(Gjermanët e Vojvodinës)
Gjermanët në Vojvodinë janë vendosur nga fundi i shekullit 17 dhe ne fillim te shekullit 18. Pjesa më e madhe e tokave atëherë kanë qenë moçalishte, por gjermanët që janë të njohur si punëtorë të mëdhenj, i thanë moçalishtet, i shndërruan në tokë pjellore, sollën e kultivuan bimë të reja ushqimore dhe industriale, ndërtuan vendbanime, ndërtuan mullinjë, fabrika të vogla të birrës, të tullave, tjegullave, apo aso për përpunimin e bimëve industriale, etj. Ata me vete sollën shprehi të punës, kulturës e higjenës. Vendbanimet i ndërtuan me plan urbanistik, shtëpi të ndritëshme, me oborre të mëdha, rrugë të gjëra e të drejta, me trotoare të gjëra e drunjë akacie, bliri e mani në të dy anët e rrugëve; në çdo kënd të rrugëve puse (bunare) me ujë të pijshëm. Çdo fshat kishte kishën. Në Vojvodinë janë ndërruar sundimtarë e sundime të ndryshme, por deri në vitin 1918, kurrë nuk ka qenë pjesë as nën sundimin e Serbisë. Në periudhën 1529 deri më 1718 ishte nën sundimin Osman, pastaj nën sundimin e Austrisë. Lulzimin e zhvillimit e ka arritur në kohën sa ishte nën sundimin e Monarkisë Habsburge, deri në vitin 1867, dhe në kohën e Austrohungarisë (1867 -1918).
Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore (1918), u prishën dy Perandori të mëdha: Perandoria Osmane dhe Perandoria e Austrohungarisë, ndërsa u formua një “miniperandori”: Mbretëria Serbo-Kroato-Sllovene (në popull quhet: Jugosllavia e Parë). Në mbretërinë jugosllave, me shtetësinë e tyre hynë: Serbia, Kroacia dhe Sllovenia, ndërsa Mali i Zi, edhepse para Serbisë ka qenë shtet i pavarur, në atë Jugosllavi hyri pa identitet shtetëror, dhe as nuk i përmendej emri. Bosnje-Hercegovina, Kosova, Vojvodina dhe Maqedonia, që ishin të pushtuara nga ushtria e Serbisë, poashtu hynë pa kurrëfar identiteti as statusi të veçantë juridik, as që iu përmendej emri. Vojvodina, që para lufte ishte pjesa më e zhvilluar e Austrohungarisë, me mashtrimet dhe premtimet e Serbisë, e me bekimin e fuqive të mëdha, iu la shpërblim Jugosllavisë, si aleate e fuqive fituese të luftës. Në atë Jugosllavi, për më se dy dekada (deri në vitin 1941), dominoi hegjemonizmi serb mbi të gjitha kombet tjera brenda shtetit. Sa për ilustrim të atij dominimi, të përmendim se gjatë asaj periudhe janë ndërruar 39 qeveri, në të cilat ka pasur gjithësej 819 ministra, dhe vetëm katër ministra ishin nga Mali Zi, edhe ata nuk e kanë përfunduar tërë mandatin e tyre. Edhepse brënda atij shteti kishte një milion banorë shqiptarë autoktonë, as që bëhej fjalë për ndonjë pozitë ministri apo funksionari të lartë shtetëror nga radhët e shqiptarëve (përveç që pasur ndonjë deputet, sa për të dalë shqiptarët në votime e për të fituar vota partitë serbe). Serbia dominonte jo vetëm në pushtetin civil, por akoma më keq në pushtetin ushtarak. Në vitin 1941, në vigjilje të Luftës së Dytë Botërore, ushtria jugosllave kishte 105 gjeneralë, prej të cilëve vetëm dy nuk ishin serbë; njeni ishte kroat dhe tjetri malazez. Këto shifra e ilustrojnë mjaftueshëm dominimin serb në atë Jugosllavi.
Sot demografia e Vojvodinës përbëhet nga qytetarë të 26 përkatësive të ndryshme kombëtare, ndërsa në të kaluarën dominohej nga grupacioni gjermanë e hungarezë, marrë të dyja së bashku. Në vitin 1910, deri sa Vojvodina ishte nën pushtetin e Austrohungarisë, vetëm në Banat dhe në Baçkë ka psur 56. 8712 banorë gjermanë (Shënim i Lidhjes së Popullit Gjerman të Vojvodinës). Ndërkaq, sipas regjistrimit të popullsisë së Mbretërisë SKS (1921), pasi që u aneksua nga Serbia, në Vojvodinë jetonin 335.902 banorë gjermanë, që përbënin 22% të popullsisë së përgjithshme të Vojvodinës. Kjo shifër mund të mos jetë reale, duke pasur parasysh manipulimet që Serbia gjithnjë ka bërë me regjistrimet e popullsisë, duke u përpjekur të paraqet sa më pak banorë të minoriteteve e sa sa më shumë serbë. Një numër jo i vogël i banorëve regjistroheshin në rubrikën: “Të tjerë”. Në regjistrimin e popullsisë së Vojvodinës në vitin 1931, në rubrikën “të tjerë”, ishin regjistruar 172924 qytetarë, apo 10,6% e numrit të përgjithshëm të banorëve të saj. Natyrisht, në atë rubrikë nuk janë regjistruar serbët, por minoritarët. Përkundër numrit aq të madh të popullsisë gjermane, ata asnjëherë nuk patën të drejtë të kenë shkolla në gjuhën e tyre, sikurse edhe shqiptarët në atë Jugosllavi, që nuk kanë pasur asnjë shkollë në gjuhën shqipe. Kur në Jugosllavinë e Titos u shpik “kombësia jugosllave”, shumë nga pjesëtarët e minoriteteve dhe të boshnjakëve regjistroheshin si “jugosllavë”, madje deri në vitin 1981, kur me këtë “kombësi” ishin regjistruar 172219 qytetarë, apo 8,46% e numrit të banorëve të Vojvodinës. Ndërsa në regjistrimin e vitit 2011, në tri rubrika tjera të papërcaktuara kombëtarisht, janë regjistruar 124376 banorë të Vojvodinës.
Zhdukja masive e qytetarëve gjermanë të Vojvodinës ndodhi gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1944 – 1948. Nga 328631 qytetarë gjermanë që kishte në Vojvodinë sipas regjistrimit të vitit 1931, në vitin 1948 kishin mbetur vetëm 28869 gjermanë. Po ku humbën dhe si u zhdukën të tjerët?
AVNOJ i shpalli armiqë të gjithë qytetarët gjermanë të Jugosllavisë
Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore, me një vendim të AVNOJ-it (21 nëntor 1944), u vendos që pakicës gjermane që jetonte në Jugosllavi t’i heqet shtetësia jugosllave, t’i konfiskohet pasuria e luejtshme dhe e paluejtshme dhe të dëbohën jashtë shtetit. Ishte një dënim kolektiv i një populli të tërë, i shqiptuar nga një organ jogjyqësor. Ai vendim u muar me pretekst se gjermanët kanë shërbyer ose kanë bashkëpunuar me ushtrinë naziste gjatë okupimit. Kjo i dha dorë Serbisë, që menjëherë të fillojë aksionin gjenocidal të vrasjeve, grumbullimit nëpër kampe dhe deportimit të tyre. Gjermanët e grumbulluar nëpër kampe i torturonin, vrisnin, lenin të vdisnin nga uria dhe semundjet. Pjesa dërmuese e tyre ishin gra, fëmijë e pleqë, pasi burrat të cilët kishin qenë të mobilizuar me dhunë ose vullnetarisht në ushtrinë gjermane, kishin ikur bashkë me ushtrinë, para se të vinte Armata e kuqe ruse. Meshkujt e aftë, pasi i grumbullonin nëpër kampe, i shfrytëzonin për punë të dhunshme. Sipas të dhënave të organizatave gjermane, në vitin 1945 në Jugosllavi kanë qenë së paku 70 kampe përqëndrimi, në të cilat ishin grumbulluar së paku 100.000 gjermanë, qoftë për t’i deportuar jashtë kufirit, apo për t’i dërguar në punë të dhunshme, madje edhe në Rusi. Siç dihet, çlirimin e Jugosllavisë e ka ndihmuar Ushtra e Kuqe ruse. Në dhjetorin e vitit 1944, pushteti ushtarak rus zgjodhi 30.000 gjermanë të Vojvodinës, të aftë për punë, meshkuj të moshës 17-45 vjeçe, dhe gra të moshës 18-40 vjeçe, të cilët përmes Rumanisë i deportoi në vende të ndryshme të BRSS. Udhëtuan gadi një muaj, në tren transportues. Gjatë udhëtimit kanë vdekur 850 vetë nga të ftohtit dhe uria, ndërsa 5000 tjerë kanë vdekur në kampet ruse. Të tjerët më vonë janë dërguar në Gjermaninë Lindore, në punë të dhunshme. Në Vojvodinë kanë qenë 40 kampe me gjermanë, dhe ato ishin nëntë llojesh, për kategori të ndryshme: kampet e të aftëve për punë; kampet e koncentrimit; kampet e vdekjes; kampet e civilve; kampet e robërve të luftës; kampet e fëmijëve; kampet e të sëmurëve; kampet për ekzekutimin e dënimeve me vdekje, etj.. Në fakt, në të gjitha kampet kanë gjetur vdekjen shumë gjermanë, qoftë se janë vrarë, kanë vdekur nga uria ose nga sëmundjet, janë vetëvrarë, apo janë zhdukur në mënyra tjera. Në tabelën që jep Zoran Jovanoviq për viktimat në kampet e Vojvodinës, jepën këto shënime:*)
Fëmijë gra e meshkuj, gjithsej
Vdekur urie 5524 25740 16390 47654
Vrarë 14 157 96 558
Vetëvrarë 4 32 24 60
Zhdukur 40 40 95 175
Pësuar gjatë ikjes: 32 111 57 240
Gjithsejt: 5614 26080 17002 48687
http/www.academia.edu//”Na tragu podunavskih nemaca u Vojvodini”,fq.39 ; përmbledhje e dy tabelave.
Në një tubim shkencor ndërkombëtar: “Europa Juglindore 1918-1995”, ku flitej për fatin e “gjermanëve danubianë” në ish-Jugosllavi, jepen këto shënime për humbjet e popullsisë gjermane në Jugosllavi, qoftë në luftë, ose pas luftës.
Republika/krahina Të humbur në luftë Të emigruar ose deportuar
Bosnje-Hercegovina 1000 12.000
Sllovenia 1000 24.000
Kroacia 2000 90.000
Serbia/Vojvodina 24.000 299.000
Përveç këtyre humbjeve kaq të mëdha nga korpusi i minoritetit gjerman të Vojvodinës, llogaritet se edhe 47000 tjerë janë asimiluar në serbë ose hungarezë, me martesa të përziera, e në mënyra tjera, dhe kjo ka ndodhur për shkak të frikës për ekzistencë, dhe për shkak se gjermanët nuk do të kishin kurrëfar të drejta qytetare as për gjuhën, arsimin dhe kulturën e tyre.
Shumica e gjermanëve të deportuar e të shpërngulur nga Vojvodina, dhe nga viset e tjera të Jugosllavisë, janë vendosur në Shtutgart dhe në rrethinën e tij, ku kanë formuar shoqatat e tyre, të cilat merrën me problemet e kthimit ose kompensimit të pronave, dhe në mënyrë të organizuar vijnë kohëpaskohe për t’i vizituar varrezat e të parëve, përmendoret, kishat, shtëpitë dhe pronat që i kanë lënë para egzodusit.
Pronat e konfiskuara e të nacionalizuara të gjermanëve të Vojvodinës
Dëbimi dhe zhdukja e gjermanëve dhe konfiskimi e nacionalizimi i pronave të tyre, krijoi kushte të favorshme për të bërë reformë agrare e për të mbushur Vojvodinën me kolonë serbë e malazezë, dhe për të ndërruar radikalisht strukturën kombëtare të krahinës, në favor të elemetit sllavo-ortodoks. Nga 1.620.000 ha tokë të punueshme sa kishte Vojvodina, mbi 600.000 ha kanë qenë në pronësi të gjermanëve. Përveç tokave, gjermanët kishin shtëpi të mira, të kompletuara me të gjitha orenditë e nevojshme, kishin mjete për punimin tokave, traktorë, makina të ndryshme, punëtori, fabrika, banka, objekte hoteliere, zejtare, ndërtesa banesore, etj. Sipas vlerësimit të organizatave gjermane, vlera e pronave të gjermanëve të Vojvodinës kapin shumën 13,5 miliardë euro.
Vetëm deri në vitin 1948, në pronat e gjermanëve në Vojvodinë janë vendosur 225.000 kolonë serbë dhe 40.000 kolonë malazezë, nga Bosnja, Kroacia, Mali Zi dhe Kosova. Prona iu dhanë në radhë të parë familjeve të luftëtarëve. Kolonët e ardhur nga viset më të pazhvilluara dhe të prapambetura, nuk e ndryshuan vetëm strukturën demografike nacionale, veçse sollën “kulturën”, zakonet dhe mentalitetin e tyre të prapambetur. Thonë se kur kishin ardhur e vendosur në shtëpitë e gjermanëve, të rregulluara e përplot orendi, shumë prej kolonëve nuk e kishin ditur çka është elektriku, prandaj iu frynin poçave për t’i fikur, ndërsa parketin e dyshmesë e prishnin dhe përdornin për të ndezur zjarr! Për shkak të mungesës së kulturës së punës, kolonët kurrë nuk e kanë arritur nivelin e prodhimtarisë bujqësore që kishin pasur gjermanët para lufte. Kolonizim në Vojvodinë ka pasur edhe në periudhën e mëvonshme, por jo në atë masë dhe ashtu të organizuar, sikur ishte deri në vitin 1948, sepse më vonë nisi procesi i kolektivizimit, sipas shembullit të kolhozeve ruse, ashtu që 38% e ekonomive familjare të Vojvodinës u kolektivizuan, derisa në Serbi në kolektive kishin hyrë vetëm 4% të ekonomive familjare. Fabrikat e ndryshme që kishin pasur gjermanët në Vojvodinë, u bartën në brendësi të Serbisë, ndër të tjera: Shkritorja “Partizan” dhe Fabrika e Sapunit “Merima”, u bartën prej Subotice në Krushevac; Fabrika e Mermerit të Kaltër “Zorka”, u bart në Shabac; dy fabrikat më të mëdha të miellit dhe fabrika e Sheqerit “Rot”, u bartën në Jagodinë; Fabrika e Frigoriferëve të mëdhenj “Goldner” u bart në Rakovicë; Fabrika e vagonave dhe lokomotivave “Ferum”, dhe disa fabrika të brumërave të cilat jepnin 80% të prodhimeve të atij lloji në Jugosllavi, u mbyllën. Kështu, ekonomia e Vojvodinës u degradua, mori tapjetën dhe Vojvodina prej një rajoni që përkah zhvillimi dhe gjeografia i përkiste Evropës Qëndrore, gjithnjë e më tepër u bë rajon ballkanik. Në periudhën 1974-1989, kur ishte një avancim i statusit kushtetues-juridik të krahinave, si elemente konstituive të Federatës së RSFJ-së, dhe kur kishin fituar një pavarësi ekonomike, të dy krahinat (Kosova dhe Vojvodina) shënuan shkallë më të lartë të zhvillimit ekonomik, social, arsimor e kuturor, por Vojvodina kurrë nuk e arriti shkallën e rregullit dhe zhvillimit që kishte para Luftës së Dytë Botërore, sa ishte në kuadër të Austrohungarisë.
Kthimi ose kompensimi i pronave
Për shkak të kushteve që duhet plotësuar në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, Serbia është e detyruar t’ua kthejë pronat pronarëve që kanë pasur para Luftës së Dytë Botërore. Kjo nënkupton edhe pronarëve Hebrejë, Gjermanë, Austriakë, Hungarezë, etj, qofshin ata tash shtetas të Serbisë ose të shteteve tjera, të cilëve ua ka marrë gjatë ose pas lufte. Në këtë kontekst, Serbia në vitin 2011, ka miratua Ligjin për kthimin ose kompensimin e pasurisë së marrur, me të cilin janë përcaktuar kushtet, mënyra, procedura dhe afatet e kthimit ose kompensimit të pronave. Në këtë kuadër ligjor, edhe kategori të caktuara të qytetarëve gjermanë të Vojvodinës, ose trashëgimtarë të tyre, do të mund të realizojnë të drejtën e kthimit ose kompensimit të pronave të tyre, të luejtshme e të paluejtshme. Natyrisht, kurrë nuk do mund ta kthejnë tërë pasurinë që kanë pasur, por njëfar satisfaksioni do të mund ta marrin. Nga e drejta e kthimit ose kompensimit, përjshtohen personat të cilët kanë qenë pjesëtarë të forcave të okupatorit, të cilat kanë vepruar në territorin e Serbisë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Sipas deklaratës së drejtorit të Agjensionit të Serbisë për Restituim (“Blic”, 03.08.2017), atij Agjensioni i kanë arritur 593 kërkesa të shtetasve gjermanë dhe 564 kërkesa të shtetasve austriakë, për kthimin ose kompensimin e pronave, dhe deri tash qytetarëve gjermanë u janë kthyer 28 lokale afariste, pesë ndërtesa me sipërfaqetë përgjithshme 1727 m/2, dhe 142 ha tokë bujqësore, ndërsa shtetasve austriakë u janë kthyer 12 lokale afariste, dy banesa me sipërfaqe të përgjithshme 2099 m/2, 452 m/2 tokë ndërtimore, 243 ha tokë bujqësore dhe 0,25 ha mal. Janë blokuar edhe 60.000 ha tokë bujqësore, për kthim. Në Vojvodinë ka mjaft toka në pronë të shtetit, prej të cilave mund t’iu kthehen pronarëve ose trashëgimtarëve. Ku nuk ka mundësi të kthehet prona në naturë, duhet t’iu kompensohet. Është paraparë që kompensimi të bëhet me fletobligacione, brënda 12 vjetëve, ndërsa pagesat e para duhet të fillojnë në dhjetor 2018. Sidoqoftë, kompensimi më i lartë nuk mund të kalojë një gjysmë milioni euro për një pronar, pa marrë parasysh vlerën e tregut të pasurisë që i është marrë.
Ngjajshmëria midis gjenocidit serb mbi Gjermanët dhe atij grek mbi Çamët
Si për ironi të fatit, gjenocidi që kanë përjetuar gjermanët në Serbi dhe ai që kanë përjetuar shqiptarët në Greqi, ka shumë tipare të ngjashme. Edhe në Vojvodinë edhe në Çamëri gjenocidi ka ndodhur në të njëjtën kohë, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore (1944/45). Të dy këto shtete janë ortodokse, me mentalitet klerofashist bizantin. Të dyja kanë kryer gjenocid ndaj qytetarëve autoktonë të nacionalitetit tjetër, por që ishin shtetas të vet: Serbia ndaj gjermanëve dhe hebrejve, Greqia ndaj shqiptarëve dhe hebrejve. Edhe Serbia edhe Greqia kanë kryer gjenocid ndaj gjermanëve, respektivisht ndaj shqiptarëve, me pretekst se këto minoritete gjoja kanë bashkëpunuar me okupatorin nazist gjerman. Por, nëse një numër i caktuar i gjermanëve të Vojvodinës kanë shërbyer në ushtri dhe kanë bashkëpunuar me ushtrinë dhe pushtetin nazist, numri i çamëve të cilët kanë mund të bashkëpunojnë me gjermanët ka qenë i papërfillshëm; shumë më i madh ka qenë numri i grekëve, madje nga strukturat udhëheqëse, të cilët kanë bashkëpunuar me gjermanët, sikurse që edhe në Serbi çetnikët kanë bashkëpunuar me gjermanët. Sidoqoftë, faji dhe përgjegjësia mund të jetë individuale, dhe nuk ka përgjegjsi kolektive as nuk mund të fajsohet një popull i tërë për shkak të bashkëpunmiit të disa individëve me okupatorin e të dëbohet nga vendi i vet dhe nga pronat e veta. Edhe Serbia edhe Greqia sollën kolonë në pronat e qytetarëve të dëbuar nga Vojvodina, respektivisht nga Çamëria. Pjesëtarët e të dy minoriteteve (gjermanët dhe shqiptarët), ata që kanë shpëtuar gjallë, ose kanë ikur jashtë vendit, ose janë asimiluar (47000 e sa gjermanë në Serbi) dhe sa shqiptarë ortodoks në Greqi, si pasojë e privimit nga çdo e drejtë kombëtare. Edhe gjermanë të Vojvodinës, edhe shqiptarë të Çamërisë kanë marrë pjesë në luftën (partizane) për çlirimin e vendit.
Dallimi i parë mes gjenocidit serb kundër gjermanëve, dhe gjenocidit grek kundër shqiptarëve qëndron në numrin e të vrarëve, masakruarëve dhe të zhdukurve, ku numri i gjermanëve është dhjetëfish më i madh, por përkah brutaliteti gjenocidi grek mbi shqiptarët ka qenë më mizor e më i lemeritshëm: masakrimi dhe djegëja për së gjalli i grave, fëmijëve, pleqëve. Gjermanëve të Vojvodinës u është lejuar me rastin e deportimit të marrin sende të tyre të luejtshme, ndërsa çamëve kjo nuk u është lejuar. Serbia nuk i ka deportuar gjermanët të cilët kanë marrë pjesë në luftën partizane për çlirimin e vendit, ndërsa Greqia nuk i ka kursyer asnjë shqiptar të konfesionit mysliman. Greqia gjenocidin e ka bërë më tepër mbi baza fetare, e pastaj mbi baza kombëtare. Derisa Serbia i ka lejuar dhe lejon gjermanët të vijnë në mënyrë të organizuar për t’i vizituar varrezat, shtëpitë, përmendoret, fqinjët, kishat dhe pronat në vendlindjen e tyre, Greqia nuk i lejon çamët të vizitojnë as varrezat e të parëve në vendlindje. Derisa Serbia pranon se ndaj gjermanëve është bërë krim, dhe pranon kthimin ose kompensimin e pronave (qoftë edhe pjesërisht), greqia kurrë nuk ka pranuar ekzistimin e problemit çam as ka pranuar lejimin e kthimit as kompensimin e pronave. Dhe dallimi kryesor i fatit të gjermanëve dhe çamëve qëndron në faktin, se gjermanët e kanë shtetin e tyre më të fortë në Europë, që iu del zot, ndërkaq, çamët e kanë një gjysëmshteti më të dobët në Europë, i cili asnjëherë nuk iu doli as pritet t’iu dalë zot. Përkundrazi, edhe shteti i vet (komunist) i diskriminoi dhe i persekutoi çamët për gati gjysëm shekulli. Kështu janë të ngjajshme dhe të ndryshme fatet e njerëzve dhe të kombeve në këtë botë.