Adil Fetahu

Adil Fetahu: SHËNGJERGJI  – FESTË PAGANE APO E KRISHTERE?

Festat janë ditë të shënuara gjatë vitit, të cilat populli i kremton. Ato lidhen me  ngjarje  ose personalitete historike, kulturore, arsimore  e të tjera. Ka festa fetare, festa kombëtare, festa andërkombëtare, ditë botërore, por  ka edhe festa lokale. Shtetet me ligje përcaktojnë festat zyrtare dhe ato jozyrtare. Dardania/Kosova me Ligjin Nr.03/L-064, dt.23.05.2008, ka përcaktuar tri lloje festash gjatë vitit kalendarik: 11 festa zyrtare; tri festa jozyrtare dhe dy të ashtuquajtura “Ditë Memoriale”. Festa jozyrtare në Dardani janë: 7 marsi – Dita e Mësuesit; 8 marsi – Dita Ndërkombëtare e Gruas dhe 22 marsi – Dita e Nevruzit. Ndërkaq, “Ditë memoriale” janë: 8 prilli – Dita e Romëve dhe 6 maji – Dita e Goranëve.

Në popullin e Dardanisë, 6 maji, Dita e Shëngjergjit gjithnjë është konsideruar si dita e romëve, sado që me disa doke, rite, veprime dhe aktivitete edhe shqiptarët e kanë shënuar këtë ditë. Tash si “ditë memoriale” e Romëve është caktuar 8 prilli, duke e lidhur këtë me mbajtjen e Kongresit të Parë Rom (8 prill 1971), dhe kjo ditë është caktuar “memoriale” në Kongresin e Katërt të Romëve, mbajtur në Poloni (1990).

Pse 6 maji u është lënë Goranëve si “Ditë memoriale” e tyre, duhet kuptuar nga fakti se atë ditë në fshatrat e Dragashit dhe gjithandej ku ka pjesëtarë të këtij komuniteti (ekziston edhe Gora e Kukësit), tubohen Goranët e rrethinës dhe shumë sish vijnë edhe prej mërgimit për tubime të tilla, në të cilat organizohen lojëra, gara në mundje, gurapeshk, vrapim kembë dhe me kuaj, gara përlamje të deshëve e demave, sporte tjera, muzikë me zurla e tupana, panaire të vogla, takime familjarësh e miqësh, njohje midis djemëve e vajzave dhe manifestime gjithëfarësh.

Në Republikën e Shqipërisë, përveç 13 festave zyrtare, janë caktuar edhe dy festa jozyrtare: 7 Marsi – Dita e Mësuesit, dhe 8 Marsi – Dita e Nënës. Dita e Nevruzit atje është caktuar si festë zyrtare, ndërsa “ditë memoriale” nuk ka.

Festa e Shëngjergjit

Sado që besimet kristiane, katolike dhe ortodokse,  ditën e Shëngjergjit  e lidhin me një martir të besimit kristian,  nuk ka dyshim se kjo festë është parakristiane,  është ruajtur prej kohës së paganizmit deri në ditët e sotme dhe është trashëgimi jomateriale në kulturat e shumë popujve, sikurse edhe në kulturën popullore të shqiptarëve, pavarësisht nga  besimet që kanë marrë në ndërkohë (kristiane apo myslimane). Deri vonë, dita e Shëngjergjit ishte festa më e gëzuar popullore, që simbolizonte ngjalljen e natyrës, botës bimore e blegtorale, festë që sjell verën dhe i jep fund vuajtjes nga të ftohtit dhe acarit të dimrit.

Duke marrë parasysh doket dhe ritualet që zbatohen në Ditën e Shëngjergjit, është e sigurtë se kjo festë popullore lidhet me bujqësinë dhe blegtorinë. Në natën e Shëngjergjit mblidheshin lule, hithëra, lakra të livadheve, rrema me gjethe drujsh (shelnje, mani, jorgovani, etj.). Me lule e gjethe stoliseshin dyerët e oborreve, të shtëpive e të ahrijeve, thureshin kurora të cilat i venin vajzat në kokë. Fëmijëve iu lidhnin rreth dorës një pe të dredhur bardh-kuq, për t’i mbrojtur nga  “syri i keq” dhe magjia e nga çdo e keqe. Fëmijët zgjoheshin sa më heret, që të mos bëheshin gjumashë gjatë verës. Ushqimet për Shëngjergj përgatiteshin me baza bimore dhe blegtorale. Me hithëra e lakra të livadheve gatuheshin lakrorë, po gatuheshin edhe flija dhe hahej edhe persheshi i bukës së misrit, me tambel (qumësht). Therreshin edhe qingja ose edha (kecër), si flijim (kurban) për tufën e bagëtive. Tregu i kafshëve në qytete mbushej me qingja e keca, sikur që për Kurban-bajramin mbushet me dele e deshë. Hithërat qiteshin në ujë dhe me atë ujë e me gjethe hithi i stërpiknin fëmijët në mëngjes sapo zgjohëshin prej gjumit, apo edhe akoma sa ishin fjetur fjetur. Kjo kishte simbolikën e shëndetit, sepse hithi konsiderohej si bimë e shëndetshme. Edhe kafshëve atë mëngjes u jepeshin barëra e gjethe të ndryshme për ushqim, iu lidhnin penjë të kuq në brina ose në bisht. Para Shëngjergjit bëhej gëlqerosja e shtëpisë, dhomave, odave, larja e rrobave, shtrojave e mbulojave. Ditën e Shëngjergjit ndahej “mengezi”, dmth. bagëtia qiteshin në kullotë në dy turne:  paradreke e pasdreke, silleshin në torishtë e ahrije  për pushim të ditës, dhe përsëri nxirreshin në kullotë pas dreke, deri vonë në mbrëmje. Barijtë e dinin kohën kur t’i kthenin bagëtinë në “mengez”, duke e matur hijen e vet: kur arrinte hieja gjatësinë e tri shputave të këmbëve të bariut (kjo natyrisht kur ishte dita me diell, ndërsa ditët tjera pyesnin diken për orën, ose këtë e bënin me hamendje). Të gjitha doket dhe ritet që zbatoheshin, lidheshin me  shëndetitin e njerëzve, bereqetin dhe pjellorinë e kafshëve.

Shëngjergji shënonte kufirin midis dimrit e verës, sepse llogariteshin vetëm dy stinë të vitit: vera që zgjatë prej Shëngjergjit deri në Sh(ën)mitër (6 maj – 8 nëntor), dhe dimri (9 nëntor – 5 maj). Me Shëngjergj, si krye viti, lidheshin shumë afate: të marrjes së huasë e kthimit të borxhit;, ndaheshin “vade” për fejesa e dasma, jepeshin bagëti (dele, dhi ose lopë) në qesim (që ishte në formë e koncesionit), lidheshin “kontrata” me rrogëtarë për punë të verës ose për ruajtjen e bagëtisë, etj. Me Shëngjergjin  lidhej sigurimi i ushqimit për njerëzit e për kafshët, sigurimi i druve për nxemje etj.(“Deri në Shëngjergj..”). Me shëngjergja llogaritej edhe mosha e njerëzve.

Kisha si institucioni më reprezentativ  dhe autoritativ i popullit, e ka marrë dhe përvetësuar edhe festën e Shëngjergjit, duke e lidhur këtë me një martir, të quajtur Gjergji (Gjorgje, George), të shekullit III- IV, të cilin gjoja se pushteti romak e kishte burgosur, munduar dhe ia kishte prerë kokën, më 23 prill të vitit 303 (23 prilli sipas kalendarit të vjetër Julian, i bie 6 maj me kalendarin e ri Gregorian). “Saint George Dey” njihet në shumicën e të krishterëve katolikë dhe anglosaksonë. Kështu e shënon Enciklopedia katolike, dhe  duket se prej saj e ka marrë edhe kisha ortodokse. Bile, duke marrë parasysh  njëjtësinë e shtetit dhe kishës ortodokse, shteti i Serbisë, i prirur për të përvetësuar vlerat historike dhe kulturore të të tjerëve, në vitin 2015 Shën Gjergjin e ka futur në Regjistrin kombëtar të trashëgimisë jomateriale etnokulutorore serbe. Edhe ndojë studujues nga radhët e shqiptrëve orvatet ta përvetësojë Shëngjergjin si festë ilire ose parailire (pellazge), të lashtësisë sonë shqiptre. Por, kushdo që ta përvetësojë Shëngjergjin si ditë të vetën, ajo është një ditë e trashëguar  nga kultura pagane dhe e praktikuar në kulturën e shumicës së popujve.

Feja e vërtetë myslimane, përpos tarikatit “Sufist”,  nuk e veçon as prefillë Shëngjergjin si ditë të veçantë, sikurse nuk e prefillë as Vitin e Ri, Shën Valentinin apo datat e tjera të festave, përveç festave fetare myslimane, të dy bajramave.

Në toponominë shqiptare, emrin Shëngjergj e mbajnë edhe disa fshatra të njohura. Në Has të Dardanisë një fshat mban emrin Shëngjergj, ndërsa në rrethinën e Tiranës fshati  Shëngjergj është i njohur si vend turistik. Në rrethin e Durrësit, fshati Shëngjergj është i njohur edhe për mbrojtjen e hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një fshat Shëngjergj është edhe në Gorën  e Kukësit, ku ekziston një numër goranësh.

Edhepse dita e Shëngjergjit ka humbur rëndësinë e saj si festë popullore, ajo mbetet si një pasuri kulturore e lashtësisë, interesante për studjuesit, sidomos ata të etnologjisë dhe folklorit. Dita e tretë pas Shëngjergjit, quhej Shmarku, apo Shën Marku, ditë kur sipas zakonit të moçëm, nuk duhet të punonin as burrat as gratë!

 

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …