leoni

Adil Fetahu

Adil FETAHU: Parajsa artificiale, ‘’HERETIKU’’ QË TALLET ME NJERËZIT, ME PROFETËT, ME ZOTIN DHE ME SHTETET

(Ben Blushi: ‘’, Parajsa artificiale’’, botime PEGI, Tiranë, nëntor 2024, ISBN 978-9928-838-12-4)

 

 

Për lexuesit e romaneve të mëparshme të Ben Blushit, që nga fjalia e parë  e këtij romani, jep të kuptohet se autori mbanë kontinuitetin dhe identitetin e kryepersonazhit (Simon Shuterit) qysh nga romani ‘’Kandidati’’, pastaj ‘’Komploti’’ edhe në romanin më të ri ‘’Parajsa artificiale’’:

’Në vitin 2030, shumë kohë pasi nuk kishte bërë asgjë që mund të mbahet mend, Simon Shuteri ishte shtrirë në krevat me një vajzë 27 vjet më të re dhe…’’.

Fabula e romanit është raporti jo i mirë i prindërve të vajzës e cila kërkon ndihmë si të mos vie deri te ndarja e tyre.  I ati i vajzës është një oficer i karrierës, por që nuk i është dhënë rasti të tregojë zotësinë dhe trimërinë e tij prej oficeri, pasi që Shqipëria nuk kishte bërë asnjë luftë. Në sytë e të shoqes ai nuk ka të kaluar të suksesshme as autoritet. Për shkak të raporteve jo të mira me të shoqin, ajo flerton me një shkrimtar. Në shtjellimin për zgjidhjen e këtij problemi të çiftit joharmonik, e për hatër të vajzës së tyre, Simon Shuteri është në gjendje të sajojë e shkaktojë një luftë, në të cilën oficeri do tregonte aftësitë e tij dhe ta kthente autoritetin te e shoqja. Shqipëria e meriton një luftë, por me kë do të luftonte? Me Greqinë jo, sepse  i ati i vajzës dhe shqiptarët tjerë ortodoksë më tepër e duan Greqinë dhe mund mund të rreshtohen në anën e Greqisë. As me Maqedoninë e bërë prej dy gjysmave: gjysma bullgare e gjysma shqiptare, poashtu nuk ia vlenë të luftohet, sepse nuk është ndonjë shtet për të thënë e për t’u krenua se e munde.  Maqedonia ka marrë emrin nga grekët, gjuhën nga bullgarët ndërsa territorin dhe popullsinë kryesisht nga shqiptarët, më pak nga serbët dhe nga turqit (fq.27). Me Italinë nuk duam të luftojmë, se atje jetojnë gjysëm milioni shqiptarë dhe Italia shërben si rezervat për diktatorë kur i duhen botës. Gjermani është mbushur me emigrantë, prandaj kërkon një Hitler të ri i cili do t’i dëbonte emigrantët muslimanë. Në Vjenë pashë më shumë gra të mbuluara me shami, sesa në Tiranë, thotë Simon Shuteri (fq.31).

Simon Shuteri sheh një mundësi të mirë të një lufte midis Shqipërisë dhe Iranit, që i ka rrënjët diku prej vitit 1614. Një pasha shqiptar (Sulejman Bargjini) që kishte jetuar 20 vjet në Persi, por nuk e kishte pushtuar Teheranin, u kthye në vendlindje me shumë njerëz zejesh e profesionesh të ndryshme të cilët ngritën një han, një xhami e një hamam dhe kështu e ndërtuan Tiranën si një Teheran të Ri (fq.35). Tash në Tiranë jetojnë 2000  banorë me gjak iranian. Përveç këtyre, janë edhe nja 3000 iranianë tjerë, të cilët quhen muxhahedinë. Shqipëria nuk guxon t’i largojë ata, sepse krijon problem të madh për Amerikën.

Një pretekst dhe mundësi e mirë për të zhvilluar një luftë me Iranin është qimja e Muhamedit të cilën e ruan sekret Shehi i Tiranës tash e 400 vjet, thotë Simon Shuteri.

– Po a ka shtet në botë që sulmon një shtet tjetër për një qime? – pyet vajza.

– Popujt shkojnë në luftë edhe për shumë më pak, thotë S.Shuteri! Qimja e Muhamedit është njëlloj si spektri i Mbretit të Anglisë, që përcakton se kush është mbreti i saj (fq.74). Madje, qimja e Muhamedit mund të shkaktojë Luftën e Tretë Botërore. Qimen e marrin amerikanët për të negociuar me Iranin, që të mos ngatërrohet me Izraelin. Kështu qimja më e shenjtë në botë mund ta zgjidhë konfliktin të cilin popujt nuk e zgjidhen qe 100 vjet (fq.80). Sidoqoftë, një luftë do t’i jepte mundësi babait të vajzës që të shkëlqejë si oficer e të krenohet edhe gruaja e tij me burrin që ka dhe kështu të arrijnë harmoninë bashkëshortore (fq.85). Dhe ferri mbaron me mbarimin e luftës për qimen e Muhamedit, pastaj fillon Parajsa (pjesa e dytë e romanit, fq.89-135).

‘’Parajsën artificiale’’ Simon Shuteri e mendon se do realizohet përmes inteligjencës artificiale, që prodhon robotë, të cilët kryejnë të gjitha punët që sot i kryejnë njerëzit. Kështu njerëzit do të lirohen nga punët fizike dhe do kenë kohë të merren me art, muzikë, dashuri; do zbulohet ilaçi kundër plakjes, sa që ti dhe gjyshja mund t’ishit dashnore të të njëjtit burrë, i thotë S.Shuteri vajzës. Ajo nuk mund të besojë se robotët mund të kryejnë çdo punë, ndërsa për plakjen thotë: ‘Zoti e ka shpikur plakjen që gjyshet dhe mbesat të mos i ngatërrojnë burrat. Madje, robotët a mund të bëjnë speca të mbushur’’, pyet vajza? – Nëse sot robotët mund të hapin aortën e zemrës së njeriut, përse nesër të mos mund të hapin speca e t’i mbushin me oriz, përgjigjet Shuteri.

Si në stilin e romanit ‘’1001’’, Simon Shuteri e mahnitë vajzën duke i treguar përparësitë e Inteligjencës artificiale, e cila  do të na bëjë njerëz më të mirë, pa vese, pa mendime të errëta, pa intriga, tradhti, cinizëm, urrejtje, paragjykime; do të  zhdukë të gjitha shkaqet e mërisë së sotme dhe mëkatet e mendjes, të trupit e të shpirtit (100: 103). Prodhimi i robotëve është më i lirë; njeriu më i lirë kushton më shtrenjtë se roboti më i shtrenjtë, sepse roboti nuk ha, nuk shkon në pushime, nuk martohet as nuk bënë fëmijë, nuk pi alkool as cigare, nuk paguan qira, nuk merr rrogë as pension; cigaren e pinë vetëm njerëzit që kanë mendime të këqija (109). Pasuria do të shumëfishohet, njerëzit do jenë më të pasur duke mos punuar (117); do të zhduket paraja dhe nuk do të ketë krime, vrasje, grabitje, spekulime (njerëzit nuk do të jenë kurrë të lumtur për sa kohë që ekziston paraja,-fq.120). Do krijohet demokraci artificiale, ku nuk ka zgjedhje, nuk ka nevojë për policë, gjykatës, prokurorë, sepse nuk do ketë krime, vjedhje, konflikte; nuk ka nevojë as për ushtri, sepse nuk do ketë luftë mes shteteve (122). Në parajsën artificiale njerëzit do jetojnë në paqe dhe do jenë gjithë kohën duke mësuar, duke studjuar, duke bërë art; dashuria do jetë i vetmi qëllim i jetës, tha Shuteri (129).

  • Kjo është bota ku do doja të jetoja, tha vajza.

Kapitulli i 14 i tëri është blasfemi, tallje me njerëzit, me Zotin, me profetët. Kur vajza thotë se babai i saj ka thënë që ‘’Zoti  gaboi kur i krijoi shqiptarët’’, ndërsa Shuteri shton: ‘’Zoti ka bërë çdo gjë gabim, sepse ai është qenie primitive që ka lindur bashkë me njeriun kur ky fshihej nëpër shpella, por nëse njeriu ndryshoi, Zoti mbeti ai që ishte nga dita e parë (115). Dy armiqtë më të mëdhenj të  njeriut janë Zoti dhe paraja (128). Nuk kam parë  një njeri të pasur as një besimtar të lumtur (120).

Romane është i mbushur edhe me plot ‘’qyfyre’’ tjera blasfemie,  por ato do t’i mësoni kur ta lexoni vet.

                                                            ***

Derisa njerëzimin e kanë kapluar ethet e frikës nga inteligjenca artificiale, Ben Blushi në romanin e tij na e paraqet atë si një parajsë në tokë, duke e çliruar njeriun nga puna fizike, nga lakmia për para e pasuri, nga besimi dhe nga veset e këqija. Ndonëse romani mban titullin ‘’Parajsa artificiale’’, në të më shumë hapësirë i kushton ferrit, sepse  vet jeta më shumë është ferr se parajsë.

Në romanin ‘’Parajsa artificiale’’ autori trajton një temë të re, inteligjenën artificiale, një utopi për  një rend të ri shoqëror, me tipare komuniste të barazisë midis njerëzve, me një të ardhme të lumtur të njerëzimit, një stil të ri të shtjellimit, kryesisht me dialogje e replika,  polemika, pyetje e përgjigje provokuese, që herë-herë ia prishin humorin vajzës, por ia ndreqin lexuesit.  Nëse pyetjet e vajzës nganjëherë janë paksa naive (a mundet roboti të bëjë speca të mbushur), përgjigjet e Simon Shuterit janë logjike, por edhe djallëzore sa që ia pështjellojnë mendjen bashkëbiseduesit dhe lexuesit.  Përmes dialogjeve krijohet atmosferë e ngjarjeve të cilave Simon Shuteri ua di përfundimin dhe lexuesin e mban të lidhur me librin. Nuk ka përshkrime të gjata e hollësi letrare, të cilat lexuesin do e mërzisnin. Lexohet lehtë, e në shumë vende lexuesin e bënë të qeshë vetmeveti nga djallëzitë e Simon Shuterit. Romani nuk është ndonjë histori e gjatë historie mes Simon Shuterit dhe vajzës, sepse ajo romansë zgjatë gjithsejt njëzetekatër orë, por që për aq kohë Shuteri ‘’arinë ta kalojë ferrin’’ e të krijojë parajsën artificiale. Madje, e transformon edhe vetveten nga një intrigant e prodhues kaosi, në një njeri më human: ‘’mezi po pres të pushojë të jem njeri, sepse kur të arrijë inteligjenca artificiale, nuk do të mund të bëj keq’’.

Përgjithësisht në romanin ‘’Parasja artificiale’’ Blushi prekë tematika bashkëkohore dhe realitet fetare në Shqipëri, problemin e emigrantëve në Shqipëri dhe në botë, luftën izraelito-palestineze.

Karakteri i personazhit kryesor, Simon Shuterit, është i njohur edhe nga romanet e mëparshme  ‘’Kandidati’’ dhe ‘’Komploti’’. Ai është prodhuesi më i madh i  intrigave e kaoseve, në të tri romanet e Blushit. Personazhi tjetër në dialog është vajza, pa emër të përveçëm, e brengosur për zhgënjimin e prindërve të saj. Emrat e përveçëm (Pashai i Persisë, Muhamedi, Krishti, e të tjerë, emra vendesh, shtetetesh e qytetetesh) përmenden në kontekst të ngjarjeve të cilat i sajon Shuteri e na i prezenaton shkrimtari Ben Blushi në romanin e tij ‘’Parajsa artificiale’’.

                                                                                                                        Adil FETAHU

 

Kontrolloni gjithashtu

Sokol Paja: Federata Pan-Shqiptare e Amerikës, Vatra, promovoi veprat e publicistit e shkrimtarit, Adem Lushaj

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra promovoi veprat e Adem Lushaj: “Krimet serbe në Kosovë – …