Adil Fetahu

Adil Fetahu: Lufta speciale e Serbisë me fqinjët, zbatim i Memorandumit të Dytë të ASHAS-it

Pse Serbia tërhoqi personelin e ambasadës së vet nga Shkupi?

Këto ditë Serbia tërhoqi tërë personelin e ambasadës së vet që kishte në Shkup. Zyrtarët më të lartë serbë, duke filluar nga kryetari i shtetit, Aleksandar Vuçiq, kryeministresha Ana Barnabiq, dhe ministri i punëve të jashtme, Ivica Daçiq, pastaj analistë politikë dhe mediat serbe, tërheqjen e personelit të ambasadës e “arsyetojnë”, gjoja me ndryshimin e qëndrimit të Qeverisë së Maqedonisë  përkitazi me votimin e mundshëm në favor të Kosovës për anëtarësim në UNESCO. Këtë “arsyetim” nuk e gëlltitë askush që e di politikën dhe mentalitetin serb, që mbështetet në gënjeshtrën si virtyt i inteligjencës  dhe patriotizmit serb, siç e ka definuar vet “babai i kombit”, i ndjeri Dobrica Qosiq. Kosova  mund të jetë shkas, pretekst , por nuk është as shkaku as thelbi i këtij hapi  diplomatik. Serbia po përpiqet të bëhet njëfar xhandari  për t’i disiplinuar shtetet më të vogla, dhe po bëhet faktor i destabilitetit në rajon. Vuçiqi ka theksua  edhe përgjimin dhe spiunimin që gjoja Maqedonia ia ka bërë Ambasadës serbe. Portali “Sputnjik” ka bërë me dije se Qeveria e Maqedonisë, gjoja, e paska përgatitur propozimin për të  mbështetur anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Kjo nuk mund të jetë e vërtetë, derisa Kosova vet nuk  ka aplikuar për këtë anëtarësim. Po nga ana tjetër, në qoftë se Maqedonia herën e parë kishte votuar pro anëtarësimit, çfarë arsye tjetër do të kishte që edhe tash ta përkrahë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO?!  Po, mediat spekullojnë e përhapin emocione në popull. Greqia është e befasuar, ndërsa Serbia është e tërbuar nga përafrimi I marrëdhënieve të Maqedonisë me Kosovën. Ivica Daciq deklaroi se edhe Serbia mund ta ndryshojë qëndrimin e vet për sa i përket emrit kushtetues të Maqedonisë, e t’i kthehet  emrit IRJM. Por, institucionet e Maqedonisë kanë zbuluar përzierjen e Serbisë në ngjarjet që ndodhën në Kuvend dhe jashtë tij, dhe publikuan bisedat e zhvilluara midis operativistëve të BIA-s  dhe përfaqësuesve të serbëve të Maqedonisë e të gazetarëve serbë. Përfaqësuesi i BIA-s, Goran Zhivaleviq, së bashku me rusët ishte pjesë e trazirave në Kuvendin e Maqedonisë.

Tërheqja e ambassadorëve “për konsultime” në raste të caktuara, është një praktikë në diplomaci, por tërheqje e gjithë personelit “për konsultime”, nuk është praktikë diplomatike. Mirëpo, Serbia ndaj më të vegjëlve se vetja, paraqitet në mënyrë shumë arrogante dhe agresive, jashtë çdo parimi e norme.

Memorandumi 2 i AShAS – parasheh destabilizimin e fqinjëve

E vërteta e këtij “incidenti diplomatik” midis Serbisë e Maqedonisë, qëndron diku tjetër. Rusia, nepërmjet Serbisë don të krijojë destabilitet në Ballkan, dhe është e brengosur për përafrimin e Maqedonisë ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s, sikur ishte edhe për Malin e Zi. Ndërsa Serbinë e ka mashë këtu, si faktor destabiliteti, sa herë don të krijojë situatë ekscesive e destabilizuese. Kështu veproi me tentimin e grushtshtetit në Mal të Zi, pastaj me trenin për Kosovë, me rrëmujën e krijuar në Kuvendin e Maqedonisë, para zgjedhjes së qeverisë së re. Kjo është një luftë e ftohtë psikologjike midis Rusisë dhe Perëndimit, ndërsa Ballkani  i kapluar nga kriza të ndryshme është terren i përshtatshëm për këtë lloj lufte, pa përjashtuar edhe  llojin tjetër.

