Këto ditë, kur në institucionet e Kosovës po përpiqen të gjejnë zgjidhje për shpëtimin e “Trepçës”, nga Beogradi zyrtar dhe zagarët e tyre që i kanë lëshuar nëpër Kosovë, dëgjohen kërcënime gjithfarësh: se Serbia di si ta mbrojë Kosovën, se çdo vendim i organeve të Kosovës do të shkaktojë trazira e komplikojë situatën. Madje, edhe ambasadorja e ShBA-ve në Kosovë, Trejsi Xhekobson, në twiterin e saj në njëfar mënyre e kritikon Qeverinë e Kosovës, se po e pengon likuidimin” e “Trepçës”!
Organet kompetente të Kosovës kanë lejuar kaq vjet pas çlirimit dhe pavarësisë, të “trashet” problemi i “Trepçës”, dhe mendojnë se tash me një vendim (apo ligj) do ta zgjidhin lehtë, pa e ditur situatën e zhvilluar në 25 vjetët e fundit. Në një shkrim timin të botuar në “Koha ditore” më 3 dhjetor 1999, e kam pasqyruar tërë lëmshin e thurur rreth “Trepçës”. Duke konsideruar se ai shkrim akoma është aktual për problemet lidhur me “Trepçën”, dhe është me interes për lexuesit, që të mësojnë më tepër për problemet e krijuara me “Trepçën”, këtu po e reprodukojmë në tërësi artikullin e përmendur, që është përfshirë edhe në librin tim të fundit: “Në mbrojtje të drejtës dhe drejtësisë” (botim: 2014), fq.187-189). Ja përmbajtja (autentike) e artikullit në fjalë.
Në “TREPÇË” janë ngatërruar shumë kompani, os grekëve, aty janë përzier edhe amerikanët, suedezët, rusët.
Francezi Rozan ka “blerë” 51% të aksioneve të Jugobankës së Mitrovicës dhe bëri kontratë me udhëheqësit e dhunshëm të “Trepçës” pas miratimit të Rezolutës së KS të OKB-së 1244/1999
Pushtimi gati njëqindvjeçar i Kosovës nga Serbia, përveç apetiteve ekspansioniste për zgjerimin e shtetit serb në dëm të vendeve fqinje, për motiv kryesor ka pasur lakminë për eksploatimin e pasurive natyre të Kosovës, gjë që u vërtetua në praktikë.
“Importimi” i minatorëve
Një ndër synimet e miteve serbe për “Kosovën tokë e shenjtë serbe” konsiston në pasuritë dhe fitimet e mëdha që i ka nxjerrë prej “Trepçës”. Ky është edhe qëllimi dhe këmbëngulja që rreth “Trepçës” krijohet enklava serbe. Parulla e njohur qëmoti, se “Trepça punon, e Beogradi ndërton”, ishte pasqyrim i realitetit të shfrytëzimit të resurseve të “Trepçës” dhe pasurive tjera të Kosovës së okupuar. Se çfarë rëndësie ekonomike ka (pasur) “Trepça” për Kosovën (apo për eksploatuesit), mund të ilustrohet me faktin se ajo gjithnjë ishte në krye të listës së dhjetë eksportuesve më të mëdhenj nga firmat jugosllave të ish-Jugosllavisë. Në vitin 1988, eksporti i Kosovës ishte 220 milionë dollarë, ndërsa një vit më vonë vetëm nga “Trepça”eksporti realizoi 111,7 milionë dollarë.
Në kohën e sanksioneve ekonomike e financiare ndaj Federatës serbo-malazeze, disa firma të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s, thyen embargon, duke i ndihmuar regjimit të Beogradit përmes kontratave të lidhura për blerjen e prodhimeve të “Trepçës”. Por, me qenë se prodhimi kishte stagnuar, për shkak të përjashtimit prej pune të ekspertëve dhe punëtorëve shqiptarë, regjimi serb “bleu” ekspertë e punëtorë nga shtetet e jashtme. Kështu, në korrik të vitit 1996 erdhën 20 minatorë nga Kompania minerare “Kopex” nga Katovica (Poloni), me të gjitha pajimet e tyre për eksploatimin e xehes, për të cilët thuhej se në minierën “Lece” nxirrnin nga 5000 tonë xehe në muaj. Në prill të vitit 1997 erdhën në Hajvali 25 minatorë nga Çekia, ndërsa në Staritërg 30 minatorë nga Polonia, kurse në maj të atij viti erdhën edhe 35 minatorë nga “Minstroj” i Sofjes (Bullgari), të cilët punonin në “Cërnac” të Leposaviqit, që ishte në kuadër të “Trepçës”. Organet e dhunshme serbe kishin planifikuar që nga 14 minierat e “Trepçës”, në vitin 1997 të nxirrnin 2.350.000 tonë xehe, për të përmbushur nevojat e industrisë përpunuese të Serbisë dhe kontratat e lidhura me firmat e hueja, me të cilat ishte thyer embargoja.
Shtetet që thyen embargon përmes “Trepçës”
Një pjesë e opinionit kosovar është në dijeni vetëm për një aranzhman midis organeve të dhunshme serbe të “Trepçës” me firmën greke “Mytilineos”, por nuk është në dijeni për aranzhmanet e tjera, të cilat e ngatërrojnë lëmshin e “Trepçës” me interesat dhe tendencat për ndarjen e Mitrovicës.
Më 20 prill 1996, në Beograd është lidhur kontrata pesëvjeçare midis RFJ dhe Rusisë. Vlera e kontratës kapë shumën 60 milionë dollarë amerikanë. Nga ana jugosllave si palë kontraktuese ishin: “Trepça”, “General-exporti” (i Beogradit) dhe “Braça Kariq”, ndërsa nga pala ruse ishte firma “Krasnodarglabsnab”. Parashihej eksporti i 2 milionë akumulatorëve, por edhe prodhime tjera të “Trepçës”, si ngjyra, llaqe, stoli ari dhe argjendi, poliester, etj.
Kompania amerikane “Tragiduri”, më 1 tetor 1996, në lokalet e “Trepçës” ka lidhur kontratë trevjeçare, me një vlerë prej 76,3 milionë dollarë. Parashihej eksporti i 50 mijë tonë koncentrat plumbi, po aq koncentrat zinku; 20 mijë tonë plumb të rafinuar, dhe 20 mijë tonë elektrolit zinku. Kompania “Tragiduri” obligohej që deri më 20 tetor 1996 të paguante 10 milionë dollarë, ndërsa pjesën tjetër, nga 10 milionë dollarë t’i paguajë çdo tre muaj. Lidhjen e asaj kontrate e kishte ndërmjetësuar Jovan Zebiq, ministër serb i financave.
Më 5 maj 1997, në Athinë u nënshkrua një kontratë pesëvjeçare midis “Trepçës” dhe Kompanisë greke “Mytilinieos”. Nënshkrimin në kontratë e vunë drejtori i kompanisë greke, Evangellos Mitilineos”, dhe drejtori i dhunshëm i “Trepçës” – Novak Bjelliq, ndërkaq me këtë rast aty merrnin pjesë edhe autoritete të larta shtetërore greke dhe jugosllave. Kjo dëshmon se nuk ishte fjala për aranzhman të firmave thjeshtë private, porse vet shteti grek e kishte thyer embargon. Garantues dhe përcjellës të kontratës nga pala jugosllave ishin “Jugobanka” dhe “Genexi” nga Beogradi. Vlera e asaj kontrate ka qenë 519 milionë dollarë amerikanë. Sipas kontratës, “Trepça” obligohej t’i dërgonte kompanisë greke plumb e zink, në një vlerë prej 350 milionë dollarë, kurse firma greke t’i dërgojë “Trepçës” koncentrat plumbi e zinku, në vlerë prej 150 milionë dollarë, si dhe pajime për xehetari dhe pjesë rezervë, në vlerë prej 19 milionë dollarë.
Në gusht të vitit 1997 “Trepça” kishte lidhur kontratë gjashtëvjeçare me Kompaninë suedeze për prodhimin e pajimeve xehëtare “Atlas-Copk”, e cila obligohej të dërgonte pajime në vlerë prej 20 milionë dollarësh. Ndërkaq, më 16 tetor 1997, në Zveçan u lidh kontrata midis Kompanisë “Volvo” dhe Kombinatit “Trepça”, në vlerë prej 2,5 milionë dollarë, ashtu që gjatë nëntorit të atij viti t’i dërgonte pajimet më bashkëkohore për mihje sipërfaqësore dhe për transport të brendshëm, kurse “Trepça”, si kundërvlerë jepte aparate ftohëse dhe akumulatorë.
Flitet, jo pa bazë, se afaristi francez Jean Pierre Rozan, gjatë tri vjetëve të fundit ishte eksportuesi (tregtari) kryesor me argjendin e “Trepçës”, nga 4 tonë në muaj. Ai më 14 korrik 1999 ishte në Kosovë, me ç’rast i paska blerë 51% të aksioneve të “Jugobankës” së Mitrovicës. Ndërkaq, gjatë shtatorit 1999, paska nënshkruar kontratë me udhëheqësit e dhunshëm të “Trepçës”. Poashtu, ka shkrime që vërtetojnë se edhe Banka Komerciale Ndërkombëtare është “pronare” e 8% të aksioneve të “Trepçës”?
UNMIK-u druan të hyjë në lojë
Të gjitha këto që dihen, e ndoshta edhe shumë të tjera që nuk dihen, mund të jenë shpjegimi më i mirë se përse ushtarët francezë në përbërje të KFOR-it, e kanë zhvendosur kufirin e Kosovës me Serbinë dhe e kanë ndarë Mitrovicën, përse i ruajnë serbët e armatosur, ndërsa i rrahin shqiptarët duarthatë, kurse UNMIK nuk ndërmerr asgjë për kthimin e punëtorëve shqiptarë në punishtet e “Trepçës”, me arsyetime të paqëndrueshme, edhe për faktin se me akte ndërkombëtare pasuritë natyrore që janë në territorin e Kosovës – i takojnë Kosovës, popullit të Kosovës, e jo Serbisë apo dikujt tjetër.
Kontratat e lidhur me organet e dhunshme të okupatorit serb nuk janë valide. Për obligimet nga ato kontrata, le të përgjigjen e zhvillojnë konteste ata që i kanë nënshkruar dhe ata që kanë garantuar për to. As Kosova, as regjimi i tashëm i administratës ndërkombëtare (civile as ushtarake) në Kosovë, nuk kanë asnjë obligim ndaj asnjë firme apo subjekti të jashtëm, të cilat i kanë krijuar organet e dhunshme të regjimit të Serbisë. Përkundrazi, sipas nenit 6 të Rregullores së Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të KB, zotëri Bernard Kushner, nr.1999/1, dt.25 korrik 1999,- ”UNMIK-u do të administrojë tërë pasuritë e luajtshme e të paluajtshme, duke përfshirë financat, fondet bankare dhe tërë pasurinë tjetër të regjistruar në emër të Republikës Federale të Jugosllavisë ose të Republikës së Serbisë, ose të cilitdo organ tjetër, e cila gjendet në territorin e Kosovës”. Prandaj, në qoftë se UNMIK-u nuk do, apo nuk mundet të kërkojë dhe realizojë kompensimin e dëmit të shkaktuar Kosovës gjatë periudhës së kaluar, ka mundësi dhe autorizime e detyrë që popullit të Kosovës t’ia mundësojë shfrytëzimin e resurseve të veta për zhvillimin ekonomik e shoqëror të qytetarëve të Kosovës. Mbi pasuritë e Kosovës askush nuk mund të ketë tapi, përpos popullit të Kosovës dhe organeve legjitime të tij. Adil FETAHU (“Koha ditore”, 3 dhjetor 1999)
Bashkimi i Sindikatave të Pavarur të Kosovës, prej themelimit (1990), duke vërejtur tjetërsimin e pasurive të Kosovës nga regjimi okupator, përmes organizatave sindikale kombëtare e ndërkombëtare, ka bërë apel te investitorët dhe afaristët e jashtëm, që të mos lidhin marrëveshje e kontrata me organet e dhunshme të Serbisë për ndërmarrjet dhe pasuritë e Kosovës, ngase të gjitha ato i konsiderojmë të paligjshme dhe të pavlefshme, ashtu që do të rrezikojnë humbjen e investimeve të tyre. Aq më tepër, që asokohe Jugosllavia ishte edhe nën regjimin e sanksioneve ekonomike e financiare, të cilat ia kishte caktuar Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Por, edhe Qeveria e Kosovës, që asokohe ishte në ekzil, për sa ka mundur e ka përcjellë situatën, dhe me një vendim të vetin, të publikuar në gazetën “Bujku” të datës 19 mars 1993, i ka shpallë të paligjshme dhe të pavlefshme të gjitha vendimet mbi transformimin pronësor dhe të gjitha marrëveshjet e kontratat mbi transaksionet për ristrukturimin dhe tjetërsimin e pasurive natyrore dhe të kapitalit shoqëror të Kosovës, të cilat i kishin bërë organet e Serbisë.
Pretendimet dhe kërkesat e Serbisë nuk kanë mbështetje tjetër, veçse në programet, ligjet, gjendjen e jashtëzakonshme dhe dhunën shtetërore që ka zgjatur në Kosovë afër një shekull, dhe në vend se Kosova të kërkojë me këmbëngulje kompensimin e të gjitha formave të dëmeve të shkaktuara gjatë okupimit, Serbia pretendon që edhe më tutje, edhe pas çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës, të mbajë e shfrytëzojë pasuritë natyrore të Kosovës.
Përballë një qeverie inerte çfare ka Kosova, agresiviteti i Qeverisë së Serbisë, dhe i zagarëve të saj në Kosovë, bëhet gjithnjë e më i zëshëm e më kërcënues. Ata edhe më tutje në terren dhe në institucionet e Kosovës sillen sikur këtu “si në bashqe të babës”, pa i penguar askush!