Kongresi i Lushnjes, apo siç e quajnë disa: Kuvendi Kombëtar i Lushnjes (21-31 janar 1920), ishte dhe mbetet një nga ngjarjet me rëndësi në historinë e Shqipërisë, që shënoi një kthesë të rëndësishme, pozitive, në një moment kur shtetit shqiptar i kanosej rreziku i shpërbërjes, copëtimit midis shteteve fqinje dhe zhdukjes nga harta politike e botës. Territori i shtetit shqiptar, të njohur nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913), tashmë ishte i okupuar nga ushtritë e hueja, të cilat e kishin pushtuar qysh nga Lufta Ballkanike dhe gjatë Luftës së Parë Botërore. Ekonomia ishte e rrënuar tërësisht nga luftërat dhe e zhvatur nga fuqitë e hueja, ndërsa gjendja politike në vend ishte kaotike, ku vepronin grupe te ndryshme të përçara e të nxitura nga shtetet e jashtme.
Me përfundimin e Luftës së Parë Botërore, në Paris u organizua dhe filloi punën Konferenca e Paqes, në të cilën zhonglerët e fuqive të mëdha, fituese të luftës: Anglia, Franca, Rusia dhe Italia, bënin pazaret e tyre në kurriz të shteteve humbëse të luftës. Shqipëria nuk ishte pjesëmarrëse e luftës në asnjërën anë, sepse vet ishte e pushtuar nga ushtritë e shteteve fqinje dhe ato të Italisë e Francës. Në këtë gjendje çfarë ishte, mund të ndahej e copëtohej, si pre e luftës, në bazë të do marrëveshjeve të fshehta: Marrëveshjes së shteteve të Antantës me Italinë (26 prill 1915), pastaj poashtu një marrëveshje të fshehtë midis Italisë e Greqisë (Marrëveshja Titon-Venizellos, 29 korrik 1919) dhe marrëveshjeve tjera midis Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, etj. Ishte momenti i fundit të ndërmerrej diçka për shpëtimin e shtetit shqiptar. Patriotët dhe intelektualët shqiptarë të kohës, të cilët ndienin përgjegjësi morale e patriotike, morën inisiativën për të mbajtur një kuvend kombëtar, për të unifikuar qëndrimet politike dhe forcat për mbrojtjen e vendit. Ata organizuan Kongresin e Lushnjës, që filloi punën më 21 dhe përfundoi më 31 janar 1920, në Lushnje. Në Kongres morën pjesë përfaqësues të krahinave të ndryshme të Shqipërisë, brënda kushteve që lejonin rrethanat e kohës. Kongresi mori disa vendime të rëndësishme për fatin e vendit, ndër të cilat do përmendur:
Rrëzimi i Qeverisë së Përkohshme të Durrësit,
Zgjedhja e delegacionit për Konferencën e Paqes,
Zgjedhja e Këshillit të Naltë, i cili përfaqëson kryetarin e shtetit (forma e regjimit të të cilit akoma nuk ishte përcaktuar),
Zgjedhja e Këshillit Kombëtar, me atribute të parlamentit,
Zgjedhja e Qeverisë së Përkohshme.
Një nga vendimet e rëndësishme të Kongresit të Lushnjës ishte edhe dërgimi i një proteste Konferencës së Paqes në Paris, në të cilën ishin diskutuar variante të ndryshme në dëm të shtetit shqiptar, duke u bazuar në marrëveshjet e fshehta dhe alternativa tjera, por që të gjitha në dëm të fatit të shtetit shqiptar
Pa hyrë në analëzë më të thellë e të hollësishme të vendimeve të Kongresit të Lushnjës, për këtë rast, që është në përvjetorin e 99-të të Kongresit dhe të asaj proteste, zgjodhëm tekstin e Vendimit të atij Kongresi (Kuvendi), që iu dërgua Konferencës së Paqes, më 30 janar 1920, me këtë përmbajtje:
“VENDIM I KUVENDIT KOMBËTAR TË LUSHNJES DREJTUAR KONFERENCËS SË PAQES
Kuvend iKombëtar, i mbledhur sot në Lushnje, ka votuar njëzërit të protestojë kundër vendimit të marrë nga Anglia, Franca dhe Italia për ndarjen e Shqipërisë në mes të Jugosllavisë, Greqisë dhe Italisë, duke vënë kështu në zbatim Paktin e Londrës të vitit 1915. Po ky Kuvend ka votuar sot pa kundërshtim rendin e ditës që vijon:
1)Proteston kundër vendimit që dënon një shtet asnjënës dhe të njohur si një nga kombet më të vjetër të Evropës, duke bërë që të realizohen kështu qëllimet imperialiste të qeverive fqinje. Kuvendi Kombëtar i bën thirrje botës së qytetëruar për shkeljen e parimeve të shpallura nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe nga përfaqësuesit e qeverive të Antantës, pas një lufte që ka çliruar një varg kombesh nga zgjedha e të huajit.
Kuvendi kërkon një pavarësi të plotë në kufijtë etnografikë dhe natyrorë, duke korrigjuar kështu padrejtësitë që janë bërë nga Kongresi i Berlinit dhe nga Konferenca e Ambasadorëve më 1913.
2) Kuvendi vendosi të mos pranojë asnjë mandat ose protektorat të huaj.
3) Shqipëria nuk ka asnjë pretendim tjetër veç atij që të zërë një vend në Gadishullin Ballanik, duke u dhënë fund mjerimeve dhe për të gëzuar një jetë në paqe dhe në harmoni me shtetet fqinje.
Shqiptarët janë të gatshëm të bëjnë të gjitha sakrificat, të derdhin deri edhe pikën e fundit të gjakut të tyre kundër çdo vendimi që mund të vërë në rrezik tërësinë territoriale dhe pavarësinë e tyre të plotë”.
Në situatën që u gjend Shqipëria në kohën e Konferencës së Paqes, vetëm falë syçeltësisë, vizionit, vendosmërisë dhe aksionit të patriotëve dhe intelektualëve të shquar të kohës, dhe me përkrahjen e politikës së drejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe personalisht të Presidentit Wilson, shpëtoi pa u copëtuar e ndarë midis shteteve të cilat aspironin trojet shqiptare. Pastaj, dalëngadalë,me luftë diplomatike dhe luftë të armatosur, Shqipëria u çlirua nga pushtuesit e huaj.