Në qershor të vitit 2011, pata bërë një analizë të gjatë dhe botova një shkrim, me titull:  “Memorandumi 2 i AShAS – program i luftës speciale”. Pasi Serbia dështoi për ta shtrirë hegjemonizmin e vet mbi të gjitha republikat, siç ishte paraparë me Memorandumin e parë (1986), Akademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë hartoi Memorandumin 2, një dokument sekret, të pashpallur, por që u ishte dërguar të gjithë anëtarëve të qeverisë, udhëheqëve shtetëror, politik, diplomatik,  kishtarë e të tjerë, si një program dhe doracak udhëzues, se si duhet të veprojnë për realizimin e qëllimeve të njëjta, por në kushte të reja e me mjete dhe  metoda tjera, për të dëmtuar interesat e shteteve fqinje. Memorandumi 2 i AShAS, si dokument sekret, mbante shënimin: “Lexoje, por mos e shpërndaj më tutje”. Është botuar (faksimile me komente) në revistën javore “Slobodna Bosna” në Sarajevë, po edhe në “Europa Magazin” në Lawrenceville, në ShBA (prill 2011).

Qëllimet strategjike që synohej të arriheshin me Memorandumin 2, duhet të kishin për efekt:

*dobësimin ekonomik të vendeve fqinje, me bllokada, opstruksione e veprime të ndryshme alla-serbe;

* heqja dorë e shteteve fqinje: Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë nga paditë e ngritura, apo të pretenduara në Gjykatën Ndërkombëtae të Drejtësisë, kundër Serbisë;

* provokimi i paknaqësive, protestave e demostratave në vendet e rajonit;

* orientimi i Serbisë kah Kina, politikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht;

* krijimi i bashkësisë panserbe, për të gjithë serbët në rajon dhe në diasporë;

* minimizimi i përgjegjësisë së Serbisë për krimet dhe shkatërrimet e kryera gjatë luftërave, duke ngritur akuza, fletëarreste ndërkombëtare dhe procese gjyqësore kundër qytetarëve të Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë dhe Kosovës;

* shmangëja e vëmendjes së mediave rajonale e ndërkombëtare nga proceset e gjykimeve në Tribunalin e Hagës kundër kreut shtetëror, ushtarak dhe policor të Serbisë;

* me aksione pendese të vehet Serbia në pozitë të njëjtë të viktimës, sikur shtetet e tjera të dëmtuara nga lufta (agresioni serb);

* insistimi për mbylljen e Tribunalit të Hagës, ashtu që gjykimi i gjeneralit Ratko Mlladiq të zhvillohet në gjykatat e vendit;

* destabilizimi i qeverive të vendeve fqinje, duke provokuar paknaqësi e tollovi në to, ashtu që të dobësohet tehu i akuzave kundër Serbisë;

* ndihma për shkëputjen e “Republika srpska” nga Federata e BH, dhe bashkimit me Serbinë;

* insistimi për fitimin e statusit të popullit konstituiv të serbëve në Kroaci, Mal të Zi dhe në Kosovë;

* pengimi i ndarjes së Vojvodinës dhe rajonalizimit të Serbisë si dhe dobësimi i veprimit të Bashkësisë Islame të Sanxhakut.

Akademikët dhe isnpiruesit e tjerë të Memorandumit 2, konsideronin se ishte moment i volitshëm që Memorandumi të pranohej e zbatohej, derisa në krye të shtetit ishte Boris Tadiqi (2004-2012), i biri  i Ljuba Tadiqit, njenit nga autorët e Memorandumit. Autorët e tjerë ishin Dobrica Qosiq e Mateja Beçkoviq. Tadiqi i ri hiqej si proevropian, vetëm sa për të fituar besimin dhe përkrahjen e BE-së, që të trajtohet si lider në rajon, ndërsa qëllimet e tij të fundit ishin realizimi i ambicjeve të vjetra nacionaliste për krijimin e Serbisë së Madhe, me metoda të reja të përshtatura kushteve dhe kohës.

