(Ahmet QERIQI: “Burgu” (roman); Botues: “Radio Kosova e Lirë”, 2004, fq. 335)
Pas demonstratave të vitit 1981, Eknat Malmiri u detyrua të qëndrojë 13 muaj i fshehur në një strehimore të përgatitur nga i ati. Policia e kërkonte, për shkakun se edhe më herët kishte qenë tri herë i burgosur. Policia bënte presion mbi familjen që ta detyronin Eknatin të dorëzohej. Jo vetëm se i arrestonin të atin dhe vëllezërit, por ishin kërcënuar se do ta internonin tërë familjen diku në Serbi, dhe ky kërcënim tepër i rrezikshëm e kishte detyruar Eknatin të përshëndetej me familjarët e të dorëzohej (më 12 maj 1982), me ndërmjetësimin e një miku që ishte inspektor i SPB-së në Prishtinë (Dullë Deva). Pasi i kryejnë formalitetet e pranimit, e vendosin në qelinë nr.27 të Burgut të Prishtinës, të cilën Eknati e kishte të “njohur” nga burgimet e mëhershme, si një hyrje në rrethin e parë të ferrit. Aty sheh një djalosh të ri (Qendrim Pajaziti), i cili përpëlitej i dërmuar dhe i përgjakur nga rrahjet e hetuesve e gardianëve të burgut. Në të njëjtën qeli ishte edhe studenti Durim Vranja. Tri ditët e para, Eknat Malmirin e lënë “të adaptohet” në qeli, ndërsa ditën e katërt e marrin në pyetje në hetuesi, duke e shantazhuar e kërcënuar që të zbulojë emrat e shokëve me të cilët ka bashkëpunuar në veprimtarinë e tij kundër shtetit dhe vëllazërim-bashkimit.
Si ‘humanista” që ishin inspektorët-hetuesit ishin treguar të durueshëm dhe i kishin lënë afat të mendohej për t’i treguar shokët, me ç’rast nuk mungojnë edhe premtimet nëse tregohet bashkëpunues. Në seancën e dytë hetimore Eknatin e maltretojnë deri në alivanosje. Herën e tretë e zgjojnë nga gjumi në gjysmë të natës, e qojnë në hetime, ku ishte edhe vet sekretari i SKPB, Mehmet Maliqi (qorri) dhe dy inspektorë shqiptarë (Metë Lumi e Has Meti). I nervozuar që Eknati nuk po i tregonte shokët, qorri ia jep një flakaresh, por nuk e ndëshkojnë më tepër. Pasi shkojnë qorri e Has Meti, Metë Lumi, duke treguar ca lidhje familjare nga dajallarët, e “këshillon” Eknatin të mendohet mirë e të tregojë shokët dhe ta shpëtojë vetën dhe familjen. Disa ditë më vonë, përsëri natën e zgjojnë nga gjumi, e qojnë në hetuesi (te Xhat Kaçi e Lutë Ziu), të cilët i kërkojnë informata për bashkëpunëtorët dhe i japin afat për të menduar, e të lajmërohet vet.
Por pa pritur afatin e caktuar, natën e zgjojnë nga gjumi, e marrin me “maricë”, dhe pas një gjysmë ore vozitje e qojnë në një mal, ia lidhin sytë, e lidhin për një lisi, i mbushin armët me fyshekë, i thonë se do ta vrasin poqese nuk i tregon shokët dhe vendet ku është takuar. Të pakënaqur më përgjigjet e dhëna, policët e godasin në kokë me tytën e revolës, ndërsa në bark dhe trup me grushta e shkelma, derisa i bie të fiktë. Ashtu të alivanosur e kthejnë në qeli, ia japin një injeksion prej së cilës nuk i kujtohej asgjë vetëm se kishte halucinacione e jermi. Të nesërmen e marrin në pyejte inspektorët Xhat Kaqi e Lutë Ziu, duke ia bërë me dije se për disa takime Eknatin e kishin dekonspiruar persona të caktuar. I japin letër e laps, i shtrojnë pyetje dhe i japin afat për t’u menduar e përgjigjur. Për improvizimin e pushkatimit, “nuk i besonin” dhe e porositën se për këtë nuk guxon të fliste më. Inspektori Lutë Ziu i “tregoi” kolegut të vet për “vetëvrasjen” e një të burgosuri politik (Zenë Gjoni), të cilin Eknati e njihte. Ditët në vazhdim, i vetmuar në qelinë e papastër, pa dritë e pa ajër, e mbushur me qimka, pleshta e morra, pa libra, laps as gazeta, me ushqim të dobët e të pamjfatueshëm, u sëmur dhe kohën e kalon në mendime e brenga për familjen. Duke shikuar përmes grilave të dritares së vogël, e sheh Zenë Gjonin duke shëtitur me të burgosurit tjerë në oborrin e burgu, dhe gëzohet se nuk ishte e vërtetë “vetëvrasja”. Ndërkohë, në qeli ia bien një “cimer”, një arsimtar (Sejfi Sejfiu), për shkak se bashkë me nxënës dhe arsimtarë ka marrë pjesë në demonstrata. Pas dy muajve qëndrimi në burg, Eknatit i vijnë në vizitë gruaja me pesë fëmijët dhe i ati, i sjellin ushqime e rroba. Por vizita ishte një formë tjetër e mundimit, për shkak se ishte larg pas grilave, dhe fëmijët qanin pse nuk mund ta përqafonin as ta preknin me dorë. Pas më tepër se pesë muaj qëndrimi në trajtim mizor të hetimeve, në fillim të tetorit e dërgojnë te gjykatësi hetues (Sak Nishi), i njohur si njeri pa ndjenja, i cili i gjykonte organizatorët e demonstratave deri më 15 vjet burg. Pikat e akuzës Eknati i mohon, duke thënë se është detyruar me dhunë të nënshkruajë deklaratat në hetuesi. Për shkak të mohimit të pikave të akuzës, ditën tjetër përsëri e dërgojnë në hetuesi, ku përveç ushtrimit të dhunës fizike, me ç’rast ia thejnë dhëmbët e parë, e shantazhojnë duke thënë se fëmijët nuk do t’i sheh më kurrë. Ashtu të dërmuar nga dhuna fizike, prej zyrës së hetuesve deri në qeli, gardiani i burgut (Miqa musteçoku) e qon lidhur me pranga, duke e shtyrë e shkelmuar. Pas një jave dhune fizike e psikike në hetuesi, përsëri e dërgojnë te i njëjti gjykatës hetues, ku detyrohet të pranojë deklaratën e nënshkruar me dhunë në hetuesi, ngase po të mos e pranonte, përsëri do ta kthenin në trajtimin mizor që i bënin inspektorët hetues. Nga pikat e akuzës, Eknati kishte vërejtur denoncimin që kishin bërë disa persona, ndoshta edhe ata të detyruar nga dhuna e ushtruar, por gjithashtu kishte vërejtur se disa veprimtari të zhvilluara nuk ishin zbuluar as nuk akuzohej për to, ndonëse nuk ishte i sigurt se në ndërkohë dikush do t’i zbulonte edhe ato. Prej dhomës nr.27, e transferojnë në dhomën nr.5, ku kishte edhe të burgosur tjerë, ndër ta edhe një ish-nxënës i vet (Isë Caku). Duke parë se të burgosurit e tjerë po e respektonin dhe dëgjonin Eknatin, ia ndërronin dhomat, në të cilat afro 90 përqind ishin të burgosur politik. Në mesin e gardianëve kishte vërejtur se kishte edhe shumë liridashës të vërtetë shqiptarë, të cilët silleshin njerëzisht me të burgosurit politik, të cilët rrezikonin punën dhe të arrestoheshin edhe vet.
Të akuzuarit të lidhur me pranga dy nga dy, futur në “marica”, të përcjellura me zhurmë nga policia me motorë e sirena shurdhuese, nëpër qendrën e Prishtinës i qojnë në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës, për t’i gjykuar. Procesi zgjati prej 8 – 15 shkurt 1983.
Në libër autori i ka dhënë emrat e “shkurtuar” të të akuzuarve, dhe emrat e plotë të prokurorëve dhe trupit gjykues (fq.79-80). Të gjithë të burgosurit akuzoheshin për veprimtari armiqësore. Eknat Malmiri akuzohej për shpërndarje të literaturës së ndaluar me përmbajtje armiqësore (“Lajmëtari i lirisë”, “Zëri i Atdheut” etj.), me qëllim të “rrënimit antikueshtues të shtetit federativ dhe shkatërrimin e vëllazim-bashkimit e barazisë midis kombeve e kombësive të Jugosllavisë”. Eknati akuzohej edhe si recidivist i dënuar më herët për vepra të tilla. Ai duke pranuar shumicën e pikave të aktakuzës dhe duke arsyetuar kërkesat e drejta për barazi, e kishte demantuar avokatin e tij zyrtar, i cili kishte thënë se aktakuza ishte e trilluar. Vetëm 3 nga grupi i të akuzuarve ishin penduar dhe premtonin se nuk do të merreshin më me vepra të tilla. Ditën e shpalljes së aktgjykimit, kishte qëndruar në sallën e gjykimit plot 10 orë, pa lëvizur nga vendi dhe pa asnjë minutë pushim. Trupi gjykues ua kishte shqiptuar dënimet prej 6 deri 15 vjet burgim. Eknati i dënuar me 8 vjet burgim, kishte pritur dënim edhe më të rëndë, si recidivist që ishte, por edhe kishte frikë se ndërkohë do të mund të zbuloheshin edhe vepra tjera, për të cilat do të mund të dënohej me maksimumin e paraparë. Të dërmuar nga procesi i gjatë i gjykimit, të dënuarit i kishin kthyer në qelitë e burgut të Prishtinës, e pas dy ditëve nga shpallja e dënimit, e 10 muajve (sa 10 vjet) që kishte kaluar në Burgun e Prishtinës, Eknatin dhe disa tjerë i kishin dërguar në Burgun e Gjurakut. Aty sheh edhe shumë të burgosur tjerë të katër grupimeve dhe ideologjive të ndryshme politike, profesorë, intelektualë, nxënës e studentë, por kishte edhe shumë asi për krime ordinere. Eknati vëren se në mesin e gardianëve të burgut, përveç atyre më të vrazhdët, kishte edhe asi që ishin më besnik dhe më atdhetar se shume prej të dënuarve politik të demoralizuar. Të dënuarit e tjerë, që kishin marrë dënime më të mëdha, i kishin deportuar e shpërndarë nëpër burgje tjera në: Nish, Pozharevc, Beograd, Leskofc, Prokuplje, Novi-Sad, Sombor, Suboticë, Mostar, Gospiq, Sarajevë, Gradishkë deri në Golli Otok.
Në Burgun e Gjurakut, Eknati kishte mundësi të kontaktonte me të burgosur tjerë, të lexonte literaturë që lejonte Burgu, përhapte e mbronte idenë për të cilën ishte dënuar. Jeta në burgun e Gjurakut kishte ritëm tjetër dhe kushte më të mira ushqimi, fjetje, biblioteka, televizori, gazetat, shëtitjet, kontaktet, vizitat, ligjërata e kurse të gjuhëve të hueja. Në mesin e të burgosurve kishte edhe kriminelë-vrasës e denoncues, kështu që ndodhnin edhe acarime dhe ekscese të ndryshme. Kishte kohë për t’u marrë me analizën e karakterit dhe temperamentit të njerëzve, dhe secilit ia gjente prototipin nga veprat e Dostojevskit, Çehovit e Stendalit. Të burgosurit ia nxinin jetën njëri-tjetrit. “Kurrgjë burgu, çka janë të burgosurit”, ishte një shprehje, që përdorej shpesh. Inspektorët e SPB-së përmes kriminelëve të dënuar, bënin përçarje dhe kurdisnin ekscese e rrahje, për t’i ndëshkuar pastaj të burgosurit politik. Disa të dënuar ishin aq të padijshëm, sa kishin iluzionin se Shqipëria kishte armë atomike dhe ushtrinë më të fortë në botë, që vetëm për disa ditë mund ta shkatërronte Jugosllavinë! Kishte edhe asi që lexonte 10 orë në ditë literaturë marksiste, por akoma nuk e kishte kuptuar çka do të thotë fjala “Company”. Ata nuk donin të dëgjonin dhe acaroheshin kur u thuhej se Shqipëria është shteti më i varfër në Evropë. Një peticion dhe një grevë e organizuar, kishte shkaktuar përçarje midis të burgosurve. Për shkak të organizimit të mësimit të gjuhëve të hueja, edukatori i Burgut e dënon Eknatin me një muaj qëndrim në qeli, por pas 16 ditëve e transferojnë në Burgun e Samarkanit (Smrekovnicë), e disa të tjerë në Burgun e Mitrovicës. Edhe në Burgun e Samarkanit e mbajnë edhe 30 ditë në qeli. Pas katër muaj qëndrimi në Burgun e Samarkanit, ku kushtet ishin shumë më të keqe se në atë të Gjurakut, më 3 korrik 1984, Egnatin dhe dy të tjerë i transferojnë në Burgun e Suboticës. Atje kushtet ishin më të mira se ato të Samarkanit, por e keqja ishte largësia 600 km për vizitat e familjes, peripecitë, shpenzimet dhe rrezikun. Edhe aty, si në çdo burg tjetër, kishte të dënuar për vepra të ndryshme, politike ose kriminelë ordinerë, kishte intelektualë e njerëz të mirë, sikur që kishte edhe analfabetë e të poshtër. Dallime në karakter kishte edhe në mesin e gardianëve edhe edukatorëve. Eknati ushtronte ndikim pozitiv dhe ruante baraspeshën dhe shoqërimin me intelektualët e të dënuarit politik, që kishte me përkatësi të ndryshme nacionale. Si njohës i disa gjuhëve të hueja, në Burgun e Suboticës e mëson edhe hungarishten, kështu që mund të komunikonte me të gjithë, kudo që e lëviznin nëpër dhomat e burgut. Me që gardianët në shpoti kishin përhapur “lajmin” se Eknati i dinte 33 gjuhë, atë e thërrisnin sa herë që sillnin ndonjë të burgosur gjuhën e të cilit nuk e dinin. Një ditë e sjellin një kinez të arrestuar, dhe gardiani e pyet Eknatin a din kinezisht? Kur Eknati i thotë se nuk din, gardiani ia shanë 33 gjuhët e tij, kur nuk e din edhe kinezishten! Jeta në burg, raportet me njerëzit, shkrimet, përkthimet, puna jashtë burgut, vizitat e rralla familjare, vizitat mujore zyrtare, nga të cilat vizita e sekretarit të judikaturës së Kosovës i kishte lënë shije të hidhur, e deri te lirimi i papritur, katër muaj para afatit, dhe kthimi në shtëpi, të gjitha këto, dhe të tjera ngjarje tjera interesante mund t’i mësoni nga faqet e romanit “Burgu”, të cilin do të duhej ta lexonte secili, për t’ia zgjuar ndjenjën për vuajtjet fizike e psikike që kanë përjetuar të burgosurit e ndërgjegjes. * * *
Është interesant paraqitja e emrave në romanin “Burgu”. Emrat e burgosurve realë, të inspektorëve policorë, të gardianëve të burgut, të vendeve, autori i jep në formë të shkurtuar e pak të ndryshuar, që lexuesi i vëmendshëm mund t’i identifikojë poqese i njeh individët personalisht. Eknat Malmiri, kryepersonazhi i romanit është vet autori, Ahmet Qeriqi, tri herë i burgosur politik dhe njëherë për kundërvajtje. Romani është tregimi për vet autorin, e për të burgosur tjerë, gjykime, mendime dhe autoreflekse, dokument i kohës dhe jetës, për vuajtjet dhe katrahurat e tij e shumë të burgosurve tjerë politik dhe të kategorive tjera sociale, për karakterin dhe temperamentin e tyre. Jetën në burg autori e kishte kuptuar me tërë seriozitetin dhe absurdet e situatës, prandaj e kishte ruajtur baraspeshën dhe dinjitetin për pikëpamjet e veta. Burgu është simbol i territ kundër dritës, simbol i anti-civilizimit, por është prodhim i civilizimit të ngulfatur në antagonizmat e veta. Në “emër të popullit”, ndëshkon bijtë e popullit. Shqiptari lind bashkë me fajin – pse është shqiptar. Kur rritet dhe kërkon të drejtat që i takojnë, veçsa e rrit fajin, ndërsa sa më i ngritur të jetë intelektualisht, bëhet aq më fajtor dhe i rrezikshëm. Në burg nuk ka gëzim, por ka shpresa, ka shumë të vërteta të hidhura për të burgosurin dhe familjen e tij. Ai që ka karakter të fortë, si kryepersonazhi i këtij romani, vetëm kalitet e forcohet shpirtërisht; pavarësisht se çka ka pësuar trupi, shpirti nuk është thyer, ideali nuk i është shuar. Ruajtja e dinjitetit njerëzor, intelektual e kombëtar dhe e frymës së humanizmit veçsa i janë forcuar. Lexuesin e vëmendshëm e përfshijnë aq shumë emocione, sa që duke u thelluar në lexim, edhe vet “çvendoset” në ambientet dhe në situatat që i përshkruan autori. Romani “Burgu”, duhet të lexohet e ta trazojë botën e heshtur për të burgosurit e ndërgjegjes.