Adil Fetahu: Takimi i Gjeneratës së Normalistëve të Prishtinës (1956-1961)

Tanimë është krijuar një traditë e mirë e takimeve të gjeneratave të cilat kohë më parë kanë kryer  shkolla e fakulteteve të ndryshme, dhe këto takime po mbahen në prag të mbarimit të vitit shkollor. Takimet e tilla, qofshin ato që mbahen për herë të parë, apo herë tjetër, në përvjetorë të ndryshëm,  janë  ngjarje mbresëlënëse, janë përjetim e kënaqësi e veçantë për pjesëmarrësit. Secili pjesëmarrës ka  për të treguar një “dokumentar a një histori” të veten të ngjarjeve, ndodhive, përjetimeve, qoftë nga ditët e përbashkëta shkollore, apo pas mbarimit të shkollës. Është rasti kur pjesëmarrësit e takimit i “kthehen” kohës dhe moshës së tyre rinore.

Por, këtu e kam fjalën për gjeneratën e normalistëve të ish-Normales së Prishtinës të  vjetëve shkollore (1956-1961), e cila është e veçantë për shumëçka, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.  Kjo gjeneratë ishte dhe për tëra këto vjet mbeti  e shkëlqyer dhe më homogjene.  Shoqërimi i skalitur gjatë pesë vjetëve të shkollimit,  ruhet e kultivohet edhe tash e 53 vjet pas maturës.  Mbanë takime të rregullta vjetore në një ditë të caktuar: të shtunën e fundit të muajit maj, dhe ato i mbanë jo në hotele e restorante, por në ambientet e shkollës “së vet”, të  ish-Normales së Prishtinës, në Gërminë piktoreske,  prej së cilës emocionalisht nuk është shkëputur kurrë. Dhe jo vetëm  që mbanë takimet tradicionale vjetore njëherë në vit, në të cilat ftohen të gjithë shokët dhe shoqet e asaj gjenerate, si dhe ish-profesorët e tyre, gjithë sa janë të gjallë, por gjatë vitit këta organizohen e takohen me raste të ndryshme: për Ditën e Flamurit (28 Nëntor); për Ditën e Mësuesit (7 Mars), e në raste tjera kur në grup vizitojnë vende të ndryshme në Kosovë e në Shqipëri. Në grupe më të vogla takohen me dhjetëra herë gjatë vitit në kafe, dreka a darka, por edhe shkojnë në vorrime e “në të pame” ne familjet e shokëve a shoqeve ose të profesorëve të tyre të cilët kanë ndërruar jetë.

Është kjo e vetmja gjeneratë jo vetëm në Kosovë, që  pas 48 vjetëve pas diplomimit në Normale (1961), organizuan dhe realizuan një ekskursion të përbashkët njëjavor në disa qytete e muze të ndryshme të Shqipërisë (shtator 2009), në të cilin morën pjesë 36 shokë e shoqe të gjeneratës. Shumë prej tyre, për herë të parë po vizitonin Shqipërinë, sepse më përpara nuk kishin pasur rast as mundësi.

Për takimin e rregullt vjetor në vitin 2011, Monografia e gjeneratës  (përgatitur nga Adil Fetahu e Mehmet Qunaku,) iu nda gratis  shokëve e shoqeve dhe profesorëve të tyre, por edhe familjeve të atyre që kanë ndërruar jetë.  Një grup prej 22  vetash, më 12 shtator 2013 vizituan perlën turistike të Luginës së Valbonës; më 7 mars 2014 vizituan Bifurkacionin e Nerodimës, ndërsa më 10 prill vizituan Qendrën e Lidhjes së Prizrenit dhe monumente tjera.

Disa nga shokët e gjeneratës, të cilët tashmë jetojnë jashtë vendit, vijnë enkas për këto takime. Në takimin e sivjetmë (31 maj 2014) morën pjesë : Abit Maxhuni, Adem Ibrahimi, Adil Fetahu, Basri Reçica, Çerkin Mustafa, Dalip Marku, Esat Berisha, Hajredin Hajredini, Hysen Latifi, Ibush Pllana, Idriz Mehmeti, Isa Bajçinca, Isa Mjeku, Jetullah Krasniqi, Jonuz Kolgeci, Mehdi Kryeziu, Muharrem Sopi, Rabije Shabani-Bajrami, Ramadan Paçarada, Ramush Ajvazi, Rasim Hoxha, Rexhep Gashi, Resmije Musa-Islami, Rifat Musliu, Rukije Malisheva-Kadriu, Salih Maqedonci, Sami Haxhimusa, Selim Arifi, Shaip Fazliu, Shefki Grabofci, Shefqet Ajvazi, Shefqet Pretni, Tafil Vidishiqi, Tasim Brovina, Xhafer Hetemi, Xhelil Rama, Xhevë Bruçi-Hajdari, Xhylfidane Mumxhiu-Thaçi. Nga ish-profesorët, në këtë takim mori pjesë Arsim Fehmiu.

Përveç orës së mbajtur në ambientet e Shkollës, ku me një minutë heshtje iu bë nderimi shokëve e shoqeve dhe profesorëve të tyre të cilët kanë ndërruar jetë, pas fjalës përshëndetëse të koordinatorit të Gjeneratës (profesor Isa Bajçinca), evokuan shumë kujtime e ngjarje që iu kanë mbetur në kujtesë më të thellë nga ditët e shkollës. Përkundër moshës që kanë, kanë ruajtur mendjen e kthjelltë. Autori i këtij “reportazhi” ua dhuroi të gjithëve nga një ekzemplar të librit të vet të sapo dalë nga shtypi: “Në mbrojtje të drejtës dhe drejtësisë”, në të cilin përveç shkrimeve tjera, ka përfshirë edhe disa shkrime të botuara për këtë gjeneratë. Në ambientet e shkollës e para shkollës, por edhe në Restorantin “Vila Gërmia”, ku ishin për drekë,  bënë shumë fotografi të përbashkëta e në grupe-grupe. Në ndarje shtrëngim duarsh,  përqafime,  urime e dëshira që edhe shumë vite tjera të takohen kështu e të mos mungojë asnjë. Në shaka, profesorëve të vet u dhanë këtë porosi: nëse ne kemi ikur ndonjëherë prej orëve tuaja, ju kurrë mos ikni prej takimeve tona, sepse këto takime janë të veçanta dhe mbahen mend, jo një vit por gjithë jetën.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …