(Teuta Haxhimusa – Çerkini: “ËNDËRRA E ANËS”, roman, botoi DE RADA, Ferizaj, 2019)
Ana, një vajzë 23-vjeçare, ishte “mobilizuar”, kishte veshur uniformën dhe ishte angazhuar si përkthyese e gjuhës angleze në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Pas përfundimit të luftës, në gusht të vitit 1999 ishte angazhuar në një organizatë ndërkombëtare humanitare që vepronte në rajonin e Ferizajt, Kaçanikut dhe Shtimes. Ishte zgjedhur udhëheqëse e stafit prej 24 vetash, vendorë e ndërkombëtarë, që punonin në atë organizatë. Organizata iu ofronte nevojtarëve ndihma në ushqime, veshmbathje, artikuj saniarë, ndërtim të shtëpive; organizonte këshillime e seminare dhe ofronte shërbime për tema të ndryshme sociale, madje edhe psikologjike. Në stafin e Anës, përveç vendorëve e ndërkombëtarëve nga Amerika, Anglia, Austria, Gjermania dhe Australia, punonte edhe serbi Marko, me të cilin Ana kishte punuar në dy projekte, tri vjet rresht. Ana me Markon komunikonte në gjuhën angleze, por në ndërkohë u bënë edhe miq. Në fillim, hezitonte të shkonte në terren ku duhej të takohej me serbë të tjerë, për shkak se e dinte se në mesin e tyre mund të gjendeshin edhe kriminelë, të cilët kishin kryer krime kundër shqiptarëve.
Gjatë punës në atë organizatë humanitare, Ana kishte krijuar miqësi me shumë nga kolegët ndërkombëtarë. Por ata ishin si zogjtë shtegtarë: sapo kryenin projektet e caktuara, shkonin në vende tjera, në misione të tilla humanitare. Ana mbante korrespodencë përmes letrave elektronike me miqtë e bashkëpunëtorët që kishin ikur. Pas 17 vjet pune në atë organizatë, i lindi ideja t’i ftojë si mysafirë, në shtëpinë e saj, bashkëpunëtorët e miqtë ndërkombëtarë, për 8-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Këtë ide të Anës e pëlqeu dhe përkrahi bashkëshorti i saj, Beni.
U dërgoj ftesa në adresat e tyre elektronike. Ftesës iu përgjigjen: Kapiteni dhe Klara nga Amerika, Xhoni dhe Sara nga Anglia, Dilani nga Australia, Mersa nga Sarajeva, Denisi e Dona. Mersa, që e fliste një anglishte me theks boshnjak, nuk kishte lidhje direkte nga Sarajeva me Prishtinën, prandaj kishte ardhur përmes Vjenës. Edhe 10 të ftuar tjerë nuk kishin mund të vinin, për shkak të angazhimeve në punët e tyre nëpër botë. Për ardhjen e mysafirëve (më 10 shkurt), Ana dhe Beni kishin organizuar shërbimin e taksive, për t’i marrur, në orare të ndryshme, nga Aeroporti i Prishtinës, deri në fshatin (Ilirias), buzë maleve të Sharrit. Arritjen e mysafirëve Ana e Beni i pritën, sipas traditës shqiptare të mikpritjes.
Pak para darkës kishte ardhur edhe serbi Marko, nga Shtërpca. Në darkën e shtruar, me specialitete vendore, Ana po iu shpjegonte emrat, reçetat dhe mënyrën e përgatitjes. Pas darkës, mysafirët bisedonin për përshtypjet e tyre nga koha kur kishin punuar në Kosovë. Të nesërmen që dolën në qytet, ishte një befasi e këndshme për Kapitenin amerikan, i cili me njësinë e tij tankiste kishte hyrë i pari në Ferizaj, më 12 qershor 1999. Një rrugë e Ferizajt kishte marrë emrin: “Rruga e Kapitenit”. Kur për dreke hynë në Restorantin e Ahmet Gjylës, të gjithë sa ishin aty, u ngritën në këmbë, në shenjë nderimi për mysafirët ndërkombëtar, ndër të cilët kapitenin e njihnin shumica, sidomos ish-ushtarët e UÇK-së, të cilët kishin pasur rastin të bashkëpunonin me Kapitenin.
Në mbrëmje, në shtëpinë e Anës, po bisedonin për përshtypjet e ditës dhe evokonin kujtimet e mëparshme. Ana po u tregonte përjetimet e saj të hidhura: përjashtimin nga objektet shkollore kur ajo ishte nxënëse; përjashtimin e punëtorëve prej pune; burgosjen dhe torturimin e njerëzve të pafajshëm, ndër të cilët edhe vëllaun e Anës, Artistin në ushtrinë jugosllave, prej së cilës shumë shqiptarë ktheheshin në arkivole; krimet serbe kundër civilëve shqiptarë gjatë luftës. Ana e kishte një dhomë-muze, në të cilën e kishte bibliotekën dhe shumë potrete, fotografi, eksponate, letra, gjësende e copa gazetash vendore e ndërkombëtare që kishin shkruar për krimet serbe në Kosovë. Për shkak të të gjitha atyre përjetimeve të rënda në fëmijërinë dhe rininë e saj, Anës iu kishte pikasur dhe po i përsëritej pothuajse çdo natë ëndërr e ankthshme.
Mysafirët po habiteshin nga rrëfimet e Anës, të cilat nuk i kishin dëgjuar asnjëherë prej saj, edhe pse kishin punuar bashkë me vite të tëra. Ata pyesnin të kujt ishin portretet, fotografitë, vizatimet, letrat, gjësendet, Markon (serb i Shtërpcës), po e kaplonin djersë nga rrëfimet e Anës. Kulmin e nervozës Marko e shprehi kur Ana po e tregonte uniformën e saj, të cilën e kishte mbajtur sa ishte me shërbim në UÇK. Kapelën me simbolet e UÇK-së po e venin mbi kokë edhe disa nga mysafirët. Marko u xhindos nga kjo, doli në ballkon për të pirë një cigare. Kur mysafirët e pyetën Anën për domethënien e shkronjave UÇK, ajo iu shpjegoi me një rrëfim të dhembshëm, se djali i tezës, Dani, i cili ishte punëtor në Gjermani, ishte kthyer t’i bashkohet UÇK-së në luftën kundër forcave serbe. Kur e kishte veshur uniformën e bërë betimin, kishte thënë: UÇK janë shkronjat më të bukura të alfabetit shqip, sepse ato nënkuptojnë dhe simbolizojnë lirinë e Kosovës. Dani kishte rënë dëshmor në Betejën e Koshares, më 30 maj 1999, dhe Ana mbante portretin e tij në dhomën-muze. Mysafirët bënin pyetje të shumta, jo vetëm për eksponatet dhe gjësendet e dhomës-muze, por edhe për gjendjen aktuale. Ana u shpjegonte se populli nuk ishte i kënaqur me zhvillimet e pasluftës. Mirë që vendi u çlirua nga okupimi serb, populli po jeton në liri, por ky vend e ky popull ka nevojë për zhvillim, fuqizim ekonomik dhe institucional. Plagët e luftës nuk janë shëruar; akoma janë edhe më se 1600 persona të pagjetur; kriminelët serbë nuk janë dënuar për krimet e kryera, dëmet materiale e jomateriale nuk janë kompensuar nga agresori. Populli është i pakënaqur edhe me Bashkimin Europian, që po e mbanë Kosovën të izoluar. Rinia po e braktisë Kosovën.
Ditët në vazhdim Ana e Beni me mysafirët vizitonin vende të ndryshme, ndër të cilat edhe Monumentin e 60 dëshmorëve të Ferizajt, të rënë në betejën e Jezercit e në vend tjera, Kompleksin memorial të 45 martirëve civilë të Reçakut (“Srebrenicës së Kosovës”), Bifurkacionin e Nerodimes, etj.
Në ditën e manifestimit të 8-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Ana dhe Beni i sollën mysafirët në Prishtinë, për ta përcjellë manifestimin. Ata u kënaqen me atë që panë në manifestim. Para se të ndaheshin prej mysafirëve, të cilët të nesërmen ktheheshin nga kishin ardhur, përveç fotografive të shumta kolektive dhe dy-nga-dy, Ana dhe Beni u kishin blerë për secilin nga një dhuratë modeste, figurën miniaturale të obeliskut “NEWBORN”. Mysafirët e falënderuan Anën për ftesën, për ditelindjen e 8-të të Kosovës dhe për gjithë kujdesin e treguar gjatë vizitës.
Para se të ndahen, Dilani, që ishte psikolog me përvojë, i kishte thenë Anës: më duket se e kam gjetur shpjegimin e ëndrrës sate makthe; realiteti që ke përjetuar e parë, të ka plagosur zemrën, ndërsa ëndrra ta ka plagosur gjumin. Ajo ka qenë shkak i dhimbjeve, traumave e përjetimeve të rënda, të cilat i ke mbajtur të mbyllura në shpirt dhe në dhomën-muze, pa iu treguar të tjerëve e shkarkuar nga vetvetja. Pas rrëfimeve që na tregove në dhomën-muze, besoj se ajo ëndërr nuk do të përsëritet më. Ana e falënderoi Dilanin për këtë shpjegim të logjikshëm psikologjik, i mori ngryk dhe u përshëndet me secilin, duke iu uruar rrugë të mbarë , me dëshirë që të takohen përsëri.
* * *
Ky është syzheu i romanit “Ëndërra e Anës”, dhe është romani i parë i autores, por për nga përmbajtja, shtjellimi, stili i rrjedhshëm dhe gjuha e pasur, nuk le përshtypje se është vepra e parë, veçse të një shkrimtareje me përvojë të mjeshtërisë së shkrimit dhe të horizontit të gjerë të njohjes së realitetit Kosovar të para, gjatë dhe pas luftës. Romani mund të jetë edhe si një autobiografi e vet autores, e shtjelluar në mënyrë letrare-artistike. Ka në këtë roman përplot ngjarje të vërteta dhe emra të përveçëm nga realiteti kosovar. Në 231 faqe të këtij romani, lexuesi do të gjejë edhe shumë ngjarje, dëshmi dhe rrëfime interesante, reale e virtuale, shumë emra të përveçëm realë dhe asi virtualë që lidhen me ngjarjet dhe përjetimet e autores, por edhe të shumë e shumë kosovarëve tjerë. Ne këtu i prezantuam vetëm disa prej tyre, pa dashur ta shtrydhim tërë përmbajtjen e romanit, por me qëllimin më të mirë, për ta nxitur leximin.
Biografia e shkurtër e autores: Teuta S.Haxhimusa-Çerkini, u lind në vitin 1976, në Ferizaj. Pas gjimnazit të kryer në vendlindje, studimet për gjuhë dhe letërsi angleze i mbaroi në Fakultetin e Filologjisë, të Universitetit të Prishtinës. Studimet master, për Menaxhim të Përgjithshëm, e me specializim për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, i kreu në Universitetin e Sheffieldit, më 2013. Prej vitit 1999 ka punuar në organizata të shumta ndërkombëtare, duke e zhvilluar karrierën e saj profesionale për 20 vjet në role e pozita të ndryshme menaxheriale dhe në konsulenca me organizata të ndryshme ndërkombëtare, të cilat veprojnë ose kanë vepruar në Kosovë.Me botimin e këtij romani, të parë, është dëshmuar se ka dije, vullnet, pasion dhe talent edhe për letërsi, dhe në të ardhën mund të priten vepra të reja prej kësaj autoreje.