Adil Fetahu

Adil Fetahu: Si e ndanë Dollanci e Ljubiçiqi Jovankën prej Josip Broz Titos?

A kishte gjasa që pas vdekjes së Titos, pozitën e kryetarit ta trashëgojë e shoqja?

A kishte frikë Dollanci nga e kaluara e tij jo e lavdishme?

  Diktatorët janë të pavdekshëm (vetëm) deri sa janë gjallë. Dhe sa të jenë gjallë, në biografitë e tyre shumëçka mbetet e panjohur për opinionin e gjërë, sepse askush nuk guxon të gërmojë në to. Kështu është rasti edhe me ndarjen e Titos nga bashkeshortja e tij, Jovanka. Po kush ishte bashkëshortja e diktatorit Tito, Jovanka Broz dhe si e ndanë atë prej Titos?

Kam dëgjuar me veshët e mi, më heret në Kosovë kur flitnin se e shoqja e Titos, Jovanka, ishte bijë kosovare, e lindur në Prizren, dhe se Tito qenka dhëndërr i Kosovës, e se për këtë “hatër” ai po bëhet kumbar (nun) kur një çifti bashkëshortësh shqiptar t’iu ketë lindur fëmiu i 9-të i gjallë, dhe broçkulla tjera si kjo!

Bashkëshortja e Titos, Jovanka (1924 – 2013), ishte një serbe e familjes Budisavleviq nga fshati Peçan i Likës (Dallmaci). Qysh në moshën 17 vjeçare i ishte bashkuar rinisë antifashiste të Jugosllavisë (SKOJ-it), e pastaj kishte hyrë në aradhat partizane. Në luftë ishte plagosur dy herë, por në rrezik vdekje kishte qenë nga sëmundja e tifos, e jo nga plagosjet. Pas luftës kishte gradën nënkolonel.

Tito e Jovanka lidhën martesën në vitin 1952, dhe këtë e bënë në mënyrë mjaft diskrete, në vilën “Dunavka”, në qytetin e vogël Illok (Kroaci). Dëshmitarë të martesës së tyre, me rastin e kurorëzimit, ishin: Aleksandar Rankoviq, nënkryetar i Jugosllavisë, dhe gjenerali Ivan Goshnjak. Tito atëherë ishte 60-vjeçar, ndërsa Jovanka 28-vjeçare.

Me kalimin e kohës, Jovanka kishte ndikim gjithnjë e më të madh në punët e Titos, sidomos sa i përket pranimit të palëve, kontrollimit të postës dhe dokumenteve sekrete, ndërrimit të personelit në Kabinetin e kryetarit, duke sjell njerëz më të besueshëm të saj, etj.  Ajo si pjesëmarrëse e luftës, mbante lidhje me disa generalë aktivë ose të pensionuar (sidomos me gjeneralin Jovaniq). Ky ndikim gjithnjë e më i madh i Jovankës në punët e kryetarit të shtetit, i pengonte bashkëpunëtorët më të afërt të tij dhe të udhëheqjes partiake e shtetërore. Për të mbushë kupën e mosdurimit të Jovankës, duket se ishte zbulimi i saj nga dokumentet sekrete, se Stane Dollanc, anëtar dhe sekretar ekzekutiv i KQ të LKJ-së, në rininë e tij paska qenë anëtar i organizatës së rinisë naziste, e quajtur  “Hitlerjugenda”. Nga ky zbulim, Jovanka kishte shprehur haptas një mosdurim ndaj Dollancit. Po edhe Dollanci “nuk i mbeti borxh”. Ia kthei me kamatë.

Planin për izolimin dhe ndarjen e Jovankës nga Titoja e kishin bërë Stane Dollanci e Nikolla Lubiçiqi, në vitin 1975, duke luajtur “me kartën”, se Titos po i rrezikohej jeta prej të shoqes, gjoja për shkak se Jovanka po gjelozon për marrëdhëniet e Titos me motrat Radojka dhe Dorjana Gërbiq, njena “masere” e tjetra stenodaktilografe, të cilat Tito i merrte me vete në vizitat të jashtme. Emisarëve të cilët ia kishin paraqitur Jovankës motrat Gërbiç si të dyshimta, Jovanka u kishte thënë se për shkak të moshës së Titos, kjo nuk kishte ndonjë “frigë” parej atyre vajzave. Por Dollanci, Lubiçiqi e të tjerët, për të rritur shqetësimin e Titos, i kishin thënë se Jovanka ka çrregullim psikik dhe do duhej ta dërgonin në shërbim psikiatrik, ngase është rrezik që në ndonjë moment krize, mund ta vriste Titon. Dhe për ta bindur Titon për gjendjen e çrregulluar psikike të Jovankës, e kishin angazhuar edhe shefin e konziliumit mjekësor të Titos, dr Bogdan Brecel, dhe komandantin e sigurimit të kryetarit, gjeneralin Marko Rapa.

Në shkurt të vitit 1975, deri sa Tito dhe Jovanka ishin në pushim në Hercegnovi (Mali Zi), atje i kishin shkuar për vizitë Dollanci e Lubiçiqi, si dhe Petar Stambolliq (nënkryetar i Jugosllavisë) dhe Xhemal Bjediq, kryetar i qeverisë federative. Për ta paraqitur gjendjen sa më dramatike, Titon e kishin marrë nga vila në Hercegonovi dhe në anijen “Galeb” e kishin bindur se Jovankën duhet izoluar për shkak të rrezikut që po i kanosej kryetarit të shtetit. Pasi e bindën për këtë, Bjediqi e Lubiçiqi mbetën në Hercegnovi “për t’iu gjetur Titos afër”, ndërsa Stambolliqi e Dollanci ishin kthyer në Beograd, ku të nesërmën e kishin ndërruar tërë personelin e Kabintetit të Titos. Kështu,  trabantët e funksioneve më të larta të partisë e të pushtetit, bashkëpunëtorët më të afërt të diktatorit, pas 23 vjetë martese, në vitin 1975, arritën ta izolonin dhe ndanin Jovankën prej Titos, të cilin nuk e pa më për së gjalli.

Mediat e vendit nuk e shpërpushnin këtë temë, por në mediat e hueja qarkullonin verzione të ndryshme për shkaqet: përse nuk po dukej më Jovanka përkrah Titos në vizitat që ai bënte jashtë vendit: BRSS, Kinë, Kore dhe në vendet e painkuadruara. Në raste të tilla teoria e konspiracionit fiton terren të përshtatshëm për lansimin dhe përhapjen e verzioneve. Njeni thoshte se ajo ishte agjente e CIA-s, tjetri se ishte agjente e Rusisë, dikush thoshte se ka dashur të bëj puç ushtarak e si serbe t’ia merrte pushtetin një kroati, dikush hamendej se ishte në burg ose sëpaku në burg shtëpiak,  të tjerët thoshin se ishte e sëmurë, e kështu me radhë. Cilido variant që përhapej më shumë, e dëmtonte imazhin e Titos që kishte krijuar në vend dhe në botë.

Pas vdekjes së Titos (1980), Jovanka Broz qëndroi e izoluar edhe më keq, dhe siç rrëfen motra e saj, Nada Budisavleviq, ajo jetoi në kushte të mjerueshme, deri sa vdiq në vitin 2013.

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …