leoni

Adil Fetahu: Tribunali i shpifjeve të Serbisë dhe të Dik Martit

Kohë më parë (10 shkurt 2014), në rubrikën “Dokumente-Eksluzive” të gazetës Tribuna, u publikua “Draft-statuti i Tribunalit për Krimet e kryera gjatë periudhës 1998-2000”. Nga teksti i projekt-statutit, mund të shihet se cilat do jenë kompetencat e atij Tribunali, cilat janë krimet në kompetencë të tij, cilat janë ligjet që do t’i zbatojë Tribunali, çfarë do të jetë organizimi i Tribunalit dhe imuniteti i personelit, cilat do jenë procedurat që aplikon Tribunali, çfarë dënime mund të shqiptojë, dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me punën dhe kompetencat e atij ad-hoc Tribunali.

 

Çka janë ad-hoc tribunalet dhe baza juridike e themelimit të tyre?

 

Ad-hoc tribunalet themelohen për ndonjë rast konkret, si gjykata të jashtëzakonshme ndërkombëtare, për shkak të mosbesimit në gjykatat nacionale, se mund të pritet e besohet që ato do të gjykojnë drejt e në mënyrë të paanshme për krimet e luftës. Në historinë më të re janë të njohura tribunale të tilla, qysh nga Procesi i Lajpcigut (1919), kundër pjesëtarëve të ushtrisë dhe marinës gjermane prej Luftës së Parë Botërore. Emërtimi “tribunal” më heret kishte kuptimin e gjykatës ushtarake, si ai i Nynbergut dhe ai i Tokios, pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa kohët e fundit, përkundër faktit se ekziston Gjyqi Penal Ndërkombëtar, i themeluar sipas Statutit të Romës, për raste të veçanta janë themeluar: Tribunali i Hagës (1993) për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Triubnali për krimet të luftës civile në Ruandë (1994). Gjykata hibride të formuara me marrëveshje midis subjekteve vendore dhe ndërkombëtare ka pasur: Gjyqi Special në Siera Leona, dhoma të veçanta gjyqësore në Kamboxhë, Gjykata në Bosnje-Hercegovinë, Dega për krime të luftës të Gjykatës së Lartë në Ugandë, etj.

Në qoftë se tribunalet për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën  janë themeluar në bazë të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuar, duke u mbështetur në Kreun VII të Kartës së KB, ky ad-hoc Tribunal për Kosovën nuk e ka asnjë bazë juridike, prandaj në preambulën e projektit të Statutit thuhet se Tribunali do të krijohet “sipas kërkesës së Qeverisë së Kosovës për ndihmë nga Bashkimi Evropian… për të gjykuar personat përgjegjës për krimet më serioze të cilat janë kryer gjatë viteve 1998 – 2000”. Do të thotë, projekt-statuti prejudikon se Qeveria, respektivisht Kuvendi i Kosovës, do të kërkojë nga Bashkimi Evropian themelimin e një tribunali ad-hoc për t’ia gjykuar qytetarët e vet, sepse gjykatat tona, as të EULEX-it nuk qenkan në gjendje për gjykimin e krimeve serioze! Nëse organet tona kanë kërkuar, ose kërkojnë një gjë të tillë, kësaj në popull i thuhet: “Qeni i keq, ta bie ujkun në torishtë”! Mirëpo,  edhe nëse nuk kanë kërkuar, as nuk e japin pëlqimin, druaj se Tribunali gjithsesi do  të themelohet nga Këshilli i Sigurimit i KB, duke pasur parsysh se Kosova (me fusnotë) akoma është nën Rezolutën e KS 1244).

 

Sa i përket Kuvendit të Kosovës, ai nuk ka bazë juridike as për të themeluar vet, as për të kërkuar nga BE themelimin e një gjykate-tribunali ad-hoc. Në dispozitën e nenit 103 par.7 të Kushtetutës së Kosovës, është përcaktuar se “Gjykata të specializuara mund të themelohen me ligj, kur kjo të jetë e nevojshme, por në asnjë  mënyrë nuk mund të themelohen gjykata të jashtëzakonshme”. Tribunali ad-hoc, të cilin BE po pretendon ta themelojë me statut (e jo Kuvendi i Kosovës – me ligj), nuk e ka karakterin e gjykatës së specializuar, sikur do ishte për shembull: gjykata e punës, gjykata administrative, gjykata ekonomike apo ndonjë lloj tjetër i gjykatave të specializuara në sistemin gjyqësor të Kosovës.

