Adil FETAHU: LIBËR MONUMENT I FATEVE DHE  VUAJTJEVE TË FEMRAVE SHQIPTARE 

Adil FETAHU: LIBËR MONUMENT I FATEVE DHE  VUAJTJEVE TË FEMRAVE SHQIPTARE 

(Shukrije Rama: ‘MOS  PAÇ FATIN TIM – rrëfime të njëmendëta’, Prishtinë,2023)

Vet titulli i librit ‘Mos paç fatin tim’, sugjeron se përmbajtja do të shpalosë vuajtje, sakrifica, dhembjeve,  fatkeqësi të personazheve  të përfshira në libër.

Në të parë, kur e lexon vetëm titullin e librit, lexuesit mund t’i shkojë mendja se është fjala për ndonjë autobiografi të shkrimtares, apo biografi të një personazhi të caktuar. Por, sapo ta shikosh/lexosh përmbajtjen e lëndës, me emrat e personazheve dhe temat e formuluara, sheh se bëhet fjalë për fate të personazheve reale, të zgjedhura nga autorja. Dhe kur i bie në funt leximit të librit, i shtron pyetje vetes, si ka ardhur autorja deri te zbulimi i rasteve, për të marrë e regjistruar rrëfimet e personazheve. Rrëfimet e tyre i jep në mënyrë autentike, pa i zmadhuar, pa i stilizuar as hiperbolizuar vuajtjet dhe sakrificat, madje të shumtën me gjuhën e rrëfyeseve.

Personazhet janë reale, me emra e mbiemra të përveçëm dhe të gjitha personazhet kryesore janë femra shqiptare, nga fshatra e qytete të ndryshme të Kosovës.  Koha është kryesisht koha e re, nga lufta e fundit (1998 -1999) e këndej, por   ndonjë mund të jetë edhe më e hershme.

Thuhet se leximin e librit duhet bërë me aq përkushtim e ndjesi, sikurse autori që e ka shkrua. Dhe, po t’i përmbahesh kësaj maksime, duhet ta kesh ‘’zemrën prej guri’’ që të mos ndjesh dhembje dhe emocione për fatet, vuajtjet, dhembjet e sakrificat e personazheve të përmendura në libër. Sepse, ato rrëfime nuk janë trillime letrare artistike, janë rrëfime për ngjarjet reale, vuajtjet, dhembjet e përjetuara të grave e vajzave tona shqiptare.

Është trishtues rrëfimi i Elhame Muçollit nga Poklreku i Drenicës, e cila përjetoi dhe mbijetoi tmerrin dhe masakrën e 53 njerëzve të vrarë të trungut familjar dhe të tjerë që ishin gjendur në shtëpinë e saj. Në mesin e atyre të vrarëve, të ngujuarëve në dhomë mbi të cilët hidheshin granata e rafale atomatikësh, u vranë edhe nëna, tri motra dhe dy vëllezër të Elhames. Kriminelëve serbë nuk iu mjaftua vrasja e masakra, po disa nga trupat i hodhën në bunar (në mesin e tyre ishte edhe poeti Ymer Elshani).

Peripetitë dhe përjetimet e Bajramshahe Jetullahit, e verbër vetë me gjithë burrin, të përzënë prej Kolivice deri në Bllacë e Stenkovec dhe Itali janë vuajtje që vetëm njeriu mund t’i përballojë.

Rrëfimet e aktores Elida Shasivari për vrasjen e burrit të saj më 24 mars 1999, viktimës së parë nga shumë viktima të krimeve serbe të kryera në masakrat, rrënimet dhe djegëjet në qytetin e Gjakovës. Ajo flet edhe për jetën, talentin, krijimtarinë e zhdukur  dhe veprimtarinë artistike, po edhe politike, burgosjen e vuajtjet, sikur dhe Hyrije Hana.

Është interesant rrëfimi i shkrimtares Adelina Mamaqit për fillimet e botimit të shkrimeve, të cilat i botonte me pseudonimin ‘’Burri’’, pasi atëherë nuk mund të botoheshin shkrime me emra të femrave. Për ta dekurajuar nga shkrimet, një shkrimtar i njohur i kishte thënë asaj: ‘’Shko mëso të gatuash e të qëndisësh, se nuk je për këto punë’’. Ajo flet edhe për jetën e vet të vështirë, qoftë në atdhe apo gjatë mërgimit në Itali, ku ka krye punë të rënda, për ta mbajtur familjen.

Kumrije Berisha, gruaja e dëshmorit Arif Ramë Berisha, mbeti me katër fëmijë të vegjël dhe me nënën e burrit, pasi Arifi u vra  më 24 maj1998.

Rrëfimet e Miradije Ibrahimit, e bija e veprimtarit Vehbi Ibrahimit, të cilin UDB-a jugosllave e vrau në Bruksel (tetor 1981). Vehbiu ishte bashkëveprimtar me Emil Kastriotin, Hysen Terpezën e Enver Hadrin. Me rastin e vrasjes së Vehbiut, ishte plagosur rënd edhe nëna Miradijes, me një plumb në fyt e një në gjoks.

Melihate Hoxha, ushtare e UÇK-së, e quajtur Shota nga Damaneku, flet me dhembje shpirti për shoqen e saj Lulen, e cila u vra në kufi, bashkë me35 bashkëluftëtarë tjerë, ndërsa për Melihaten familja e saj mendonte se është vrarë në shtëpinë e saj nga aksioni i forcave serbe. Kur Melihatja u kthye në shtëpi më 15 qershor 1999, e gjeti vetëm një qengj për ta përqafuar!

Është i dhembshëm rrëfimi i shoqes-bashkëmoshatares së Elfete Humollit të vrarë nga policia serbe (më 1.2.1990).Treqint nxënës të Shkollës së Mesme të Medicinës në Prishtinë, shokë e shoqe të Elfetes, ishin organizuar të shkonin ë varrimin e Elfetes, por policia serbe  i kishte këthyer nga rruga e nuk i kishte lejuar të shkonin në vorrim.

Personazhe tjera reale, rrëfejnë për vuajtjet, peripetitë, sakrificat e tyre, qoftë në luftë me sëmurjen e kancerit (Albana Beqiri, Habibe Hoxha), qoftë nga shkaqe tjera si Aida së cilës një pijanec i ka kishte çarë kokën me shufër hekuri, ishte paralizua dhe kishte vuajtur me sa e sa operacione.

Ka në këtë libër rrëfimesh edhe të  personazheve tjera, të cilat rrëfejnë për vuajtjet e tyre, qoftë për shkak të zakoneve patriarkale e të veseve të mbrapshta, qoftë  për shkak të varfërisë, sidomos gratë e veja të mbetura me fëmijë të vegjël; gratë në familjen e burrave të cilët janë në gurbet; peripetitë e procesit të shkëputjes së martesës (Arjeta Gashi), së cilës iu deshën 22 seanca gjyqësore për t’u ndarë nga burri i saj.  Rrëfimi i dhimbshëm i Hamide Ramës, e martuar në moshën 15 vjeçare, me një burrë 40 vjeçar, e cila i kishte lindur 9 fëmijë, që pesë prej tyre: dy djem e tri vajza i kishte përcjellë për në botën tjetër. Është edhe rrëfimi i dy motrave binjake, të cilat deri sa vet ishin fëmijë (13 vjeçe) kishin lindur fëmijë. Etërit e fëmijëve të lindur, dashnorët e motrave binjake, nuk donin të ndienin për obligimet ndaj fëmijëve të tyre, ndërsa ato as nuk mund t’i regjistronin fëmijët në ofiçari, për shkak se në moshën e tyre nuk kishin letërnjoftime.

                                                            *

Fatet e personazheve janë rrëfyer me nuancat e tyre individuale, me gjuhën popullore, secila më e dhembshme se tjetra, që prej secilës do të mund të bëhej skenar për ndonjë film dokumentar.

Libri ‘’Mos paç fatin tim’’ , është një minihistori  që shtjellon shumë pamje e fakte të jetës private të femrave, në kushte e rrethana të një mentaliteti dhe kulture patriarkale; është klithja e protagonisteve po njëherit është edhe zëri protestues i autores Shukrije Rama, kundër pozitës nënçmuese e poshtëruese të femrës.

Vërtetë, nëse statusi dhe pozita e grave shqiptare në shoqëri ka avancuar shumë: në arsim, në punësim, në përfaqësim, në pikëpamje të barazisë ligjore dhe institucionale,- statusi dhe pozita e saj në familje nuk e ka përcjell këtë avancim në planin social-ekonomik, për sa i përket barazisë, të drejtave dhe dinjitetit të gruas brenda familjes.

Tragjeditë, vuajtjet fizike, shpirtërore, mentale dhe emocionale të protagonisteve të librit ‘’Mos paç fatin tim’’, janë një ‘’trezor’’ i temave për shqyrtim e korrigjim të realitetit. Dhe këto sakrifica e vuajtje sikur e vërtetojnë thënjën se: ‘’Nga goditjet e fatit, femrat lakohen, kurse burrat thyhen’’.

                                                            ***

Biografia e autores: Shukrije Rama, e lindur në Prishtinë, ku kreu studimet dhe masterin për shkencat filologjike, aastaj ka krye specializime për fushën e bibliotekave dhe informacionit (në Barcelonë, në Boston dhe në Çikag), ondërsa në vitin 2010 mori titullin Doktore e Shkencave të Menaxhmentit (në Universitetin për Paqe të KB). Është e angazhuar në mësimdhënie  dhe udhëheqje në institucionet e arsimit të lartë të vendit dhe të jashtëme. Libri ‘’Mos paç fatin tim’’, është libri i pestë e kësaj autoreje.

                                                                                                                     

 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …