NGJARJA E PARAQINIT DHE PROPAGANDA MEDIALE SERBE
- Propaganda bëhet me qëllim që të ndikojë në opinionin publik, të pranojë dhe përvetësojë idetë politike dhe shoqërore të partive, të pushtetit dhe të përfaqësuesve të tyre
Më 3 shtator 1987, në kazermën “Branko Kërsmanoviq” të Ushrisë Jugosllave në Paraqin (Serbi), ndodhi një ngjarje e rëndë në “Armatën Popullore të Jugosllavisë”, siç e quanin asokohe ushtrinë e Jugosllavisë, e dominuar nga struktura politike dhe komanduese serbe, e që për shumë ushtarë shqiptarë ishte varr, sepse shumë prej tyre u kthyen në arkivole, me “diagnozë – vetëvrasje”! Lajmet e para e quanin këtë ngjarje të pashembëllt në ushrinë jugosllave. Por, ajo nuk ishte e pashembëllt, sepse prej asaj ushtrie që kishte 160.000 ushtarë, çdo vit ktheheshin të vdekur mesatarisht nga 115 deri 125 ushtarë, shumica dërmuese e tyre të vrarë në këtë mënyrë ose në mënyra tjera, por që mbahej në fshehtësi mënyra e vdekjes, përveç në rastet e fatkeqësive të komunikacionit. Organet kompetente kurrë nuk e kanë treguar të vërtetën për ushtarët e vrarë, as nuk ia kanë lënë vetes fajin. Gjithmonë “e kanë gjetur” fajtorin te i vrari ose te ndonjë person tjetër “me çrregullime mendore”. Vrasja e ushtarëve heshtej dhe askush nuk përgjigjej për këtë. Ndërkaq, për rastin e Paraqinit, më 4 shtator të gjitha mediat e shkruara serbe, me tituj të mëdhej e me formulime emocionuese jepnin lajmin për vrasjen e katër dhe plagosjen e pesë ushtarëve. Në komunikatën e shkurtër zyrtare të Sekretariatit Federativ të Mbrojtjes Popullore, për atë ngjarje thuhej: “Sonte, 3 shtator, në ora 03:05, ushtari Aziz Sadik Kelmendi, në shërbim në garnizonin e Paraqinit, gjatë kohës së kryerjes së detyrës së ndihmës-kujdestarit (dezhurnit) të njësisë, pa kurrnjë shkas vrau, derisa ishin fjetur, katër ushtarë, dhe këta ishin: Simiq Sërgjan nga Beogradi, Xhananoviq Hazim nga Koçiqi, komuna e Vitezit, Dudakoviq Safet nga fshati Orahovë, komuna e Bosanska Gradishkës dhe Begiq Gordan nga Zagrebi, ndërsa plagosi: Jaziq Ante, Gjekiq Petar, Preshern Andreja, Kovaçeviq Husa dhe Mehmedoviq Nexhid. Në situatën e krijuar është lënduar edhe ushtari Axhoviq Nazif. Ushtarëve të plagosur u është dhënë menjëherë ndihma mjekësore dhe jeta e tyre është jashtë rrezikut. Pas krimit të kryer, ushtari Kelmendi ka bërë vetëvrasje”. Në vazhdim të komunikatës, jepej një biografi e shkurtër, me këtë përmbajtje: “Vrasësi Aziz Kelmendi u lind më 15 janar 1967 në fshatin Koraçicë, komuna e Lipjanit; ishte student i Fakultetit Juridik në Prishtinë, banor i përhershëm në fshatin Dushanovë, komuna e Prizrenit. Në APJ është prej shtatorit 1986 dhe ishte pak para kryerjes së afatit të shërbimit ushtarak. Organet kompetente po bëjnë hetimet, për rezultatin e të cilave do të njohtohet opinioni”.
* * *
Nga komunikata e parë, të gjitha mediat (televizioni, radio, gazetat ditore e javore) nisën të thurin ngjarjën në stilin e tyre të propagandës gebelsiane. Sipas deklaratave të mëvonshme të kryeredaktorit të gazetës “Politika”, Zhivorad Minoviq, për shkak të situatës delikate të ngjarjes, nga kreu ushtarak u është thënë redaksive se për çdo informacion, raportim apo koment dhe intonacionin që duhet të japin gazetat e mediat tjera, paraprakisht duhet të konsultohën me Drejtorinë Politike të Sekretariatit Federativ të Mbrojtjes Popullore.
Rasti i Paraqinit vërtetë ndodhi në një situatë delikate politike që ishte jo vetëm në Kosovë, por edhe në vet Serbinë, kur forcat më radikale me në krye S.Millosheviqin ishin në vlugun e agresivitetit të tyre për të dominuar në skenën politike me platformën e Memorandumit të AShAS, për Serbinë e Madhe, unike,në të cilën do të jetonin të gjithë serbët. Prandaj, roli i mediave në promovimin e asaj politike radikale nacional-shoviniste dhe në paraqitjen e motivit nacionalist nga pozitat e nacionalizmit shqiptar të rastit tragjik të Paraqinit ishte i madh. Ndër gazetat më të angazhuara për të përhapur propagandën më urrejtëse, prinin gazeta “Politika”, “Politika ekspres” dhe “Veqernje novosti”. Roli i Radiotelevizionit të Serbisë në përhapjen e propagandas ishte veçanërisht i madh, për shkak se përçohej me fotografi e biseda emotive të zgjedhura. Mediat ishin të lidhura drejtpërdrejtë me shërbimet sekrete të ushtrisë dhe të sigurimit të shtetit, prej të cilave merrnin udhëzime për orientimin dhe dimensionin e propagandës. “Politika” e 4 shtatorit, në dy shtyllat e para shkruante: “U vranë katër ushtarë”, ndërsa në tri shtyllat e tjera, me fontin më të zi të germave, shkruante: “Kelmendi shtiu mbi Jugosllavinë”; me nëntituj: “Paraqini është nemitur”; “Lajmi i tronditi të gjithë”; “Tragjedia e Paraqinit është tragjedi e Jugosllavisë”, etj. Me tituj të këtillë e komentonin faktin se janë vrarë ushtarë nga vise e nacionalitete të ndryshme. Shkrimet ishin ilustruar me fotografi nga kazerma ku ka ndodhur ngjarja. “Politika” qysh prej ditës së parë deshi të tregojë se vrasja e ushtarëve ishte me motive nacionaliste dhe se Kelmendi nuk e bëri këtë krye në vete, duke shtuar: “Opinioni jugosllav është i tmerruar. Vrasësi Kelmendi, sipas të gjitha gjasave, nuk e ka tërhequr këmbëzen i vetëm. Ai ka shti në njërën nga shtyllat më të rëndësishme të unitetit dhe të stabilitetit jugosllav, në APJ, dhe atë në pulsin më të ndjeshëm të qenies së saj – në rininë, e cila gjithmonë me krenari ka bartë uniformën e saj. Masakra jugosllave në Paraqin tregoi edhe njëherë mënyrën tragike se kontrarevolucioni në Kosovë është problem jugosllav. Tragjedia e Paraqinit është tregjadi e Jugosllavisë” (“Politika”, 4 shtator 1987). Me këtë trumbetonte se tërë Jugosllavia është në rrezik nga nacionalizmi shqiptar.
Sllavolub Gjukiq, ish-gazetar i “Politikës”, në librin e tij “Kako se dogodio vodja” (si ndodhi udhëheqësi), botim 1992, Beograd), duke bërë fjalë për rastin e Paraqinit, ka cekur se Minoviqi (kryeredaktori i “Politikës”,v.j.) ishte ngazëllyeshëm i shqetësuar derisa u tregonte gazetarëve për vrasjen e katër ushtarëve serbë, që për situatën aktuale kishte ndodhur si e porositur. Pak minuta më vonë, dukshëm i nevrikosur iu thotë gazetarëve se “nuk ishin serbë të gjithë ushtarët e vrarë, por megjithatë kësaj ngjarjeje duhet t’I japim publicitet”!
Tema e vrasjes së ushtarëve në Paraqin ka dominuar shumë kohë në gazetat e Beograit, në krye me gazetat “Politika” dhe “Veqernje novosti”, me tituj emotivë: “Krim kundër vëllazërimit”; ”Viktimat e dorës së krimit”; “Rinia e shuar me dhunë”; “Gjykim i krimit që s’mbahet mend”, etj. Me tituj e tone emocinouese, gazetat e përmendura dhe jo vetëm ato, raportonin e komentonin nga ceremonia e varrimit të viktimave. Natyrisht, hapësirën më të madhe ia kushtonin varrimit të ushtarit serb, Sërgjan Simiq, që u vorros në Beogradin e Ri, më 5 shtator. Ai varrim u shndërrua në demonstratë antishqiptare. Të dy gazetat e përmendura, me raportime e komente atipike për raste të varrimit, theksonin se dhembja dhe mlllefi shihej në fytyrat e të gjithë atyre që kishin ardhur në varrimin e Simiqit. Kur nisi të mbulohej varri, vazhduan thirrjet: “Vdekje armiqëve dhe tradhtarëve”; “Vareni Fadilin” (Hoxhën), “Azem Vllasin jashtë Jugosllavis딓Lavdi Sërgjanit”; këndohej himni “Hej Sllaveni”; kënga “Shoku Tito ne të betohemi…”; klitheshin parollat: “Kosova është Serbi”; “Vdekje ballistave”; “Ndaleni stihinë e nacionalizmit”; “Rroftë APJ”, “Rroftë Jugosllavia”, etj. Pas varrimit të Simiqit, nja 200 vetë e vizituan varrin e A.Rankoviqit, ku përsëritën betimin për zgjidhjen e tragjedisë së Kosovës. “Kryengritja” e shfaqur në atë varrim e kishte nevrikosur të atin e ushtarit të vorrosur, sa që në një moment e kishte marrë mikrofonin dhe kishte bëritur: Ndaleni shprazjen e ndjenjave tuaja nacionaliste mbi varrin e djalit tim.
Pasi kishin përfunduar ceremonitë e varrimit të viktimave, shtypi serb iu kthye hetimit të pjesëtarëve tjerë të familjes së Aziz Kelmendit dhe raportimit e komenteve nga Kosova. “Veqernje novosti” e datës 9 shtator 1987 shkruante se familja Kelmendi është e padëshirueshme në fshatin Dushanovë, ndërsa Këshilli Komunal i Lidhjes së Luftëtarëve të LNÇ në Prizren ka inicuar procesin për kthimin e asaj familje në fshatin ku ka jetuar më parë, dhe se të gjithë pjesëtarët e familjes janë marrë në pyetje në gjykatën e Prizrenit, kurse ndaj nënës së Aziz Kelmendit (Sala Kelmendi) po zhvillohet procedurë për shkak se mbanë revole, të cilën ia ka dhënë i shoqi, Sadik Kelmendi, për të mbrojtur vetën dhe fëmijët poqese i sulmon ndokush. Sadiku është dënuar për kundërvajtje për shkak të asaj revoleje. Përndryshe, thuhej se përkundër zakonit të shqiptarëve që para derës së oborrit të mbajnë karrigën 7 ditë, në shenjë “të pamjes” për të vdekurin, qysh të nesërmën është hequr karriga, sepse askush nuk iu vjen për ngushëllime! Gazeta tjetër, “Politika”, shkonte më tutje me hetimet dhe zbulonte se Bashkësia Lokale e Dushanovës, që ka 7000 banorë, prej të cilëve 208 janë serbë, ka marrë vendim që ta leçitin (bojkotojnë) familjen Kelmendi, ndërsa motra e Azizit, Melihatja është përjashtuar nga organizata e rinisë së shkollës dhe është inicuar procedura për përjashtimin edhe prej shkolle!
Gazeta javore NIN e datës 13 shtator, sado që shkruante me një fjalor më të matur për rastin e Paraqinit, gjithësesi atë rast e lidhte me motive nacionaliste dhe me situatën e përgjithshme politike në Kosovë, dhe shtonte: “Çfarëdo motivi që do zbulojnë hetimet për krimin në Paraqin, komponenta e indoktrinimit armiqësor do të jetë baza. Të vdekurit nuk mund t’i bëhet gjyq, përpos gjyqit të opinionit, dhe para këtij gjyqi vrasësi njëzetvjeçar do të duhej të ndante dënimin me një numër të panjohur të njerëzve tjerë, të ngjarjeve dhe të situatave tjera”. NIN-i, megjithatë e kritkonte politizimin e varrimit të Simiqit.
Raportimet dhe komentet e botuara në gazeta, me fjalor emocionues dhe gjuhë të urrejtjes në baza nacionale kundër shqiptarëve, e helmuan akoma më tepër atmosferën politike dhe revoltën në Serbi e Mal të Zi, ashtu që në disa qytete pati incidente të rënda, gjuajtje dhe thyerje të dyqaneve, ëmbëltoreve, furrave, kiosqeve e punëtorive të shqiptarëve: në Velika Grdishka, Pozharevc, Titograd dhe në vende tjera. Gazetari i NIN-it, në një numër të asaj javoreje, shkruante: “Trimat tanë me emër, dikur sulmonin kështjellat, ndërsa trimat e sotëm pa emër, sulmojnë ëmbëltoret”!
Lajmet, raportet dhe komentet e formuluara sipas pikëpamjeve dhe qëllimeve të politikës, krijonin disponimin në opinionin publik në Serbi, Mal të Zi e gjetkë deri në konsensus të plotë për nevojën e marrjes së masave më të ashpra ndaj nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar. Vrasja e ushtarëve të nacionaliteteve të ndryshme shfrytëzohej si argument për të “dëshmuar” se struktura të caktuara shqiptare nuk ishin kërcënim vetëm për Serbinë, por për të gjithë popujt e Jugosllavisë dhe se Kosova ishte rrezik për tërë shtetin, problem ky që duhet të kuptohet seriozisht nga tërë shteti jugosllav si problem i tij, të cilin udhëheqja aktuale nuk është në gjendja ta zgjidhë. Vet Sekretari Federativ i Mbrojtjes Popullore, Branko Mamulla, kishte deklaruar: “Edhe sa Aziz Kelmenda i kemi nëpër njësitë e APJ-së”? Vetëkuptohet se një deklaratë e tillë e thënë nga kreu i ushtrisë, ishte një thirrje që ndaj ushtarëve dhe eprorëve shqiptarë në APJ, të zhvillohen procese hetimore dhe gjykime të shumta nga gjykatat ushtarake. Për rastin e Paraqinit, Gjykata Ushtarake e Nishit i dënoi 8 shqiptarë dhe një boshnjak, me burgim në kohëzgjatje prej 2 deri në 15 vjet, me akuzë se kanë bashkëpunuar me Aziz Kelmendin.
* * *
Propaganda mediale e zhvilluar lidhur me rastin e Paraqinit shkonte në favor të rrymës më radikale të Lidhjes e Komunistëve dhe të pushtetit shtetëror të Serbisë, për të bërë një kthesë më të ashpër politike dhe represive ndaj Kosovës, e cila u projektua pak më vonë, në Seancën e tetë të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë.
Në rubrikat “Odjeci i reagovanja” (Johona dhe reagime) dhe “Pisma citalaca” (Letrat e lexuesve), të gazetës “Politika”, e njohur për pikëpamjet urrejtëse e ksenofobike, botonin shkrimet e tyre akademikë, profesorë universiteti, shkrimtarë, artistë, mjekë, politikanë, kishtarë, ushtarakë e të gjithëfarë felash, tema e dilemma të inspiruara nga Memorandumi i AShAS dhe nga mitet e rrejshme historike e kishtare. Shumica e autorëve paraqiteshin me emër e mbiemër, me tituj e funksione, por kishte edhe shkrime anonime. Përmbajtja e shkrimeve të botuara në ato rubrika ishte ndër më të ndytat, sikur që edhe tash botohen nëpër komente të ndryshme në rrjetet sociale të Serbisë.
Stuhia e nacionalizmit që përfshiu strukturat politike dhe masat popullore në Serbi, ishin brengosëse për kryetarin e Serbisë së asaj kohe, Ivan Stambolliqin, i cili më vonë do të deklaronte: “Në politikë ndodhi stuhi nacionaliste pas Paraqinit, sikur me komandë nisën ta kallin Serbinë, të ngritin serbët në këmbë. Edhe sikur me vite të tëra Millosheviqi të kishte bërë planin, se çfarë duhej të ndërmerrte për të arritur shansën, nuk do të kishte mundur të mendonte ngjarje më të volitshme. Tash i ka nacionalistët përdore, ndërsa ata janë mjaft të mençur që t’i afrohën asaj dore të Partisë, ngase Partia akoma është e fuqishme, fundja është e vetmja organizatë politike në vend. Jam i vetëdijshëm se brënda natës po hyjmë në ditët me pasion të dalldisur të vlimit të atdhedashurisë, në kufi të deliriumit nacionalist” (Zhelka Krizhe: “Velikosrpska politicka propaganda uoci raspada Jugoslavije…”, Zgb.2015, fq.75).
Rasti i Paraqinit ndihmoi ngritjen e Millosheviqit në hierarkinë e shtetit të Serbisë
Duke parë rrezikun që me ndihmën e propagandës mediale, rryma radikale po ngarendë të dominojë skenën politike, Dragisha Pavlloviq, kryetar Komitetit të Lidhjes së Komunistëve të Beogradit, i cili përfaqësonte krahun më të matur në parti, në marrëveshje me kryetarin e Republikës së Serbisë, Ivan Stambolliqin, më 11 shtator 1987, mbajti një mbledhje me kryeredaktorët dhe sekretarët partiakë të mediave të Beogradit, të cilëve ua tërhoqi vërejtjen “se e kanë humbur orientimin dhe po përdorin fjalor e fjalë të pamatura, histerike në skenën publike, të cilat do të sjellin tërheqjen e këmbëzës së armëve. Edhe gabimi më i vogël në poteza, qoftë edhe me qëllimin më të mirë, mund të jetë tragjik për serbët e malazezët e Kosovës, për popullin serb dhe për stabilitetin e përgjithshëm të Jugosllavisë. Shuplakat e serbëve dhe malazezëve të Kosovës, nga aplaudimi janë kthyer në grushta, që është shenjë për ngjarje tragjike. Lufta kundër nacionalizmit shqiptar është detyrë në të cilën nuk duhet të ketë luhatje as lëshime, por nëse ajo luftë bëhet përmes intolerancës dhe urrejtjës ndaj tërë popullsisë shqiptare, siç po bëjnë disa media, atëherë ajo luftë është gjithnjë e më larg nga parimet socialiste dhe gjithnjë e më afër nacionalizmit”, porosiste Pavlloviqi strukturat udhëheqëse të mediave, por gjithnjë duke aluduar në Millosheviqin dhe ithtarët e tij të rrymës radikale në Komitetin Qendror të LK të Serbisë.
Natyrisht, aludimet e Pavlloviqit i kishin kuptuar mirë Millosheviqi me shokët, kështu që një mbrëmje mbajnë një takim privat në Pozharevc me kryeredaktorin e “Politikës”, të “Politika ekspresit”, të RTS e të disa mediave tjera. Në atë takim e bëjnë strategjinë se si ta rrëzojnë nga funksioni Dragisha Pavlloviqin, e përpilojnë një koment (thonë se e kishte përpiluar Mira Markoviqi, bashkëshortja e Millosheviqi, por si autor nënshkruhet gazetari Dragolub Millanoviq), të cilin më 14 shtator e boton “Politika ekspres”, me titull: “Vlerësim i lehtë i Dragisha Pavlloviqit”. Për të qëruar hesapet me Dragishën, Millosheviqi, që ishte kryetar i Komitetit Qendror të LK të Serbisë, e cakton mbledhjen e Kryesisë së Komitetit Qendror të LKS, për 18 shtator, me të vetmën pikë të rendit të ditës: Shqyrtimi i rastit të Dragisha Pavlloviqit. Më 17 shtator organizata e partisë së qytetit të Beogradit i jep përkrahje të plotë qëndrimit të Pavlloviqit, të cilin e kishte shprehur në mbledhjen e 11 shtatorit me strukturat e mediave. Në mbledhjen e KQ të LKS, më 18 shtator, Pavlloviqi shkarkohet nga pozita e anëtarit të Komitetit Qendror të LKS, ndërsa një bashkëpunëtor i afërt i tij (Radmillo Klajiq) përjshtohet prej partie. Kundër masave të tilla partiake ishte shprehur Ivan Stambolliqi, që ishte kryetar i Kryesisë së Republikës dhe anëtar i Komitetit Qendror të LKS. Për ta hequr qafe Pavlloviqin dhe përkrahësit e tij, Millosheviqi e cakton seancën VIII të KQ të LKS, e cila është mbajtur më 23 e 24 shtator, që ka zgjatur mbi 30 orë, dhe është transmetuar tërësisht nga RTS. Mbledhja ka qenë dramatike, dhe ka shënuar pikën e kthesës në politikën serbe dhe të ndarjes së rrymës më të matur, të cilën e përfaqësonin Dragisha Pavlloviqi, Ivan Stamboliqi e disa të tjerë, nga rryma më radikale në LKS, në krye me Millosheviqin. Në atë séancë, Dragisha Pavlloviqi u shkarkua nga të gjitha pozitat që kishte në LKS, me arsyetimin se po e pengon zbatimin e politikës së partisë dhe të shtetit Serbisë kundër nacionalizmit shqiptar dhe po dëmton unitetin e partisë në aksionet që ajo po zhvillonte në Kosovë.
Nga ajo séancë VIII e KQ të LKS, Millosheviqi u imponua si prsonaliteti më i fortë në Serbi, që lufton për unitet në të gjitha hallkat e partisë dhe të pushtetit të Serbisë e të Jugosllavisë, që në të vërtetë do të thoshte centralizim, unitarizëm në realizimin e politikës serbomadhe. Ivan Stambolliqi që asokohe ishte kryetar i Kryesisë së Republikës së Serbisë, dhe sipas detyrës zyrtare edhe anëtar i Kryesisë së KQ të LK të Serbisë, pas asaj séance u bojkotua dhe u injorua deri në nënçmim nga kreu i partisë dhe nga mediat, ashtu që më 14 dhjetor 1987 dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të Kryesisë së Serbisë dhe nga angazhimet politike, të cilën poizitë e mori gjenerali në pension, Petar Graçanin. Stambolliqi, më vonë përfundoi tragjikisht. Atë më 25 gusht të vitit 2000, e rrëmbyen njerëzit e njësisë speciale të MPB të Serbisë dhe tek më 28 mars 2003 trupi i tij është gjetur në Frushka Gora. Ndërkaq, Millosheviqi, me ndihmn e propagandës së mediave, kalëroi në të gjitha funksionet partiake e shtetërore të Serbisë e të RF të Jugosllavisë, deri sa më 28 qershor 2001 (në Vidovdanin serb) u ekstradua në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, me akuzën për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Por nuk e priti përfundimin e procesit gjyqësor, pasi vdiq në paraburgim më 11 mars 2006, dhe vdekja e tij e shpëtoi Serbinë pa e gjykuar për gjenocidin në Bosnje dhe krimet e luftës e krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë.
* * *
Profesori Renaud de la Bosse, nga Universiteti Reims Champagne-Ardenne (Francë), në raportin e tij të gjatë prej 50 faqe tekst, të shkoqitur në 113 paragrafe, të titulluar: “Propaganda politike dhe projekti: Të gjithë Serbët në një shtet”, të përgatitur sipas porosisë së Prokurorisë së Tribnalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (Hagë), për rolin e propagandës mediale në nxitjen e luftës në ish-RSFJ, në vitin 2004 shkruante: “Nga raportet, studimet, artikujt dhe dëshmitë e shumta, shihet linja e përbashkët e programeve politike nacionale në ish-Jugosllavi, të pranishme prej viteve të tetëdhjeta deri në vitet e para të mileniumit të tretë, ajo që i kanë mbështetur dhe kanë mundësuar mediat, të cilat janë bërë shërbëtoret më të besueshme të partive nacionaliste në pushtet në republikat e caktuara”. Për ta ilustruar se si Millosheviqi shërbehej me propagandën e mediave, autori citon dëshminë e Borisav Joviqit, ish-bashkëpunëtorit të afërt të S.Millosheviqit dhe udhëheqësit të lartë të Republikës së Serbisë e të Federatës, i cilli thotë: “Me vite të tëra kujdesin më të madh ua kushtonte mjeteve të informimit, veçmas televizionit. Personalisht i zgjedhte kryeredaktorët e gazetave e të programeve informative dhe veçmas drejtorët e televizionit. Mbante lidhje direkte me redaktorët, të cilët “e ushqenin” opinionin me lajme, komente dhe përgjithësisht me informata. Ishte thellësisht i bindur, se qytetarët i formojnë bindjet e tyre në bazë të asaj çfarë iu servohet, e jo në bazë të pozitës së tyre reale materiale ose politike. Deviza e Milloseviqit ishte: Ajo që nuk është publikuar, as nuk ka ndodhur”, dëshmo Joviqi.
Në të gjitha ngjarjet e zhvilluara, para vrasjës së ushtarëve në Paraqin dhe pas saj, deri me luftën e UÇK-së dhe çlirimin e Kosovës me ndihmën vendimtare të NATO-s, mediat serbe kanë luajtur rolin luftënxitës të politikës agresive e kriminale të Serbisë në Kosovë dhe në tërë hapësirën e ish-Jugosllavisë. Rasti i Aziz Kelmendit i dha zjarrë propagandës mediale, e cila përfshiu të gjitha sferat e shtetit dhe të shoqërisë në Serbi. Fatkeqësisht, ajo propagandaë edhe sot e kësaj dite është në pozita e me koncepte të njëjta kur bëhet fjalë për urrejtjen patologjike nacional-shoviniste kundër Shqiptarëve, Kroatëve dhe Boshnjakëve. Propagandë e veçantë mediale është zhvilluar dhe akoma zhvillohet edhe kundër Perëndimit, veçmas kundër ShBA-ve, NATO-s, Vatikanit e Gjermanis, duke i akuzuar për konspiracion ndërkombëtar kundër Serbëve dhe Serbisë.