 

Themelimi i ad-hoc Tribunalit në fjalë, kryekëput mbështetet në Raportin 12462 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të miratuar më 7 janar 2011, në bazë të përrallave shpifëse të senatorit zviceran Dick Marti, të cilat e kanë fillimin dhe bazën në gënjeshtrat dhe shpifjet e Serbisë, për gjoja krimet me trafikimin e organeve (nga “Shtëpia e Verdhë”). Pas publikimit të raportit të Dick Martit, mediat serbe  me një eufori triumfaliste të parparë, disa javë e muaj rresht bënë propagandë në këtë temë. Hashim Thaçi i pat shkruar letër sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Torbjan Jangland, me të cilën kërkonte që sa më parë të zhvillohen hetimet lidhur me rastin e atij raporti. Delegacioni i Shqipërisë ia pat dorëzuar KE përgjigjen ndaj akuzave të Dick Martit, dhe kategorikisht i hedh si të pabaza, raciste dhe antishqiptare e në shërbim të Serbisë.  Eulex-i pat kërkuar nga Dick Marti t’ia dorëzojë prokurorisë informatat dhe provat që ka për akuzën që bënte, ndërsa një delegacion i Eulexit e pat vizituar Prokurorinë e Shtetit në Tiranë.  Ish-ministri i jashtëm i Britanisë së Madhe, Denis Mc Shane e ka pat quajtur “turp për Këshillin e Evropës që ka lejuar të publikohet raporti i Dick Martit, i mbushur me propagandë dhe pa kurrëfar dëshmish konkrete”.

 

Askush nuk ka kundër që çdo pretendim i bazuar për krime të kryera, të hetohet, vërtetohet e  gjykohet. Për këtë qëllim EULEX-i ka themeluar një të ashtuquajtur “Task-forcë speciale”, e më vonë si kryeprokuror për këtë çështje u emërua Clint Williamson. Ky ishte mekanizëm i aprovuar nga vet Këshilli i Evropës. Përse tash ky mosbesim ndaj EULEX-it? Kemi arsye  të dyshojmë, se themelimi i ad-hoc Tribunalit që po përmendet, është rezultat i angazhimeve të Serbisë, me miqtë e saj,  që ta denigrojë sistemin gjyqësor të Kosovës, punën e EULEX-it, udhëheqësinë dhe shtetin e Kosovës, në këtë vit të zgjedhjeve të përgjithshme, e pasiqë nuk arriti që në Tribunalin e Hagës të krijojë balancë të krimeve: Serbi – Kosovë! Nëse vërtetë themelohet ky Tribunal, do të jetë ky rast i vetëm për Kosovën, derisa për asnjë nga republikat e tjera të ish-Jugosllavisë nuk është themeluar një tribunal i tillë, dhe kjo nuk i bënë nderë as Kosovës, por as vet Evropës e cila i ka mekanizmat e veta të angazhuara në sistemin gjyqësor të Kosovës.

 

Kompetencat,  veprat, ligji i aplikueshëm dhe dënimet

 

Tribunali do të jetë ad-hoc gjykatë penale ndërkombëtare e pavarur, që nuk do të jetë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por do të jetë mbi këtë sistem, pasi që në çdo fazë të procedurës,  cilësdo gjykatë a prokurori të Kosovës, mund t’ia merr kompetencën,  lëndët dhe provat të cilat kanë të bëjnë me rastet nga kompetenca e Tribunalit.

 

Tribunali do të ketë kompetencë të gjykojë për veprat: gjenocid, krime kundër njerëzimit, krimet e luftës, krimet  kundër administrimit të drejtësisë dhe krimet të tjera të sanksionuara me ligjet e Kosovës. Është ky një spektër i pakufishëm i krimeve dhe veprave penale, për të cilat Serbia do t’i sugjerojë dhe ofrojë Tribunalit “prova” të sajuara, shpifura e falsifikuara,  sa të mos lejë njeri pa e futur  në procedurë të hetimit a gjykimit. Derisa Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë, gjenocidin e ka vërtetuar vetëm për Srebrenicën, e nuk kanë gjetur gjenocidin qe ka bërë Serbia ndaj popullit të Kosovës, ky Tribunal “paska indikacione” se kosovarët paskan bërë gjenocid?! Po, Tribunal do të merret madje edhe me rastet e vjedhjeve, rastet e  informatave ose deklaratave të rrejshme, ekspertizave e dëshmive të përdorura në procedurat gjyqësore (krimet kundër administrimit të drejtësisë).  Sa i përket juridiksionit personal, Tribunali do t’i merr në shqyrtim akuzat ndaj cilitdo person, pa marrë parasysh pozitën në hierarkinë shtetërore a shoqërore, dhe asnjë udhëheqës nuk mund të lirohet nga përgjegjësia për veprat e bëra nga ndonjë vartës i tij (në këtë pikë Tribunali i Hagës ka qenë shumë më i butë dhe më fleksibil). Ligj i aplikueshëm në Tribunal do të jenë ligjet e Kosovës, ligjet e RFJ dhe të RSFJ-së(!), dhe e drejta ndërkombëtare. Ajo që është non-sens në procedurën penale, projekt-statuti parasheh shkeljen me të katër këmbët të parimit të përgjithshëm “Non-bis-in idem”, ashtu që një person i cili ka qenë i gjykuar nga ndonjë gjykatë e Kosovës, mund të gjykohet përsëri nga Tribunali për të njëjtën vepër, poqese Tribunali vlerëson se gjykimi nuk ka qenë adekuat, i paanshëm apo i pavarur në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Kjo dispozitë (neni 10) len hapësirë për të abuzuar me të drejtën dhe fatin e personave të cilët janë gjykuar njëherë nga gjykatat vendore+eulex-i, por duke ua llogaritur dënimin e mbajtur.  Vetëm për veprat e gjykuara nga ICTY- (Tribunali i Hagës) nuk do të ketë rigjykime nga ky Tribunal, ndërsa gjykimet e këtij Tribunali, nuk mund të rigjykohen në gjykatat vendore. Kjo është një shprehje e mosbesimit dhe përdhosje e sistemit gjyqësor të Kosovës. Çfarëdo amnistie e dhënë ndonjë personi për krimet e bëra të cilat janë në kompetencë të këtij Tribunali, nuk do të vlejë as nuk do të shërbejë si pengesë për ndjekje penale nga Tribunali