Projekti i Serbisë së Madhe mbetet program i përhershëm

Udhëheqja shtetërore dhe të gjitha segmentet e shtetit serb, tërë kohën kanë veprua dhe veprojnë në zbatimin e qëllimeve të përcaktuara në Memorandumin e parë dhe të dytë të AShAS. Në këtë frymë, Qeveria e Serbisë ka miratua strategji  afatgjata nacionale për fusha të ndryshme dhe Planin Aksional për 15-20 vjetët e ardhshme, dhe hap-pas-hapi është duke zbatuar të gjitha pikat e Memorandumit. Një ndër ato strategji, është ajo për Serbët në rajon. Ka miratua edhe Ligjin për Diasporën dhe Serbët në Rajon (2009; ndryshimet e plotësimet 2012). Në dispozitën  e nenit 2 të Ligjit, ku jepet definicioni i nocioneve dhe statusit të serbëve në diasporë e në rajon, është thënë se me “Serbët në rajon nënkupton pjesëtarët e popullit serb, të cilët jetojnë në Republikën e Sllovenisë, Republikën e Kroacisë, në Bosnje-Hercegovinë, në Mal të Zi, në Republikën e Maqedonisë, në Rumani, në Republikën e Shqipërisë dhe në Republikën e Hungarisë”. Prej kësaj mund të vëreni, se Serbët e Kosovës nuk i trajton me të njëjtin status ligjor, si serbët tjerë të rajonit, sepse Kosovën e trajton si pjesë të Serbisë. Dhe për çudi, askush  nga Kosova, as nga jashtë, nuk ka reaguar as ndaj Strategjisë, as ndaj Ligjit. Strategjia për Serbët në rajon, insiston që ata të fitojnë statusin politik-kushtetues si popull konstituent,  të realizojnë autonomi territoriale,  e pastaj dalëngadalë, në rrethana të volitshme të kërkojnë  dhe realizojnë shkëputjën prej shteteve ku janë e t’i bashkohen shtetit amë, Serbisë. Më 4 gusht 2017, në Novi Sad u mbajt mbledhje me Serbët e Rajonit (thonë se vetëm Serbët e Shqipërisë nuk kanë mund të vijnë!?). Në mbledhje morën pjesë e gjithë “bullumenta”  serbe, ndërsa e kryesuan “trojka” simbolike:  Aleksandar Vuçiq, kryetari i Serbisë, Irinej, kreu i Kishës Ortodokse Serbe, dhe “gllavina” e asaj kreaturës gjenocidale e serbëve të Bosnjës, e quajtur “Republika srpska”, M.Dodik. Janë marrë vesh që në vjeshtë të dalin me një Deklaratë të përbashkët  Republika eSerbisë  dhe “Republika srpska”, për veprimin e përbashkët dhe unifikues nacional dhe definimin e minimumit të parimeve nacionale për ekzistencën e kombit dhe popullit serb. Është interesant përbërja e Këshillit (pleqësisë) për marrëdhënie me Serbët në rajon. Aty janë: kryetari i republikës, kryetari i Kuvendit, kryetari i Qeverisë, përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Serbe, gjashtë ministra të resorëve të caktuar, dhe kryetari i Këshillit Ekzekutiv të KA të Vojvodinës.  Këshilli është organ i Republikës së Serbisë, me kompetenca të caktuara ligjore për punë e detyra nga lëmi i bashkëpunimit, mbrojtjes së interesave dhe përparimit të mardhënieve të Republikës së Serbisë me Serbët në rajon. Tërë aktiviteti atij Këshilli, i shtetit, i kishës, i organizmave dhe institucioneve tjera serbe, zhvillohet në frymën e Memorandumit 2. Ndërsa, fryma e Memorandumit mund të kuptohet nga deklarimet e autorëve të tij. Babai i kombit serb, Dobrica Qosiq, ka proklamuar këtë formulim : Në shekullin 20 Serbët i humbën katër luftëra, por në shekullin 21 duhet të shohin se si në paqë t’i fitojnë luftërat e humbura. Ndërkaq, autori tjetër, Luba Tadiq, kishte deklaruar : Humbjen ushtarake të Krajinës Serbe dhe vendeve të Sllavonisë, në të cilat Serbët ishin shumicë, kurrë nuk guxojmë ta pranojmë si humbje definitive, madje as në Kushtetutë, sikurse Gjermania që kurrë nuk kishte pranuar humbjen e Gjermanisë Lindore.

Memorandumi 2 është një dokument ogurzi,  një platformë e manifest i idesë dhe programit për unifikimin e popullit serb dhe formimin e Serbisë së Madhe. Me këtë mendohet që në paqë, pa luftë të armatosur, ndonëse ajo kurrë nuk përjashtohet, të arrihen qëllimet e projekteve sërbomëdha, të cilat nuk mund i arritën me katër luftërat e humbura në dekadën e fundit të shekullit të kaluar. Për ta shëruar plagën e Kosovës, ndonëse nga Kosova kurrë nuk heqin dorë, madje nuk e heqin as nga Kushtetuta, Memorandumi 2 i kushton një vëmendje të posaçme të ashtuquajturës Republika Srpska; të bëjë gjithçka deri në shkëputjen e saj nga Federata e BH, e pastaj bashkimin me Serbinë. Për zbatimin e Memorandumit 2, një rol të veçantë  e ka   Kisha Ortodokse Serbe, sikurse ka pasur në të gjitha projektet dhe programet serbomëdha.

Dobrica Qosiqi, në një letër, të botuar në gazetën “Politika”, dërguar një miku të tij nga koha e luftës, Dragomir Llaziq, shkruante: “Me gjeneratën time revolucionare nuk arrita da ndryshoj fatin e popullit serb; ishte ai një iluzion rinor partizan; nuk arrita as si kryetar i RF të Jugosllavisë ta ndryshojë politikën e shtetit e të fillojmë rinlindjen e Serbisë në një shoqëri socialdemokrate, të arsimuar e të civilizuar. Këto mossuksese ishin dështime nacionale të gjeneratave, të cilat në ndërgjegjën time dhe në shpirtin tim kanë shkaktuar vuajtje, të cilat ma zvogëlojnë suksesin dhe kënaqësinë që kam pasur, karshi të gjitha sakrificave, në punën time me romanet. Ndryshimet që ndodhën më 5 tetor (2000), u bënë  nga mllefi i popullit dhe me miliona dollarë të shërbimit informativ amerikan dhe bashkëpunëtorët e tyre, kthesë në të cilën edhe unë, në lajthitje, mora pjesë. Ai ndryshim i rendit u shndërrua në një realitet të tmerrshëm: me kontrarevolucion kriminal hymë në kapitalizëm kriminal. Unë shumë shpejtë pashë se përsëri ishim mashtrua”.  Edhepse pranon se ka dështuar, bashkë me të tjerët të cilët luftuan për qëllime të mëdha nacionale, Qosiqi e ngushëllon veten dhe të tjerët, me një formulim dykuptimësh, të botuar në revistën javore NIN: “Ato dështime nuk janë definitive, dhe se në to ekziston një pikë e  ndritshme: “Republika Srpska”, e cila është argument se kemi arritur edhe disa fitore historike, dhe e kemi bindur botën në drejtësinë dhe të drejtën tonë”.

Është çudi se si organet  shtetërore, institucionet as mediat tona, në Kosovë as në Shqipëri, nuk i përcjellin këto zhvillime, këto akte e veprime të platformave, strategjive, memorandumeve e programeve serbe, të cilat kanë për qëllim destabilizimin e shteteve fqinje, gllabërimin e territoreve dhe formimin e Serbisë së Madhe, thuase këto po ndodhin diku në Azi, Afrikë apo Amerikën Latine, që nuk kanë të bëjnë asgjë me ne! Zhvillimet në Kosovë, por edhe në Shqipëri dhe në shtetet fqinje, janë tamam pasqyrë e  synimeve të caktuara në Memorandumin 2, realizimin e të cilave po e ndihmojnë shqiptarët e etshëm për pushtet, e që nuk e kanë gajlën e shtetit, mesa për borën e parvjetit!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …