Formimi dhe zgjerimi i shtetit të Malit të Zi
Para Kongesit të Berlinit (1878), principata e vogël e Malit të Zi tubonte disa fise, në një territor të vogël, i mbyllur dhe izoluar në bjeshkët dhe shkëmbijtë e thatë. Numri i popullsisë as që dihet sa ishte asokohe. Gjatë luftërave ruso-turke (1876 – 1870), principata e vogël e Malit të Zi shfrytëzoi rastin e dobësimit të pushtetit otoman në këto vise, konsolidoi fiset e veta dhe me ndihmën e Rusisë pushtoi e zgjëroi territore dhe shtoi popullsi, kryesisht të nacionaliteteve dhe besimeve tjera, joortodokse: Myslimane e Katolike (Shqiptarë, Boshnjakë, Kroatë). Në Kongresin e Bërlinit për caktimin e kufijve të principatave të Ballkanit, të cilat kishin pushtuar territore deri atëherë të sunduara nga Perandoria Osmane, fuqitë e mëdha iu caktuan kufijtë dhe ua njohën pavarësinë e shtetit, me njohje ndërkombëtare të subjektivitetit dhe sovranitetit: Rumanisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Bullgarisë. Edhe Serbia edhe Mali Zi i zgjëruan territoret e tyre në dëm të shqiptarëve e boshnjakëve. Mali Zi, prej një territoi në 4400 km/2 që kishte para Kongresit të Bërlinit, pas Kongresit dhe me disa territore të Hercegovinës që iu dhanë në vitin 1879, arriti në 9425 km/2. Dhe jo vetëm se zgjëroi territorin më tepër se dyfishin që kishte, por fitoi edhe daljen në det, të cilin deri atëherë kanë mund ta shihnin vetëm prej majeve të bjeshkëve më të larta. Fuqitë evropiane në Kongresin e Bërlinit bënë masakrën territorial dhe nacionale, me qëllim që të zhduknin popullsië Myslimane (Boshnjake e Shqiptare) nga Ballkani, sikur i kishin zhdukuar nga Spanja, Portugalia, Franca dhe Italia në shekujt 15 e 16. Bosnje-Hercegovinën kishin lënë nën pushtetin e Austrohungarisë. Sanxhakun e Novi Pazarit, që ishte me popullsi Myslimane (Shqiptare e Boshnjake), Kongresi i Berlinit e kishte lënë nën sovranitetin e Perandorisë Osmane, por në luftën Ballkanike atë territor e kishin pushtuar dhe e ndarë mes vete Serbia (Novi Pazar, Tutin, Sjenicë, NovaVarosh, Priboj, Prijepole) dhe Mali Zi (Plevla, Bijello Pole, Petnjica,Berana, Rozhaja, Plava dhe Gusia).
Bashkimi dhe “shkrirja” e Malit të Zi në shtetin e Serbisë
Gjatë Luftës së Parë Botërore (1914-1918) dhe depërtimit të forcave të Austrohungarisë në këto vise të Ballkanit, udhëheqja shtetërore e Serbisë dhe Malit të Zi, bashkë me ushtritë e tyre, kishin ikur, kush kah mundej: ajo serbe në Korfuz e Selanik, ndrësa ajo malazeze në Itali e Francë. Në korrik të vitit 1917, me insistimin e fuqive të mëdha, ishte miratuar Deklarata e Korfuzit, me të cilën ishte paraparë që pas përfundimit të luftës, të formohej shtetit i përbashkët serbo-kroato-slloven, të cilit do t’i bashkohen edhe territore të ish-Austrohungarisë. Para përfundimit të luftës, territorin e Malit të Zi e kisihin vërshuar banda të ndryshme të Serbisë, të cilat me propagandë, me para dhe me forcë donin ta okuponin Malin e Zi. Me përfundimin e Luftës, organizuar nga ithtarët e bashkimit të Malit të Zi me Serbinë, kishin organizuar të ashtuquajturin Kuvendi i Madh i Podgoricës (24-29 nëntor 1918), në të cilin është marrë vendimi që Mali Zi t’i bashkohet Serbisë. Aso kohe mbreti i Malit të Zi ishte në egzil, në Francë, dhe Srbia kishte kërkuar nga Franca të mos e lejojë të kthehet. “Kuvendi” kishte marrë katër vendime kryesore:
Që mbreti Nikolla I Petroviq Njegos dhe familja (dinastia) e tij të largohen nga froni,
Që Mali i Zi të bashkohet me (vëllaun) Serbinë, në një shtet nën dinastinë e Karagjorgjeviqëve dhe ashtu i bashkuar të hyjë në atdheun e përbashkët të popullit tonë me tre emra; Serbë, Kroatë dhe Sllovenë,
Që të zgjedhet Këshilli Ekzekutiv Popullor, prej pesë vetash, i cili do të udhëheqë punët deri sa të përfundojë bashkimi i Malit të Zi Serbisë.
Që me këto vendime të Kuvendit të njohtohet ish-mbreti i Malit të Zi, Nikolla I Petroviq, Qeveria e Mbretërisë së Serbisë, vendet mike dhe të gjitha shtetet neutrale.
Kështu, Kuvendi i Podgoricës e shoi shtetin dhe Malin e Zi. Një rol të veçantë në atë proces të shuarjes së shtetit të Malit të Zi e kishte njëfar popi i quajtur Gavrillo Dozhiq i cili, për rolin dhe meritat e tij në Kuvendin e Podgoricës, më vonë është “zgjodhur” patriark i Kishës Ortodokse Serbe.
Në Mbretërinë e bashkuar Serbo-Kroato-Sllovene, emri i Malit të Zi nuk përmendej më, sikur ta kishte lëshuar toka e të mos ekzistonte gjëkundi. Serbia kurrë nuk e ka njohur kombësinë malazeze, veçse të gjithë banorët në territorin e Malit të Zi, të besimit ortodoks i ka konsideruar se janë serbë.
Tek pas Luftës së Dytë Botërore, me formimin e Jugosllavisë së dytë, Mali Zi “doli në sipërfaqe”, si njëra nga gjashtë republikat e Federatës jugosllave, dhe malazezëve iu njoh statusi i kombit. Bile, gjatë ekzistimit të RSFJ, Mali i Zi ka qenë republika më e privilegjuar dhe malazezët zënin pozita të larta në organet dhe organizatat e Federatës shumë më tepër se do t’iu takonin në proporcion me numrin e popullsisë malazeze.
Bashkimi në Federatën Serbi-Mali Zi (1992)
Gjatë procesit të luftërave të përgjakshme dhe shpërbërjes së Federatës jugosllave, Republika e Malit të Zi nuk u nda e pavarur, por në referendumin e mbajtur më 1 mars 1992, me 95,94% të votave atyre që kishin dalë në votime, u deklarua për të vazhduar në një federatë të përbashkët me Serbinë. Natyrisht kjo ishte ideja e Serbisë, duke shpresuar se me ruajtjën e kësaj farë federate dyanëtarëshe me emrin Jugosllavi, automatikisht do ta vazhdojë kontinuitetin dhe ta trashëgojë subjektivitetin ndërkombëtar të ish-RSFJ-së. Me Marrëveshjën e lidhur pas referendumit, krijuan të vetëquajturën Republika Federale e Jugosllavisë, dhe miratuan Kushtetutën e Zhblakut (të hartuar nga Koshtunica), të cilën e miratuan kuvendet e Serbisë dhe Malit të Zi, më 27 prill 1992. Kushtetuta u miratua kurrëfar shqyrtimi paraprak publik. Në stilin e tij Kosthunica e kishte “qëndisur” kushtetutën me dispozita që rregullonin raportet e barabarta midis republikave të “Federatës”, por që shumica e funksioneve kishin karakter të shtetit të centralizuar, unitary, të “Federatës” të cilën e dominonte Serbia që ishte më se 10 herë më e madhe se Mali Zi. Kështu, Mali Zi, edhepse e miratoi Kushtetutën e vet (gusht 1992) në harmoni me Kushtetutën “federale”, iu nënshtrua shtetit federal, respektivisht Serbisë.
Gjithë kohën Serbia funksiononte me epërsi, duke u mbështetur në dy faktorë kryesorë: në diferencën e madhsësisë dhe të fuqisë së saj ndaj Malit të Zi, në aspektin e ekonomisë dhe në çdo aspekt tjetër, dhe në politikën dhe ideologjinë e saj, se Mali Zi është ‘tokë serbe” dhe se nuk ka komb malazez. Kështu ndikonte që të gjitha vendimet e “Federatës” të ishin në interes të Serbisë. Për shembëll, me vendime të “Federatës” ndalohej ose kufizohej importi nga jashtë, gjë që ishte në interesin e Serbisë dhe në dëm të Malit të Zi. Gjatë tërë periudhës së ekzistimit të asaj bashkësie, shefi i shtetit “federal” ishte nga Serbia! Në kushte të tilla, të trajtimit jo të barabartë, edhe Mali Zi nisi të veprojë sipas interesave të veta, sidomos në lëmin e ekonomisë. Veprimet e të dy shteteve anëtare të “Federatës” ishin në kundërshtim me Kushtetutën federale. Këto veprime vazhduan më tutje. Nëvitin1997, pa dijen as konsultimin paraprak të Malit të Zi, Serbia kishte përgtitur amandamente për ndryshimin e Kushtetutës “federale” në dispozitat që përcaktonin zgjedhjen e kryetarit të Federatës, ashtu që në vend se ta zgjedh Kuvendi Federativ, propozohej të zgjedhej në zgjedhe të përgjithshme, drejtpërdrejt prej qytetarëve. Ishin caktuar 29 njësi zgjedhore, prej tyre 28 në Serbi, ndërsa Mali Zi si një njësi zgjedhore. Propozimi për ndryshime kishte caktuar autorizime shtesë për kryetarin e shtetit të përbashët. Ishte e qartë se në zgjedhje të tilla gjithnjë do të fitonte kandidati i Serbisë, duke marrë parasysh numrin e votuesve. Propozimin e tillë Malit të Zi e kishte refuzua.
Në maj të vitit 1988, përsëri pa dijen e Malit të Zi, Serbia kishte përgatitur projektin e Ligjit për unifikimin e Shërbimit të Sigurimit civil dhe ushtarak, në një organ të vetëm, që do t’ishte nën drejtimin direkt të shefit të shtetit “federal”. Mali Zi reagoi dhe refuzoi edhe atë projekt. Si kundërveprim, Mali Zi në maj të vitit 1999 (kur Serbia ishte nën bombardimin e NATO-s, v.j.) kishte përgatitur dhe e kishte publikuar një dokument, me titull: “Bazat e projektit për rregullimin e ri demokratik të bashkësisë së shteteve të Malit të Zi e të Serbisë”. Dokumenti pretendonte rirregullimin e shtetit të përbashkët në baza të reja demokratike dhe të barabarta. Dokumenti i përmendur iu dërgua zyrtarisht Serbisë, e cila nuk reagoi, por në mënyrë të heshtur e injoroi dokumentin. Në ndërkohë, Serbia zhvillonte veprimtari agresive propaganduese për ta rrëzuar qeverinë e Malit të Zi. Serbët e Malit të Zi, të ndihmuar nga Serbia, tërë kohën organizonin e mbanin tubime, nga të cilat publikonin shpallje, deklarata, proklamata, për mbajtjen e një referendumi të popullsisë serbe, për ridefinimin e komunave me shumicë serbe, të cilat do t’i bashkoheshin Serbisë poqese Mali i Zi tenton të ndahet dhe pavarësohet.
Më 6 korrik të vitit 2000, me Kuvendin e Federatës u miratuan 8 amandamente në Kushtetutën ekzistuese, në vijën e interesave të Serbisë e të gjitha në dëm të barazisë së Malit të Zi. Defektet e miratimit të atyre amandamenteve ishin se për të to kishin votuar deputetë të cilët nuk kishin mandate në Dhomën e Republikave. Në këtë mënyrë Serbia kishte bërë grushtshtet kushtetues. E ballafaquar me situatë të tillë, Kuvendi i Malit të Zi, të nesërmën (më 7 korrik 2000), miratoi Rezolutë për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të Malit të Zi dhe qytetarëve të saj. Në Rezolutë vërteton se nuk e njeh as nuk i pranon ndryshimet në Kushtetutën e RFJ dhe të gjitha aktet e tjera juridike dhe politike të miratuara pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve legal dhe legjitim të Malit të Zi në pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv të Federatës, dhe se ato nuk do të zbatohen në Mal të Zi, porse organet shtetërore do të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme juridike dhe të tjera për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të Republikës së Malit të Zi.
Tendencave të Malit të Zi për ta këthyer sovranitetin e vet, të cilin e kishte ceduar në Federatën asimetrike në vitin 1992, Serbia iu përgjigj në mënyra të ndryshme, ndër të cilat më drastike ishte ajo e dërgimi të një batalioni special të ushtrisë së RFJ, të cilin e stacionoi në Mal të Zi, si formë e presionit dhe demonstrimit të forces.
Në shtator të vitit 2000 u mbajtën zgjedhjet për Kuvendin “federativ”, të cilat i bojkotoi qeveria e Malit të Zi dhe malazezët e vërtetë. Në ato zgjedhje votuan vetëm serbët e Malit të Zi, që ishin nja 20% e trupit zgjedhor, dmth. sa 1/5 e trupit zgjedhor të Malit të Zi.Por, por kjo “nuk i pengoi” politikanët e Serbisë që ta konstituojnë Kuvendin “federativ”, ta zjgedh qeverinë dhe shefin e shtetit (Vojisllav Koshtunicën). Pas kësaj, udhëheqja e Serbisë, në janar të vitit 2001 miratoi dhe publikoi Propozimin për rirregullimin e RFJ-së. Bashkimi Europian, OSBE, madje edhe ShBA-të e përkrahën Sërbinë, për ta ruajtur bashkësinë dhe bënin presion kundër Malit të Zi, që të mos mbajë referendum për pavarësim. Me ndërmjetësimin e Havier Solanës, përfaqësues i BE, në mars 2002, është mbajtur takimi i përbashkët i përfaqësuesve të Serbisë e Malit të Zi, në të cilin është miratuar dokumenti i quajtur Bazat fillestare për rirregullimin e Serbisë dhe Malit të Zi, sipas të cilit u krijua bashkësia shtetërore e quajtur: Serbia dhe Mali Zi. Me këtë vetëm sa u shty koha për mbajtjën e referendumit për pavarësinë e Malit të Zi. Pas kësaj u hartua Karta Kushtetuese e Bashkësisë së Serbisë dhe Malit të Zi, si akti më i lartë juridik i bashkësisë së shteteve. Me miratimin e asaj Karte Kushtetuese, në kuvendet e dy republikave dhe në Kuvendin e Federatës, pushoi së ekzistueri e ashtuquajtura Republika Federale e Jugosllavisë dhe Kushtetuta e vitit 1992. Sipas Kartës Kushtetuese, marrëdhëniet ishin rregulluar ndryshe, si bashkësi e shteteve, e jo si një shtet federativ. Interesat e Malit të Zi ishin të mbrojtura dhe ishte paraparë që pas tri vjetëve, shtetet anëtare mund të nisin procedurën për ndarje e pavarësim.
Në kushte të tilla Mali Zi nisi përgatitjet dhe planifikonte që në vitin 2005 të mbante referendumin për pavarësi, por edhe këtu kishte presion nga strukturat evropiane për ta shty mbajtjën e referndumit në vitin tjetër, dhe se pavarësia do të njihej vetëm poqese në referendum do të deklaroheshin për pavarësi 55% të votave të vlefshme, dhe me kusht që në referendum të votonin shumica e përgjithshme e zgjedhësve të regjistruar.
Referendumi për pavarësinë e Malit të Zi u mbajt më 21 prill 2006. Në votim dolën 86,5% të numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar, ndërsa për pavarësinë e Malit të Zi votuan 55,5%, e kundër pavarësisë 45,5% e votuese. Në bazë të rezultateve të referendumit, Kuvendi i Republikës në mbledhjën e mbajtur më 3 qershor 2006, mori Vendimin mbi shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi. Përveç Vendimit mbi shpalljen e pavarsisë, Kuvendi miratoi edhe Deklaratën e Malit të Zi të pavarur, sipas s ëcilës Mali Zi do të vazhdojë të ndërtohet si shtet i qytetarëve dhe shoqëri multinacinale, multikulturore dhe multifetare, mbështetur në respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe pakicave kombëtare, në parimet e parlamentarizmit e demokracisë, në sundimin e së drejtës dhe në ekoniminë e tregut. Kështu, Mali i Zi pas 88 vjetëve e ktheu sovranitetin e plotë të shtetit, të cilin e kishte humbur në vitin 1918.
Pas pavarësimit, Mali Zi menjëherë u bë anëtare e Kombeve të BAshkuara dhe çau me të shpejtë rrugën e integrimit në strukturat euro-atlantike: u bë anëtare e NATO-s, me të drejta të plota; iu hoqën vizat dhe iu mundësua qytetarëve të qarkullojnë të lire, pa vizaa në shtetet e BE-së, dhe mori statusin e shtetit kandidat për BE.
Por, Serbia që ka në shpirt dhe në projekte politike e shtetërore hegjemonizmin serbomadh, as tash nuk po mund të pajtohet se Mali i Zi është shtet i pavarur e Sovran, as e pranon kombësinë malazeze, duke pretenduar se të gjithë orthodoksët e Malit të Zi janë serbë. Në këtë frymë, bënë çmos për destabilizimin e shtetit, për çfarë ka angazhuar edhe Kishën Ortodokse Serbe, e cila me ndihmën e shtetit të Serbisë, këtë vit e rrëzoi pushtetin legal dhe legjitim, duke shfrytëzuar elementin destruktiv serb të popullsisë së Malit të Zi.