Ideja, dëshira dhe përpjekjet e patriotëve shqiptarë kanë synuar gjithë herë bashkimin trojeve dhe të kombit. Kjo ide është zhvilluar sidomos në periudhën e Rilindjes kombëtare shqiptare, kur e detyruan edhe Perandorinë Osmane të pranonte formimin dhe bashkimin e katër vilajeteve shqiptare, në një vilajet shqiptar, përkohësisht nën suverenitetit të Sulltanit Por, kur shqiptarët këtë e arritën me luftë, deri sa arritën në Selanik, monarkitë sllavo-ortodokse: serbe, malazeze, bullgare e greke, të frikësuara nga formimi i një shteti të madh shqiptar në Gadishullin ilirik, në Luftën ballkanike (1912), sulmuan trojet shqiptare të cilat ishin akoma nën pushtimin Osman, pushtuan Kosovën, Veriun e Shqipërisë, Malësinë e Plavë-Gucisë, Maqedoninë me pjesën shqiptare dhe Çamërinë. Këto pushtime ua përligji dhe njohu Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913).
Shqiptarët kurrë nuk u pajtuan me pushtuesit, por gjithnjë luftuan, bënë rezistencë aktive e passive, me intensitete e intervale të ndryshme, varësisht nga kushtet dhe rrethanat.
Pas pushtimit (tetor 1912), Kosova vetëm një kohë të shkurtër ishte nën pushtimin e Serbisë, sepse së shpejti shpërtheu Lufta e Parë Botërore, ushtria e Austro-hungarisë e përzuri ushtrinë e Serbisë jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Serbia, e cila duke iku për në ishullin Korfuz, nëpër territorin e Shqipërisë së Veriut bëri masakra në popullsinë shqiptare.
Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe formimit të Jugosllavisë së Versajes (1 dhjetor 1918), e ashtuquajtur Konferenca e Paqes përsëri trojet shqiptare i la nën pushtuesit e para asaj lufte. Shqiptarët kurrë nuk u pajtuan të mbesin nën pushtuesit, prandaj deri më 1924 zhvilluan luftë të armatosur kundër regjimit të ri (Lëvizja kaçake).
Luftën e Dytë Botërore (1941-1945), shqiptarët e konsideruan si çlirim të tyre nga pushtuesit serbo-malazez, pasi u çliruan nga dhuna e regjimeve, fituan lirinë e lëvizjes, hapjen e shkollave dhe përdorimin e gjuhës shqipe në shkolla dhe në administratë. Por, as kjo periudhë e lirisë (liri i thënqin, nën pushtimin e fashizmit dhe nazizmit italo-gjerman!), nuk zgjati shumë, pasi forcat e koalicionit anglo-amerikane e ruse, e thyen makinerinë e ushtrisë së koalicionit Romë-Berlin-Tokio.
Populli ynë e ka një metaforë, që thotë: “E mbyti ujku, e hangrën qentë”! Kjo metaforë i shkon për shtati rastit të çlirimit të Jugosllavisë nga pushtimi italo-gjerman, pasi që forcat e aleancës anglo-amerikane e ruse, e sidomos Ushtria e Kuqe ruse, bënë të mundur çlirimin e Jugosllavisë. Forcat partizane të popujve të Jugosllavisë, ishin vetëm në rolin e zagarëve për ndjekjen e gjahut. Sepse, ato më tepër zhvilluan luftë civile midis frakcioneve të ndryshme: kundër çetnikëve, lotiçeVstëve e ballistave, se sa me gjermanët dhe Italianët.
AVNOJ-i dhe formimi i Jugosllavisë së Dytë
Pasi forcat e koalicionit antifashist e kishin thyer e dërmuar ushtrinë gjermane dhe pjesa më e madhe e territorit të Jugosllavisë ishte çliruar, krerët e Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe të të ashtuquajturës Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Jugosllavisë, në krye të të cilave ishte Josip Broz Tito, në Mbledhjen e Dytë të Këshillit Antifashist të Çlirimit Kombëta të Jugosllavisë (KAÇKJ/ srb.AVNOJ), që u mbajt në Jajcë të Bosnjes (26-29 nëntor 1943), i vunë themelet e Jugosllavisë federative, të 5 kombeve e gjashtë republiave. Në atë mbledhje nuk muerën pjesë përfaqësues të Kosovës, të Sanxhakut as të Vojvodinës, edhepse në aspektin e organizimit partiak dhe ushtarak ishin krahina të veçanta politiko-territoriale dhe ushtarake gjatë luftës 1941-1943. Krahas luftës, të gjitha krahinat (atëherë edhe territoret e republikave të mëvonshme quheshin krahina, në aspektin e organizimit partiak dhe ushtarak), u formuan të ashtuquajturat këshilla nacional-çlirimtare, si bartëse të pushtetit popullor.
Në Vendimin e AVNOJ-it për formimin e Jugosllavisë në parime federative, thuhet se kjo “mbështetet në të drejtën e të gjithë popujve për vetëvendosje, duke përfshirë edhe të drejtën e shkëputjes ose të bashkimit me popujt e tjerë dhe në pajtim vullnetin e vërtetë të të gjithë popujve të Jugosllavisë, të dëshmuar gjatë luftës së përbashkët trijveçare”. Ç’është e vërteta, në pikën katër të atij Vendimi thuhet se: popujve pakicë iu garantohen të gjitha të drejtat nacionale”. Por, në Kosovë, si njësi e veçantë partiake dhe ushtarake gjatë luftës, Shqiptarët nuk ishin as nuk përmendeshin si pakicë.
Në historiografi dhe në teorinë juridike, AVNOJ-i konsiderohet si akt konstituimi i shtetit të Jugosllavisë, i cili në vazhdim është ndërtuar e ka marrë formën.
Mbështetur në këto gënjeshtra e premtime, strukturat e partisë dhe të ushtrisë nacional-Çlirimtare të Kosovës e Dukagjinit, organizuan dhe mbajtën Konferencën e parë të Këshillit Nacional-Çlirimtar për Kosovë e Rrafsh të Dukagjinit, në të cilën, pas një analize dhe konstatimeve të gjendjes së përgjithshme, pjesëmarrësit miratuan Rezolutën, në të cilën shprehen njëzërit për bashkimin e Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit me Shqipërinë amë. Në pjesën që ka të bëjë me deklarimin (vendimin) për bashkimin e Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit me Shqipërinë, thuhet:
“Kosova e Rrafshi i Dukagjinit asht nji krahinë e banueme në shumicë nga populli shqiptar, i cili gjithmonë ashtu edhe sot dëshiron me u bashkue me Shqipni. Prandja e ndiejmë për detyrë me i tregue rrugnë e drejtë që duhet me ndekë ppoulli shqiptar për me realizue aspiratat e veta. Rruga e vetme pra që populli shqiptar i Kosovës dhe i Rrafshittë Dukagjinit të bashkohet me Shqipnin asht lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavis kundër okupatorit nazist gjaksuer e rrogtarve të tij, sepse kjo asht e vetmja rrugë për me fitue lirinë, në të cilën të gjithë popujt, pra edhe populli shqiptarë, do të kenë mundësi me vetvendosë mbi fatin me të drejtën e vetvendosjes deri në shkëputje. Grancija për kët asht ushtrija Nacional-Çlirimtare e Jugosllavis dhe ushtrija Nacinal-Çlirimtare e Shqipnis, me të cilën ngushtësish asht e lidhun. Përveç këtyne për kët garantojnë aleatët t’onë të mëdhej Bashkimi Sovjetik, Anglija e Amerika (Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe e Teheranit”.