Adil Fetahu

Adil Fetahu: Marrëdhëniet ekonomike midis Shqipërisë e Jugosllavisë (1921-1939)

Nëse keni bregdet, mund të zhvilloni tregti me tërë botën; nëse nuk  keni, atëherë mund t’i shërbeni vetëm fqinjë tuaj” (Pol Kolijer)

Gjendja në Shqipëri pas Luftës së Parë Botërore

Shteti Shqiptar i formuar (shpallur) në nëntorin e  vitit 1912, nuk mundi të konsolidohej, për shkak të shpërthimit të luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Fundi i Luftës e gjeti Shqipërinë të pushtuar nga shtatë ushtri të hueja, aleate dhe kundërshtare midis tyre (Serbisë, Malit Zi, Geqisë, Austrohungarisë,  Italisë, Bullgarisë dhe Francës). Shtetet fqinje, Serbia, Mali Zi dhe Greqia, por edhe Italia e përtej detit, kishin pretendime për ta gllabëruar apo copëtuar territorin e Shqipërisë, dhe për këto qëllime kishin lidhur marrëveshje të fshehta e të hapta, të dyanshme e të shumanshme.

Për shkak të gjendjes në të cilën ishte katandisur, e tëra e pushtuar nga ushtritë e hueja, Shqipëria në Luftën e Parë Botërore ishte “neutrale”, nuk ishte as në anën e fituesve as të humbësve të luftës. Megjithatë, në Konferencën e Paqes, e hapur në Paris më 18 janar 1919, Shqipëria trajtohej edhe më keq se palët të cilat e kishin humbur luftën; kontestohej ekzistimi  dhe rrezikohej shpërbërja e shtetit shqiptar dhe ndarja e territorit midis pretendentëve. Franca dhe Anglia ishin për ndarjen e Shqipërisë, sipas Marrëveshjes së fshehtë të Londrës, të 26 prillit 1915. Edhe delegacioni i Amerikës në Konferencën e Paqes, në fillim kishte qëndrim negativ për Shqipërinë, duke e konsideruar si “qenie politike e padëshirueshme”, të cilën duhet ndarë midis Jugosllavisë e Greqisë. Rivaliteti midis Jugosllavisë dhe Italisë, kishte bërë që Jugosllavia të përkrahte pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë e paraparë në vitin 1913. Diplomati jugosllav, Ivan Vukotiq, pas 20 vjetëve pati deklaruar: “Në Konferencën e Paqes ne ishim kundër Marrëveshjes së fshehtë të Londrës. Vërtetë, na kërkuam formimin e Shqipërisë së pavarur, por këtë e bëmë me qëllim që atë pavarësi ta rrënojmë sapo të na jepet rasti i parë i volitshëm” (Raporti i Vukotiqit për kryetarin e qeverisë së Jugosllavisë, Millan Stojadinoviq, 3.02.1939). Vetëm me përpjekje të mëdha të diplomacisë shqiptare, e përkrahur nga Amerika, veçmas nga Presidenti Wilson, e më pastaj edhe nga Anglia dhe Italia, mezi arriti të bëhej anëtare e Lidhjes së Kombeve, më 17 dhjetor 1920, dhe kështu ta ruajë subjektivitetin e shtetit. Konferenca e Ambasadorëve të fuqive të mëdha: Anglisë, Francës, Italisë dhe Japonisë, në vazhdën e Konferencës së Paqes, më 9 nëntor 1921, mori vendim për ta njohur qeverinë e Shqipërisë, e kjo nënkuptonte njohjen de iure dhe de facto të shtetit shqiptar, në kufijtë e caktuar (vetëm parimisht) nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër, në vitin 1913, por që një komision i emëruar nga fuqitë e mëdha duhej të caktonte dhe të hartonte protokollin e caktimit në terren të kufijve të shtetit shqiptar. Kufijt e Shqipërisë me Jugosllavinë përfundimisht janë caktuar më 26, respektivisht më 30 korrik 1926.

Duke marrë parasysh brishtësinë dhe paaftësinë e shtetit shqiptar për të mbrojtur territorin dhe kufijtë e vet, dhe interesat strategjike të Italisë, katër fuqitë e mëdha (më 9 nëntor 1921), kishin vendosur që, në emër të Lidhjes së Kombeve, Italia të kujdesej për mbrojtjen dhe restaurimin e kufijve të Shqipërisë, në rast rreziku të cënimit të tyre nga ndonjë shtet tjetër. Këtë status të “kujdestarit” ndaj shtetit shqiptar, Italia e shfrytëzoi maksimalisht gjatë gjithë kohës, për të dominuar mbi Shqipërinë në çdo pikëpamje: politike, ekonomike, financiare dhe ushtarake, e për të shmangur afrimin e Shqipërisë me cilindo shtet tjetër, sidomos afrimin me Jugosllavinë, me të cilën Italia kishte një rivalitet karshi interesave strategjike në Shqipëri. Edhe Jugosllavia përpiqej ta bënte për vete shtetin shqiptar e ta largonte nga “prehëri” i Italisë.

Marrëdhëniet ekonomike Shqipëri – Jugosllavi 1921 – 1939

Marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë e Jugosllavisë u themeluan më 22 mars 1922. Themelimi i marrëdhënieve dipomatike  hapi rrugën e bashkëpunimit dhe filloi këmbimi tregtar në zonat kufitare, u vendosën lidhjet postare-telefonike, lidhjet e komunikacionit tokësor dhe ujor (në Lumin Buna dhe në Liqenin e Shkodrës). Mirëpo, ky afrim i raporateve nuk ka mund të  fshijë mosbesimin e dyanshëm nga e kaluara. Ndonëse shtete fqinje, marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve asnjëherë nuk kanë qenë në nivel për të thënë, madje ishiin aq të mbyllura sa që nuk i dinin kapacitetet prodhuese dhe mundësitë tregtare midis tyre. Ekonomia e Shqipërisë ishte e pazhvilluar, e shkatërruar, në krizë financiare, rrugë të këqija, komunikacion të pazhvilluar, pushteti jostabil, konfliktet rreth kufirit, ishin këto rrethana që ndikonin në marrëdhëniet ekonomike, ndërsa raportet politike kishin ndikim kryesor. Një prej punëve të para serioze në marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve shënoi themelimi i Bankës Serbo-Shqipare, me seli në Cetinje (në gusht të vitit 1922). Përmes asaj banke, Jugosllavia planifikonte të zhvillonte marrëdhënie tregtare, të jepte kredi për zhvillimin e industrisë e të komunikacionit, të krijonte union doganor e të merrte koncesione për shfrytëzimin e resurseve në Shqipëri. Në vitin 1923 ishte lidhur një marrëveshje midis Jugosllavisë e Francës për realizimin e projektit të ndërtimit të hekurudhës për dalje në det (në Shëngjin), por ai porjekt nuk u realizua, për shkaqe të ndryshme. Përveç interesave ekonomike, Jugosllavia kishte për qëllim ta largonte Shqipërinë nga Italia. Edhe shoqëri ekonomike të vendeve tjera: Italisë, Francës, Anglisë dhe Amerikës ishin të interesuara për investime dhe koncesione në të gjitha degët e ekonomisë së prapambetur e të shkatërruar të Shqipërisë, prandaj ekonomia e prapambetur e Jugosllavisë nuk ishte në gjendje ta përballojë konkurencën e vendeve të zhvilluara.

Një hov i zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike dhe politike me Jugosllavinë nisi prej vitit 1925, pas kthimit në pushtet të Ahmet Zogut (dhjetor 1924). Midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë (Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene), janë lidhur disa marrëveshje shtetërore të dyanshme, sido që të jenë quajtur ato: protokolle, konventa, kontrata apo marrëveshje, për kategori të ndryshme të marrëdhënieve (për caktimin e kufijve shtetërorë; për marrëdhëniet diplomatike e konsullare; për komunikimet dhe ekstradimet; për tregtinë dhe komunikacionin (rrugor, ujor dhe ajror), për financa, etj.

Marrëveshja për caktimin e vijës së kufirit midis Shqipërisë e Jugosllavisë,  me 10 protokollet e Komisionit për caktimin e vijës dhe të mirëmbajtjes së gurëve, piramidave dhe shenjave, të vijës së kufirit, në gjatësi prej 465 km, e 460 metra, e nënshkruar në Firencë më 26  korrik 1926, është konfirmuar më 30 korrik 1926 nga ambasadorët e katër fuqive të mëdha: Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Japonisë, si dhe përfaqësuesit e Shqipërisë, Jugoslllavisë dhe Greqisë. Marrëdhëniet dhe marrëveshjet e tjera midis Shqipërisë e Jugosllavisë janë zhvilluar, lidhur e zbatuar varësisht nga zhvillimet e situatës politike dhe të sigurisë midis dy shteteve, e cila ka ndryshuar dhe herë-herë është acaruar skajshmërisht. Jugosllavia nuk ka kursyer mjete, mënyra, metoda dhe intriga, për të siguruar për vete ineresa strategjike dhe për të shmangë sa të mundej praninë dhe ndikimin e Italisë në Shqipëri dhe për të përçarë forcat politike shqiptare.

Më 22 qershor 1926 u nënshkrua, në Beograd, Kontrata për Tregti  dhe Ludrim, akt ky që kishte karakter të marrëveshjes definitive, me një spektër të gjërë të regullimit të marrëdhënieve ekonomike-tregtare midis dy vendeve. Duke pasur parasysh mundësitë e kufizuara për një qarkullim më të madh tregtar midis dy vendeve, pjesa më kryesor e Kontratës kishte të bënte me qarkullimin në zonën kufitare. Popullsia  deri 15 km thellësi brenda kufirit, në të dy anët, kishin të drejtë të zhvillonin tregti për mallra të ndryshme, për nevojat familjare dhe të punës. Mirëpo, për shkaqe politike, Jugosllavia e vonoi ratifikimin e asaj Kontrate deri në prillin e vitit 1929. Në ndërkohë, Shqipëria dhe Italia nënshkruan Marrëveshje për lidhje ushtarake (22 nëntor) dhe Paktin e Miqësisë (Pakti i Tiranës, 27 nëntor 1927), gjë që shkaktoi largimin e raporteve të Shqipërisë me Jugosllavinë dhe afrimin me Italinë.

Pasi Zogu refuzoi të nënshkruajë vazhdimin e Paktit të Tiranës, Italia ndërpreu pagesën e kredisë prej 100 milionë fr.ari, sipas marrëveshjes së 26 qershorit 1931, atëherë Jugosllavia vlerësoi se ishin krijuar rrethana të volitshme t’i afrohej Shqipërisë, ashtu që lidhi disa marrëveshje: Protokolli (i fshehtë) më 20.XII.1933; Marrëeshja shtesë për qarkullimin në zonën kufitare me Shkodrën 5.V.134; Protokolli për zbatimin e dispozitave mbi qarkullimin në zonën kufitare, dhe Marrëveshja për blerjen e peshkut shqiptar nga Liqeni i Shkodrës (8.V.1934). Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të Jugosllavisë, në vitin 1934 importi i Jugosllavisë nga Shqipëria ishte tri herë më i madh se eksporti i mallrave jugosllave në Shqipëri. Jugosllavia kishte importuar nga Shqipëria mallra në vlerë prej 3.205.508 dinarë. Ambasada jugosllave në Tiranë vlerësonte se “tërë aksioni i karakterit ekonomik, pavarësisht nga rezultatet, duhet të zgjërohet, për qëllime politike, për ta shkëputë Shqipërinë nga Italia e ta lidhë me Jugosllavinë, për të krijuar paqe jo vetëm në kufi, por edhe  brenda Jugosllavisë ku jetojnë më se 500 mijë Shqiptarë”.

Për shkak të rrethanave të brendshme, Mbreti Zog qe I detyruar të  lëshojë pe ndaj presionit Italian, ashtu që më 19 mars 1936, nënshkroi 12 marrëveshje të natyrës ekonomiko-financiare me Italianë, të cilat kishin rëndësi të madhe ekonomike dhe politike, që shkaktuan ftohjen dhe acarimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë në sferën politike dhe ekonomike, ndonëse përpjekjet jugosllave për “afrimin” e Shqipërisë ndaj Jugosllavisë nuk pushuan, bile më 25 mars 1937 u lidh Pakti i Miqësisë midis këtyre dy vendeve, por të gjitha ishin me hile dhe jo të sinqerta, sepse qeveria jugosllave zhvillonte bisedime të fshehta me Italinë, së cilës ia njihte të drejtën e “penetrimit” në Shqipëri, gjë që përfundoi me invazionin dhe pushtimin e 7 prillit 1939.

Sipas statistikës zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Jugosllavisë – Sektori për Punë Konsullare-Ekonomike, respektivisht të dhënave të Institutit të Shkencave Shoqërore të Beogradit, shkëmbimi tregtar midis Jugosllavisë e Shqipërisë dhe Shqipërisë e Italisë, në periudhën 1921 – 1938 kishte arritur këto parametra në para (franka ari):

Importet e Shqipërisë nga Jugosllavia dhe nga Italia

______________________________________________________________________________

Viti    Nga Jugosllavia      Nga Italia

      (në franka ari)      (në franka ari)

1921      334.741     13.175.009

1922      596.020       8.389.517

1923   1.699.314      15.953.777

1924       554.137      15.462.923

1925        780.694      16.386.670

1926     1.131.014      16.673.559

1927      1.261.877      15.441.539

1928      1.828.815      15.623.810

1929    3.080.000      17.648.000

1930     2.459.000      16.638.000

1931     2.762.000      13.826.000

……..       ……………..         ……………

1936     1.258.000       4.177.000

1937     2.272.000       4.866.000

1938     2.520.000       8.327.000

Eksportet e Shqipërisë në Jugosllavi dhe në Itali

1921    88.490        1.619.498

1922    100.611       2.036.560

1923    290,607       4.810,669

1924    306.886       6.378.165

1925    442.998      10.051.100

1926    241.211        5.484.126

1927    253.343        6.293.804

1928    237.784        9.021.539

1929    244.000        8.869.000

1930    433.000        7.831.000

1931    144.000        4.966.000

……….    ……………           ………..

1936    144.000        4.954.000

1937      72.000        7.998.000

1938      66.000        6.133.000

* Shifrat e rrumbullakuara me 000, për vitet 1929 – 1938, janë nga të dhënat e Institutit të Shkencave Shoqërore të Beogradit,ndërsa shifrat e tjera, më të sakta janë të Statistikës zyrtare të Jugosllavisë së asaj kohe.

Siç shihet nga krahasimi i të dhënave të këmbimit tregtar të Shqipërisë me Jugosllavinë dhe me Italinë, edhepse Jugosllavinë e kishte në kufi, shkembimi me Italinë ishte shumëfish më i madh. Italia kështu ka dominuar edhe me investimin e kapitalit në Shqipëri, që në vitin 1938 arrinte 69% të tërë kapitalit të huaj të investuar në Shqipëri, në të cilin Jugosllavia as që përmendet; Gjermania kishte 11%, Anglia e Franca (së bashku) 9%, ShBA-të 5% dhe nga  vendet tjera 6%.

Tërë angazhimin që bënin Jugosllavia dhe Italia, dhe jo vetëm ato, për të depërtuar sa më shumë në marrëdhëniet ekonomike me Shqipërinë, e bënin për qëllime politike dhe gjeostrategjike, për të dominuar apo tek e fundit për ta pushtuar Shqipërinë. Prandaj, marrëdhëniet ekonomike të Shqipërisë me këto dy shtete rivale, nuk duhet shikuar ngusht në dimensionin e shkëmbimit tregtar dhe të marrëdhënieve ekonomike, veçse në kontekst të gjërë të interesave strategjike të politikës dhe të diplomcisë së shteteve të Ballkanit e të fuqive të mëdha.

Në realitetin midis Jugosllavisë dhe Italisë për të dominuar mbi Shqipërinë, kjo e fundit gjendej në pozitë midis Skiles e Haribdes. Marrëdhëniet në këtë trekëndësh asnjëherë nuk kanë qenë as miqësore as të sinqerta, prandaj as nuk ishin të qëndrueshme për kohë të gjatë, veçse lëkundeshin dhe shpesherë acaroheshin herë me njenin, herë me krahun tjetër. Figura kryesore e këtyre marrëdhënieve ishte Mbreti Zog, i cili përkundër fuqisë që (s)kishte në raport me fuqitë rivale, u tregua mjaft i shkathtë për ruajtjen e stabilitetit të vendit, ndonëse edhe brenda shtetit dhe qeverisë së vet kishte mjaft kundërshtarë të ashpër politik, të cilët i nxitnin dhe mbështetnin edhe Jugosllavia edhe Italia. Këto dy shtete rivale ndaj interesave të tyre, shpeshherë  bënin marrëveshje midis tyre, prapa shpinës së Shqipërisë, siç njihet ajo e fundit midis kontit Çiano dhe Stojadinoviqit në Beograd, për planin e pushtimit të Shqipërisë, të cilin Italia e realizoi më 7 prill 1939.

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …