turqisë, për shpërnguljen e 40.000 familjeve fshatare (rreth 200.000 veta), sipas regjistrave të cilët do t’i përpilonte komisioni jugosllav. Shpërngulja filloi më 1 korrik të atij viti dhe sipas dinamikës së caktuar është dashtë të kryhet brenda gjashtë vjetëve. Sipas asaj marrëveshje, qeveria jugosllave ishte e obliguar t’ia paguante qeverisë turke për secilën familje të shpërngulur nga 500 lira turke, apo gjithsej 20 milion lira turke, prej tyre 30% në valutë, ndërsa 70% depozita në Bankën Popullore, në llogari të Qeverisë turke, e cila për atë shumë do të merrte mallra nga Jugosllavia. Të gjitha pronat e familjeve të shpërngulura do të shfrytëzoheshin për qëllime të kolonizimit. Shpërngulja e familjeve fshatare ishte e obligueshme. Qeveria jugosllave ishte obliguar t’i transportonte “falas” deri në Selanik. Kështu familjet shqiptare u shpërngulën nga tokat e veta dhe u vendosën në shkretirat e Anadollit.

 

Gjatë tërë kohës së zbatimit të reformës agrare dhe kolonizimit në Kosovë, politika shoviniste serbomadhe është përpjekur që me presione, terror, vrasje, djegëje dhe marrje të pronave, ta detyrojë popullsinë autoktone shqiptare të asimilohet ose të shpërngulet. Partia Komuniste e Jugosllavisë dhe forcat përparimtare rreth saj, i gjykonin krimet, eksploatimin dhe shtypjen që u bëhej shqiptarëve në Kosovë dhe maqedonasve e shqiptarëve në Maqedoni. Me rastin e shënimit të 550-vjetorit të Luftës së Kosovës (të vitit 1389), rinia përparimtare e Kosovës, studentë të Universitetit të Beogradit e Zagrebit, dhanë proklamatë dhe bartnin parulla, me të cilat u tregonin kolonistëve se atyre nuk u janë dhënë prona të lira, por pronat të cilat iu kishin marrë me dhunë mijëra familjeve të varfëra, të urta, punëtore e të vuajtura të popullsisë “arnaute” (shqiptare), dhe i ftonin kolonistët që të mos i marrin tokat dhe pronat e tilla, po të luftojnë për barazi të të gjitha kombeve dhe pakicave kombëtare.

 

Kur këto të merren parasysh, e që këto janë vetëm një pjesë e vogël e padrejtësive që regjimet antipopullore kanë bërë ndaj popullit shqiptar në Kosovë dhe popullit maqedon e shqiptar në Maqedoni, atëherë nuk nevojitet ndonjë mençuri e madhe për të nxjerrë konkludimin se kush ishte i dëmtuar: vendasit të cilëve u ishin marrë pronat, apo kolonistët të cilëve u ishin dhënë ato prona?! Sigurinë juridike të kujt do duhej ta mbrojë tash Jugosllavia socialiste? Si mundet avokati Koprivica të kërkojë që ligjet e miratuara pas luftës, pas fitores së revolucionit socialist, për të cilën kanë luftuar të gjitha kombet dhe kombësitë e këtij vendi, të shfuqizohen tash pas 44 vjetëve nga miratimi dhe zbatimi i tyre, e që qytetarë të caktuar të marrin dëmshpërblim në bazë të ligjeve të regjimit antipopullor të Jugosllavisë së paraluftës?!

 

Ndoshta avokati Koprivica nuk do të propozojë që tash të vazhdojë zbatimi i Konventës së lidhur me Republikën e Turqisë për shpërnguljen e shqiptarëve në shkretirat e Anadollit, në qoftë se ajo nuk është realizuar në tërësi?! Por mbetet e hapur edhe çështja juridike: çka të bëhet me institutin e parashkrimit absolut të kërkesave për kompensimin e dëmit, apo çështja e prekluzionit, të cilat avokati duhet t’i dijë dhe të llogaritë në to.

 

 

Sqarim

 

 (Ky shkrim polemizues me avokatin serb, është botuar në gjuhën serbokroate, në rubrikën “Polemike” të revistës javore “Danas” të Zagrebit, më 22 gusht 1989, në faqe 31. Është përfshirë e botuar edhe në librin tim: “Në mbrojtje të drejtës dhe drejtësisë” (2014, fq.51-53). Po e ribotoj në media të sotme, që ta vlerësojnë lexuesit e ri, se unë gjatë gjithë kohës kam luftuar me penë, kundër padrejtësisë që na është bërë në çdo kohë.)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …