Adil Fetahu: Një studim kompleks për Epirin e jugut – Çamërinë

Çështja çame (e Çamëve  dhe e Çamërisë), tash e një shekull e pazgjidhur, është temë e ligjërimit politik, diplomatik, juridik, shkencor, historik, ekonomik, kulturor – kombëtar e ndërkombëtar, që kërkon zgjidhje të drejtë e paqësore. Çamëria ka një histori të veçantë. Për këtë janë shkruar shumë libra, studime, artikuj, nota, memorandume, raporte, informacione, madje edhe romane, poezi e publicistikë tjetër. Kolanës së gjatë të librave, studimeve, artikujve, debateve profesionale e shkencore për Epirin (shqiptar), e veçmas për Çamërinë, këtë plagë tonën kombëtare të pa shëruar,  nga fundi i majit të këtij viti iu bashkua edhe një libër-studim i thuktë i një grupi autorësh eminentë, studiues të njohur shqiptarë, me një libër-studim: Epiri i Jugut, Çamëria,  botim i Universitetit Evropian të Tiranës (UET), mbështetur nga Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile. Autorë të materialeve të përfshira në këtë libër janë: prof.dr Selman Sheme, Sami Repishti, prof.dr Ferid Duka, prof.dr Romeo Gurakuqi, dr. Ledia Dushku, prof.dr Ksenofon Kristafi, prof.dr Fatmira Rama, dhe Mentor Nazarko. Materialeve të botuara në këtë libër u prinë Parathënia e kryetarit të PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i cili çështjen çame e konsideron “jo si moment politik, por si kazus evropian”, si një e vërtetë historike e dëshmuar me të dhëna, dokumente e dëshmi të pakontestueshme.

 

Prof.dr Selman Sheme, nga Fakulteti i Histori-Filozofisë të Universitetit të Tiranës, ka bërë një vështrim gjeografik (fq.3-29), në të cilin ka përshkruar hollësisht pozitën gjeografike të Çamërinë, si rajoni më skajor i trojeve të banuara nga shqiptarët, si rajon i rëndësishëm nga pikëpamja ekonomike, gjeopolitike dhe strategjike. Për shkak të pozitës së favorshme që kishte, gjatë historisë Epiri (Çamëria) qysh në kohën e sundimit të Pirros (307-272 p.K.) ishte një nga fuqitë e rëndësishme ushtarako-politike të kohës, ndërsa në Mesjetë u formua Despotati Shqiptar  shtet  i fuqishëm  feudal, nën sundimin e Gjin Bue Shpatës, me qendër Artën. Ndërkaq, në kohën e re, Çamëria u bë bërthama e Pashallëkut të Janinës, nën sundimin e Ali Pashë Tepelenës. Në vazhdim autori shpjegon prejardhjen e toponimit “Çamëri” dhe “Epir”,  sipas autorëve të  ndryshëm, por edhe procesin e ndryshimit të toponimeve nga shteti grek pas pushtimit të këtij rajoni shqiptar. Ka shtjelluar të dhëna për veçoritë gjeografike dhe pasuritë natyrore, pejsazhet e bukura, reliefin në formën e një amfiteatri natyror, klimën tipike mesdhetare, ekosistemin, pasuritë ujore. Në pjesën e hartës politike të Çamërisë gjatë historisë, i bënë një vështrim historik e demografik, prej kohës së sundimit të Pirros, deri para pushtimit grek, duke e ilustruar me harta, fotografi e tabela statistikore.

 

Kryeintelektuali i gjallë shqiptaro-amerikan, Sami Repishti, nga Fordham University, New York (i cili është profesor me një varg diploma universitare e pasuniversitare, dhe ka doktoruar qysh në vitin 1977 për gjuhë e letërsi franceze, por kurrë nuk nënshkruhet me titujt “prof.dr”), në shkrimin e tij në këtë libër (fq.31-90), e trajton historinë moderne të Çamërisë, kryesisht prej vitit 1878 deri në ditët e sotme. Natyrisht se nuk mund t’i shmanget një përshkrimi gjeografik dhe historik të rajonit, të qyteteve, fshatrave,  ndarjeve administrative sipas kazave, numrit të popullsisë. Historinë e re të Çamërisë profesor Repishti e ndanë në tri faza: faza e parë fillon nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit (dhe Kongresi i Berlinit) 1878 e deri në pavarësinë e shtetit shqiptar më 28 nëntor 1912; faza e dytë, prej vitit 1912 deri  me sulmin e Italisë kundër Greqisë 28 tetor 1940; dhe faza e tretë, nga tetori 1940, deri me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore 1945. Në zgjidhjen e krizës turko-greke, në diplomacinë evropiane kishte mendime të ndryshme lidhur me tokat shqiptare që duhej t’i jepeshin Greqisë. Në ato “pazare” gjithsesi duhej përjashtuar Çamëria duke përfshirë edhe Prevezën. Bile, kancelari gjerman, Bizmarku, kishte deklaruar se: “…e ardhmja e Greqisë do të ishte e kërcënuar po të përfshinte një pjesë të kësaj race luftarake të panënshtruar të shqiptarëve, që ajo as do t’i nënshtronte as do t’i asimilonte” (fq.39). Por, duke shfrytëzuar dobësimin e Perandorisë Osmane, Greqia pandërprerë pushtonte tokat shqiptare, duke bërë fakt të kryer, të cilin konferencat e ambasadorëve në Berlin, dhe ajo në Londër, ia njohën Greqisë. Kështu, kur Shqipëria u bë e pavarur (1912), dy të tretat e territoreve kombëtare dhe gjysma e popullsisë shqiptare mbetën nën pushtimin e shteteve fqinje. Pastafaj fillon kalvari i vuajtjeve të shqiptarëve të mbetur jashtë shtetit amë, fillojnë represaljet, ndjekjet, vrasjet, gjykimet, dëbimet, pastrimi etnik, shkëmbimi i shqiptarëve myslimanë me ortodoksët grekë midis Turqisë e Greqisë, në bazë të marrëveshjes së janarit 1923. Mbetën pa sukses, jo vetëm të gjitha përpjekjet e Qeverisë dhe diplomacisë shqiptare, por edhe të Lidhjes së Kombeve, në mbrojtjen e popullsisë çame. Qeveria greke me ligje, akte nënligjore e vendime të ndryshme, e aq më tepër me akte terrori e përkeqësoi dhe bëri të padurueshme pozitën e shqiptarëve në Greqi, deri sa i detyroi të gjithë myslimanët të lëshojnë atdheun dhe pasuritë e tyre, ndërsa shqiptarët ortodoks të asimilohen e helenizohen me ndihmën e kishës greke. Autori shpjegon në hollësi dhe në mënyrë të argumentuar shkaqet e sulmit italian kundër Greqisë nga toka e Shqipërisë, pasojat e atij sulmi dhe Ligjin e luftës, të cilin Greqia akoma e mbanë në fuqi sa herë i nevojitet në marrëdhëniet kundër Shqipërisë (ndërsa e ka hequr kundër Italisë!), pasojat katasfrofale të atij Ligji në raport me refugjatët çamë të ikur në Shqipëri, të cilëve iu mohohet jo vetëm e drejta e kthimit në pronat e tyre, por edhe e drejta e kompensimit të atyre pronave.  Profesor Repishti vënë në pah edhe gabimet që ka bërë regjimi komunist i Shqipërisë lidhur me refugjatët çamë, të cilët i largoi nga zonat kufitare me Greqinë, e më vonë (1953) iu dha shtetësinë shqiptare,  në vend se t’i vendoste nëpër kampe pranë kufirit, që t’i sheh bota e të ndërmerr masa për kthimin e tyre. Autori shpreson se prania e Greqisë në Bashkimin Evropian dhe demokratizimi i mëtejshëm i Shqipërisë, premtojnë ditë më të mira për zgjidhjen paqësore të problemit të pakicës çame në Greqi dhe atyre të ikur jashtë.

 



Prof.dr Ferid Duka, nga Universiteti Evropian i Tiranës, bënë një analizë të hollësishme e të argumentuar të pozitës shoqërore dhe ekonomike dhe popullsinë e Çamërisë, në gjysmën e dytë të shekullit XVI, me të dhëna mbështetur në defteret osmane të vitit 1583, për kazatë e Ajdonatit dhe Mazrakut (fq.91-110).

 

Prof.dr Romeo Gurakuqi, nga UET – Instituti i Hsitorisë Bashkëkohore, në studimin e tij shpjegon në mënyrë të argumentuar historinë e ndarjes së Shqipërisë së Jugut, ose Epirit, në periudhën 1878 – 1914, sipas apetiteve greke të caktuara në projektin e kahershëm të “Idesë së Madhe” (Megali Idea), që përfshinte tërë Epirin nga Saranda deri në Gjirin e Artës, por edhe më thellë në Shqipëri, deri te lumi Shkumbin. Në vazhdim, autori shpjegon pushtimet greke të tokave shqiptare dhe veprimin e padrejtë të Konferencës së Ambasadorëve në Londër lidhur me caktimin e kufirit jugor të shtetit shqiptar, marrëveshjen e fshehtë midis Austrohungarisë dhe Italisë (8 maj 1913) për ta pushtuar dhe ndarë midis tyre Shqipërinë. Sipas autorit, pas vendimit mbi njohjen e pavarësisë së Shqipërisë, një nga vendimet më të rëndësishme të Konferencës së Ambasadorëve në Londër ishte ai për kufirin jugor të Shqipërisë (11 gusht 1913). Derisa fuqitë e mëdha bisedonin për caktimin e kufijve, Greqia kishte okupuar tërë Epirin, që ishte taktikë e shtetit grek për të krijuar faktin e kryer para se Komisioni ndërkombëtar të vinte për të caktuar kufijtë, i cili e përfundoi punën më 18 dhjetor 1913, në Firencë, duke e ndarë Epirin në dy pjesë, duke lënë Çamërinë tërësisht jashtë territorit të shtetit shqiptar. Copëtimi i trojeve jugore të Shqipërisë ishte një proces i ndikuar prej shumë faktorëve kompleks e të ndërlikuar ndërkombëtar, por edhe prej mentalitetit prootoman dhe kundërshtive brendashqiptare (111-170).

 

Dr Ledia Dushku, nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Tiranë, shkruan për administrimin grek të territoreve të Shqipërisë së Poshtme (1912-1913). Në viset e pushtuara, tërë Çamërinë, me Gjirokastrën e Korçën,  Greqia shpalli veprimin e ligjit ushtarak instaloi administratën e vet që përfaqësonte indoktrinimin e“identitetin helen”, nëpërmjet administratës shtetërore, programit arsimor, propagandës kulturore dhe kishës agresive ortodokse. Përdorimi i gjuhës shqipe dhe hapja e shkollave shqipe ishin të ndaluara. Shqiptarët frikësoheshin, torturoheshin,  burgoseshin e likuidoheshin. Burgu në Kështjellën e Janinës ishte mbushur me shqiptarë, ndërsa në mars të vitit 1913, së paku 72 burra të parisë çame u vranë dhe masakruan rrugës për në Paramithi (fq.171-186).

 

Prof.dr Ksenofon Kristafi, nga UET, shkruan gjerë e gjatë për marrëdhëniet shqiptaro-greke në sfondin e Traktatit të Miqësisë dhe hijeve të Ligjit të Luftës (fq.187-259). Në këtë pjesë, autori shpjegon historikun e Ligjit të Luftës, të cilin Greqia e shpalli më 10 nëntor 1940, fill pas sulmit ushtarak që Italia ndërmori nga territori i Shqipërisë kundër Greqisë më 28 tetor 1940. Këtu autori me argumente shpjegon absurditetet e Ligjit të luftës, me qenë se Shqipëria asokohe ishte e okupuar nga Italia dhe nuk e kishte subjektivitetin real ndërkombëtar për të qenë palë në luftë. Kur Gjermania e pushtoi Greqinë (1941), qeveria kuislinge e abrogoi Ligjin e luftës, por qeveria greke në vitin 1944 përsëri e ktheu në fuqi atë ligj. Është absurd i llojit të vet, që Ligji i luftës është në fuqi edhe pasi në Tiranë (më 26 mars 1996) është nënshkruar Traktati i miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Greqia vringëllon me atë ligj, sa herë i nevojitet për te realizuar ndonjë pretendim (“Vorio Epiri”, ujërat territoriale), a interes tjetër, apo nëse qeveria shqiptare shfaqë ndonjë kërkesë për trajtimin dhe zgjidhjen e statusit të shqiptarëve në Greqi apo pasurisë së çamëve të dëbuar. Në vazhdim autori e shtjellon hollësisht këtë temë, duke përmendë shembuj konkret të absurditetit të mbajtjes në fuqi të atij ligji.

 

Prof.dr Fatmira Rama, nga Universiteti i Tiranë, shkruan për: pozitën e çamëve në vitet 1912-1920; lëvizjen për bashkimin e Çamërisë me shtetin amë pas Luftës së Parë Botërore; situatën në Çamëri pas luftës greko-turke (1922); shpërnguljet dhe shpronësimin e popullsisë çame në periudhën 1923-1926; përpjekjet për liritë dhe të drejtat e popullsisë çame dhe rikthimin e pasurive (1926-1940); shoqëritë çame në diasporë, etj. ( fq.260-308).

 



Mentor Nazarko, njëri nga njohësit më të mirë të çështjes së pronave të çamëve, shkruan për Peshën e kohës në zgjidhjen e çështjes së pronësisë në Çamëri në procesin  evropianizues të Greqisë dhe Shqipërisë. Krahas fakteve historiko-gjeografike mbi Çamërinë, autori shtron kuadrin e problemit të pasurisë së çamëve nga aspekti juridik, dhe jo vetëm të çamëve, por edhe të shqiptarëve tjerë në Maqedoninë e Epirit, të cilët kanë pësuar të njëjtat pasoja, duke përmendur ligjet greke mbi pasuritë shqiptare: legjislacionin penal, atë në favor të të varfërve, ligjin për refugjatët politikë, ligjin e luftës dhe trajtimin e çamëve e të pasurisë së tyre sipas atyre ligjeve. Autori nuk beson në zgjidhjen e drejtë në rrugë ligjore, përmes procedurave të komplikuara gjyqësore, qoftë në sistemin e drejtësisë së Greqisë, apo atë ndërkombëtar. Të vetmën zgjidhje të problemit e sheh në rrugë diplomatike midis dy qeverive, duke u mbështetur në Traktatin e Miqësisë midis dy vendeve. Lufta për rikthimin ose kompensimin e pasurive shqiptare në Greqi, pas zgjidhjes së statusit të Kosovës, pritet të jetë beteja e fundit e rëndësishme e shqiptarëve në përpjekje për të stabilizuar dhe përmirësuar statusin e tyre si komb, të cenuar rënd gjatë shekullit 20, përfundon Nazarko (fq. 309-338). Edhe profesor Sami Repishti, në Pasthënien e librit në fjalë (fq.341-346, shkruar në dialektin gegërisht),  vlerëson se problemi çamerian kërkon njohje të mirë dhe mirëkuptim.

 

*  *  *

 

Libri “Epiri i Jugut, Çamëria”, është ndër studimet më komplete të botuara deri më tash për trajtimin shkencor, për njohjen e plotë dhe vërtetën e historisë së Epirit, në kuadër të cilit Çamëria ka një histori dhe fat të veçantë. Duke marrë parasysh nivelin shkencor dhe intelektual të autorëve, libri është “i ngarkuar” me referenca nga burime e dokumentesh të pakontestueshme  zyrtare, historike, diplomatike e të shtypit të kohës, shqiptare e të hueja (angleze, amerikane, italiane, austrohungareze), mbështetet në kritere e metodologji shkencore,  dhe nuk është i ngarkuar me politizime e romantizëm nacionalist, përkundër faktit se bënë fjalë për probleme që ka krijuar nacional-shovinizmi grek, e që shoqëria, politika zyrtare dhe kisha greke as sot e kësaj dite nuk është shkëputur nga paragjykimet e tilla klero-nacionaliste e fashiste kundrejt shqiptarëve dhe problemit të çamëve e të Çamërisë. Është ky një studim i avancuar, me argumente dhe i trajtuar nga këndvështrime të ndryshme. Me qenë se punimet janë shkruar në mënyrë të pavarur nga autorë të ndryshëm por që kanë të bëjnë me të njëjtin problem, në trajtesat e tyre ka përsëritje të materies, si për historinë, popullsinë, krimet,  pasuritë etj. Por, këto përsëritje nuk ia zvogëlojnë rëndësinë librit, veçsa e përforcojnë qëndrueshmërinë e argumenteve konsistente të shtruara në libër.

 

Për ne shqiptarët e Kosovës, çështja çame është veçanërisht e ndjeshme, jo vetëm për shkak të përkatësisë së një trungu kombëtar, por edhe për shkak të historisë së njëjtë, e që fatmirësisht çështja e Kosovës u zgjidh me pavarësi, pas një lufte të përgjakshme e me pasoja të mëdha, por e përkrahur dhe ndihmuar nga të gjitha shtetet demokratike të botës.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …