leoni

RUS

Adil Fetahu: Mercenarët rusë nëpër botë

Më 29 korrik të këtij viti, “Rojters-i” lajmëronte se forcat e sigurisë së Bjellorusisë kanë arrestuar 33 mercenarë rusë, të cilët kishin planifikuar të kryejnë diverzione dhe akte terroriste në disa qytete të Bjellorusisë, siç kanë raportuar mediat e atij vendi. Thonë se nga Rusia kanë hyrë 200 mercenarë të Kompanisë Ushtarake Private “Wagner”, dhe se forcat bjelloruse të sigurisë janë duke i kërkuar të tjerët. Ministria e Punëve të Jashtme të Bjellorusisë menjëherë e ka thirrë në audiencë ambasadorin rus në këtë vend dhe ka kërkuar  prej tij shpjegime për rastin. Natyrisht që ambasadori do të ketë thënë se politika zyrtare ruse nuk ka kurrëfar lidhje me ata mercenarë, por a do t’i besojë kush se është ashtu?

Ky rast dëshmon se në marrëdhëniet ndërkombëtare, nuk ka miqësi të sinqertë dhe të përhershme midis shteteve, sikur pretendohet miqësia e pandashme, si mishi e thoni, midis Federatës Ruse dhe Bjellorusisë.  Nëse diken e ka befasuar ky lajm i inkursionit të mercenarëve rusë në shtetin mik, për njohësit e kësaj veprimtarie të përhershme të forcave ruse nuk është kurrëfar befasie. Sepse, mercenarë rusë, “qenë të luftës”, ka gjithandej nëpër vendet ku zhvillohen luftime, qoftë të brendshme apo me shtete të tjera. Burime të ndryshme informative bëjnë të ditur se aktualisht kontigjente të mercenarëve rusë veprojnë së paku në 13 shtete të botës, si në: Angolë, Guine, Guineja Bisao, RD Kongo, Zimbave, Libi, Madagaskar, Mozambik, Sudan, Republika e Afrikës Qendrore Siri, Ukrajinë dhe Venezuelë.

Radio “Europa e Lirë” lajmëronte më 2 gusht 2018, se në Republikën e Afrikës Qendrore, në vitin 2018 u vranë në rrethana të pasqaruara tre gazetarë rus: Orkhan Xhemal, Aleksandra Rastrojgijeva dhe Kirill Radçenko, të cilët kishin dashur të hulumtojnë aktivitetin dhe të inçizojnë një film dokumentar për Kompaninë Ushtarake Private “Wagner”, që sipas mediave franceze dhe atyre ruse po vepronin aktivisht në atë vend. Qeveria ruse asnjëherë nuk ka pranuar zyrtarisht se kishte mercenarë rusë në atë shtet të Afrikës dhe ka mohuar se ajo kompani punon sipas urdhërave të Moskës. Në Republikën Qendrore të Afrikës në vitin 2013 patën shpërthyer konfliktet midis myslimanëve e të krishterëve, në të cilin u vranë mijëra njerëz e qindra-mijëra të tjerë u detyruan të ikin prej vendit të tyre. Në vitin 2014 KB dërguan Misionin Paqëruejtës atje, ndërsa në vitin 2017, Rusia fitoi të drejtën e përjashtimit nga sanksionet e KS për shitjen e armëve RQA, gjoja me qëllim aftësimi të forcave të sigurisë së atij vendi dhe i dërgoi 175 instruktorë  për t’i ushtruar forcat legale, për mbrojtjen e kryetarit Tuadera.Thuhet se 170 prej tyre ishin civilë (mercenar[) të Kompanisë “Wagner” dhe 5 pjesëtarë të ushtrisë së rregullt ruse. Derisa Rusia lavdërohej se me dërgimin e armëve dhe të “instruktorëve” për ushtrimin e forcave të milicisë qeveritare është arritur qetësia, ekspertët e KB në raportin e tyre thonë se gjendja është përkeqësuar dhe ka eskaluar dhuna (edhe) në rajonet e tjera ku më përpara ishe më e qetë.

Kush është Kompania Private Ushtarake “Wagner”?

Kompania “Wagner” është një kompani e regjistruar si subjekt legal i policisë dhe ushtrisë private, të armatosur, me seli afër qytetit Krasnodar, në Jug të Rusisë. Atë e ka themeluar Dimitrij Utkin,  ish-oficer i Shërbimit Informativ të Ushtrisë Ruse (GRU) dhe bashkëpunëtor i afërt u Putinit. Ai më përpara e kishte formuar Korpusin Sllaven për luftë në Çeçeni. Prej atij Korpusi kishte krijuar Kompaninë private ushtarake. “Wagner” ishte pseudonimi i themeluesit, që më vonë ia la si emër kompanisë. Këtë pseudonim e kishte në qejf, si simpatizant i nacizmit. Në vitin 2014 vullnetarët (lexo: mercenarët) e Utkinit  iu bashkuan separatistëve prorusë të Ukrainës Lindore, kurse në vitin 2015 mercenarët e “Wagnerit” u shfaqen në Siri, kur Moska filloi inervenimin ushtarak në përkrahje regjimit të Asadit. Raporte të ndryshme nga Rusia dhe ShBA, thonë se financier i grupit “Wagner” është Jevgenij Prigozhin, një biznismen-miliarder nga Sankt Peterburgu, i njohur me pseudonimin “kuzhinieri” i Putinit. Duke u mbështetur në burimet ruse të informatave, mësohet se në marsin e vitit 2016 në Siri ishin 2500 pjesëtarë (mercenarë) të “Wagnerit” me detyra të ndryshme, prej të cilëve 1600 ishin luftëtarë në fronte, për të cilët fillimisht ishte ndarë një buxhet prej 350 milionë dollarësh. Revista javore ruse Soverseno Seketno (Rigoroz sekrete) bënë të ditur se 40% e grupit “Wagner” ishin kriminelë të cilët kanë kryer krime të rënda para se të rekrutoheshin në këtë kompani. Kompaninë deri në vitin 2016 e ka financuar dhe armatosur ushtria ruse, por tash thonë se ua ka ndërprerë financimin, për shkak të tendosjes së raporteve për dominim në terren, në Moskë, në konkurencë me ushtrinë e rregullt! Pas ndërprerjes së financimit nga Ministria Ruse e Mbrojtjes, “e ka detyruar Prigozhinin të kërkojë burime tjera financimi dhe ka arritur  të lidhë kontratë me qeverinë e Asadit, ashtu  që Kompania “Wagner” të merr 25% të të hyrave nga fushat e naftës të cilat i “çliron” kjo Kompani me mercenarët e saj. Prej atëherë (dhjetor 2016), Kompania ua ka rritur pagat mujore mercenarëve të vet, të cilat sillen nga 3500 deri 5000 dollarë amerikanë. Natyrisht, mercenarët kanë përfitime tjera,  ndoshta edhe më të mëdha, si pre e plaçkës në luftë. Raportohet për më se 200 mercenarë rusë të vrarë e shumë tjerë të plagosur në Siri. Kompania “Wagner”ua dërgon pagat familjeve të ushtarëve të vrarë. Edhepse bëhen përpjekje për të mohuar lidhjen e Rusisë zyrtare me grupin “Wagner”, shteti ka dobi të dyfishtë prej kësaj ushtrie ruse “nën hije”: nga një anë e mohon pjesëmarrjen e gjërë të Rusisë zyrtare në territorin e Sirisë, dhe nga ana tjetër “e zvogëlon” numrin e ushtarëve të vrarë në terren, sepse ata nuk i numron si të tillë. Interesat ekonomike ruse, për koncesione në hulumtimin dhe shfrytëzimin e pasurive natyrore të vendeve, regjimet e të cilave i ndihmon, është kapitull i veçantë dhe me peshë jo të vogël.

Mercenarë rusë marrin pjesë edhe në luftimet që po zhvillohen në Libi midis forcave rebele dhe atyre qeveritare. Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara, rreth 1000 mercenarë të “Wagnerit” kanë luftuar në frontin e lindjes së Tripolit, në përkrahje të forcave jolegjitime, ndërsa Rusia e ka mbëshetur luftën e tyre me avionë ushtarakë. Në luftimet që ka zhvilluar grupi “Wagner” në Libi ka përdorë gazna helmuese kimike, ashtu që kundështarët e paralizuar në baza nervore pastaj i kanë vrarë.

Mercenarët rusë (dhe të tjerë) në luftërat në Jugosllavi

Në luftërat e përgjakshme të shpërbërjes së Jugosllavisë federale kanë marrë pjesë numër i madh i vullnetarëve e mercenarëve rusë, ukraisnasë, grekë e rumunë, qysh nga fillimi i luftës 1992 Bosnje dhe Kroaci,  e deri në përfundimin e saj më 1999 në Kosovë.

Komandanti i Brigadës 549 të motorizuar e Korpusit të APJ në Prishtinë, koloneli Bozhidar Gjeliq, në deklaratat e tij të shumta që ka dhënë në procesin e gjykimit të S.Millosheviqit në Tribunalin e Hagës, po edhe më pas në raste të ndryshme, ka pohuar se në mesin 14000 ushtarëve të korpusit të tij  në Kosovë, ka pasur 2000 vullnetarë (mercenarë, v.j.) rusë, ukrainasë e të republikave tjera sovjetike dhe të vendeve tjera. Ata  kanë qenë të organizuar në dy grupe: BAD dhe GAV; herë kanë vepruar të pavarur, herë në kuadër të njësive policore, ushtarake e paramilitare serbe, në periudhën qershor 1998, deri në qershor 1999. Bashkë me forcat serbe kanë marrë pjesë në luftimet kundër UÇK-së në Koshare, në Pllaneja (afër Prizrenit) në Budakovë (afër Suharekës), e në vende tjera. Nuk ka dyshim se kanë marrë pjesë edhe në deportimin e civilëve shqiptarë dhe kanë kryer krime monstruoze sikur serbët. Shumë prej tyre kanë qenë veteranë  (lexo: kriminelë) të luftës në Avganistan, në Bosnje e në Kroaci. Në Bosnje, ka ndodhur që oficeri i kontigjentit rus  të UNPROFOR-it (majori Aeksandar Shkravo, pasi njëherë është kthyer në Rusi, ka ardhur përsëri në Bosnjë, port ash si mercenar në anën e serbëve, dhe është vrarë në luftë. Në Srebrenicë garda e vullnetarëve grekë, nën flamurin e shtetit të tyre ka bashkëpunuar me Ratko Mlladiqin në kryerjen e gjenocidit. Disa nga mercenarët rusë, grekë, ukrajinas e rumunë edhe sot e kësaj dite jetojnë të lirë dhe marrin pensione si veteran të luftës, në entitetin serb të Bosnjës ose në Serbi.

Në Kosovë dihen me emër e mbiemër  së paku tre mercenarë rusë që u vranë në luftë:

1) Bullah Vitalij Gllakoviq (1965), u vra më 19 maj 1999, në Koshare,

2) Fjodor Fjoroviq Shulga (1963), u vra më 30 maj 1999, në Deçan,

3) Starçen Ivajoviq Sergej (1962), u vra më 11 maj 1989, në Rezallë.

Një që e humbi syrin e djathtë në luftën e Koshares, Alber Andrijev, që pastaj e quanin Albert qorri, nga Odesa, pasi kishte plaçkitur një xhip të shtrejtë dhe e kishte mbushur me plaçka tjera të vlefshme: valuta, stoli ari, sende të çmueshme, të plaçkitura prej shqiptarëve, kishte ikur nga Kosova e shkuar në Vllasotince (Serbi), ku ishte martuar me një serbe të pasur të atij vendi. Ndoshta nga gjelozia, apo për arsye dhe motive tjera, policia serbe lokale, një natë ia kishte djegur xhipin, ashtu që qorri ishte shpërngulur nga Vllasotinca dhe prej vitit 2006 jeton në Beograd, si udhëheqës i një kompanie  për sigurimin e objekteve të hoteleve më të njohura të Beogradit. Natyrisht, ata “qej të luftës”, në mesin e serbëve në Bosnje e në Serbi, në mos paste edhe në Veri të Mitrovicës (?), i konsiderojnë si heronjë të tyre.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …