Pushtimi dhe aneksimi i Çamërisë nga shteti grek
Çamëria dhe i tërë Epiri ishte pushtua nga shteti grek gjatë Luftës Ballkanike (1912/13), kur Perandoria Osmane po numronte ditët e fundit të pushtimit të Ballkanit, e që më 4 dhjetor kapitulloi nga fuqitë ballkanike. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë (28 nëntor 1912) nuk ndryshoi gjendjen në terren, për shkak se Qeveria e Ismail Qemalit nuk kishte as forcë ushtarake dhe asnjë kapacitet për të përballuar pushtimet që shtetet fqinje: Greqia, Serbia, Mali Zi e Bullgaria kishin bërë mbi territorin shqiptar. Ato ishin lëshuar si hijenat, për të mos lejuar kurrë të formohet shteti shqiptar. Shtypi dhe propaganda e pushtuesve bënin gjithçka për ta denigruar para botës racën shqiptare si të paaftë dhe të padenjë për të formuar e mbajtur shtet të pavarur. Kryeministri i Serbisë (N.Pashiqi) u kishte thënë aleatëve ballkanikë dhe fuqive të mëdha, se “një Shqipëri e pavarur nuk është as e dëshirueshme as e mundshme”. Ndërkaq, shtypi grek shkruante se “është e pakonceptueshme që shqiptarëve barbarë t’iu lejohet një ekzistencë e pavarur midis qytetërimit helen” (J.Swire: “Krijimi i një mbretërie…”, fq.128). Rusia dhe Franca u bënin presion fuqive tjera të mëdha, ta pranonin faktin e kryer, dmth. t’u lejonin aleatëve ballkanikë të mbajnë dhe aneksojnë gjithçka që kishin pushtuar. Por, Austrohungaria, Italia, edhe me përkrahjen e Anglisë, nuk pranun, prandaj zgjidhja iu besua Konferencës së Ambasadorëve të gjashtë fuqive të mëdha, e cila në mbledhjen e mbajtur në Londër, më 17 dhjetor 1912, pa marrë mendimin e Qeverisë së Vlorës, as të aleatëve (pushtuesve) ballkanikë, rekomandoi që Shqipërisë (së saposhpallur) t’i jepet autonomi e të njihej si një principatë autonome nën sozerenitetin e sulltanit turk, ndërsa Serbisë t’i garantohet një dalje në Adriatik, për qëllime tregtare. Ismail Qemali, me Qeverinë e tij, bëri përpjekje të mëdha diplomatike për njohjen e pavarësisë së plotë së shtetit shqiptar dhe për përfshirjen e territoreve shqiptare, posaçërisht të Çamërisë në shtetin shqiptar. Për këtë qëllim Qeveria paraqiti memorandume Konferencës më 2 e 13 janar 1913, në të cilat pasqyrohej përbërja etnike e Çamërisë, me numrin e popullsisë sipas rretheve (kazave) dhe sipas përkatësisë etnike, për të argumentuar të drejtën e përfshirjes së Epirit brënda kufijve të shtetit shqiptar.
Shteti i sapolindur shqiptar, nuk i kishte kufijtë e caktuar e të njohur ndërkombëtarisht, edhe një kohë të gjatë pas shpalljes së pavarësisë. Konferencës së Ambasadorëve të gjashtë fuqive të mëdha: Britanisë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Austrohungarisë e Rusisë, në mbledhjen e mbajtur në Londër më 29 korrik 1913, njohu pavarësinë dhe caktoi një Komision Ndërkombëtar të Kontrollit dhe një princ evropian, për të ndihmuar mëkëmbjen e shtetit, por nuk ishin marrë vesh për kufijtë e Shqipërisë, dhe nëse Epiri do t’i mbetej Shqipërisë apo t’i jepej Greqisë. Më 11 gusht 1913, me propozimin e Austrohungarisë, Konferenca e Ambasadorëve formoi Komisionin për caktimin e kufirit me Greqinë. Gjatë punës në terren, shteti grek bëri gjithfarë makinacionesh për ta bindë Komisionin që Epiri të mbetej brenda kufirit të shtet grek, edhepse të gjitha argumentet entike, historike e tjera ishin se ai duhej t’i takonte Shqipërisë. Komisioni, me Protokollin e Firencës (17 dhejtor 1913), vendosi që Epiri i Jugut dhe Çamëria t’i mbetej Greqisë. Asokohe Greqia mbante të pushtuar, nën regjim ushtarak, dhunë e terror tërë Epirin e Jugut e të Veriut, me Gjirokastrën, Korçën e Tepelenën, deri sa fuqitë e mëdha nuk e detyruan të tërhiqej përtej kufirit të caktuar nga Komisioni, por derisa zyrtarisht e tërhiqte ushtrinë, po ata të njëjtit ushtarë, të veshur në rroba tjera i shnderronte në grupe kriminale paramilitare, të cilët vazhdonin të mbeteshin brënda kufirit shqiptar e bënin krime e mizori mbi popullsinë civile.
Masakrat dhe gjenocidi grek mbi shqiptarët
Pas çlirimit nga Perandoria Osmane, Greqia u formua si shtet ekskluziv fetar ortodoks, që nuk duron brënda shtetit të vet njerëz të besimeve tjera, sikur po përpiqet sot ISIS-i të formojë shtetin islamik në Siri e rreth saj. Sapo u vendos administrata greke në Epir, filluan represaljet dhe shtypja mbi popullsinë myslimane të Çamërisë. Çetat paramilitare, andarte, të nxitura e përkrahura nga kisha dhe shteti, sulmonin e digjnin fshatra e qytete, plaçkitnin pasurinë, vritnin e masakronin njerëz të pafajshëm, për t’ia shti frikën popullit e të detyrohej të shpërngulej. Meshkujt e aftë për mbrojtje, shteti i mobilizoi dhe dërgoi në kampe larg në ishujt e Egjeut, shumë prej të cilëve u vranë ose vdiqën nga torturat dhe uria, e nuk u kthyen kurrë më.
Përveç Çamërisë, të cilën Konferenca e Londrës ia la Greqisë, ushtria greke së bashku me bandat paramilitare, në vitet 1913-1914 e deri në funt të vitit 1916, mbanin të pushtuar edhe tërë Shqipërinë Juglindore, dhe bënin masakra të papara mbi popullsinë e atjeshme. Ndërkaq, pas luftës greko-turke (1919-1922), dy shtetet lidhën marrëveshje për shkëmbimin e popullsisë (Konventa e Llozanës, 30 janar 1923), sipas së cilës rreth një million ortodoksë (grekë) të Turqisë të vendoseshin në Greqi, ndërsa myslimanët (turqit) e Greqisë të vendoseshin në Turqi. Në marrëveshje, mbase qëllimisht nuk ishin përmendur fare shqiptarët e besimit myslimanë, por aparati ushtarak, kishtar e paramilitar kishin shtuar presionin e zullumin dhe i kishin detyruar më se 10.000 shqiptarë myslimanë të shpërngulën (në disas shkrime jepen të dhëna për rreth 30.000), e në pronat e tyre të begata vendosen grekët e Turqisë, ose të viseve tjera të Greqisë, deri sa me intervenimin e Lidhjes së Kombeve u ndërpre shkëmbimi i dhunshëm, mirëpo për shkak të zullumit të shtuar, edhe më tutje shpërnguleshin gjoja “vullnetarisht” për shkak të fesë. Pas një qetësimi gati dhjetëvjeçar (1926-1936), presioni dhe represioni mbi shqiptarët myslimanë e të krishterë të Çamërisë u shtua pas vendosjes së diktaturës (së Joanis Metaxa në vitin 1936). Ai nga posti i kryeministrit të Greqisë, kishte deklaruar: “Sa të kemi çamë myslimanë në shpinë, do ta kemi thikën në zemër”, dhe politika e tij e presionit dhe represionit vazhdoi në këtë frymë. Gjenocidi grek kishte përfshirë edhe shqiptarët e krishterë, të cilëve iu ndalua përdorimi i gjuhës amtare (shqipe) në ambiente publike dhe private. Dhe kjo zgjati deri sa Italia e pushtoi Epirin (tetor 1940), kur çamët morën ca frymë dhe shpresuan se do të bashkohen me Shqipërinë. Pas kapitullimit të Italisë (shtator 1943) dhe pushtimit të Greqisë nga nacizmi gjerman, gjendja e çamëve u përkeqësua, pas marrëveshjes së kolonelit Napoleon Zerva me komandën gjermane që, për të mos i sulmuar gjermanët gjatë tërheqjes nga Ballkani (1944-45), t’ia lënë duarët e lira Zervës për t’i shpërngulë çamët myslimanë jashtë Çamërisë. Dhe këtë shpërngulje Zerva e bëri në mënyrën më çnjerëzore. Për krimet, masakrat dhe gjenocidin që bënë në Çamëri ushtria, kisha dhe paramilitarët e Greqisë prej qershorit 1944 deri në maj të vitit 1945, derisa i detyruan të gjithë shqiptarët myslimanë, duke vrarë mbi 3000 e dëbuar me dhunë më se 25.000, të shpërngulur në Shqipëri, është shkruar e dokumentuar nga shumë historianë shqiptarë e të huaj, ka raporte të misioneve diplomatike e ushtarake, por edhe nga autorë grekë. Studjuesi e historiani grek Nikos Zhangu shkruan: “Në Thesproti EDES-i i Zervës zbatoi praktikat hitleriane për të përligjur krimin ndaj fëmijëve e grave të pafajshëm. Këtë praktikë e ka dënuar ndërgjegja e gjithë njerëzimit… Ato nuk janë në karakterin tonë. Le të shohim vetën në pasqyrën e historisë… Shtazëri e padëgjuar, jashtë çdo logjike njerëzore…Ekzekutimet, djegëjet e fshatrave të tëra, e kthyen Thesprotinë në një skëterrë zjarri e hekuri. Njenjat e humanizmit ishin zhdukuar, ndërsa instinktet shtazarake gjenin kënaqësinë në mes të flakëve dhe gjakrave”! Po edhe vetë kryekrimineli Napoleon Zerva, gjatë qëndrimit për shërim në një spital të Parisit (1955) pranoi gjenocidin, kur i shkruante një miku të tij: “I dashur Jani, bënjua të qartë njerëzve se e kryem detyrën që na ish ngarkuar për pastrimin e atdheut tonë nga çamët myslimanë, të cilët kanë qenë 500 vjet në qafë të grekëve. Kështu ua bëmë të mundur malësorëve (grekë) të zbresin në fusha”.
A e lëvizi Hahni “gurin” e Çamërisë?
Mizoritë që ka bërë Greqia ndaj shqiptarëve, jo vetëm atyre të Çamërisë dhe gjithë Epirit të Jugut, por edhe në tërë Juglindje të Shqipërisë, përmbajnë të gjitha elementet dhe tiparet e veprës penale të gjenocidit. Dhe krimet e kryera e gjenocidin gjithnjë e ka mohuar, duke u përpjekur të arsyetohet se ato veprime i kanë kryer grupet e pakontrolluara paramilitare, ndërsa për shpërnguljen e çamëve në Shqipëri, në vitin 1944 e 1945, thotë se ata vetë kanë ikur, nga frika se do të ndëshkoheshin si bashkëpunëtorë të okupatorit. Kjo tezë nuk pi ujë, sepse pjesa dërmuese e të shpërngulurve ishin gra, femijë e pleqë; ata nuk ishin bashkëpunëtorë të fashizmit e nacizmit as tradhtarë të vendit. Po edhe nëse ndokush do të gjykohej për bashkëunim me okupatorin, dhe ta vuante dënimin e shqiptuar, ai nuk do të humbte statusin e shtetasit, pronën dhe të drejtat civile. Grekët e shumtë që bashkëpunuan me okupatorin, dhe ca prej tyre që ishin dënuar, pas sa vjetëve u kthyen si qytetarë të lirë në pronat e tyre, e shumë sish zunë edhe pozita të larta shtetërore. Nuk ka në botë ndojë akt juridik ndërkombëtar që lejon dëbimin kolektiv të një popullsie të një shteti, për çfarëdo arsye, e aq më pak për arsye të përkatësisë etnike a fetare, siç ka vepruar Greqia me çamët myslimanë. Poashtu, askush nuk mund të privohet në mënyrë të paligjshme nga e drejta e pronës, siç u veprua me çamët. Ata kanë të drejtë, ndërsa shteti grek duhet t’ua mundësojë, lehtësojë e garantojë kthimin në vendin dhe në pronat e tyre. Gjenocidi grek mbi çamët u mohua dhe u hesht nga shteti grek, po u hesht një kohë të gjatë edhe nga shteti shqiptar dhe nga faktori ndërkombëtar. Shoqatat çame brenda e jashtë Shqipërisë nuk mund të bënin më shumë për ta sensibilizuar çështjen, pa pasur përkrahjen institucionale e ndërkombëtare.
Nga fundi i shtatorit të këtij vitit, komisionieri për zgjërim në Bashkimin Evropian, Johanes Hahn, duke iu përgjegjur një pyetjeje të eurodeputetës greke, Maria Spyraki, lidhur me disa aktivitete të PDIU-së, mori një përgjigje sa të papritur aq më të pakëndshme kur, ndër të tjera, tha në mënyrë të hapur e të qartë se çështja çame është çështje e të drejtave të njeriut dhe se i takon Greqisë dhe Shqipërisë, si vende fqinje të bisedojnë e të gjejnë zgjidhje. Ishte kjo një deklaratë (përgjigje) zyrtare e një diplomati të lartë të BE, një njohje ndërkombëtare e ekzistimit të problemit të çamëve (dhe Çamërisë), që duhet të gjejë zgjidhje, dhe që nuk mund të heshtet më. Tash e tutje, kjo çështje, pa hezitim, duhet të jetë pikë e agjendës në bisedimet midis Tiranës dhe Athinës për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura midis dy vendeve fqinje. Greqia zyrtare, që është mësuar e munduar ta mohojë ekzistimin e çështjes çame, reagoi si gjarpëri kur ia shkelë bishtin, bile edhe me kërcënim të hapur ndaj Shqipërisë, por kjo nuk do ta frikësojë askend as nuk do të mund ta fshehë çështjen çame nën rogoz, si deri më tash. Tash që në njëfarë dore ka marrë dimension ndërkombëtar, ështja çame duhet të jetë kryefjala dhe kallëzuesi i politikës shqiptare. Qeveria dhe diplomacia shqiptare tash, krahas argumenteve të pamohueshme historike, etnike etj, tash e kanë edhe një element shtesë, deklaratën e komisionerit Hahn, si njohje ndërkombëtare të problemit i cili kërkon zgjidhje paqësore, në baza ligjore, të drejtë e sipas standardeve evropiane, natyrisht me ndërmjetësimin dhe përkrahjen e faktorit ndërkombëtar. Nuk duhet bërë hapa të nxituar e të pamatur që ia zbehin seriozitetin e problemit dhe humbin përkrahjen e faktorit ndërkombëtar.
Edhe Serbia, tërë kohën është përpjekur ta injorojë e mohojë ekzistimin e çështjes së Kosovës, por me veprime të mençura Kosova fitoi njohjen dhe përkrahjen e botës demokratike, e cila e ndihmoi të çlirohet. Pas Kosovës, shqiptarët kudo që janë, çështjen çame duhet ta konsiderojnë e trajtojnë si çështje kombëtare. Një komb, një qëndrim, si një ansambël i harmonizuar dhe i koordinuar mirë. Për këtë duhet punë, angazhim e mjete, që të gjendën aleatë e forca, (edhe brënda korpusit çamë në Greqi e në diasporë), edhe aleatë e miqë ndërkombëtarë. Duhet mbajtur sa më shumë takime, konferenca e simpoziume, në të cilat të ftohen personalitete me autoritet ndërkombëtar për të dëshmuar për të drejtën e çamëve, për të sensibilizuar problemin në përmasa ndërkombëtare. Krahas punës këmbëngulëse, për zgjidhjen e çështjes çame, t’i kujtojmë këtu vargjet shpresëdhënëse të At Gjergj Fishtës sonë, pas Konferencës së Versajes: “Por, po, prap me ndihmën e Zotit/do ta bëjmë na Shqipërinë e lirë/, prej Presheve, në leqe të Hotit/ e prej Tivari – në Manastir/.