(Roland Qafoku: “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë”, botoi “Onufri”,Tiranë, 2015)
Cilët ishin kryeministrat shqiptarë
Në periudhën 103-vjeçare të shtetit shqiptar, shteti ka kaluar në situata, sisteme e reforma të ndryshme, shumë kohë nën okupimin e ushtrive të hueja, prandaj edhe kryeministrat kanë punuar e vepruar në kushte të ndryshme. Në këtë pak më shumë se një shekull, shtetin shqiptar e kanë udhëhequr 33 kryeministra. Të gjithë kanë qenë meshkuj. Po a ishte i lakmueshëm posti i kryeministrit? Gjithsesi po, se përndryshe askush nuk i ka detyruar ta pranojnë detyrën, por shumëkend e kanë detyruar të jep dorëheqje apo eliminuar në mënyrë tjetër. Kur arrin majën, prit rënien, thotë urtia popullore. Nga lakmia për pushtet, lëvdata, para e pasuri, shumë kryeministrave posti ua hëngri kokën. Ata kanë shkaktuar viktima, por shumë prej tyre edhe vet janë bërë viktimë.
Po, të shohim cilët ishin ata 33 kryeministra të Shqipërisë sipas radhës. I pari kryeministër shqiptar, ishte i madhi Ismail Qemali, pas tij vijnë me radhë: Esat Pashë Toptani, Turhan Pasha, Sulejman Delvina, Iljaz Vrioni, Pandeli Evangjeli, Qazim Koculi, Hasan Prishtina, Idhomen Kosturi, Xhafer Ypi, Ahmet Zogu, Shefqet Vërlaci, Theofan Noli, Mehdi Frashëri, Kostaq Kotta, Mustafë Merlika Kruja, Eqrem Libohova, Maliq Bushati, Rexhep Mitrovica, Fiqiri Dine, Ibrahim Biçaku, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Adil Çarçani, Fatos Nano, Ylli Bufi, Vilson Ahmeti, Aleksandër Meksi, Bashkim Fino, Pandeli Majko, Ilir Meta, Sali Berisha, dhe Edi Rama. Kur i lexova këta emra, u binda në vlerësimin e recensentit të librit, Shaban Sinani, se “po të bëhet një test jo me nxënës e studentë por me profesorët e tyre, ndoshta as një të tretën e emrave të bashkëqytetarëve të vet, që kanë kryesuar qeveritë shqiptare ndër kohëra, nuk do të gjenin”. Unë them se nuk do t’i dinim të gjithë as këta të pas vitit 1991.
Ndërrime të shpeshta të kryeministrave
Në periudha të ndryshme krizash, kryeministrat dhe qeveritë binin si gjethet në vjeshtë.
Rekordin e minimumit të shërbimit në pozitën e kryeministrit e mbanë Qazim Koculi vetëm një ditë (më 6 dhjetor 1921), pastaj tij vjen Hasan Prishtina me vetëm 5 ditë (7 – 12 dhjetor 1921) dhe Idhomen Kosturi 12 ditë (12-24 dhjetor 1921). Brenda më pak se një muaj, u ndërruan tre kryeministra. Ndërkaq, rekordin e maksimumit e mbanë Mehmet Shehu me 27 vjet e 5 muaj (20 korrik 1954 – 18 dhjetor 1981), që atë post e mori nga paraardhësi i tij, Enver Hoxha i cili postin e kryeministrit e mbajti dhjetë vjet (prej 23 tetor 1944 deri më 19 korrik 1954). Mehmet Shehu ishte i vetmi kryeministër që vdiq deri sa ishte në detyrën e kryeministrit. Iljaz Vrioni, Ahmet Zogu dhe Fatos Nano janë zgjedhur nga tri herë në potin e kryeministrit. Ma i ri me moshë që mori detyrën e kryeministrit ishte Ahmet Zogu (27 vjeç), ndërsa më i moshuari ishte Pandeli Evangjeli (76 vjeç). Tre kryeministra ishin pa diplomë universiteti: Pandeli Evangjeli, Maliq Bushati dhe Enver Hoxha. Po 14 kryeministra kishin tituj bejlerë, 2 pashallarë, 3 profesorë dhe 4 doktorë shkence. Përkah profesionet: 6 ishin ekonomistë, 5 ushtarakë, 3 administratë e diplomaci, 3 juristë, 3 inxhinierë, 2 mjekë, 2 artistë, 1 agronom, 1 kimist dhe 1 pedagog. Nga përkatësia fetare 24 ishin myslimanë, 8 ortodoks dhe vetëm 1 katolik (Edi Rama). Vetëm Noli ishte “beqar”, ndërsa 5 kryeministra kishin gratë prej shteteve të hueja.
Të mburresh apo të turpërohesh me kryeministrat shqiptarë
Është shumë relative të vlerësosh punën, përkushtimin dhe efikasitetin e punës së kryeministrave shqiptarë, në ato kushte të pamundshme, shumë kohë nën okupimin e huaj. Disa prej tyre e kanë dashur Shqipërinë dhe popullin e vet dhe janë përpjekur për t’i dhënë emër e nderim. Por është e pafalshme që shumë prej tyre të mos kenë nderim as konsideratë ndaj paraardhësve të vet.
Një Ismail Qemal bej Vlora, la karrierën e shkëlqyer, oferta për poste e lukse që i ofronte Porta e Lartë, la familjen dhe pasurinë e tij, vetëm për ta bërë Shqipërinë e për t’i shërbyer deri në fund të jetës që i erdhi me helmim. Sulejman Delvina që pas Kongresit të Lushnjës pothuajse e rithemeloi shtetin shqiptar, po edhe Ahmet Zogu që si kryeministër, kryetar e mbret, e stabilizoi shtetin shqiptar, për të cilin Faik Konica shkruante se “ishte ekzekutivi më i shquar në botë”! Qeveria komuniste (1946) e dënoi me vdekje, në mungesë, dhe për të qenë ironia e plotë, e njëjta qeveri e dënoi me vdekje dhe ekzekutoi edhe atentatorin e Ahmet Zogut (Beqir Valterin, i cili e plagosi zogun në hyrje të Parlamentit).
Kishte edhe të atillë kryeministra që të bëjnë të turpërohesh, siç ishte Esat Pashë Toptani, i cili ndihmoi ushtrinë serbe të depërtojë në Shqipëri, që krijoi qeveri paralele, që pas vrasjes qëndroi 14 muaj në morg, sepse askush nuk shkoi për ta marrë, dhe që sot e kësaj dite ka varrin në varrezat e serbëve në Paris!
Po një Turhan Pasha me një karrierë brilante që kishte mbajtur 40 poste të larta dhe ishte shpërblyer me 23 medalje e grada të larta në Perandorinë Osmane, udhëhoqi Delegacionin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris (1919), por që në fund e braktisën, e lanë të sëmurë e pa bukë, dhe vdiq e u varros në Francë! Një Iljaz Vrioni, firmëtar i pavarësisë, delegat në Kongresin e Lushnjës, tri herë kryeministër i shërbeu shtetit dhe për vete mori vetëm vuajtje. Nën qeverisjen e tij, Shqipëria mbajti zgjedhjet parlamentare sipas një formule që sot duhet t’ia kemi lakmi: 500 zgjedhës e zgjedhnin një përfaqësues, dhe 24 përfaqësues zgjedhnin një deputet. Kështu u zgjodh një parlament me 95 deputetë, personalitete e emra të njohur, siç ishin në mesin e tyre edhe: Fan Noli, Kristo Dako, Kristo Floqi, Luigj Gurakuqi, Mit-hat Frashëri, Ndre Mjeda, Sejfi Vllamasi etj. Regjimi komunist ia shkatërroi edhe varrin dhe ia humbi eshtrat! Edhe në kabinetin e Hasan Prishtinës ishin Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Kristo Dako, Hoxhë Kadria e personalitete tjera të njohura, por pushteti i Hasan Prishtinës zgjati vetëm 5 ditë. Vet kryeministri katër herë ishte i dënuar me vdekje, por u vra tradhtisht në Selanik (më 14 gusht 1933). Idhomen Kosturi që ishte vetëm 12 ditë kryeministër, pas Hasan Prishtinës, ishte një filantrop e bamirës. Ai la testament tërë pasurinë e tij për themelimin e një azili në Durrës për pleq e plaka të varfër-a. Shefqet Vërlaci ishte një kuisling tipik. Vetëm një ditë pas marrjes së detyrës së kryeministrit (nën okupimin italian), e shpalli Benito Musolinin qytetar nderi të Shqipërisë, dhe shihni se me çfarë motivacioni se: “Tue marrë parasysh se shkelqësia e tij, Bentio Musolini, Duçja i madh i fashizmit, në momentet historike për popullin shqiptar, ka tregue dashuri për Shqipninë, së cilës nuk i ka cënuar të drejtat e saj të shenjta si shtet sovran indipendent, gjana këto që populli shqiptar i ka ruejt deri më sot si thesaret e tij më të çmueshme…”! Si kryeministër kuisling, Vërlaci ka nënshkrua të gjitha aktet e luftës italo-greke të Shqipërisë, që në bazë të tyre edhe sot Greqia e mban në fuqi Ligjin e luftës me Shqipërinë!
Fan Noli, kryeministri më i arsimuar, u zgjodh me short, por nëse ishte intelektual par ekselans, poet e përkthyes i shkëlqyer, për te thuhet se si politikan ishte një dështak. Me që në zyrë i binte kornos angleze, doli fjala: “Shqipëria po digjet, kryeministri i bie fyellit”! Prej 83 vjetëve që jetoi, vetëm 5 vjet jetoi në Shqipëri, por gjithë jetën e deshi Shqipërinë aq shumë. Mbahet mend për shumë të mira që ka bërë për Shqipërinë e kulturën shqiptare, por fjalimi brilant që mbajti në Lidhjen e Kombeve (shtator 1924) la mbresa në gjithë botën. Në shenj falënderimi presidentit amerikan për përkrahjen që i dha Shqipërisë, Noli e pagëzoi qytezën e Shëngjinit me emrin Vilson. Mehdi Frashëri, doktor i shkencave politike dhe ekonomike, ishte intelektual i kalibrit të lartë, dhe kishte qenë në funksione të larta të Perandorisë, dhe kreu me sukses edhe shumë funksione në shtetin shqiptar. Kostaq Kotta vdiq në Burgun e Burrelit, të cilin e kishte ndërtuar sa ishte kryeministër. Si i burgosur kishte shkruar në muret e burgut: “Burrel, hyn e s’del”. Të burgosurit tjerë, me ironi i thoshin: “Ti Koço duhej ta kishe projektuar një burg më të mirë, tani le të vuash. – Ku ta dija unë se një ditë do vi edhe vet këtu”, përgjigjej Kotto. Mustafa Merlika Kruja ishte një nga firmëtarët e pavarësisë, por që si kryeministër në Shqipërinë e okupuar cilësohet si bashkëpunëtor i fashizmit italian, në një intervistë dhënë për “Corriere Della Sera” (1942), kishte deklaruar: “Më mirë një Shqipëri gjysmë e pavarur, por me Kosovën, se sa një Shqipëri krejt e pavarur, por pa Kosovën”. Eqrem Libohova, ishte doktor i shkencave ushtarake (nga Brukseli), kishte pasur miqësi direkte me presidentin e Turqisë, Kemal Ataturkun. Në vitin 1931 u plagos në Vjenë nga atentatori kundër Zogut. Maliq Bushati, nga familja e njohur e Bushatlinjëve, pa i bërë keq askujt, u gjykua dhe ekzekutua nga regjimi komunist, bashkë me Lef Nosin e Tonin Harapin. Rexhep Mitrovica ishte nja shtatë muaj kryeministër, kur Kosova ishte e bashkuar me Shqipërinë, nën pushtimin gjerman. Njihet si antikomunist i rreptë. Ministër i brendshëm ishte Xhafer Deva, dhe asokohe u formua SS divizioni, që ka mbetur një njollë e keqe në historinë tonë. Fiqiri Dine, një ushtarak i mirë, por një kryeministër dështak, dha dorëheqje pas dyzet ditëve, që s’mundi ta krijojë kabinetin. Ka qenë njeri besnik i Zogut. Kur e kuptoi hilen e përfaqësuesit anglez për rrëzimin e komunizmit në Shqipëri me ndihmën e ushtrisë greke, për ta pushtuar “Vorio Epirin”, Dine kishte deklarua: “Ne pranojmë që në Shqipëri komunizmi dhe Enver Hoxha të qëndrojnë 100 vjet, por kurrë nuk do të pranojmë që të rrëzohen ata me ndihmën e ushtrisë greke”. Ibrahim Biçaku, për një muaj e gjysmë posti të kryeministrit në kohë të okupimit, mbajti 17 vjet burg të komunizmit. Pas daljes nga burgu, deri në fund të jetës punoi si pastrues i nevojtoreve publike në Elbasan, me diplomë nga universiteti i Vjenës! Pas tij, postin e kryeministrit e mori dhe mbajti dhjetë vjet Enver Hoxha. Gjatë 10 vjetëve si kryeministër dhe 31 vjet kryetar shteti, vrau, burgosi e internoi afro njëqindmijë shqiptarë, ndër të cilët ishin edhe disa kryeministra paraprak, dhe për çudi, ndaj tij nuk pat asnjë tentim atentati, as me një llastiqe. Kur vdiq Stalini (1953), qeveria Hoxha shpalli 14 ditë zie kombëtare! Pas vdekjes së Hoxhës, kryeministresha britanike Margaret Theçer i kishte thënë presidentit amerikan Ronald Regan: “Ta lëmë Shqipërinë si muze, për t’i treguar botës se ku e çon komunizmi”. Pas E.Hoxhës postin e kryeministrit e merr Mehmet Shehu, i cili e mbajti më se 27 vjet, deri sa “u vetvra”. Shehu ka qenë luftëtar i Spanjës ku edhe është plagosur. Disa herë është arrestuar në kohën e okupimit italian e gjerman. Ishte komandant i Brigadës së Parë të UNÇ, qe zhvilloi disa beteja të suksesshme, por gjatë dhe pas luftës ka kryer edhe shumë krime e masakra. Adil Çarçani ishte kryeministri i fundit i regjimit komunist që po degradonte. Çarçani u paralizua, u izolua, nuk komunikonte me askend dhe as nuk merrte ushqimin, prandaj për te thonë se “vdiq me dëshirën e vet”!
Kryeministrat tjerë, që erdhën në kohën e pluralizmit, bënë e ç’bënë, mbahen mend për punë të mira a të këqija, por bile mbetën të gjallë. Fatos Nano ishte tri herë kryeministër dhe mbajti 1516 ditë burg për korrupsion, por ajo që i mbahet mend më së tepërmi dhe konsiderohet si tradhti, ishte takimi i tij në Kretë me S.Millosheviqin (1997). Sa ishte kryeministër Ylli Bufi (1991), Shqipërinë e vizitoi sekretari i shtetit amerikan James Baker. Kur Vilson Ahmeti u bë kryeministër, i ati i kishte thënë: “Ti do jesh maje mullari me bar, të tjerët do hanë barin nga poshtë, ty do të mbetet huri”. Kjo “profeci” i doli realitet, ngase për katër muaj kryeministër, me rrogë 24 dollarë në muaj, i “hëngri” një vit e katër muaj burg. Aleksandër Meksi vlerësohet si kryeministri më i përkushtuar në punë. Është shënuar se për më se 5 vjet si kryeministër, vetëm 3 herë është vonuar në punë, dhe atë me arsye. Por, kaosi i krijuar me skemat piramidale, që shkatërruan shtetin, është ana e errët e qeverisë Meksi. Për atë që ndodhi në vitin 1997, ministri i mbrojtjes, Safet Zhulali, ka thënë: “demokratët ishin përgjegjës, socialistët fajtorë”. Bashkim Fino, nga njeri i pa punë, e morën me helikopter ushtarak nga Gjirokastra dhe e vendosën kryeministër në Tiranë. Ai nuk bëri gjë, por në kohën e tij ndodhi tragjedia e Otrantit, ku u mbytën në det 87 burra, gra e fëmijë që ishin nisur për në Itali. Pandeli Majko konsiderohet si kryeministër i Kosovës, i cili në pranverën e vitit 1999 menaxhoi mirë situatën me refugjatët kosovarë, dhe pat deklaruar se “Shqipëria ka vend e mund të presë çdo refugjatë nga Kosova që është dëbuar nga ushtria serbe”. Për Majkon thuhet se ka prejardhje gjermane, nga një mjek gjerman i ikur nga Parga e Çamërisë që erdhi dhe u martua në Gjirokastër, në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Ilir Meta cilësohet si kryeministër i dorës së fortë, i cili ia ndali Berishës turrin e protestave (2000), që diti ta luajë lojën politike me Nanon, Berishën dhe Ramën. Sali Berisha ka hyrë në historinë e Shqipërisë me disa të arritura si kryeministër i suksesshëm që përfundoi dy mandate (2005-2013), dhe që në kohën e tij u ndërtua “Rruga e Kombit” që lidhë Shqipërinë me Kosovën; Shqipëria u bë anëtare e NATO-s; BE-ja i hoqi vizat Shqipërisë; Kosova shpalli pavarësinë. Por, qeverisë Berisha i atribuohet faji për marrëveshjen me Greqinë për kufirin detar; për shpërthimin e municioneve në Gërdec (2008), ku u vranë 26 veta, dhe 4 veta që u vranë në protestat e opozitës (2011). Kryeministri i 33-të, Edi Rama, që ka zakon të vizatojë në tavolinën e punës së kryeministrit, përveç se është dymetërsh, njihet për prishjen e ndërtimeve pa leje, dhe ndëshkimin e vjedhësve të energjisë elektrike. Po Rama njihet edhe për deklarata të guximshme midis Beogradi dhe në Bruksel, për pavarësinë e Kosovës. Dhe është i pari kryeministër katolik, ndonëse rrjedh nga prindër ortodoks, gruan e ka myslimane dhe dy djem ortodoks e një katolik, që simbolizon Shqipërinë trekonfesionale.
Ishin këto vetëm disa “pikanteri e sensacione” të 33 kryeministrave të Shqipërisë në 103 vjet pavarësie. Autori i librit ka paraqitur edhe shumë të dhëna tjera interesante e herë-herë sensacionale për kryeministrat, punën dhe jetën ose vdekjen e tyre. Po ato mësoni duke lexuar vetë librin. Unë, me këto që i zgjodha këtu, vetëm desha t’ua shtoj kërshërinë për ta lexuar librin, prej të cilit do mësoni edhe shumë e shumë gjëra tjera, të cilat nuk i keni ditur. Burimet e shumta arkivore, foto-portretet e të gjithë kryeministrave, bibliografia nga enciklopedi (8), libra (129), gazeta e revista të vendit e të hueja (36), intervista (62) e websajte,- ia shtojnë seriozitetin dhe besueshmërinë e asaj që përmban libri, dhe janë prova të një pune serioze 11-vjeçare të autorit në përgatitjen e këtij libri, të cilin ia vlen ta ketë çdo shtëpi shqiptare. Në margjinat e tekstit themelor, ka shifra, fakte e citime për ngjarjet interesante dhe personalitetet. Përgatitja e librit është në një teknikë luksoze, me stemën e Kryeministrisë së Shqipërisë në ballinën e kopërtinës së parë. Lexonie dhe binduni vetë se ia vlen çmimin që ka. Fundja, nëse një libër ia vlen të lexohet, ia vlen edhe të blihet.