Adil Fetahu

Adil Fetahu: Në vigjilje të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, SI FUNKSIONOI KONVIKTI “ÇAMËRIA”, NË SARANDË II

Funksionimi i Konviktit ‘ÇAMËRIA”, në Sarandë

Perla e tashme e turizmit shqiptar, Saranda, deri në vitin 1920 nuk ka qenë as një kasaba, por vetëm një port i vogël, me pak ndërtesa, kryesisht baraka për punëtorët e portit, si dhe disa që i kishte ndërtuar ushtria italiane gjatë Luftës së Parë Botërore. Rrallë kishte ndonjë shtëpi për të thënë të tregtarëve vendas; qyteza kishte më pak se 30 shtëpi familjare. Shkolla e parë në Sarandë është hapur në vitin shkollor 1919/1920, rreth 20 nxënës të moshes prej 7 deri 12 vjeç, në një klasë, në njërën prej barakave të ndërtuara nga ushtria italiane në vitin 1916-18. Mësuesi i parë ishte Sejfudin Tatëzati. Dalëngadalë shkolla u bë 7-vjeçare. Në vitin shkollor 1927/28, shkolla kishte 150 nxënës dhe gjashtë mësues.

Konvikti si një shtëpi e fëmijëve të varfër në Sarandë, është çelur në vitin shkollor 1928/29, me 40 nxënës-konviktorë. Konviktit iu vu emri simpatik dhe me kuptim patriotik “CAMËRIA”. Në atë Konvikt për 13 vjet me radhë kanë banuar e mësuar shumë nxënës (djemë) të viseve të ndryshme të Shqipërisë, dhe shumë prej tyre ishin nga Çamëria e përtej kufirit, të cilët i dërgonin patriotët çamër, Musa Demi, Qamil Izeti etj.  Kishte aty edhe fëmijë të fshatrave grekofone të Shqipërisë. Fëmijët e vendosur në Konvikt mësimet i ndiqnin në shkollën e qytetit, bashkë me nxënësit e tjerë. Çdo vit shkollor rritej numri i konviktorëve, deri sa në vitin e fundit shkollor arriti në rreth 100, ndërsa bashkë me ta shkolla e qytetit kishte mbi 350 nxënës, kurse trupa arsimore deri tetë vetë. Mësuonjësit e shkollës dhe edukatorët e Konviktit ishin kuadro të kualifikuara, shumica me Shkollën Normale të Elbasanit dhe të tjerë me përgatitje të larta shkencore e pedagogjike. Prej vitit shkollor 1928/29, kur është çelur Konvikti “Camëria”,  në Shkollën e Sarandës kanë punuar këta mësuesë: Musa Demi, Qamil Izeti, Hiqmet Roshi, Xhelal Berberi, Safet Gjata, Muhamet e Xhemile Golemi (bashkëshortë), Xhevdet Kofina, Lame Xhama, Sh.Islami, Sherif Bushati, Sadi Pejani, Shan Zadrima, Mesaret Vlora, Asim Sokoli, Halim Hode. Personeli mësimor ka qenë i përbashkët për shkollën dhe konviktin. Nga radhët e mësuesve të shkollës, emëroheshin drejtorët dhe kujdestarët (edukatorët) e Konviktit. Drejtorë të Konviktit kanë qenë: Pashuk Ndokilia, Hiqmet Roshi, Xhevdet Kofina, Sadi Pejan, ndërsa kujdestarë konvikti: Xhelal Berberi, Spiro Popa, Xhevdet Kofina, Lame Xhama, Muhamet Golemi.

Në shkollë dhe në konviktin “Çamëria” bëhej punë serioze e me përkushtim, kishte rregull dhe disipline, rend e pastërti; vijimi i nxënësve ishte i rregullt. Për kushtet dhe punën e shkollës kujdesej Komisioni arsimor. Komisionet arsimore ishin formuar në secilën bashki të qyteteve. Komisioni arsimor përbëehej nga kryetari i bashkisë (kryetar i komisionit), sekretari i bashkisë (sekretar i komisionit), ndërsa anëtarë të komisionit: drejtori i shkollës, kryeplaku dhe dy prindër të nxënësve, arsimdashës të dalluar.

Nxënësve të Konviktit “Çamëria” u sigurohej falas nga shteti: fjetja, ushqimi, veshmbathja dhe natyrisht mësimi dhe edukimi në shkollë bashkë me fëmijët e qytetit dhe në konvikt, në mënyra dhe kushte të posaçme. Konvikti që zente dy godina, ka pasur kushte dhe standard mjaft të lartë për kohën, orendi të përshtatshme, shtrojë e mbulojë të mjaftueshme, veshmbathje dhe ushqim cilësor për konviktorët. Ushqeheshin tre herë në ditë: mëngjes, drekë e darkë, edhe me ndonjë shtesë të vogël mes këtyre kohëve.

Konvikti pa pasur në pronësi të vetën një radio dhe një aparat kinematografik, ku shfaqeshin filma mësimorë për konkretizimin e mësimeve prej disa lëndëve, si psh. mësim natyre, gjeografi, histori, etj. Kishte instrumente muzikore dhe konviktorët mësonin në to për raste të shfaqjeve që jepte shkolla në qytet e në rrethinë . Konviktorët kishin uniforma që dallonin nga nxënësit e tjerë të qytetit. Secili kishte nga tri lloje kostumash; dy të përditëshme që i ndërronin çdo javë dhe një për raste festash ose aktivitete të veçanta. Të dieleve lejoheshin të dilnin të lirë në qytet, pasiqë paraprakisht iu bëhej një kontrollë mbi rregullin e veshjes,, lustrimit të këpucëve, pstërtisë, krehjes. Me uniformat e dallueshme, kuqezi dhe kapelat me strehë, me sjelljet edukative, kur dilnin të dielave në qytet, me përgjegjës të grupeve, dalloheshin dhe shikoheshin me simpati nga qytetarët.

Shkolla e qytetit dhe Konvikti “Çamëria’, në bashkëpunim me disa intelektualë e talentë të qytetit, nën drejtimin e mësuesve, zhvillonin aktivitete dhe ngjallnin jetën kulturore e sportive të qytetit dhe rrethinës. Ato zhvilloheshin me rastin e festave kombëtare, historike apo fetare. Kanë shfaqur edhe drama e komedi. Maifestim i veçantë kulturor, artistik dhe sportiv  organizohej në mbarim të vitit shkollor, që konsiderohej si ngjarje e rëndësishme në qytet dhe përcilleshej me shumë simpati nga qytetarët e Sarandës. Gjatë tërë vitit shkollor, mësuesit i evidentonin dhe i përgatitnin nxënësit për aktivitete të ndryshme, sipas afinitetit të tyre, për shfaqjet dhe manifestimet që organizonin.

 Disiplina për konviktorët ishte sikur në ushtri. Çdo ditë bëhej gjimnastika e mëngjesit dhe kontrolli i pastërtisë para fillimit të mësimit. Studimi në konvikt ka qenë i obligueshëm nga 4 orë në ditë, në dy faza. Konviktorët ishin të obliguar të mbanin rregull e pastërti edhe të oborrit, ku mbillnin lule dhe pemë frutore e të tjera. Në këtë punë ndihmoheshin edhe nga banorët e qytetit, me farëra e fidane dhe mjete pune. Në oborr kishte çezma për ujitje por edhe për larjen e duarëve, fytyrës e dhëmbëve çdo mëngjes.

Konvikti ‘Çamëria” ka pasur edhe personelin shërbyes; kuzhinierin dhe ndihmës-kuzhinierin, pastruese, rrobalarëse, harrnuese të rrobave dhe këpucëtarin.

Konviktorët jetimë, të cilët nuk kishin familje ku t’i kalonin pushimet verore, ato  bënin në mënyrë të organizuar në viset malore, të shumtën në konviktin e Kolonjës, tërë kohën të shoqëruar nga mësuesit-kujdestarë. Për sa kohë të pushimit veror qëndronin në Sarandë, shkonin në plazh, ajo që tash quhet Plazhi i Vjetër, një hapësirë e veçantë e rrethuar me litarë dhe nën vëzhgimin e mësuesve.

Kështu, Konvikti “ÇAMëRIA” bashkë me shkollën, deri në mbylljen e tij në vitin 1941, u bënë vatër e mësimit, edukimit, kultures, rendit e disiplinës. Shovinizmin grek e pengonte funksionimi i këtij Konvikti, në të cilin kishte edhe shumë fëmijë nga Çamëria nën Greqinë, prandaj në vitin 1932 bëri përpjekje me preteskte të ndryshe te qeveria shqiptare për ta mbyllë, por falë qëndrimit patriotik të asaj qeverie, e kryesuar nga Pandeli Evangjeli, në të cilën minister i arsimit ishte Hilë Mosi, nuk lejuan të mbyllej Konvikti, por vazhdoi punën deri në vitin 1941.

* * *

Të gjithë mësuesve të shkollës shqipe, të të gjitha niveleve të arsimit, kudo që punojnë, ju uroj:

Gëzuar 7 Marsi – Dita e Mësuesit!

Me pietet e respekt të veçantë i përkujtojmë dhe falënderojmë të gjithë mësuesit dhe veprimtarët e tjerë të arsimit shqip, të cilët kanë ndërruar jetë, por vepra e tyre do të jetojë e do të na e ndriçojë rrugën përherë!

Adil FETAHU (ish-mësues)

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Përpjekje të dëmshme të grupeve të caktuara (E diel 15 nëntor, 1998)

Edhe pse po binte shi i imët vjeshtor, Ruzhdi Jashari me ekipin e tij ka …