Lufta e Serbisë kudër Turqisë (1876), në tokat e Dardanisë
Kriza Lindore (1875-1878) që filloi me luftën ruso-turke, kishte karakter të luftërave fetare dhe pushtuese, të sllavoortodoksve kundër Perandorisë Osmane, sado që sllavët këto luftëra i quanin çlirimtare. Për shkatërrimin e Perandorisë Osmane ishin të interesuara edhe fuqitë e Europës, veçmas Austrohungaria. Turqia kishte rënë në krizë aq të thellë financiare nga borxhet e jashtme, sa që të hyrat vjetore të shtetit ishin 18 milion funta, ndërsa anuitetet vjetore të këthimit të borxheve ishin 15 milion funta! Turqia më nuk ishte në gjendje të mbledhte tatimet, të mbante nën kontrollë kufijt e saj as qetësinë në principatat ballkanike. Me nxitjen dhe ndihmën e Rusisë, u ngritën në luftë Bullgaria, Serbia, Mali Zi, Rumania.
Pas ushtrimeve gadi njëmujore, koncentrimit dhe organimit të njësive ushtarake në kufi me pjesën europiane të Perandorisë Osmane, ushtria serbe forcën më të madhe (mbi 68000 ushtarë, e quajtur ushria e Moravës) e kishte koncentrruar në Aleksinac, ku ishte dogana dhe fortifikimi i ushtrisë turke. Një krah tjetër i sulmit me 25000 ushtarë ishte nga ana e Timokut; 24000 të tjerë nën komandën e Franjo Zahos ishin koncentruar në Javor, me synim që ta pushtonin Sjenicën, Novi Pazarin dhe Kosovën, ndërsa 15000 tjerë ia kishin mësy Drinës, për të kalua në Bosnje.
Ushtrisë së Serbisë, në mënyrë të organizuar i kishin ardhur në ndihmë 4303 ushtarë rusë, me 650 oficerë dhe 300 sanitarë. Edhe shumë vullnetarë tjerë rusë kishin adhur në regji private. I kishin ardhur shumë vullnetarë edhe nga shtete tjera: Italia, Rumania, Bullgaria, Greqia, Mali Zi. Vet Garibaldi kishte organizuar disa qindra vullnetarë Italianë për ndihmë ushtrisë serbe. Lufta e parë serbo-turke, e njohur si Beteja e Javorit, kishte filluar më 2 korrik 1876.
Ushtria serbe ishte vu nën komandën e gjeneralit rus Mihail Çernajev, i cili personalisht komandonte në frontin e Aleksincit. Çernajevi, një ushtarak i karrierës, i cili kishte krye krime gjatë pushtimit të Kavkazit, kishte ardhur në Serbi gjoja si azilant. Në të njëjtën ditë qeveria e Serbisë ia kishte dhënë azilin, shtetësinë serbe dhe e kishte graduar me gradën general!
Ushria serbo-ruse u thye dhe pësoi keq në betejën e Gjunisit afër Krushevci, dhe kjo bëri që gjenerali rus dhe qeveria serbe të kërkonin armpushim. Statistikat serbe flasin për 9000 të vrarë në radhët e ushtrisë serbe, në mesin e të cilëve 35 oficerë rusë.
Sado që propaganda serbe e lavdëron ushtrinë e vet për “heroizëm”, faktet flasin ndryshe. Gjenerali rus, Mihal Çernajev, më 29 tetor 1876 i kishte dërguar telegram carit rus, të cilin e njofton për humbjet dhe e lutë t’ia imponojë Turqisë armpushimin, se përndryshe ishte rrezik që ushtria turke ta pushtojë edhe Beogradin. Ndër të tjera, në telegram e informonte carin rus se: “Të gjithë serbët ikën nga fronti, ndërsa të gjithë rusët u vranë”!
Duke parë se ushtria turke do të mund ta pushtonte edhe Pashallukun e Beogradit, edhe qeveria e Serbisë kishte kërkuar nga cari rus t’i imponojë Turqisë armëpushim. Cari rus i kishte shtruar ultimatum Turqisë që të ndëpresë ofansivën ushtarake dhe të arrijë armëpushim. Armëpushimi u arrit më 1 nëntor 1876, me klauzolën e ruajtjes së status-quos së kufijve të Serbisë, siç kishte qenë para shpërthimit të luftës, dmth. pa fitore të asnjërës palë në terren. Armëpushimi ishte kërkuar për dy muaj, por ai kishte zgjatur deri më 28 shkurt 1877.
Më 15 janar 1877, Austrohungaria dhe Rusia kishin arritur një marrëveshje (e quajtur: “Konventa e Peshtës”), sipas të cilës Austrohungaria ishte obliguar se do të qëndronte neutrale ndaj luftës ruse me Turqinë, ndësa Rusia ishte obliguar se nuk do ta shfrytëzonte Serbinë si bazë për luftë. Me atë Marrëveshje, Rusia ia kishte njohur Austrohungarisë të drejtën e okupimit të Bosnje-Hercegovinës, gjë që më vonë këtë e konfirmoi edhe Kongresi i Berlinit. Poashtu, sipas asaj marrëveshje ishte përcaktuar se në rast të shkatërrimit të pjesës europiane të Perandorisë Osmane, do të njihej pavarësia e Bullgaris, Rumanisë dhe Shqipërisë.
Më 28 shkurt 1877, është nënshkrua në Stamboll Protokolli i Paqes midis Turqisë e Serbisë, në bazë të kufive të pandryshuar të Serbisë nga periudha e paraluftës (“status quo ante bellum”).
Një digresion i shkurtë: Në 145-vjetorin e asaj lufte, më 12.X.2021, në Beograd u hap një ekspozitë dhe u mbajt një konferencë shkencore për rolin e vullnetarëve rusë që patën në luftën serbo-turke, të vitit 1876 deri më 1878. Profesori rus, në Fakultetin Filozofik të Beogradit, Aleksej Timofejev, në atë tubim kishte thënë: “Deri në Nish ishin vendbanime shqiptare. Po të zgjaste vetëm edhe 20 vjet pa uftë (lexo: pa pushtimet serbe), sot rolin e Mitrovicës do ta luante Nishi”!
Luftimet e Toplicës 1877-1878
Principata e Serbisë, me gjithë ndihmën ruse, e humbi luftën prej Perandorisë Osmane më 1876, por ambicjet për pushtimin e tokave shqiptare e të tjera, nuk iu shuan. Dhe nuk vonoi as 10 muaj e filloi luftën tjetër pushtuese kah jugu, pasi kah perëndimi, për pushtimin e Bosnës, nuk guxonte t’i “shtinte brinat” me Austrohungarinë, me që për atë anë nuk i kishte garancionet e Rusisë, në bazë të marrëveshjes ruso-austrohungareze.
Në atë kohë Perandoria Osmane e dërmuar nga lufta ruso-turke ishte dobësuar dhe nuk ishte më e aftë të mbajë qetësinë në Ballkan. Principatat sllave e panë shansin e volitshëm, që me ndihmën e Rusisë të pushtonin tokat që ishin nën Perandorinë Osmane e të zgjëronin territoret e shteteve të tyre.
E ashtuquajtura Lufta e Toplicës ka filluar më 3 dhjetor 1877. Ushtria turke ishte tërhequr nga karaullat kufitare, pa u konfrontua me ushtrinë serbe, deri në Prokuple. Bashkë me ushtrinë turke ishin tërhequr nga shtëpitë, pronat dhe vendbanimet e tyre edhe shqiptarët, duke kaluar lumin Toplica, nga frika e masakrave të ushtrisë serbe. Nëpër shtëpitë e pasura të shqiëtarëve ishin vendosur ushtarët serbë që festonin fitoren, plaçkitnin gjithçka e digjnin shtëpitë. Ushtria turke ishte vendosur nëpër male e kodra rreth Prokuples, ndërsa qytetin e Prokuples, të boshatisur nga ushtria turke dhe nga banorët shqiptarë, serbët e kishin zaptuar, pa luftë më 6 dhjetor 1877. Kishte ndonjë nga paria e shqiptarëve që kishin kontaktuar me oficerët serbë, për të kërkuar garancione për këthimin e të ikurve. Garancione kishin marrur me gojë, e ndonjë edhe me shkrim, me kusht që t’i dorëzojnë armët. Mirëpo, shqiptarët nuk kishin besim të këthehen.
Pas pushtimit të Prokuples, ushtria serbe më 11 dhjetor ishte nisur për ta pushtuar Kurshumlinë. Marshimin e tyre e pengonin kryesisht shqiptarët që kishin zënë disa maja malesh bashkë me ushtrinë turke.
Komandanti i divizionit serb, Biniçki, kishte thënë: “Deri më tash bëra përpjekje për kthimin e arnautëve. Prej tash, as hinin s’do t’ua lëmë, pasi janë të egër dhe po m’i vrasin njerëzit”.
Pasi ushtria turke, bashkë me luftëtarët “arnautë”, e kishin braktisur qytetin e Kurshumlisë dhe ishin pozicionuar nëpër majat e maleve dhe fshatrat përrreth, pas dy ditë luftimesh të rrepta, ushtria serbe më 25 dhjetor 1877, kishte hyrë e pushtuar qyetin. Hafiz Pasha që ishte komandant i ushtirsë turke, kishte mbledhur forca nga repartet turke dhe mobilizuar shqiptarë, për luftë kundër ushtrisë serbe. Ditën e krishtlindjeve, 7 janar 1878, forcat turke (gjysma e tyre shqiptarë), e kishin detyruar ushtrinë serbe të arratiset dhe vet kishin hyrë e zaptuar qyetin e Kurshumlisë. Komandanti i divizionit serb, Stevan Biniçki, në raportin dërguar komandës supreme të ushtrisë serbe kishte shkruar: “Kurshumlia është stolisur me kokat e preme të ushtarëve serbë ngulur mbi hunjë”! Por, ushtria turke nuk qëndroi në qytet, veçse kishin zënë pozita nëpër fshatrat dhe malet përrreth. Luftimet më të ashpra ishin zhvilluar në Samokovë e Përpellac. Forcat serbe përsëri kishin hyrë pa ndonjë rezistencë në qytetin e Kurshumlisë më 19 janar 1878. Nishi ishte okupuar nga forcat serbe më 11 janar 1878. Pushtimet tjera serbe u kryen shpejtë dhe pa ndonjë rezistencë. Më 22 janar 1878 u arrit armëpushimi midis Turqisë e Rusisë. Me të marrur lajmin për arritjen e armëpushimit, ushtria serbe ndali operacionet e mëtutjeshme pushtuese.
Më 3 mars 1878, u arrit marrëveshja preliminare e paqes midis Rusisë e Perandorisë Osmane (Marrëveshja e Shën Stefanit) dhe u ndërprenë luftimet në pjesën europiane të Perandorisë. Po të mos ishte arritur ajo marrëveshje e të vazhdonin luftimet me atë dinamikën e tërheqjes së ushtrisë turke, ka mund të ndodhte që edhe Kosova do të ishte pushtuar atëherë nga forcat serbe dhe sot do ishte gjendja e Kosovës sikur ajo e Toplicës e Jabllanicës.
Por, hegjemonizmi serbe nuk kishte hequr dorë nga pushtimi i Kosovës, prandaj vetëm pas 34 vjetëve (më 1912) në jehun e luftërave ballkanike e pushtoi edhe Kosovën, veçse këtu, përkundër masakrave të kryera, nuk arriti ta bënte pastrimin etnik sikur e bëri në rajontet e Toplicës e Jabllanicës.
Për luftën e Javorit (1876) dhe luftimet e Toplicës (1877-1878), shënimet më të plota, në formë ditari të luftës, i ka lënë Dimitrije Mita Petroviq, një mësues nga Çaçaku, i cili kishte qenë i mobilizuar në ushtrinë serbe, i favorizuar nga komandanti Biniçki ishte caktuar kamandant i intendanturës, dhe kishte mbajtur ditar për luftimet në secilin front. Ditarin e vet e kishte plotësuar me raportet e komandantëve të njësive të cilat kishin zhvilluar luftimet. Petroviqi nuk i ka botuar vet ditarët e tij, por ato janë botuar pas vdekjes së tij. Nga përmbajtja e librit “Luftimet e Toplicës 1877-1878”, shihet se ditari i Petroviqit ishte korrekt me të dhëna e përshkrim të ngjarjeve. Sipas ditarit të tij, në të gjitha fushat e luftimeve të zhvilluara në vitet 1877-1878, ushtria serbe pati 2042 të vrarë, 2999 të plagosur dhe 153 të zhdukur. Për humbjet e ushtrisë turke dhe të luftëtarëve shqiptarë, nuk ka mund të jepë shënime.
Paqja e Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit (1878)
Kushtet e armpushimit dhe të paqes që ia imponoi Rusia ishin të rënda për Turqinë, dhe ato nuk i pëlqenin as fuqitë e mëdha të Europës. Sipas atyre kushteve, njoftuar më 31 janar 1878, në Edrene, e lidhë si traktat në Shën Stefan më 3 mars:
Bullgaria do të shtrihej në një territor të gjërë dhe do të bëhej shteti më i madh sllav në Ballkan, që do të formohej si principatë autonome nën suzerenitetin e Sulltanit; do t’i paguante tatim Portës së Lartë, por do ta kishte qeverinë e vet të krishterë dhe policinë vendore. Ushtria turke do të tërhiqej nga territori i Bullgarisë.
Malit të Zi do t’i njihej pavarësi e plotë, me të gjitha territoret e pushtuara gjatë luftës.
Të njihet pavarësia e Rumanisë dhe e Serbisë. Rumanisë do t’i jepej një territor i konsiderueshëm (Dobruxha), ndërsa Serbisë do t’i pranohej zgjërimi i saj kah jugu.
Bosnje-Hercegovinës do t’i garantohej autonomi.
Porta e Lartë detyrohej t’i paguajë Rusisë të gjitha shpenzimet dhe dëmet që kishte pasur në luftë, dhe t’i garantoj të drejtën e shfrytëzimit të Dardaneleve.
Sipas këtyre kushteve, në paralagjen e Stambollit, Shën Stefan, të cilën e kishte pushtuar ushtria ruse, më 3 mars 1878,u nënshkrua Marrëveshja preliminare e Paqes, e definuar në 28 nene.
Me qenë se ajo Marrëveshje u revidua në Kongresin e Bërlinit, këtu nuk është me interes të analizohen dispozitat e saj.