Jo dënim me vdekje, por dënim – deri në vdekje

 

Sa u përket dënimeve që mund t’i shqiptojë Tribunali, projekt-statuti (neni 34-35) parasheh dënimin me burg dhe gjobat. Për krimet më të rënda,  Tribunali mund të shqiptojë dënimin me burgim të përjetshëm, pa specifikuar se për cilat vepra.  Për krimet kundër administrimit të drejtësisë (dëshmitë, deklaratat, ekspertizat, dhuna etj, të parapara në nenin 7), dënimi nuk mund të kalojë periudhën dhjetë vjeçare.

Dënimi me burg të përjetshëm është dënimi më i rëndë, pas dënimit me vdekje, sepse edhe ky dënim është – deri në vdekje, por cilësohet si zëvendësim “human” i dënimit me vdekje, i cili është hequr nga legjislacionet e shumicës së vendeve të botës.  Dënimi me burgim të përjetshëm konsiderohet si masë efikase kundër përsëritjes së krimeve, por edhe të gjykuarit me dënim të tillë mund të lirohen me kusht. Përndryshe, edhe Kodi Penal i Kosovës e parasheh dënimin me burgim të përjetshëm (neni 44), duke përjashtuar personat të cilët nuk i kanë mbushur 21 vjet moshe në kohën e kryerjes së krimit, dhe personat me aftësi të kufizuara. Përveç dënimit me burgim, Tribunali mund të shqiptojë edhe konfiskimin e pasurisë, në llogari të viktimave.

Dënimet me burg do të ekzekutohen në një nga shtetet që zgjedh kryetari i Tribunalit, në bashkëpunim me shtetin që ka shprehë vullnetin për të pranuar personat e dënuar. Për kushtet e vuajtjes së dënimit, faljes ose zvogëlimit të dënimit vlejnë ato   që janë në fuqi në legjislacionin e shtetit përkatës, e nën mbikëqyrjen dhe pëlqimin e Tribunalit.

 

Organizimi i Tribunalit

 

Për qytetarët janë më pak interesante dispozitat që kanë të bëjnë me organizimin e Tribunalit, por sa për informim të përmendim se parashihet që të ketë:  dhomat e gjyqtarëve të procedurës paraprake, dhomat e gjykimeve të shkallës së parë, dhe dhomën e Apelit, për gjykime në shkallë të dytë sipas ankesës apo rishqyrtimit. Do ta ketë zyrën e prokurorit dhe Zyrën e administratës, e cila mbanë regjistrin e mbrojtësve, të viktimave, të pjesëmarrësve në procedurë, të dëshmitarëve të mbrojtur etj. Do të ketë 15 gjyqtarë, por në projekt-statut nuk është përcaktuar se kush do t’i emërojë ata (a do t’i emërojë Këshilli i Evropës, apo Këshilli i Sigurimit të KB; kjo varet nga ajo se kush do ta themelojë Tribunalin?). Parashihet mundësia që prej një shteti të emërohen tre gjyqtarë, gjë që nuk është mirë sa i përket paanësisë së gjykimeve, sepse pavarësisht se në cilën shkallë të gjykimit zhvillohet procedura, ata mund ta përkrahin vendimin e kolegëve nga vendi i tyre. Gjyqtarët dhe prokurori gëzojnë imunitet ndërkombëtar, madje edhe pas përfundimit të mandatit. Tribunali dhe prokurori mund të kërkojnë asistencë dhe bashkëpunim nga shtetet anëtare ose shtetet e tjera, organizatat dhe entitetet, për hetimin dhe ndjekjen e personave të akuzuar nga Tribunali. Në këtë hapësirë, Serbia do të jete shumë e gatshme, madje agresive, për të ofruar ndihmën dhe shërbimet e saj të Rregullat e procedurës do të miratohen nga gjyqtarët, kur ata të emërohen, dhe në ato rregulla ka mundësi të futet “mish dhie” në kompetencat dhe procedurat e Tribunalit, që çështjet t’i ndërlikojnë edhe më keq.

Kontrolloni gjithashtu

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Kryeministri, Robert Fico tha se Sllovakia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa ai është në krye të Qeverisë

Sllovakia, është njëra  nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e ka njohur Kosovën, dhe …