Nocioni shtet sipas të drejtës ndërkombëtare
Nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, shteti është bashkësi politike e njerëzve, e organizuar në një territor të caktuar nën pushtetin sovran (suprema potestas), i aftë dhe i pranuar për të hy në marrëdhënie të dyanshme apo të shumanshme me entitetet (shtetet) e tjera që kanë zotësi juridike ndërkombëtare. Shteti është edhe aparat i dhunës që disponon mekanizma për të garantuar sigurinë e bashkësisë politike dhe të pjesëtarëve të saj. Elementet përbërëse të shtetit janë: qytetarët (shtetasit) e përhershëm, territori i caktuar dhe pushteti sovran i pavarur nga ndonjë shtet i jashtëm. Shteti mundet vullnetarisht disa aspekte të pushtetit të vet t’ia bartë një shteti tjetër apo një organizate të shteteve.
Nga pikëpamja e rregullimit politik, shteti mund të jet i veçant (unitar) ose i përbërë (federal), ndërsa nga pikëpamja e sundimit mund të jetë monarki ose republikë, kurse nga pikëpamja e regjimit mund të jet shtet demokratik ose autokratik.
Formimi i shtetit
Shteti formohet kur një territor i caktuar e shpallë pavarësinë, në pajtim me parimin e përgjithshëm të së drejtës për vetëvendosje. Formimi i shtetit në këtë mënyrë hasë në problemin e parimit kundër cënimit të kufijve të shtetit prej të cilit ndahet shteti i ri i formuar. Megjithatë, parimi i të drejtës së vetëvendosjes së popujve është me përparësi kundër cënimit të kufijve të shtetit. Kjo për shkak se moscënimi i kufijve të shtetit ka të bëjë kryesisht nga shtete të jashtme, me luftën agresive të shtetit kundër shtetit, e jo me vullnetin e popullit të brendshëm, e që ai vullnet rrallë herë mund të arrihet pa luftë të brendshme, pa kryengritje, që shpeshherë shndërrohet në luftë qytetare (Eritrea, Sudani Jugor, Timori Lindor). Shteti mund të formohet edhe me luftë ndërshtetërore, si rasti i Qipros së Veriut, që u bë me luftën midis Turqisë e Greqisë. Ai shtet ekziston qe 50 vjet, pavarësisht se e ka njohur vetëm Turqia dhe Pakistani. Formimi i shteteve nga shkatërrimi i RSFJ-së është specifik, për faktin se për krijimin e tyre janë zhvilluar luftëra të brendshme dhe kishte edhe intervenime të jashtme (Bosne-Hercegovina, Kosova).
Shteti i ri mund të formohet edhe me marrëveshje paqësore, siç ishte rasti i Çekosllovakisë dhe i BRSS-së.
Thuhet se shtetet zhdukin dhe formojnë shtete. Zhdukja e shtetit, apo e një pjese të shtetit bëhet me luftë okupuese dhe me aneksimin e shtetit apo të pjesës së okupuar (aneksimi i Austrisë shtetit të Gjermnisë në vitin 1938, apo aneksimi i Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë BRSS në vitin 1939, dhe rasti më i ri: okupimi dhe aneksimi i Krimesë (2014) e të rajoneve tjera të Ukrainës (2022) nga Rusia agresive.
Shteti i Kosovës – “sui generis”
Formimi i shtetit të Kosovës është rast i veçantë, unikat dhe i pashembëllt në botë, sepse në momentin e shpalljes së pavarësisë Kosova ishte nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara, në bazë të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit 1244/99, që ishte akt juridik ndërkombëtar. Rezoluta nuk e ka përcaktuar statusin as nuk ka caktuar kurrëfar afati, kushte as kufizime për arritjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Esenca e administrimit të përkohshëm (faktori ushtarak dhe faktori civil) ishte ruajtja e paqes dhe përgatitja e organeve vetëqeverisëse të Kosovës në parime të së drejtës ndërkombëtare. Kjo u bë, krahas me Rezolutën 1244 edhe me Kornizën Kushtetuese të Kosovës (2001), që gjithashtu është akt i të drejtës ndërkombëtare, pasiqë e ka miratuar organi i KB.
Në pikëpamje të statusit përfundimtar të Kosovës, Rezoluta 1244, në disa vende i referohet Marrëveshjes së Rambujesë, në të cilën ishte përcaktuar se pas tri vjetëve, do të organizohet referendumi i popullit të Kosovës për të përcaktuar statusin e vet politik. Populli i Kosovës e kishte mbajtur referendumin në vitin 1991, me të cilin e kishte shpallur Kosovën shtet të pavarur e sovran, por që ishte i okupuar nga Serbia, dhe në ato kushte Kosova nuk e kishte elementin e tretë të shtetësisë – pushtetin e vet suprem, por atë pushtet e ushtronte me dhunë Serbia.
Pas çlirimit të Kosovës, me luftën çlirimtare të UÇK-së, me pjesëmarrjen dhe ndihmën vendimtare të NATO-s, bashkësia ndërkombëtare, në koordinim me KB, bënë përpjekje për të arritur marrëveshje në mënyrë paqsësore për statusin përfundimtar të Kosovës, por për shkak të kryeneqësisë së udhëheqjes së Serbisë nuk u arrit marrëveshje.
Për të zgjidhur problemin e statusit të Kosovës, sekretari i përgjithshëm i KB, Ban Ki Mun, e caktoi emisarin e tij special, Marti Ahtisarin, të hartojë një raport dhe t’ia paraqet atij, me propozim se si e mendon zgjidhjen e statusit të Kosovës. Pas shumë bisedimeve e konsultimeve, Ahtisari e përgatiti dhe ia dorëzoi raportin e tij, me propozim që Kosovës t’i njihet pavarësi e mbikqyrur . Sekretari i përgjithshëm i KB, në marrëveshje me Këshillin e Sigurimit, e miratoi raportin e Ahtisarit. Në pajtim me Raportin e Ahtisarit, me Marrëveshjen e Rambujesë, me Rezolutën 1244/99 të Këshillit të Sigurimit, dhe me parimet, normat dhe obligimet nga Korniza Kushtetuese (të gjitha këto akte të së drejtës ndërkombëtare, sepse tri fundit ishin akte të KB), përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike nën mbikqyrjen e Administratës së Kombeve të Bashkuar, më17.02.2008, e shpallën vullnetin e popullit për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur. Me shpalljen e pavarësisë u pajtuan Kombet e Bashkuara, pëmes përfaqësuesit të vet që ishte udhëqës-shef i Administratës së Përkohshme të KB në Kosovë, dhe nuk e kundërshtoi as Këshilli i Sigurimit, që ishte autor i Rezolutës 1244.
Me insistimin e Serbisë, Kombet e Bashkuara i dërgun kërkesë organit më të lartë të drejtësisë botërore, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që të jep mendimin këshillues, nëse Deklarata për shpalljen e pavarësisë së Kosovës e ka shkelur, ose jo, të drejtën ndërkombëtare. Ajo Gjykatë dha Mendimin e vet, se Deklarata mbi pavarësinë, e miratuar më 17 shkurt 2008, nuk e ka shkelë të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, as Kornizën Kushtetuese, rrjedhimisht Deklarata e pavarësisë nuk ka shkelë asnjë parim të zbatueshëm të së drejtës ndërkombëtare.
Prandaj, çdo kundërshtim apo kontestim, i kujtdoqoftë, i aktit (Deklaratës) mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, është krejtësisht i pabazë. Sidomos ata që thirren në të drejtën e përgjiithshme ndërkombëtare, derisa vet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vërtetuar se nuk ka pasur shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Edhe diçka për Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Udhëheqja e Serbisë, e sidomos kryetari i saj, Aleksandar Vuçiq, çdoherë thirret në atë Rezolutë, kinse ajo i garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë. Kjo nuk është e vërtetë, sepse Rezoluta 1244 nuk ka të bëjë vetëm me Serbinë, por në rend të parë ka të bëjë me shtetin e atëherëshëm të quajtur Republika Federale e Jugosllavisë (Serbi dhe Mali Zi, i cili nuk ka ekzistuar në kohën kur Kosova ka shpallë pavarësinë) dhe me të gjitha shtetet fqinje rreth Kosovës: Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, madje edhe me Shqipërinë, duke qenë kundër pretendimeve territoriale të shteteve fqinje të Kosovës, por edhe të Kosovës ndaj shteteve fqinje. Parimi i integritetit territorial i përcaktuar në Rezolutë, e pastaj edhe në Raportin dhe propozimin e Ahtisarit, ka të bëjë me mosndryshimin e kufijve ekzistues në rajon. Bile, është edhe kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, gjë që këtë parim e përmban edhe Kushtetuta aktuale e Kosovës, pasi është dashur të jetë në harmoni me Dokumetin e Ahtisarit.
Prandaj, duke pasur parasysh specifikat e formimit të shtetit të Kosovës, del se shteti i Kosovës është “sui generis”, është rast unikat, i cili nuk mund t’i shërbejë si precedent, madje është antiprecedent, që të mund t’i shërbejë dikujt, siç po pretendon Putini me rajonet e okupuara të Ukrainës.
Njohja e shtetit
Koncepti i njohjes së shtetit ka karakter politik me efekte juridike. Në të drejtën ndërkombëtare janë dy lloje njohjeje: 1) njohja e shtetit, dhe 2) njohja e qeverisë. Dallimi konsiston kur shteti njihet, por qeveria e atij shteti nuk njihet si qeveri legjitimit (si në raste të huntave ushtarake). . Mosnjohja e qeverisë nuk nënkupton mosnjohjen e shtetit.
Janë dy teori themelore sa i përket natyrës juridike të njohjes së shteteve. Njena quhet teori konstituive, tjetra teori deklarative. Teoria konstitutive merr parasysh elementet e përmendura më lartë që përbëjnë shtetin: territori, popullsia e përhershme në territorin e caktuar, dhe pushteti sovran, por sipas asaj teorie, nuk mjaftojnë vetëm këto tri elemente, veçse për të pasur subjektivitetin (personin) juridik të shtetit, për të realizuar të drejta dhe detyrime me shtetësi të plotë në marrëdhëniet ndërkombëtare, krahas elementeve të përmendura shteti duhet të jetë edhe i pranuar (i njohur nga shtete tjera). Njohja është çështje e diskrecionit politik të shtetit që jep njohjen. Kësaj teorie mund t’i bëhet vërejtje, se shteti i formuar, edhe pa u njohur nga shtetet tjera, nuk qëndron pezull në ndonjë vakum juridik , por edhe ai është i detyruar t’iu përmbahet rregullave të së drejtës ndërkombëtare, psh. mospërdorimit të forcës dhe mossulmimit kundër shtetit tjetër.
Nga ana tjetër, sipas teorisë deklarative, që është dominuese në marrëdhëniet ndërkombëtare bashkëkohore, njohja e shtetit është konfirmim ose konstatim i formimit të një shteti të ri, në pajtim me kushtet të cilat i ka përcaktuar e drejta ndërkombëtare, dmth. që ka tri elementet kryesore të shtetit, të përmendura më sipër. Sipas kësaj teorie, edhe pa marrje të njohjes shteti ekziston me atributet e shtetit si subjekt i të drejtës ndërkombëtare, pa marrë parasyshë vullnetin apo veprimet e shteteve tjera. Sipas kësaj teorie, akti i njohjes vetëm e deklaron (konfirmon) faktin e ekzistimit të shtetit, e nuk e konstituon subjektivitetin juridik të shetit, sepse konsideron se ai subjektivitet është i konstituar.
Është edhe një teori e ndërmjeme, si teori shkencore, e cila i kombinon pikëpamjet e dy teorive të para, duke marrë parasysh gjendjen reale në praktikë. Kjo teori, shkencore, konsideron se shteti i cili i disponon atributet konstituive të shtetit, duhet të njihet nga shtetet e tjera, sepse nuk ka arsye të mos njihet.
Gjatë shpërbërjes së BRSS dhe të RSFJ, në të drejtën ndërkombëtare të Europës u përcaktuan disa kushte për njohjen e shteteve të reja: demokratizimi i shoqërisë dhe respektimi i të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve brenda shteteve të reja të formuara, që të obligohen dhe të përcaktojnë në kushtetutat e tyre se nuk kanë pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje (Komisioni i Badinterit). Bile, me imponimin e Greqisë, Maqedonisë iu shtrua edhe një kusht i veçantë, që ta ndërrojë emrin nga Maqedonia, në Maqedonia e Veriut, gjoja që të heqë pretendimet ndaj Maqedonisë së Epirit. Por këto kritere nuk janë bërë zakon i përgjithshëm i të drejtës ndërkombëtare dhe nuk i obligojnë shtetet e tjera, të cilat nuk janë (as do të bëhen) anëtare të Bashkimit Europian. Sidoqoftë, e drejta ndërkombëtare po iu lejon akterëve të jashtëm që të imponojnë plotësim të kushteve paraprake shteteve të cilat kërkojnë njohje. Rasti më i ri është kushti i Izraelit për njohjen e Kosovës, që Kosova ambasadën e vet ta instalojë në Jerusalem. Po edhe në aktin final të Kongresit të Bërlinit (13 korrik 1878), Serbia dhe Mali Zi janë njohur si shtete të pavarura, me kusht që të garantojnë të drejta të barabarta civile dhe politike për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh besimin dhe religjionin e tyre. E dihet se as Serbia as Mali Zi nuk e kanë plotësuar kushtin e garantimit të të drejtave të përmendura, por njohja që u është dhënë më 1878, nuk është tërhequr, sepse tërheqjen e njohjes de iure nuk e parasheh e drejta ndërkombëtare.
Njohja e shtetit konsiderohet si “mjet’ politik me efekte juridike. Efektet juridike të njohjës së shtetit shtrihen në marrëdhëniet ndërkombëtare, por edhe në planin e brendshëm. Në planin ndërkombëtar me njohjen e fituar shteti i ri merr të gjitha të drejtat dhe obligimet ndaj të drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk nënkupton se të gjitha shtetet që e kanë njohur, do të krijojnë marrëdhënie diplomatike me shtetin e njohur. As shkëputja e marrëdhënieve diplomatike nuk do të thotë tërheqje e njohjes.