Adil Fetahu

Adil Fetahu: Lashtësia e së drejtës romake, Ligji i XII Tabelave

E drejta romake dhe fillozofia greke janë dy nga shtyllat më të njohura të pasurisë kulturore të historisë së lashtë të njerëzimit, jo vetëm në Europë por edhe shumë më gjërë. Prandaj nohuritë mbi zhvillimin historik të së drejtës së lashtë romake dhe të normave të saj, janë ineresante jo vetëm për juristët por edhe për të tjerët. Nga e drejta e lashtë, për këtë shkrim  kemi marrë të analizojmë  përmbledhjen e dispozitave të së drejtës romake, e quajtur me emrin Ligji i XII Tabelave. Jo vetëm juristët, por edhe intelektualë të profileve tjera kanë dëgjuar ose kanë njohuri për ekzistimin e atij Ligji, sepse krahas Kodit të Hamurabit, Ligji i XII tabelave është një ndër ligjet më të lashta dhe më gjithëpërfshirëse, që është zbatuar në një hapësirë të gjërë  të shoqërisë njerëzore dhe në një periudhë të gjatë, rreth 1000 vjet të historisë  së Romës dhe është shtrirë e ka pasur ndikim të madh edhe në të drejtën e shteteve tjera. Përmes dispozitave të Ligjit të XII Tabelave, vërehet rregullimi i marrëdhënieve shoqërore skllavopronare të epokës së caktuar, të Romës së lashtë,  karakteri i normave  dhe mënyra se si ato janë zbatuar. E gjithë e drejta romake e ka zanafillen nga Ligji i XII Tabelave. Për afro njëmijë vjet, ato dispozita nuk janë ndryshuar as plotësuar, ngase janë konsideruar edhe si hyjnore,  veçse me interpretim kreativ zbatimi i tyre u është përshtatur kushteve dhe realitetit. Kjo assesi nuk do të thotë se ato ishin të përkryera. E drejta romake që buron nga Ligji i XII Tabelave, krijoi terminologjinë juridike ndërkombëtare prej së cilës edhe sot e kësaj dite juristët e mësojnë gjuhën juridike të institucioneve, instituteve dhe procedurave juridike.

Ligji i XII tabelave shënon periudhën e të drejtës së shkruar (ius scriptum). Para kësaj periudhe marrëdhëniet shoqërore në shoqërinë e gensit dhe fisit zgjidheshin në bazë të rregullave zakonore dhe religjioze të sjelljes, dmth. në bazë të rregullave të pashkruara (ius non scriptum).

Si u krijua Ligji i XII Tabelave

Me krijimin e Romës si shtet i grupeve të ndryshme shoqërore (viti 510 p.e.r.), si shtresë sunduese u imponuan patricët,që ishte shtresa e të pasurve, të cilët i shfrytëzonin institucionet e shtetit për interesa të veta, në dëm të shtresës së të varfërve, plebejve. Me përpjekje të mëdha në luftën kundër shfrytëzimit arbitrar e të pakontrolluar nga patricët, plebejtë arritën që në vitin 552 p.e.r. shteti të foromojë një komision prej 10 anëtarësh të zgjedhur kryesisht nga radhët e patricëve i cili do të mbledhte e kodifikonte rregullat më të avancuara të të drejtës zakonore dhe të hartont ligje për rregullimin e marrëdhënieve publike dhe private. Tre anëtarë të Komisionit  u dërguan si delegatë (decimvirë) në Greqinë e lashtë që të studjonin dhe merrnin shënime nga ligjet Solonit. Pas një viti komisioni regjistroi rregullat juridike, të cilat i aprovoi komisioni përkatës (centurioni) dhe i shpalli në 10 tabela. Duke parë se ato 10 tabela nuk përmbanin të gjitha dispozitat, vitin tjetër u zgjodh komision i ri, në të cilin u përfshinë edhe plebejtë, që hartojë edhe dy tabela tjera me  rregulla  plotësuese. Pas miratimit nga centurioni, Tabelat u vunë në forume, në mënyrë që çdo qytetar të njihej me përmbajtjen e tyre. Forume quheshin hapësirat publike të rrrethuara, në të cilat mbaheshin manifestime të ndryshme, ose hapësirat para institucioneve të shtetit. Kështu, për shkak se rregullat u shkruan në 12 tabela, edhe mori emrin Ligji i XII Tabelave. Shumica e njerëzve të ditur, sidomos ata që duhej t’i zbatonin, e të tillë ishin më të shumtët klerikët, i  mësonin përmendësh rregullat nga Ligji i XII Tabelave. Origjinali i tekstit në tabela nuk është ruajtur; janë shkatërruar nga sulmet e Galëve në Romë (viti 390 p.e.r.), por teksti i 12 tabelave është komponua në bazë të pjesëve të cituara në procedura të ndryshme dhe nga njerëzit të cilët i kanë ditur përmendësh.

Çfarë dispozita përmbanë Ligji i XII tabelave?

Sipas  materies që përmbajnë në rregullimin e marrëdhënieve, tabelat përmbajnë këto rregulla:

Tabela I:  Thirrja (sjellja) para gjykatës (3 rregulla)

Tabela II:  Shqyrtimi i rastit në gjykatë (3 rregulla)

Tabela III:  Ekzekutimi (përmbarimi) i aktgjykimit (3 rregulla)

Tabela IV: E drejta famljare (3 rregulla)

Tabela V:  E drejta e trashëgimit dhe kujdestaria (8 rregulla)

Tabela VI:  Prona dhe veprimet juridike (8 rregulla)

Tabela VII: Marrëdhëniet fqinjësore dhe mexha (11 rregulla)

Tabela VIII: Deliktet (kryesisht private) (24 rregulla)

Tabela IX:  Deliktet publike dhe procedura penale (5 rregulla)

Tabela X:  Rregullat mbi religjionin (9 rregulla)

Tabelat XI: Plotësim i tabelave tjera (3 rregulla)

Tabela XII: Plotësim i tabelave tjera (5 rregulla)

Të gjitha rregullat mund të konsiderohen si ligje më vete, me të cilat rregulloheshin marrëdhëniet dhe përcaktoheshin procedurat dhe subjektet që marrin pjesë në to. Themelimi i institucioneve gjyqësore të shtetit, përcaktimi i rregullave dhe i procedurave për zgjidhjen e çështjeve të caktuara ishte një përparim i rëndësishëm në dobi të mbrojtjes së të drejtave të plebejve, nga arbitrarizmi i magjistratëve të patricëve.  Megjithatë, për shumë çështje edhe vet rregullat ishin të vrazhda, primitive e barbare. Për shembëll, ishte përcaktuar që  nëse fëmiu lind me të meta, të mbytet menjëherë (Tab.IV:1); parashihej parimi i talionit: “sy për sy e dhëmb për dhëmb”:  nëse dikush i shkaktonte tjetrit dëmtimin e një organi, shkaktarit do t’i kthehej me të njëjtën masë, poqese nuk do të merreshin vesh ndryshe (Tab.VIII.rregulla 1); nëse dikush natën i ka shkatërruar të mbjellat e tjetrit, do të varet, e nëse është i mitur, do të rrahet me kamxhik dhe detyrohet të paguajë dyfishin e dëmit  (Tab.VIII: 6); nëse dikush me vetëdije  ia ka djegur tjetrit shtëpinë ose drithin e tubuar afër shtëpisë, do të lidhej, rrahej dhe digjej (Tab.VIII:7); nëse është vërtetuar se dikush ka dëshmuar rrejshëm, ai dëshmitar do të hidhej nga Shkembi i Tarpejit ((Tab.VIII:20); nëse është vërtetuar se gjykatësi ka marrë mito për çështjen e gjykuar, dënohej me vdekje (Tab.IX:2), e kështu me radhë.

Paditësi duhej vet të sillte në gjykatë të paditurin dhe dëshmitarët (të paditurin edhe me dhunë, poqese ai nuk shkonte vullnetarisht; Tab. I:1). Palët ishin të detyruara të depozitonin shuma të caktuara, si kusht se cili do ta fitojë kontestin, varësisht nga vlera e kontestit (Tab.II:1). Personi që kishte pranuar se ka një borxh, ose ishte caktuar me aktgjykim, ishte i detyruar ta shlyente borxhin në afat prej 30 ditëve. Pqqese nuk e shlyente borxhin në afatin e caktuar, kreditori mund ta mbante të lidhur deri 60 ditë, e nëse as kështu nuk arrihej marrëveshje për shlyerjen e borxhit, mund ta nxirrte në treg për shumën e caktuar, dhe nëse askush nuk garantone për te, atëherë mund të mbytej ose të shitej jashtë shteti (Tab.III: 1, 2). Testamenti ishte akt për trashëgiminë e pasurisë së personit të vdekur. Nëse nuk kishte lënë testament, për pasurinë e tij caktohej tutori ose agnati (Tab.V:5); kërkesat dhe borxhet nga pasuria e trashëguar ndahej proporcionalisht në pjesët e trashëguara (Tab.V:8). Marrëdhëniet detyrimore i karakterizonte formalizmi dhe publiciteti, që duhej të lidheshin në formë të caktuar dhe në prani të dëshmitarëve. Ishin përcaktuar dënimet dhe kompensimet për deliktet private dhe dëmet e shkaktuara. Nëse dikush vritej duke vjedhur naten, është vepruar drejt (Tab.VIII:9). Dënimet me vdekje ka mund t’i shqiptojë vetëm organi më i lartë (kuvendi i centurionëve,Tab.IX:1). Tërë Tabela VII, me 11 rregulla i kushtohet mbrojtjes së ambientit të shtëpisë, tokës së pronës private dhe mexhave, duke përcaktuar që ambient i shtëpisë konsiderohet edhe toka jashtë murit në gjërësi dy këmbë (shputa të këmbëve) e një tëthorre (Tab.VII:1);  gjërësia e rrugës (kalimit) në fshat, në rrugë të drejtë duhet të jetë 8 këmbë, ndërsa në kthesa 16 këmbë (Tab.VII:5). Tabela X iu kushtohet çështjeve religjioze për rastet e vdekjes; i vdekuri të mos vorroset as të kremohet në qytet,të mos i mbyllet arkëmorti me sepatë (X:1); shpenzimet të mos jenë më tepër se 3 mahrama dhe një tunikë; jo më tepër se 10 muzikantë dhe të mos ketë vajtore (X:2; të mos bëhet rivarrimi i eshtrave, përveç në rstet kur dikush ka vdekur në luftë jashtë shtetit (X:4); ndalohet ndezja e zjarrit (për kremim), apo hapja e varrit në afërsi prej 60 këmbë nga shtëpia e huaj, pa pajtimin e pronarit (X:9). Në tabelat plotpsuese XI e XII, ndër të tjera janë edhe këto dispozita interesante. Në tabelën XI:2, është përcaktuar se ndalohet lidhja e martesës midis patricëve e plebejëve. Në tab.XII:2, është përcaktuar se në rast të krerjes së veprës penale nga djali nën pushtet të të atit, apo nga skllavi, iati, apo pronari janë të detyruar të paguajnë dëmin e caktuar me aktgjykim, ose dorasin t’ia dorëzojnë palës së dëmtuar si kompensim dëmi. Në dispozitën e fundit, Tab.XII:5, është përcaktuar se çkado që në të ardhmën vendosë populli, kjo duhet të jetë e plotëfuqishme dhe e pranuar.

* * *

Ligji i XII Tabelave asnjëherë nuk është abroguar zyrtarisht gjatë ekzistimit të shtetit të Romës,  veçse është zbatuar deri në kodifikimin e Justinianit. Madje edhe në kohën e Justinianit (perandorit  të Romës, me origjinë ilire), janë cituar me respekt dispozitat e XII Tabelave, si parime në bazë të të cilave janë nxjerrë të gjitha ligjet e mëvonshme. Ligji i XII Tabelave mundësoi zhvllimin e të drejtës romake, që me interpetim adekuat, me analogji dhe fiksione fitonin përmbajtje të re, u përshtateshin kushteve dhe  rrethanave të ndryshuara familjare, shoqërore dhe ekonomike. Fundja, Ligji i XII Tabelave, bëri zëvendësimin e organizmit gjentil, në organizim shtetëror dhe zakonet e vjetra me karakter religjioz i zëvendësoi me të drejtën shtetërore. Ligji i XII Tabelave përmbante norma të interesit publik (ius publicum), me të cilat ishte përcaktuar rregullimi shtetëror, veprimtaria e organeve të shtetit, organizimi i ushtrisë dhe i kolegjeve klerike, ishin përcaktuar deliktet, sanksionet dhe procedurat, si dhe norma të interesit privat (ius privatum), me të cilat ishin rregulluar marrëdhëniet midis personave fizik, apo atyre fizik e juridik. Disa norma ishin me karakter të obligueshëm (ius cogens), dhe aso që lejonin rregullimin e marrëdhënieve sipas marrëveshjes së palëve (ius dispositinum).

Duhet të kemi parasysh kohën kur janë miratuar dispozitat e XII Tabelave, kur Roma ishte shteti më i madh dhe më i fuqishëm skllavopronar, kur skllavët konsideroheshin si “sende që flasin”, kur “pater familias” ishte pronar me pushtet të plotë mbi anëtarët  dhe mbi pronën e familjes. Megjithatë, e drejta  që ka përcaktuar shteti  i Romës, me Ligjin e XII Tabelave jo vetëm se është zbatuar 13 shekujt të ekzistimit të atij shteti, por sidomos e drejta e pronësë është marrë dhe ka shërbyer si bazë teorike dhe praktike edhe në shtetet borgjeze dhe shumica e elementeve të saj aplikohen edhe sot e kësaj dite.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …