Elena Kocaçi-Levanti: “PLANET PËR ZHDUKJEN E SHQIPTARËVE”, “EMAL”,, fq. 230)
Nuk ka komb në Evropë apo në botë që të ketë vuajtur kaq shumë nga fqinjët e tij sa shqiptarët, thotë autorja në hyrjen e librit. Ajo thotë se ky studim ka për qëllim të tregojë planet, format dhe mënyrat se si u zhdukën shqiptarët nga pjesa më e madhe e trojeve të tyre në Ballkan gjatë shekujve XIX-XX, dhe se si në tokat e tyre u krijuan Serbia, Greqia dhe Mali Zi. Popujt barbarë të ardhur në Evropë nga stepat e Azisë (sllavët), vranë, dëbuan, masakruan, asimiluan, vodhën e shkatërruan gjithçka nga fqinjët e tyre (shqiptarët) në mes të Evropës në kohën moderne. Ndaj shqiptarëve bënë gjenocid, deri në holokaust, madje me plane e programe politike, kishtare e shtetërore për zhdukjen tonë, të cilat janë unike në botën moderne.
Në vazhdim, autorja shtjellon faktorët historikë që ndikuan në përpjekjet për zhdukjen e shqiptarëve, ndër të cilët, përveç politikës shtetërore të fqinjëve tanë, një rol të veçantë ka pasur kisha ortodokse, por edhe vetë fuqitë e mëdha të Evropës, të cilat lejuan gjenocidin dhe ndihmuan formimin dhe zgjerimin e shteteve-komb (të Serbisë, Greqisë e Malit të Zi) në trojet shqiptare, dhe shpërnguljen ose asimilimin e shqiptarëve në dy shekujt e fundit. Territoret e Greqisë së sotme banoheshin nga shqiptarët, arvanitasit, dhe ata vendin e tyre e quanin Arbëri, e jo Greqi. Këtë tezë autorja e ilustron me burime të shumta të autorëve të ndryshëm, si Paulo Petta e Cippico, të cilët thonë se shumica e oficerëve dhe ushtarëve (“stratiotëve) të Vendedikut, i cili sundonte në atë kohë, vinin nga shqiptarët e Moresë, të cilët quheshin grekë për shkak të përkatësisë fetare (ortodokse). Luis Boenlew , në librin “Greqia para grekëve”, thotë se edhe “në kohën tonë shohim se si shqiptarët, të cilët pasi u përhapën në të gjitha rajonet e Greqisë moderne,… po harrojnë edhe gjuhën e nënës dhe po bëhen grekë”.
Nikolas Hamondi, ndonëse ishte një filohelenist i zjarrtë, thotë se “në shekullin 14 e 15, pjesa më e madhe e Peloponezit ishte shqipfolës, por ata e quajnë vetën grekë, pavarësisht se janë shqiptarë dhe flasin shqip”. Pukvili thotë se “fshatrat e Atikës janë shqiptare, se në atë kohë vet Athina ka pasur 4000 shqiptarë, 3000 grekë dhe 3000 banorë nga etni të tjera, nga të cilët edhe shqiptarë myslimanë”, dhe kështu jep shifra edhe për vendet e tjera të dominuara nga banorët shqiptarë. Autorja përmend emrat dhe veprat e shumë autorëve të huaj, të cilët vërtetojnë përbërjen etnike me prejardhje shqiptare të popullsisë së Greqisë së sotme, paraardhësit e të cilëve luajtën rolin kryesor udhëheqës dhe të luftës për pavarësinë e Greqisë. Cevasi (në “Historia e Tebës”, vëll.II), thotë: “Është e ditur se gjatë luftës kombëtare dhe pas asaj kohe, deri në vitin 1850, në të gjithë Atikën dhe në vetë Athinën, flitej gjuha shqipe dhe shumë pak vet dinin të flisnin greqisht”, ndërsa V.Rafailidhi (“Etnos”), shkruante: “Revolucioni grek është në të vërtetë vepër e arvanitëve”. Francezi Viktor Bernard (në “La Turkie et l’Helenisme contemporain”), shkruante: “Ndonjëherë kombi shqiptar është ngritur dhe është personifikuar me një njeri të madh, dora e të cilit, kushdo që të ketë qenë, Mehmet Aliu, Ali Tepelena, Skënderbeu apo Pirroja, ka çuar peshë një botë të tërë dhe ka gdhendur mbi popujt që ka drejtuar shenjat e gjenialitetit të saj. Jeta e shqiptarëve në këtë shekull të mbrapshtë, vepra e tyre në Egjipt, ku qenë mbretër, apo në Greqi ku qenë autorët e vërtetë të pavarësisë, duhet të na shpjegojë mjaft periudha të historisë së hershme…”. Edhe Misha Gleni thotë se shteti grek ishte produkt i fuqive të mëdha. Perëndimi e bëri Greqinë gjoja për ta ringjallur Heladën e vjetër, ndërkaq që helenizmi nuk është identitet etnik a kombëtar, por është ideologji për t’i shkrirë të gjitha etnitë në grekë. Prandaj shteti grek sot nuk njeh asnjë etni a pakicë kombëtare! Nga të gjitha burimet që analizon autorja, konkludon se territori që sot quhet Greqi, historikisht është populluar nga shqiptarët, me origjinë pellazgo-ilire (Jonët, Dorët, Eolët).
Poashtu, Serbia dhe Mali i Zi u krijuan si shtete me ndihmën e Rusisë e të fuqive tjera të Evropës, vazhdimisht u zgjeruan mbi territoret dhe popullsinë shqiptare, duke vrarë, shpërngulur me dhunë ose asimiluar shqiptarët. Pjesa qendrore dhe jugore e Serbisë së sotme ishte e banuar pothuajse krejtësisht ose me shumicë shqiptare, të cilët u vranë, masakruan dhe u shpërngulën pas vitit 1876. Pretendimet nacionaliste serbe për pushtimin e tokave shqiptare, mbështeteshin në gënjeshtra historike dhe në lakminë për të zgjeruar shtetin me resurse ekonomike dhe krijuar Serbinë e Madhe, sikurse edhe “Megali Idea” greke për Greqinë e Madhe, deri në Konstantinopojë! Të gjitha shtetet fqinje u ngritën dhe u rriten mbi territoret dhe popullsinë shqiptare, dhe kishin pretendime për ta ringjallur Perandorinë bizantine, ndonëse ajo nuk ishte as serbe, as greke por e të gjithë popujve të këtyre viseve, ndër të cilët asokohe më së shumti ishin shqiptarë.
Nga lufta me Turqinë, Serbia, Greqia dhe Mali Zi pushtuan tokat dhe dëbuan popullsinë shqiptare, duke bërë krime, masakra e gjenocid të paraparë. Po të lexosh librin e Joseph Swire (“Shqipëria – ngritja e një mbretërie”), ose atë të Leo Feundlich (“Golgota e Shqipnisë”) në të cilën mbështetet edhe studimi i Elena Kocaqit, shihet se çfarë masakra të tmerrshme kanë bërë fqinjët mbi popullsinë shqiptare në dy shekujt e fundit. Por, realiteti i vuajtjeve dhe monstruoziteti i krimeve ka qenë shumë më i vrazhdë e më i tmerrshëm se që mund të përshkruhet në libra, në gazeta ose në raportet e luftës të Dimitrije Tucoviqit e Kosta Novakoviqit në vitet 1913-1914. Autorja Kocaqi në librin e saj, duke dhënë shifra për të vrarët e të shpërngulurit me dhunë e terror, thotë se fqinjët tanë kanë bërë holokaust të vërtetë, duke vrarë mbi 500.000, e dëbuar me dhunë 2,5 milionë shqiptarë, që po të llogaritësh me shtimin natyror, sot prej tyre do të ishin edhe 10 milionë banorë shqiptarë më shumë. Nga ana tjetër, janë asimiluar e bërë grekë 5 deri 7 milionë shqiptarë e sa të tjerë në Turqi. Shqiptarë të asimiluar ka edhe në Serbi, e sidomos në Malin e Zi, ku ma se gjysma e popullsisë kanë prejardhje shqiptare, sikurse që një numër i konsiderueshëm i ortodoksve janë asimiluar edhe në Maqedoni. Prej fillimit të pushtimeve, shtetet fqinje kanë pushtuar e marrë rreth 140.000 km/katrore toke të pasur shqiptare, gjë që ka ndikuar që shqiptarët të mbetën populli më i varfër në Evropë. Vetëm pas vitit 1912, duke pushtuar tokat shqiptare, Serbia u zgjerua dhe u rrit me 82% sipërfaqe dhe 55% popullsi; Greqia me 67% tokë dhe 68% popullsi; dhe Mali Zi me 62% tokë dhe 100% popullsi , thotë Kocaqi në librin e saj (fq.149).
Në krejt këtë fatkeqësi të kombit tonë kanë gisht edhe fuqitë e mëdha: Anglia, Franca, Rusia, Gjermania, të cilat kanë përkrahur kërkesat sllavo-greke, dhe po të mos ishte Austria dhe Amerika, sot nuk do të kishte as shtet as popull shqiptar, sepse do të zhdukej ashtu sikur e kanë pasur në planet e tyre morbide shtetet fqinje. Të gjitha pushtimet, krimet dhe shpërnguljet e shqiptarëve janë bërë me plane, programe dhe elaborate politike, shtetërore, shkencore e kishtare, në hartimin e të cilave janë angazhuar akademikë, shkrimtarë, klerikë e diplomatë, si: Ilija Garashanin (1844), Vlladan Gjorgjeviq (1908), Vasa Çubrilloviq (1937, dhe 1944), Ivo Andriq (1939), Stevan Moleviq (1941), ASShA (1986), Kuvendi i Serbisë dhe i Jugosllavisë (1990), Partia Radikale Serbe (e Sheshelit 1991, bashkëpunëtorët më të ngushtë të cilit sot janë në krye të shtetit dhe të qeverisë së Serbisë!). Zbatimi i atyre planeve e programeve famëkeqe është bërë në mënyrë kontinuele dhe me metodat më brutale nga të gjitha strukturat e shtetit, prej 1876 e deri më 1999, kur bota demokratike e prirë nga ShBA-të dolën në mbrojtje kundër zhdukjes së shqiptarëve të Kosovës. Shteti i Serbisë edhe tash haptas shpreh pretendime hegjemoniste dhe ekspansioniste për ripushtimin e Kosovës dhe zhdukjen e shqiptarëve, derisa nuk e njeh pavarësinë dhe me çdo mënyrë përpiqet ta dezorganizojë e pengojë zhvillimin e Kosovës përbrenda dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sikurse edhe Greqia që kurrë nuk ka hequr dorë nga “Megali Idea” dhe pretendimet për “Vorio Epirin”, dhe asimilimin e të gjithë shqiptarëve ortodoks në Greqi e në Shqipëri. Holokausti i nacizmit sllavo-grek mbi shqiptarët është bërë shumë më herët dhe shumë më i egër e më i tmerrshëm se holokausti i nacizmit gjerman mbi hebrenjtë. Sepse hebrenjve nuk u janë marrë territoret, nuk u janë djegur shtëpitë, nuk u janë plaçkitur pasuritë, nuk u janë dhunuar femrat në sy të prindërve, të fëmijëve e të burrave, nuk u janë prerë organet e trupit, nuk janë djegur të gjallë në shtëpitë e tyre e në vende të hapura, sikur kanë bërë sllavët dhe grekët mbi shqiptarët.
Autorja Kocaqi nuk harron pa përmendur edhe problemin e shqiptarëve në Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi, duke shtuar se përgjithësisht çështja shqiptare në Ballkan është një problem i hapur dhe i pazgjidhur, që kërkon zgjidhje të drejtë politike, në mënyrë paqësore, dhe se për këtë shqiptarëve u nevojitet të kenë politikanë, udhëheqës e diplomatë të përgatitur e të zotët për të mbrojtur interesat kombëtare dhe sqaruar diplomacisë botërore historinë tonë kombëtare. Shpëtimin e shqiptarëve nga zhdukja, autorja e sheh në unitetin dhe bashkimin kombëtar, në formë federate a konfederate midis Shqipërisë e Kosovës (Dardanisë), po edhe te pjesës shqiptare të Maqedonisë.
* * *
Në raportet midis njerëzve, është thënie: “Ai që nuk sheh asnjë të metë, ose është i çmendur, ose i dashuruar verbërisht”. Në raport me librin-studimin e Elena Kocaqit, duhet thënë se libri nuk është pa të meta, sidomos sa i përket referencës së burimeve për shumë citime të mendimeve e thënieve të personaliteteve të ndryshme. Madje, citimet janë bërë diku me thonjëza, diku me kursiv e diku me germa të trasha (të zeza), shumica pa fusnota për burimin. Aty ku janë dhënë referencat në fusnotë, nuk janë dhënë të plota me të gjitha elementet sipas metodologjisë shkencore. Në një studim që pretendon të jetë shkencor, nuk mund të jepen mendime në bazë të thashethemeve, sikur ajo për prejardhjen shqiptare të Stefan Nemanjës, një princi serb i dinastisë se Nemanjiqve (1113-1199), kinse ishte i derës së Nimanajve (Nimani) të Prizrenit, nga të cilët ishte edhe Xhavit Nimani me vëllezërit dhe të afërmit e tij” (fq.111-112). Edhe vet autorja Kocaqi thotë se “shqiptarët e greqizuar e të sllavizuar kanë qenë armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve” (fq.13-15), duke marrë si shembull Napolon Zervën, Mark Milanin, Venizelosin, Ataturkun, ejt,- prandaj s’i duhej që Stefan Nemanjën ta “sheh” me prejardhje shqiptare, kur për te nuk ka asnjë dokument provues a burim të besueshëm.
Elena Kocaqi është një studiuese e re, pedagoge historie dhe drejtësie në disa universitete të Shqipërisë, që ka mbaruar studimet për histori (me medalje të artë), fakultetin e drejtësisë dhe studimet për shkencat politike, dhe ka disa libra të botuara deri më tash. Në librin-studimin, me një titull specifik: “Planet për zhdukjen e shqiptarëve”, autorja jep informacione të dobishme, disa prej të cilave janë të panjohura për lexuesin. Me këtë nxjerr në shesh padrejtësitë historike dhe prapaskenat politike e diplomatike që kanë bërë e zhvilluar shtetet fqinje, por edhe fuqitë e mëdha, në dëm të trojeve e të popullit shqiptar në dy shekujt e fundit. Në shumë vende, libri është edhe emocionues, sikurse është rrëfimi trishtues i një vajze të dhunuar, apo i dëshmitares së krimeve monstruoze e tmerrit që kishte parë e përjetuar gjatë luftës së fundit në Kosovë (fq.182-185).
Leximi i këtij libri është me interes, ngase tema është e rëndësishme, shqetësuese dhe tregon se rreziku është potencial, nuk ka kaluar krejtësisht; ndoshta tash jo për zhdukje totale, por për ndonjë katastrofë gjithmonë ekziston mundësia, kur e ke dreqin komshi! Sfondi teorik i librit është i gjerë, me paraqitje, përmbajtje, krahasime, vlerësime, libra, artikuj, raporte të autorëve të ndryshëm, të huaj, shtjelluar me metodën historike, krahasuese e fenomenologjike. Ky libër duhet të vejë mendjen e njerëzve në veprim, për t’i dalë zot vendit e kombit. Thuhet: pa histori – nuk ka histori. Historia e shqiptarëve në dy shekujt e fundit është kryesisht regjistrim i fatkeqësive dhe tragjedive, që ka rrudhur hapësirën dhe ka reduktuar numrin e banorëve. Kjo histori është dëgjuar sa e sa herë në mënyra e me përmbajtje të ndryshme, por kurrë nuk është e tepërt të rilexohet e rikujtohet, e ata që nuk e kanë ditur – ta mësojnë e të përgatitën që të mos iu përsëritet.
Profesioni dhe pasioni i autores është premtues se edhe në të ardhmen do të na jep libra edhe më të mira.