leoni

Adil Fetahu

Adil Fetahu: Si u shporr Serbia nga Kosova

-Krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit

Lufta e hapur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave serbe, llogaritet prej 28 shkurt 1998, deri më 11 qershor 1999 (16 muaj e 11 ditë). Ndërkaq, aksione “guerile” të herëpashershme kundër policisë serbe ka pasur prej vitit 1996. Edhe kur UÇK-ja doli haptas, e uniformuar, organizuar në formacione dhe e komanduar, propaganda serbe dhe ajo ruse bënë çmos dhe arritën që atë ta paraqesin si organizatë terroriste. Por, ministri i mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Pandeli Majko, në një konferencë në KB në Njujork pati theksuar: “Jemi thellësisht të bindur se gjenocidi që po bënë pushteti serb në Kosovë, është politikë institucionale e gjenocidit dhe terrorit shtetëror, që po zbatohet përmes mekanizmave policore, ushtarake e paramilitare, dhe se rezistenca që po bënë populli i Kosovës për vetëmbrojtje nga politika e tillë, nuk mund të quhet terrorizëm”.

Gjatë periudhës së luftës, forcat serbe bënë krime të llahtarshme kundër popullsisë civile. Të përmendim këtu vetëm masakrat më të mëdha kundër civilëve, familjeve e fshatrave të ndryshme në Drenicë e gjithandej Kosovës. Në vitin 1998: masakra në Likoshan (28 shkurt); në Qirez (28 shkurt e 1 mars); në Prekaz (5 mars); në Lubeniq (25 maj); në Abri të Epërme e Gollubovc (26 shtator). Në vitin 1999: masakra në Reçak (15 janar); Rogovë (29 janar); Tërnje, Krushë e Bellacërkë (25 mars); Suharekë (26 mars); Podjevë dhe Izbicë (28 mars); Lubizhdë e Pustasellë (31 mars); Gjakovë (26 mars e 2 prill); Rezallë (15 prill); Poklek e Çikatovë (17 prill); Meje (27 prill); Vushtrri 2 maj), Qyshk (14 maj); dhe në Burgun e Dubravës (22 maj). Këto ishin vetëm një pjesë e  krimeve dhe masakrave që kanë bërë forcat serbe kundër shqiptarëve gjatë luftës, ku u vranë, masakruan e u dogjën nëpër shtëpi të veta ose në furrënalta dhe në rezervoaret me acide të Kombinatit “Trepça” e në vende tjera,  ose u bartën dhe fshehen kufomat nëpër varreza masive në Serbi. Dhunimi dhe masakrimi i femrave, plaçkitjet, shkatërrimet dhe djegiet e shtëpive, deportimi jashtë Kosovës i 900.000 shqiptarëve, ishin krime me të gjitha tiparet e gjenocidit. Lufta i mori Kosovës afro 15000 jetë, të të gjitha moshave dhe të dy gjinive, prej të cilëve mbi 1300 ishin fëmijë dhe 2400 luftëtarë të UÇK-së. Po u zhdukën pa shenj e pa nishan edhe afro 5000 të tjerë, e që edhe sot e kësaj dite nuk janë gjetur edhe më se 1600 të zhdukur. Forcat serbe kryen të gjitha llojet e krimeve të mundshme, në kundërshtim flagrant me ligjet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.

Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, në gjykimin e grupit të kriminelëve, në krye të të cilit ishte Sllobodan Millosheviqi, me kreun tjetër shtetëror, ushtarak e policor, atë grup e cilësoi si ndërmarrje e përbashkët kriminale, ndërsa krimet e kryera i kualifikoi si: krime kundër njerëzimit dhe kundër ligjeve dhe zakoneve të luftës (vrasjet dhe deportimin e popullsisë civile në baza politike, racore e fetare). Këto krime të kryera kundër popullsisë civile, e prekën ndërgjegjen e faktorëve ndërkombëtarë, për të ndalë krimet e për të gjetur zgjidhje paqësore. Për këtë qëllim diplomacia ndërkombëtare, përmes të ashtuquajturit “Grupi i Kontaktit” zhvilloi aktivitet të dendur, ofroi opsione të ndryshme, bëri shumë ecejake midis Brukselit e Beogradit, por udhëheqja e Serbisë, e cila kishe planifikuar spastrimin etnik të Kosovës, përmes zhdukjes së shqiptarëve, nuk pranonte zgjidhje paqësore. Iu kërcënuan edhe me bombardime të NATO-s, por Millosheviqi kokëfortë, duke shpresuar në mbrojtjen prej Rusisë, llogariste se ato ishin vetëm kërcënime, që nuk do të ndodhin realisht. Në Kështjellën Chateau de Rambuillet, në periferi të Parisit, u mbajtë Konferenca paqësore, në të cilën morën pjesë delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, që zgjati prej 6 shkurt deri më 18 mars, por paqja nuk u arrit, sepse delegacioni serb nuk pranoi planin e paqes, të cilin e kishte hartuar Grupi i Kontaktit, me disa parime të panegocueshme.   Marrëveshjen për paqe më 18 mars 1999 e firmosën delegacioni shqiptar, ai amerikan dhe britanik, e quajtur Marrëveshja e Rambujesë. Delegacioni serb e refuzoi, duke mos pranua trupat e NATO-s në Kosovë, por preferonte vetëm vëzhgues të paarmatosur të OKB-së, për mbikëqyrjen e paqes.

Bombardimet e NATO-s mbi forcat serbe në Kosovë e në Serbi

Pas refuzimit që delegacioni serb i bëri Marrëveshjes në Rambuje, dhe pasi sekretari amerikan i shtetit, Riçard Holbruk, nuk kishte arritur më 23 mars ta bind Millosheviqin që ta pranojë Marrëveshjën, ai në orët e natës nga Beogradi arriti në Bruksel, ku lamëroi se bisedimet për paqe me Millosheviqin kishin dështuar dhe se vendosja e paqes  mbetet në dorë të NATO-s. Vetëm një orë pas këtij lajmi të Holbrukut, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, i dha leje komandantit të forcave të NATO-s për Europë, gjeneralit amerikan Vesli Klark, të fillojë aksionet ajrore të bombardimit në Republikën Federale të Jugosllavisë. Bombardimet filluan më 24 mars në ora 20:00, dhe vazhduan 78 ditë, deri më 10 qershor 1999. Ato bëheshin nga baza “Aviano” të Italisë dhe nga aeroplanbartësja në detin Adriatik. Fillimisht cak i bombardimeve ishin objektet  ushtarake, e më vonë caqet u shtrinë edhe mbi objektet ekonomike, ato të infrastrukturës dhe disa objekte civile (RTS). Aksionet e bombardimit zhvilloheshin me intenstitete të ndryshme dhe varësisht nga kushtet klimatike.

Në aksionet e NATO-s kundër RFJ-së ishin angazhuar të gjitha shtetet anëtare të Aleancës, përveç Greqisë, e cila nuk lejoi aksione nga territori i saj.  Ishin angazhuar më se 1000 avionë të tipeve të ndryshme, bombardues e vëzhgues, të cilët bënë mbi 38000 fluturime aksionesh. Përveç bombardimeve me avionë, caqe të catkuara u goditën edhe me raketa “Tomahovka”. Qëllimi dhe moto e bombardimeve ishte: “Forcat serbe – jashtë Kosovës, paqëruejtësit e NATO-s -brënda, refugjatët kosovarë të kthehen”.

Në kulmin e aksioneve  të bombardimeve të NATO-s, Millosheviqi u përpoq të bëjë një truk bizar për të dalë nga kriza, ose për ta futur Rusinë në luftë me NATO-n. Më 12 prill 1999, Kuvendi i RFJ-së miratoi propozimin e Qeverisë dhe votoi vendimin, që Jugosllavia t’i bashkohet Federatës Ruse e Bjelloruse. Menjëherë pas votimit të vendimit, kryetari i Jugosllavisë, S.Millosheviq, përmes vëllait të tij Borisav Millosheviq, që ishte ambasador në Moskë, i dërgoi kërkesën zyrtare Federatës Ruse, për ta pranuar Jugosllavinë në kuadër të asaj Federate. Mirëpo, sado që Boris Jellcini ishte një torollak, nuk e hangri trukun e Millosheviqit, duke i thënë: “Së pari duhet të zgjidhet situata në Kosovë…”!

Gjatë kohës sa zhvillohej Konferenca në Rambuje, forcat serbe patën mjaft kohë për të përgatitur planin e mbrojtjes e për të fshehë aeroplanët, helikopterët, tanket e mjetet e tjera të rënda luftarake. Gjenerali serb Jovan Millanoviq, që ishte në shërbim në Bruksel, kishte marrë informacione për planin e bombardimeve dhe caqet që do të goditeshin, dhe për këto i kishte njohtuar kompetentët në Serbi.  Forcat serbe përgatitën maketa e maskime të ndryshme të aeroplanëve, tankeve, urave, të ndërtuara me druj e stiropor, të mbuluara me najllon të zi ose ngjyrë tjetër që iu ngjanin mjeteve të luftës,  kukulla të veshura me rroba ushtarake rreth tyre, në mënyrë që NATO t’i merrte ato si caqe bombardimi. Nga Rusia kishin blerë maketa gome të fryra me ajër në formë tankesh, raketash, transporterësh, lanserë raketash S-300, etj., të cilat në distancë prej 100 metrash nuk mund të vëreheshin se nuk janë armatim i vërtetë. Një maketë e tillë kushtonte 2500 euro, dhe “replika e tankut” mund të fryhej brënda 4 minutash. Këso trukesh të mbrojtjes së forcave serbe, kanë bërë që bombardimet e NATO-s në shumë raste të goditin caqe mashtruese. Armët e vërteta i kishin fshehur dhe vetëm natën i lëviznin prej një vendi në tjetrin.

Dëmet në forcat serbe dhe në ato të NATO-s

Megjithë përpjekjet mashtruese, sipas raportit të Komisionit special të NATO-s, të 16 shtatorit 1999, (vetëm) në Kosovë nga bombardimet janë shkatërruar: 93 tanke, 153 transporterë të blinduar, 389 mjete artilerike dhe 399 kamionë të ushtrisë. Ndërkaq humbjet në përgjithësi, dëme më të mëdha forcat serbe kanë pësuar në  aviacionin ushtarak dhe në mbrojtjen kundërajrore. Sipas të njëjtit raport, forcave serbe u ishin dëmtuar:  5 avionë MiG 29 (rrëzuar nga forcat e NATO-s), ndërsa në tokë ishin shkatërruar nga bombardimet e NATOs: 6 avionë MiG-29; 7 avionë G-4 “Super Galeb”; 2 avionë G-4t “Super Galeb”; 12 avionë J-22 “Orao”; 16 avionë MiG-21 (verzionesh të ndryshme); 3 avionë An-2; 3 helikopterë Mi-14; 3 helikopterë Ka-25; 20 avionë G-2 “Galeb”, 5 avion “Utva-75”, dhe një numër i armatimit kundërajror. Forcat tokësore serbe  jashtë Kosovës kishin pësuar humbje nga bombardimet: 9 tanke M-84; 5 tanke T-55; 8 transporterë të blinduar; 12 “Samohotka”; 27 mjete artilerike dhe disa kamionë të ushtrisë. Sipas llogarisë së ekspertëve të ekonomisë, bombardimet e NATO-s i kanë shkaktuar dëme Serbisë në vlerë 30 miliardë dollarë amerikanë.

Me qenë se NATO nuk zhvilloi luftë tokësore, por  gjuante me raketa nga distanca dhe nga ajri, humbjet e saj kanë qenë minimale. Më 27 mars, mbrojtja kundërajrore e forcave serbe rrëzoi bombarduesin “e padukshëm” amerikan F-117, ndërsa piloti u shpëtua. Më 26 prill në Shqipëri gjatë një misioni trenazhi u rrëzua helikopteri amerikan AH-64 “Apach”, me ç’rast u lënduan dy ushtarë; më 2 maj u rrëzua në perëndim të Beogradit avioni amerikan F-16, ndërsa piloti u shpëtua, dhe më 5 maj në Shqipëri u rrëzua helikopteri amerikan AH-64, me ç’rast vdiqën dy pilotë. Veç këtyre, janë goditur e rrëzuar edhe disa projektile kryqëzore të NATO-s, a ndonjë avion pa pilot.

Propaganda serbe dhe ajo ruse, japin shifra marramendëse për dëmet që gjoja ia paskan  shkaktuar forcat serbe, me mjete ruse, aviacionit të NATO-s. Sipas tyre, mbrojtja kundërajrore serbe i paska goditur, dëmtuar ose rrëzuar 333 avionë të NATO-s, dhe atë: gjatë muajit mars 42 avionë, gjatë prillit 150, dhe gjatë majit 141 (shih: “Spisak pogodjenih, ostecenih ili oborenih aviona NATO alijanse, od 24.03. do 3.06.1990”/ Lista e avionëve të Aleancës NATO, të goditur, dëmtuar ose rrëzuar, prej 24.03. deri më 3.06.1999). Në atë listë të rrejshme, jepën shënime me data, diku-diku edhe vende, dhe tipet e avionëve dhe mënyra e dëmtimit. Këtë gënjeshtër ndoshta do ta fusin në historinë e tyre e t’ua mësojnë fëmijëve në shkolla dhe të lavdërohen se si luftuan dhe “fituan” kundër forcës më të madhe ushtarake në historinë e botës!

Numri i viktimave në njerëz nga bombardimet jepet në sifra të ndryshme, varësisht nga burimet dhe institucionet që i plasojnë ato. Ish-kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkoviq, me rastin e 11-vjetorit të fillimit të bombardimeve (2010), përmendi shifrën zyrtare për 1002 ushtarë e policë dhe 2500 civilë (prej 89 fëmijë) të vrarë, dhe 12500 të plagosur.  Ndërkaq, Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi (Natasha Kandiq) ka dhënë shifrën prej 758 viktimave nga bombardimet, duke i identifikuar e regjistruar me emër e mbiemër. Prej tyre 488 viktima ishin në Kosovë: 249 shqiptarë, 202 serbë dhe 37 romë e të tjerë, ndërsa në Serbi 260 viktima e në Mal të Zi 10. Prej 758 viktimave, 453 kanë qenë civilë: 220 shqiptarë, 205 serbë dhe 28 romë e tjerë, ndërsa 305 ishin pjesëtarë të formacioneve të armatosura: 276 ushtarë e policë të Serbisë, dhe 29 pjesëtarë të UÇK-së.

Marrëveshja Tekniko-Ushtarake e Kumanovës

Beogradi zyrtar tërë kohën e kundërshtonte planin e paqes. të cilin e kishte propozuar G-8 qysh më 3 janar 1999, të quajtur: “Parimet për procesin e paqes”. Beogradi si element qenësor të planit insistonte përcaktimin decidiv të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial, dhe mospraninë e forcave të armatosura, por vetëm të monitoruesve civilë të OKB-së. Ndërkohë, sidomos pas intervenimit të NATO-s, forcat serbe intensifikuan krimet dhe pastrimin etnik të Kosovës. Duke parë katastrofën humanitare që po zhvillohej në Kosovë, gjenerali Vesli Klark deklaroi: “Po planifikojmë ta intensifikojmë kampanjën ajrore”, ndërsa ministri i jashtëm britanik, (tashmë i ndjeri) Robin Kuk, i cili insistonte në invazionin e forcave tokësore, deklaroi: “NATO nuk do ta prêt pëlqimin e Millosheviqit për hyrjen e forcave tokësore në Kosovë, as nuk kemi ndërmend të rrimë varur në Maqedoni, duke pritur të na thërrasin në solemnitetin e nënshkrimit të Marrëveshjes”.

Kur Beogradi zyrtar ndjeu pasojat e intensifikimit të bombardimeve shkatërrimtare, dhe nga frika e invazionit të forcave tokësore, më 3 qershor 1999, Kuvendi i të ashtuquajturës RFJ dhe ai i Serbisë, miratuan Planin e paqes, të cilin po atë ditë ia kishte dorëzuar Millosheviqit emisari i BE, kryetari i Finlandës, Marti Ahtisari.

Më 9 qershor, në Aeroportin e Kumanovës u nënshkrua Marrëveshja Tekniko-Ushtarake, për tërheqjen e të gjitha forcave ushtarake, policore e paraushtarake të Jugosllavisë-Serbisë nga Kosova, dhe hyrjen e Forcave Ndërkombëtare Paqëruejtëse (KFOR-it) në Kosovë. Në emër të NATO-s/KFOR-it, Marrëveshjën e nënshkroi  gjenerali britanik Majkell Xhekson, komandant i KFOR-it, ndërsa në emër të Qeverisë dhe të Ushtrisë së Jugosllavisë e nënshkroi general-koloneli i ushtrisë Svetozar Marjanoviq, kurse në emër të Qeverisë  dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë nënshkroi general-koloneli i policisë Obrad Stevanoviq.

Na merr mendja se është gabim i pafalshëm i UÇK-së, që nuk është përpjekur që të jetë palë nënshkruese e Marrëveshjes së Kumanovës, bashkë me komandantin e KFOR-it. Këtë të drejtë nuk do të kishte pasur arsye ta refuzojë KFOR- (sado që Serbia do ta kundërshtonte), me qenë se UÇK-ja ka qenë palë ndërluftuese, e cila ka filluar dhe zhvilluar luftën më se 16 muaj kundër forcave serbe, dhe  që ka përbërë kompenentën tokësore të luftës, ndërsa NATO përbënte kompnentën ajrore. Aq më tepër, që edhe nga pala serbe ishin dy nënshkrues, dhe pse të mos ishin dy nënshkrues edhe nga pala tjetër, pala fituese e luftës. Dihet se asnjë luftë nuk është fituar pa forca tokësore. Nënshkrimi eventual i përfaqësuesit të UÇK-së do t’i siguronte një trajtim e status ma të favorshëm, të fituesit të luftës, që eventualisht më vonë të kërkojë dëmshpërblim e reparacione.

Në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës, Këshilli i Sigurimit të KB më 10 qershor 1999 miratoi Rezolutën 1244, për praninë ndërkombëtare civile dhe ushtarake në Kosovë, nën mandatin e KB. Do të thotë, ajo rezolutë është derivat i Marrëveshjes së Kumanovës.

Marrëveshja e Kumanovës përcaktonte ndërprerjen e bombardimeve të NATO-s, tërheqjen e të gjitha forcave policore, ushtarake e paramilitare serbe-jugosllave nga Kosova, në afat prej 11 ditëve, dhe hyrjen e menjëhershme e shtrirjen dhe veprimin e papenguar të forcave të KFOR-it. Marrëveshja përcaktonte fazat dhe afatet e tërheqjes së forcave serbe sipas zonave, në distancën  e caktuar jashtë kufijve të Kosovës. Për forcat tokësore ishte caktuar që të largohen 5 km larg prej kufirit të Kosovës, ndërsa për forcat ajrore ajo distancë ishte caktuar 25 km, të quajtura këto si zona të sigurisë. Tërheqja bëhej nën kontrollën dhe verifikimin e KFOR-it.

Forcat tokësore të NATO-s/KFOR-i hynë nga Maqedonia dhe nga Shqipëria, natën më 12 qershor. Mirëpo, po atë natë, para tyre dhe pa marrëveshje as koordinim me NATO-n, forcat ruse erdhën prej Bosnjës dhe u vendosën në Aeroportin e Prishtinës. Civilët serbë që ishin përgatitur të shpërnguleshin pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, u trimëruan nga ardhja e ushtarëve rusë. Ushtrinë ruse i pritën në Prishtinë e në Fushëkosovë mijëra serbë me lule e me të shtëna armësh. Veslli Klark urdhëroi blokimin e ushtrisë ruse të stacionuar në Aeroport, por komandanti KFOR-it, gjenerali Xhekson refuzoi atë urdhër, duke u arsyetuar: “Nuk do t’i bëj ushtarët e mi përgjegjës për fillimin e luftës së tretë botërore”. Kjo fjali e Xheksonit është përfolur shumë dhe do të mbahet mend për shumë kohë. Mirëpo, ajo që ishte me rëndësi, kontigjentit  prej 3600 ushtarëve ruse në përbërje të KFOR-it, nuk iu dha në përgjegjësi të tyre zonë e veçantë e sigurisë, sikur iu dha shteteve tjera të caktuara (britanike, franceze, gjermane, italiane, amerikane), por ushtarët rusë u desh të futën nën komandën e shteteve tjera në zonat e caktuara, duke margjinalizuar kështu rolin e tyre, derisa e lëshuan tërësisht Kosovën.

Menjëherë të nesërmën, forcat serbe filluan tërheqjen sipas planit të caktuar, nga zonat përkatëse, nën mbikqyrjen e KFOR-it. Kolona të paskajshme të transporterëve të blinduara, tankeve, automjeteve, raketave, topave  e mjeteve tjera zvarriteshin nëpër rrugët e Kosovës, drejt kufirit të Serbisë. Bashkë me ta edhe kolona të civilëve, sado që policia serbe përpiqej t’i bindte ata të mos e lëshojnë Kosovën. Në afatin e caktuar, u tërhoqën të gjitha forcat dhe armatimet. Tërheqjen e udhëhoqi komandanti i Korpusit të Prishtinës, gjenerali Llazareviq. Gjatë tërheqjes pati reagime revolte të disa ushtarakëve, të cilët Marrëveshjen e Kumanovës dhe tërheqjen e forcave serbe e konsideronin si tradhti të vendit e të popullit.

Shqiptarët që kishin mbetur në Kosovë, ardhjen e KFOR-it e pritën me gëzim e me lule, ndërsa refugjatët e shumtë nga Shqipëria e Maqedonia u kthyen nëpër “shtëpitë” e tyre të plaçkitura, të djegura e të rrënuara. Sikur që ekzodi ishte biblik, edhe kthimi ishte mahnitës, sado që shumica nuk kishin ku të kthehen.

Kështu, përfundoi çlirimi i Kosovës nga okupimi  87- vjeçar serb.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …